Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Sali Berisha. Ai për të cilin u shpik antiberishizmi
English

Sali Berisha. Ai për të cilin u shpik antiberishizmi

Gjykomëni nga armiqtë që kam bërë,kërkonte Franklin D. Roosevelt. Sali Berisha i ka të shumtë armiqtë dhe kësisoj më të lehtë gjykimin. Ai është një burrë që i tejkaloi të gjitha pengesat ku njerëzve të zakonshëm u merren këmbët e rrëzohen: gjeografike, historike, shoqërore, klasore, e së fundmi edhe politike. Ka patur tek ai momente të diskutueshme, sigurisht: autoritarizëm, kokëfortësi, mujshari nganjëherë, e një sens individualizmi të pashtershëm.

Ai u ka dhënë jetë shumë gjërave, të mira, të këqija e kundërthënëse, por më lart nga të gjitha, më e paepur, më epshore, mbetet antiberishizmi. Antiberishizmi, siç mëtojnë bartësit e tij është antivirusi i së kundërtës së vet berishizmit. Nëse u kërkon një recetë të berishizmit, një shpjegim të shenjave të tij, armiqtë ia gjejnë pikërisht tek autoritarizmi, mujsharia, kryeneçësia, individualiteti. Berisha është një forcë e së keqes, thonë. Duke lindur nevojën e një anti- e ngrenë kështu një njeri në ideologji, e lartësojnë atë duke u munduar ta ulin. Rrëgjimi i tij bëhet qëllimi i tyre, ndërkohë që targeti lëviz dhe merr trajta të historikes, edhe pse synimi është e kundërta: të përshkruarit si anti-historik të tij.

Zig-zagu i gjatë i Berishës me antiberishistët, i ka fillimet e veta që në krye të tranzicionit, aty nga viti 1991-1992, kur me themelimin e Partisë Demokratike, filloi gara e kryesimit të saj e rrjedhimisht lufta e grupeve dhe individëve për postin e numrit 1. Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko apo ndonjë tjetër, do ta drejtonin partinë e parë opozitare në Shqipëri? Përpjekjet dhe lufta e bërrylave, hatërmbetjet dhe mëritë e para u kthyen shpejt në zili apo komplekse për t’u ndjekur pas ardhjes në pushtet të PD nga skizma që ndoqën njëra-tjetrën. Të gjithë iknin dhe fajësonin Berishën; të gjithë u bënë antiberishistë të vendosur, aq shumë të tillë sa preferonin edhe kundërshtarin ideologjik e politik. Historia e Partisë Demokratike, duhet thënë, është histori e berishizmit, sa ç’është edhe e antiberishizmit. Në kufijtë e PD-së ka gjalluar përherë silueta e një partie tjetër e veshur në blu, e djathtë, liberale që priste t’i zinte vendin PD-së së Berishës. Aq shumë e tillë qe kjo dytëse e PD-së, sa edhe siglat mëtonte t’i kishte të njëjta. Kujtoni PDr e Genc Pollos dhe të tijve.

Antiberishizmi i skizmatikëve të PD legjitimoi gogolin e Berishës tek e majta. Por të gjithë, përveç Berishës, gjenden sot brenda një paradoksi të madh: antiberishizmi ka rënë ‘me urdhër’ të atyre që e lindën, sepse ata janë të gjithë nën një strehë me Berishën. Madje është ai që po ikën dhe po i lë. I ka bashkuar kjo humbje e fundit elektorale, e fundbotshme gati, dhe të gjithë ndihen ose duken njëlloj të pikëlluar, gati-gati të penduar e deri diku borxhlinj me Berishën.

Të majtët ndërkohë e vazhdojnë betejën e tyre, dhe ende e kanë kauzë antiberishizmin. Edhe pse Berisha ka dhënë dorëheqjen para disa ditësh dhe është në fazën kalimtare të qeverisjes, deri në shtator kur bën betimin ekzekutivi i ri, fletushkat e së majtës vazhdojnë të shfryjnë e të ndërtojnë hiperbola hipotetike me hijen e Berishës.

Kjo duhet kërkuar, jo te stili i Berishës, hamendësimi se ai po krijonte partinë-shtet apo se donte ta kthente vendin në monarki, por pikërisht te mendësia monopartiake me të cilën është mësuar individi shqiptar. Gjysmë shekulli nën partinë e Hoxhës dhe më herët pesëmbëdhjetë vjet nën Mbretin Zog e majta po kërkonte të njëjtin model, por në kahun e saj. Berisha ishte muri i madh i pakalueshëm për te kjo gjendje permanente monopartizmi. E lexon këtë lehtë në retorikën e dy krerëve të partive të majta që theksojnë se Berisha ka ardhur dhe qëndruar në pushtet vetëm si pasojë e përçarjes së të majtës. Ka nga ata që publikisht ose jo flasin për një zhbërje të Partisë Demokratike dhe për një të majtë që do të rrijë në pushtet pafundësisht.

