Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Felaj: Nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë uzurpimit politik të sistemit të drejtësisë
English

Felaj: Nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë uzurpimit politik të sistemit të drejtësisë

Deklaratë për media e deputetes Ermonela Felaj.

Dje u zgjodh drejtuesi i ri i Shkollës së Lartë të Magjistraturës. Një tjetër shfaqje e shëmtuar, e logjikës me të cilën është trajtuar sistemi i drejtësisë nga kjo qeveri në ikje.
Ndërhyrja skandaloze e KLD-së në procesin e zgjedhjes të drejtuesit të kësaj shkolle, është një tjetër hap në tentativën për të marrë peng të gjithë hallkat e drejtësisë shqiptare.
Fakt është se Shkolla e Magjistraturës është i vetmi institucion që në raportet e Komisionit Europian është nënvizuar si i pavarur, i paanshëm dhe i vendosur në luftën kundër korrupsionit.

Vënia në krye të kësaj shkolle e një individi me lidhje të ngushta politike me qeverinë dhe kryeministrin që u ndëshkua në mënyrë plebishitare me votë në 23 qershor, në kushte të konfliktit të hapur të interesit, si dhe ngritja e mëtejshme në detyrë nga KLD-ja, e një sërë gjyqtarëve të përfshirë në procese gjyqësore që kanë shkaktuar dëshpërim kombëtar dhe ndërkombëtar, në raport me Shqipërinë, flet qartë për faktin se në krye të sistemit të drejtësisë po tentohet të vihet një kastë individësh, me të vetmin kriter shërbimet e kryera ndaj pushtetit të rrëzuar me votë.
Ne jemi të vendosur të respektojmë në frymë e në germë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet e ekzekutivit me gjyqësorin.
Pushteti gjyqësor do të gjejë tek qeveria jonë një partner në luftën për rilindjen e drejtësisë.
Askush nuk duhet të ushqejë iluzione se do të qëndrojmë duarkryq përballë uzurpimit politik të sistemit të drejtësisë apo përballë përpjekjeve të individëve të korruptuar brenda këtij sistemi të cilët mundohen e bëjnë gjithçka për të mbajtur njëri-tjetrin në karrige duke mbyllur sytë para mëkateve të tyre.

Ne jemi të vetëdijshëm se një nga arsyet kryesore përse 1 milion shqiptarë votuan për Rilindjen, është shqetësimi për rrënimin dramatik dhe korrupsionin në sistemin e drejtësisë.
Askush mos e vërë në dyshim apo në provë, vendosmërinë tonë për ta adresuar këtë shqetësim të shqiptarëve.

Qeveria e zgjedhur me votën e shqiptarëve në 23 qershor, do të jetë aty për t’u thënë jo të korruptuarve në sistemin e drejtësisë.

KOMENTE