English

Rama në "Top Story" flet me mantelin e kryeministrit. Asnjë deputet do të jetë ministër

Kryeministri i ardhshëm Edi Rama përballë gazetarëve të ftuar në emisionin Top Story ka sjellë një përmbledhjeve të gjërave që do të ndodhin nën drejtimin e tij si dhe i është përgjigjur pyetjeve specifike të drejtuar nga gazetarët e ftuar.
Intervista e plotë e drejtuar nga gazetari Sokoll Balla jepet e plotë më poshtë:

Zoti Edi Rama, riktheheni nga Lezha dhe keni premtuar që do të nisni tashmë një tur të ri falënderimesh në të gjithë Shqipërinë?

Patjetër që do të falënderoj të gjithë në çdo qark, është një detyrim që do ta bëj me përkushtimin dhe përulësinë më të madhe.

Zoti Rama, në vitin 1998 ju mbërritët në Tiranë për një çështje personale dhe pas pak kohe u futët në qeveri. 15 vjet pas nisjes së projektit që përfundoi me dy gola, atë që ju bën kryeministër dhe tjetrës që i jep fund epokës së dominimit të politikës shqiptare nga zoti Berisha, ju si ndiheni?

Të them të drejtën nuk e përjetoj si një triumf personal dhe jam shumë i sinqertë në këtë pikë. Vota e 23 qershorit ishte një votë e barabartë me një revolucion të heshtur me votë. Për mua nuk është një votë që ndryshon një qeveri nga një tjetër, por një votë për një ndryshim shumë më të madh dhe kjo paralelisht me gëzimin e natyrshëm rrit shumë edhe përgjegjësinë, rrit shumë edhe nevojën për të qenë të vetëdijshëm se shqiptarët nuk kanë luftuar për të na dhënë ne mundësinë të ulemi në karrige, por na kanë vënë në krye të punëve për të bërë për ta ndryshimin që besoj jua bëmë më të afërt duke i zgjuar një shpresë që dukej sikur nuk do të zgjohej më në kushtet e një rrënimi të përgjithshëm.

Folët për zgjedhje të lira, por këtu ka një bindje që përjashton ngjarjet e Laçit dhe disa incidente, përfshirë edhe pak incidente në fushatë, kemi pasur fushatën më të lirë dhe të mirë ndonjëherë. Nuk i njihni qeverisë aktuale ndonjë meritë?

Për mua, kur flas për zgjedhje të lira flas për vendosjen e rezultatit nga vullneti i popullit, kurse përsa i përket lirisë së gjithë procesit mendoj se ka ende shumë për të bërë akoma, sepse nuk mund të quhet proces i lirë ku njerëzit realisht u dhunuan psikologjikisht, për të marrë pjesë me pahir në fushatën e partisë në pushtet dhe në këtë aspekt, kur them që ka shumë për të bërë, do të fillojmë atë që kemi premtuar, duke mbledhur të gjitha dëshmitë e të gjithë atyre që pa dëshirën e tyre, duke qe-në pjesë e administratës, janë detyruar të bëhen pjesë e fushatës e do të ndëshkojmë sjelljen e të gjithë drejtorëve që kanë shpërdoruar detyrën duke bërë pjesë njerëzit të diçkaje që nuk donin të ishin. Mbylljet e shkollave dhe shërbimeve të ndryshme nuk mund të mos ndëshkohen, jo për të marr ndonjë hak, por për të mos lejuar që kjo të ndodhë përsëri edhe më vonë.

Folët se fitorja është e një modeli mbi një model tjetër dhe kërkohet një model i ri qeverisjeje. Në librin tuaj “Kurban”, duke bërë analizën e ndryshimeve kushtetuese, pranoni me tone autokritikë se për disa nga aty ndryshime, në vend që të vinim vetulla nxorëm sytë. Çfarë planifikoni të bëni për të riparuar atë dëm që është bërë për rivendosjen e balancës së pushtetit?

