English

Letër kërcënimi për bombë gjendet në avionin e linjës Tiranë-Vjenë

Të 85 pasagjerët e linjës Tiranë-Vjenë janë vënë në panik gjatë udhëtimit të kryer mesditën e djeshme me avionin e linjës Austrian Airlines në bordin e OS 848 Airbus.

Gjetja e një letre kërcënuese, se në bordin e avionit ndodhej një bombë, ka alarmuar stafin e avionit, i cili ka njoftuar menjëherë autoritetet e sigurisë, ndërsa avioni ndodhej 20 min larg aeroportit të Vjenës.

Në pamundësi për të ndërhyrë, autoritetet austriake kanë krijuar një pistë uljeje emergjence për avionin, i cili mbërrinte nga Tirana dhe pasi kanë kontrolluar me imtësi çdo pasagjer, bagazh dhe ambientet e avionit ka rezultuar se nuk ka pasur asnjë lëndë plasëse, raporton "Shqiptarja.com".

Ngjarja konfirmohet për mediat austriake nga zëdhënësi i kompanisë austriake, William Baldia, ndërsa policia e Rinasit, e kontaktuar nga "A1Report", pranon që ka pasur një kontroll të veçantë mbi këtë linjë, pasi është e njëjta, ku 3 javë më parë u dha sinjali për një bombë, por nuk u gjet asgjë, qoftë edhe letra kërcënuese, që kanë gjetur autoritetet austriake.

Aktualisht kanë nisur hetimet, ndërsa linjat me Turqinë janë kthyer në precedentin e dytë për autoritetet shqiptare, duke alarmuar jo vetëm policinë këtu, por dhe homologët europianë, siç ka ndodhur ditën e djeshme në hapësirën ajrore austriake.

KOMENTE