Ka filluar pra përpjekja për të zhbërë opozitën, që është në fakt një përsëritje e një mendimi të mëparshëm në qarqe të majta, së cilës Berisha i rezistoi, e mundi dhe erdhi në pushtet.

Anti-berishizmi nuk është gjë tjetër në fakt përveçse anti-opozitarizëm. Berisha është lideri i parë opozitar. Ai është pengesa e madhe, e lartë sa malet e vendlindjes së tij, për të shkuar te ky rrafshim. Te ky popull i majtë që meriton një qeverisje të majtë. Këtë paradigmë nuk e kundërshton aspak fakti se koalicioni aktual që merr pushtetin në shtator përbëhet nga dy parti. Ato janë në fakt një parti e vetme. Si në stilin e Partisë Komuniste, Rama është komisari politik, e Meta komandanti ushtarak.

NËSE ANTIBERISHIZMI DO TË TRETET NGADALË, PO BERISHIZMI SI DO TË JETOJË? Kur fërkimet e ditëve politike të sfumohen në horizontin përherë të shqetësuar të historisë, berishizmi do të shndërrohet në formën e tij të parë dhe do kthehet te një emër: Sali Berisha. Dikush thotë se, sikur për asgjë tjetër, Berisha është fatlum se qe ndoshta i pari shqiptar që hapi një fjalim politik pas 45 vitesh komunizëm me ‘zonja dhe zotërinj’. I ka pëlqyer Berishës theksi i plotë, ndihmuar edhe nga gegnishtja e tij kryelartë, mbi “zonja e zotërinj”. Për të mos harruar atë tjetrën. “Zoti e bekoftë Shqipërinë!” Sigurisht që nuk është Berisha ai që i ktheu vendit Zotin dhe galantarinë, por ai qe në atë kthesë të historisë ku shqiptarët u takuan me këto nocione të harruara. Shqiptarët dolën nga “barazia në mjerim”, nga “shokë e shoqe” dhe u bënë “zonja e zotërinj”. Si mundësi, jo si shndërrim.

Berisha, nuk është, siç akuzohet, politikani që nuk pranon humbjen dhe nuk tërhiqet. Respektimi i verdiktit të sovranit në nëntor 1994 kur humbi në Referendumin e Kushtetutës, e dëshmon këtë. Dorëheqja nga posti i Presidentit të Republikës më 1997, gjithashtu. Tërheqja nga kryesimi i PD në qershor 2013 pas humbjes përballë koalicionit të majtë, gjithashtu.

Tri shenja tolerance përballë tri mandateve të tij qeverisëse janë mjaftueshëm për repertorin e një lideri modern. Shenjat e autokracisë ia njohim gjithashtu e ndoshta edhe ai vetë në heshtje i pranon. Ndoshta edhe me zë kur i drejtohet vetes në emër: unë jam Sali Berisha.

Por shenja më e madhe e Sali Berishës që shpjegon pothuajse plotësisht genuine-itetin e tij është lidhja e tij me turmën, me njeriun e thjeshtë. Askush ndonjëherë nuk mund t’i kapë atij një sekondë të vetme përbuzjeje për dorën apo përqafimin që zgjatej nga masa e njerëzve që sikur dilte nga fundi i dheut kur në qytet a fshat mbërrinte Berisha. Ishte një zgjedhje e lirë. E tillë që nga 1991, kur ai shihej si simbol i lirisë në prag, ashtu dhe në 2013, kur mbi profilin e tij kishin vërshuar vitet dhe shenjat e një jete politike në stuhi. Ai nuk shpërfaqte dendy-zmin e Nanos dhe as arrogancën urbane të Ramës.

Për kundravajtjet, antidemokracitë e Sali Berishës, është thënë shumë. Ato nuk mund të interpretohen sot duke qenë se shumica janë farkëtuar aq shumë nga makina propagandistike e kundërshtarëve të tij politikë, sa ose u kthyen në teori konspirative, ose u bënë folk urban i cili pranohet si i vërtetë për hir të përsëritjes dhe jo të njëmendësisë. Folku urban do të zbehet dhe në histori do hyjnë aktet hamiltoniane të Berishës: Rruga e Kombit megjithë rrjetin infrastrukturor që e zvogëloi edhe më Shqipërinë; liberalizimi i tregut dhe zvogëlimi i shtetit, liberalizimi i arsimit të lartë, liberalizmi i vizave dhe anëtarësimi i vendit në NATO. (Kjo e fundit e ligjëruar publikisht e me të madhe prej tij që në qeverinë e parë demokrate në fillimvitet ‘90 dhe përballë një opozite euro-skeptike për shkak të trashëgimisë së saj ideologjike, e cila priti deri në mesin e viteve 2000 për t’ia hequr vetes këtë keqkuptim. Megjithëse ‘eurobllokimi’ u zgjat në të majtë për shkaqe politike të brendshme nga kryetari i PS, Edi Rama.)

Kjo nuk është një lamtumirë, tha Berisha gjatë fjalimit të dorëheqjes tri ditë më parë. Lamtumirë Berisha nuk është, por lamtumirë armë, po./alfredlela.wordpress.com/

KOMENTE