Kjo është një çështje e hapur dhe më lejoni që t’iu përgjigjem shumë thjesht: Ne i fituam zgjedhjet me një mandat shumë të fortë, për të ndërtuar një realitet të ri dhe natyrisht që jam i vetëdijshëm se zgjedhjet i fituam duke ndërtuar një koalicion që i dha mundësi njerëzve të ndihen të mbrojtur e shkuan në votime pa droje, me bindjen që koalicioni ynë do të garantonte shprehjen e vullnetit të tyre sic rezultoi. Ky koalicion, i përbërë me shumë parti, por i vendosur mbi boshtin strategjik PS-LSI, do të vijë në pushtet me një reflektim për të shkuarën në shumë aspekte dhe gjëja që më takon të them është se të gjitha këto çështje do të konsultohen në mënyrë të ngushtë dhe intensive me partnerin tonë, e vendim-marrja do të jetë fryt i konsultimit. Pra, nëse deri dje kemi pasur një qeveri me një kryeministër që i anonçonte në TV vendimet, e të shumtën e herës vendime tërësisht arbitrare, kjo nuk do të ndodhë më. Vendimet që do të më takojnë të anonçoj do të jenë të konsultuara dhe edhe për këtë çështje do të konsultohemi, e vullneti i dyanshëm ekziston.

Tani që fillojnë bien emocionet, lodhjet dhe ekseset e fushatës, unë kam bindjen se deklarata juaj e fitores dhe deklarata e dorëheqjes së zotit Berisha ngelën dy momentet më brilante të kësaj fushate dhe kam bindjen që janë dy momente të cilat ne me krenari mund t’i vendosim në raftin e privilegjuar të demokracisë sonë. Por, ju keni deklaruar akti i parë do të jetë anulimi i planit rregullues të Tiranës, a do të rikonsiderohet kjo ashtu si ristrukturimi i administratës?

Të jeni të bindur që nuk ka paqe pa drejtësi. Me këtë dua të them që sigurisht që do të ndërtojmë një sistem ku nesër, cilido qoftë në pushtet e ne të parët, të mos jetë në gjendje të shpërdorojë liritë dhe të drejtat e njeriut, duke shpërdoruar detyrën shtetërore për të marrë njerëzit e kthyer në kope mitingjesh elektorale. Nga ana tjetër, në qoftë se do të ketë një shembull që “shiko kur gjërat mbarojnë nuk të mbron kush”, të mbron vetëm zgjedhja jote ndaj ligjit. Nëse kjo nuk bëhet, nesër, ata tanët do të bëjnë të njëjtën gjë. Fakti që nëse abuzon me idenë që e je i mbrojtur, siç kanë abuzuar një sërë drejtuesish të Policisë së Shtetit, që janë përgjegjës për situatën që doli jashtë kontrollit me pasojë vdekjen e njerëzve në Laç, atëherë historia përsëritet shumë thjesht. Kështu që ne, pa asnjë dyshim dhe e përsëris, e për këtë jam i bindur, do të bëjmë çmos të japim në radhë të parë njerëzve lirinë për të marrë frymë pavarësisht në janë me ne apo kundër nesh, kudo qofshin, mësues, nëpunës, mjekë, biznesmenë, etj. Nga ana tjetër, kjo s’mund të bëhet me fjalime, por duhet shoqëruar me akte dhe absolutisht konkrete e nuk mund të har-rohen ata që i thanë njerëzit o në zyrën elektorale të PD, o në rrugë. Kjo nuk mund të harrohet pasi ky sistem po ndërtohet mbi bazën e kësaj fryme. Mund të kesh një detyrë partiake, por kur ke një detyrë shtetërore të paguan shteti dhe kur merr këtë detyrë e në të mund të bësh ligjin, bindjet politike nuk mund të tolerohen.

Nuk mund të mos bie dakord me idenë tuaj që gjithçka duhet të formësohet nga ligji, e kjo duhet të çojë sjelljen e njerëzve drejt një bashkëvlere, por këtu ka një problem që nuk është hera e parë që ndërrohen pushtetet dhe ne kemi parë që largimi nga pushteti, nuk ka sjellë dënimin e korrupsionin të pushteteve të mëparshme, edhe për faktin që ajo qeveri që ka dashur të veprojë në këtë mënyrë, është akuzuar se ka dashur të hakmerret ndaj një kundërshtari paraardhës. Ne s’kemi një pushtet të pavarur gjyqësor, ndaj si kapërcehet ky handikap?

Ka dy aspekte, etik dhe penal. Në atë etik, qeveria nuk ka alibi. Nëse drejtori i shkollës nxjerr në rrugë fëmijët në miting ndaj opozitës, këtu jemi në shpërdorim detyre nga ana etike dhe ligjore. Pjesën etike e ka përsipër qeveria, sepse një ministër arsimi dhe një kryeministër që nëse nuk duan që kjo histori të përsëritet, duhet që ata që e kanë shkruar këtë histori si drejtues, s’mund të drejtojnë më. S’mund të drejtojnë më shkolla njerëzit që kanë mbyllur shkollën për të çuar fëmijët në miting dhe ndërkohë, ata që do t’i zëvendësojnë do të marrin mesazhin që vërtet unë mund të shërbejë symbyllurazi, por këta protektorët e mi një ditë s’do të jenë më. Nuk do të ketë më në Shqipëri një kryeministër që do të bëjë të gjithë detyrat, edhe historianin, edhe gjykatësin, edhe trajnerin e kombëtares, të cilin do at kishte bërë po të dinte diçka nga sporti, kryeministër që jepte dënime publike, gjëra që krijuan një gjendje asfiksie duke rrënuar besueshmërinë e institucioneve, duke hapur rrugën e një flirti gjithmonë e më mëkatues midis pushtetit ekzekutiv e atij gjyqësor, duke bërë favore të anasjella. Pa pretenduar se drejtësia do të ndryshojë sakaq, fillimisht duhet të heqim krejtësisht duart e ekzekutivit nga pushteti gjyqësor. Ndëshkimi i korrupsionit të së shkuarës nuk më takon mua, sepse nuk mund të marr përsipër të bëj një kryqëzatë antikorrupsion, por këtë mund ta bëjë fare mirë një sistem drejtësie i pavarur.

Vendi ka ende një kryeministër në detyrë deri në shtator dhe nga informacionet që kanë dalë në media, duket se ka një ritëm jo të zakontë pushimesh nga puna, marrjesh në punë, shpallje tenderash... Pra në momentin kur vendi ka një qeveri në detyrë, deri në shtator, a do të vazhdoni të bëni opozitën deri në përmbushjen e rotacionit?

Kam ndjekur procesin që pararendi dhe pasoi zgjedhjet në Itali e pati një periudhë kur Mario Monti qeverisi edhe pse kishte humbur mbështetjen e partive dhe e kam ndjekur me shumë vëmendje atë rotacion. I gjithë procesi qeverisës ishte ajo që e quajnë administrimi rutinë pa vendime të reja, pa shpenzime të reja, pa hapje kantieresh të reja, qoftë në aspektin e legjislacionit, qoftë të punëve e kjo është etika qeverisëse në një proces tranzicioni. Madje unë shkoj edhe më tutje, që një tranzicion etik do të duhet të ishte një tranzicion ku të zgjedhurit e rinj kanë hapësirën për të marrë informacion dhe dorëzuar detyrën gradualisht, në një kornizë bashkëpunimi mes palëve. I marr këto të dhëna dhe do të bëjmë ç’mundemi duke kërkuar që në asnjë mënyrë të mos procedohet me çështje dhe punë që s’i takojnë më kësaj qeverie, e cila veç të tjerash, e ka çuar deficitin buxhetor vetëm gjatë këtij viti në shifra të panjohura më parë për shkak të fushatës elektorale, e ka përgjegjësinë e madhe që e ka zbrazur arkën e shtetit e nuk duhet të lërë vend për dyshim që po punon për një skenar financiar kaosi, për të bërë shpenzime që nuk i takojnë të bëjë. Ndaj bëj një apel, për të gjithë ata që nën ministrat e shohin këtë dy muajsh si atë që të marrin çtë marrin, se çdo tender dhe procedurë që do të bëhet në këto dy muaj është në monitorim dhe menjëherë do të jetë objekt hetimi.

Ka një farë situate agonie në administratë ç’është e vërteta, pasi nisur edhe nga deklarata e aleatëve se të gjithë të hequrit nga detyra do të kthehen, nisur nga këto që ju thatë në pjesën e parë, e duke pasur parasysh mosbesimin që ekziston, cili është mesazhi juaj?

Në tatime për shembull, ka njerëz që ka arsye të forta që tani duhet të ndihen jo mirë dhe të kërcënuar nga ndëshkimi sepse organet tatimore, me një trajtim arbitrar kanë bërë dëme të mëdha mbi kompanitë, e mbi njerëzit që në këtë vend kanë vendosur të merren me një sipërmarrje. Pse dhe si ka ndodhur që këta drejtues i kanë bërë këto dëme, ku e gjetën këtë forcë? Në mbështetjen politike dhe brenda një modeli abuziv që sidomos në vitin e fundit, nuk ka njohur asnjë cak. Ashtu si në rastin e shkollave, administratës, do të kërkojmë që të gjithë ata që kanë një dëshmi për këtë, për marrjen me pahir në fushatë, të dëshmojnë, ashtu siç do të jenë të mirëseardhura dëshmitë e kompanive. Nga ana tjetër, përsa i përket riformatimit të administratës, ne shumë shpejt do të startojmë një program që bazohet në ftesën për të gjithë njerëzit me kapacitet dhe gatishmëri për të shërbyer shtetin, që të aplikojnë dhe mbi bazën e aplikimeve të marrin sa më shumë burime njerëzore të përgatitura për të ndërtuar një administratë që të jetë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, që do të thotë se të gjithë atyre që i dukej e pamundur t’i shërbehej shtetit sepse do të kalonin nga zyra e kuadrit në partinë që drejtonte ministri i Brendshëm, sot ta kenë të hapur për të ofruar kapacitetin e tyre në shërbim të shtetit. Kthimi i njerëzve në punë ka të bëjë me vendime gjyqësore që kanë përcaktuar se heqja e tyre është bërë arbitrare, ka pasur arbitraritet në heqjen e njerëzve, vetëm për t’i zëvendësuar me besnikë të këtij modeli që shqiptarët e rrëzuan me një votë absolutisht të padiskutueshme.

Më pëlqeu që në harkun e 24 orëve, fjalimi juaj paqtues kushtëzoi një tjetër fjalim me tone të ulëta të kryeministrit dhe realisht m’u duk se qe një thyerje shumë e bukur për mirë në një palë marrëdhënie 20-vjeçare e kusur të majisura mes jush dhe zyrës tjetër përballë. Ju e keni vuajtur prej vitesh arrogancën politike, përqendrimin gradual të pushtet-it në një dorë dhe besoj se me të drejtën e atij që ka pësuar dhunën mbi vete, do të keni të gjithë vullnetin ta korrigjoni atë dhunë. Pyetjen time do të kaloj në sistemin e garancive që mund t’i ofrohen një opozite që sot, duket paradoksale ta themi, u transformua nga një pushtet që kontrollonte gjithçka, për shkak të një milionë votave, është një opozitë e dobët në minimume historike. Në cilat drejtime do të përpiqeni të ftoni opozitën, ta bëni pjesë për aq sa i takon të procesit qeverisës, për shembull në komisioone parlamentare, institucione, hartime ligjesh, etj?

Edhe një herë, në çështjet e formimit të qeverisë do të më lejoni të jem shumë i rezervuar sepse e thashë edhe në fillim, nuk është punë negocimi, por bashkëpunimi dhe bashkërendimi i ideve dhe marrjes së vendimeve me aleatët tanë. Përsa i përket pjesës tjetër, edhe një herë besoj se ne do të ndryshojmë vijën e sjelljes ndaj opozitës, në mënyrë radikale. Të mos harrojmë që qeverisja e deridjeshme ka qenë e bazuar në luftën me opozitën më shumë sesa në luftën me varfërinë, pa-punësinë, planet sociale dhe ka qenë e trazuar shumë më tepër në ushqimin e zjarrit të konfliktit dhe të ndasisë për t’iu dhënë shqiptarëve një pamje bardhezi, o me të bardhën o me të zezën, se sa në krijimin e një trupi që prej historisë erdhi në demokraci i plagosur e sot mbetet i tillë. Të ndryshosh vijën e sjelljes me opozitën do të thotë ta respektosh atë jo thjesht duke thënë që ne e respektojmë duke shtuar nja 7 fjali të tjera mbrapa, por do të thotë që në kushtet kur sot na duhet të administrojmë edhe pushtetin legjislativ, t’i japim jetë një parlamentarizmi europian, me të gjitha parametrat që kjo përmban.

Do të ulem me Metën për qeverinë e re

I pyetur për dorëheqjen e Berishës, Rama ka thënë se nuk ka asnjë koment. “Nuk kam asnjë koment për dorëheqjen e Berishës. Jam i kënaqur për Shqipërinë dhe për njerëzit që kanë një çlirim të brendshëm për një rrotacion nor-mal dhe për zgjedhjet e lira dhe që me votën masive, bënë të pa-mundur manipulimin e zgjedhjeve. Kur flas për zgjedhje të lira, flas për vendosjen e rezultatit nga vullneti i popullit. Kurse kur flas për procesin, mund të them se ka akoma shumë, kur njerëzit realisht u dhunuan psikologjikisht për të marrë pjesë në fushatën e partisë në pushtet”, tha ai. Qeveria e re Duke folur për qeverisjen e ardhshme, Rama ka thënë se çdo vendim do merret në konsultim me aleatët. “Çdo vendim qeverie, ndryshe nga qeveria e kaluar, nuk do të merren më duke u anoncuar nëpër media, por duke u konsultuar më parë me aleatët tanë. Do të ulemi me kreun e LSI-së për të ndërtuar një plan pune dhe hartë për rrugët që do të përshkojmë për një sërë çështjesh, duke nisur nga qeverisja, deri tek parlamentarizmi”, tha Rama. Për ndarjen e pushtetit, Rama tha se ajo nuk do të bëhet në bazë përqindjesh, por kapaciteteve. “Boshti strategjik i fitores sonë është PS-LSI dhe ne nuk do të vëmë peshoren për të bërë ndarjen e posteve dhe përqindjeve, por do të vëmë peshoren për të ndarë kapacitetet dhe asaj që ofrojnë të gjithë njerëzit tanë, për t’i vendosur në pozicionet e duhura. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë një ndarje, sepse jemi dy parti. Por, gjithçka do e bëjmë në mënyrë të konsultuar dhe nuk do ndahemi si në sinore dhe t’i trajtojmë ministrat si ushtarë. Duhet të ndryshojmë model”, tha ai. Ndërsa duke folur për akuzat se LSI ka qenë pjesa më e korruptuar e qeverisë së kaluar, Rama ka thënë se kjo nuk është e vërtetë, pasi përgjegjësinë më të madhe e mban kryeministri dhe partia më e madhe. "Shqipërinë në katër vitet e fundit nuk e ka qeverisur Ilir Meta, por dikush tjetër dhe përgjegjësitë nuk janë mbi një parti me katër deputetë sa kishte LSI, por janë mbi partinë më të madhe dhe kryeministrin". u shpreh Rama.

Asnjë ministër deputet

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama këmbëngul se asnjë prej ministrave të qeverisë së re nuk do të jenë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Ata do të duhet të largohen nga Kuvendi e të heqin dorë nga mandati nëse duan të ulen në karrigen e ministrit. Rama insistoi se kjo krijon një lloj tensioni pozitiv mes qeverisë dhe ministrave çka bën që secili të jetë ministër për shkak të punës së tij dhe jo për shkak të presioneve që bën. Kryesocialisti Edi Rama deklaroi se e ka ftuar kreun e opozitës Sali Berisha në festën e ditëlindjes së Partisë Socialiste e cila do të mbahet ditën e hënë. Ai u shpreh se do t’i shtrijë dorën “kreut aktual të opozitës”, Berishës, por edhe Arben Malajt për ekspertizën e tij.

Nuk do të sillem ndaj Lulzim Bashës, siç bënë me mua

Kryetari i PS-së Edi Rama tha se nuk do të ndjekë ndaj Lulzim Bashës të njëjtën rrugë me pushtetin e kaluar që bllokoi punën e institucionit të Bashkisë së Tiranës, kur drejtohej prej tij. “Sa i takon Bashkisë së Tiranës, jam absolutisht i bindur që eksperienca ime, e atij rrethimi të Bashkisë nga gjithë ajo hordhi pushteti e abuzimi për të penguar punën, do të më ndihmoj që ky pushtet të mos përsërisë ato gabime për të mirë e qytetarëve dhe marrëdhëniet me bashkinë do të jenë të një raporti në respekt të qytetarëve dhe jo i diktuar nga marrëdhënia politike e personale me njerëzit që janë në krye të pushtetit vendor”, u shpreh Rama.

KOMENTE