Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Leonardo Buscaglia: Mos bëni dashuri me një trup, bëni dashuri me një person
English

Leonardo Buscaglia: Mos bëni dashuri me një trup, bëni dashuri me një person

''Të dashurosh, domethënë të rrezikosh të mos të ta kthejnë dashurinë. Të shpresosh nënkupton të rrezikosh të vuash. Të përpiqesh është të rrezikosh dështimin, por rreziqet duhen marrë përsipër, sepse rreziku më i madh në jetë është të mos rrezikosh.''

Ndoshta vetëm një njeri në planet kishte privilegjin t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve të jetës për dashurinë dhe ky ishte Felice Leonardo Buscaglia.

Të thuash që Leo ishte një profesor, nuk i je afruar aspak qenies së tij. Ai ishte më shumë se aq. Leo ishte mentor, eksplorues, nxënës dhe gjahtar i palodhur i ndjenjës më të mrekullueshme në univers: dashurisë.

Fjalët dhe vetë jeta e tij, ishin leksioni ideal që kushdo duhej të mësonte. Ai nuk jepte shembuj, sepse prej kohësh kishte vendosur të ishte shembulli. Thëniet e tij zbutën zemrën e Amerikës së viteve ’80, të lodhur dhe me shumë pak dëshirë për të qenë humane.

Leo Buscaglia ishte i vetmi njeri që hapi në universitetin ku jepte mësim, klasën e leksioneve të dashurisë. Kur e pyesnin nëse kjo kishte të bënte me mësime mbi seksin, ai përgjigjej se dashuria ishte shumë më e thellë se aq.

Ai kishte të tjera qëllime për nxënësit e tij, teksa i ftonte ata të ‘luanin’ në shtëpinë e tij me gjethet e rëna në rrugë, që askush nuk i përfillte. Leo ishte njeriu që do t’u mësonte atyre si të dashuronin, si të falnin dhe si të ishin vëllezërit, shokët, partnerët dhe prindërit idealë.

“E fillova kursin e dashurisë, për shkak të një prej studenteve të mia më të talentuara, që u vetëvra. Ajo nuk shfaqi asnjë shenjë të dëshpërimit të saj. Pastaj një ditë krejt papritur u largua nga kjo jetë. E pyeta veten, ‘për çfarë na duhen të gjitha këto mësime, të dish të shkruash dhe të lexosh, kur askush nuk na mëson vlerën e jetës, cilësitë tona unike dhe dinjitetin personal?’ Kështu vendosa të filloj kursin e dashurisë duke mos dhënë mësim me plot kuptimin e fjalës, por duke i ndihmuar nxënësit të zbulojnë magjinë e tyre.”

Të duash diçka për Leo Buscaglia-n nënkupton të rrezikosh që ta jetosh jetën në çdo aspekt, deri në përmbushje të plotë. Të jetosh në një shtëpi me dyer dhe dritare të hapura, pa pasur frikën e pluhurit të urrejtjes, apo mësymjes në zemrën tonë prej kundërshtarëve që duan të na shkatërrojnë.

Të dashurosh, domethënë të rrezikosh të mos të ta kthejnë dashurinë. Të shpresosh nënkupton të rrezikosh të vuash. Të përpiqesh është të rrezikosh dështimin, por rreziqet duhen marrë përsipër, sepse rreziku më i madh në jetë është të mos rrezikosh.

Sipas tij, ne e marrim dashurinë për të mirëqenë. Mendojmë se jemi të dashurit perfektë dhe se duhet thjesht të presim që dashuria jonë të rritet siç bëjnë lulet në pranverë. Kjo nuk është e vërtetë.

Dashuria nuk rritet, nëse ne nuk rritemi. Gjithçka kërkon durim, dituri, eksperiencë, vendosmëri dhe optimizëm. Dashuria është gjithnjë në ndryshim, nëse jemi të vetëdijshëm dhe ndryshojmë së bashku me të, atëherë ajo do të bëhet shpëtimtarja jonë.

Thelbi i dashurisë është të dalësh nga vetja dhe të depërtosh te të tjerët. Kur ndalojmë së shqetësuari për të drejtat, ndjenjat, lumturinë e sigurinë tonë dhe fillojmë të shqetësohemi për të drejtat, ndjenjat, lumturinë dhe sigurinë e të tjerëve, atëherë do të gjejmë fuqinë e vërtetë të dashurisë.

“Unë nuk besoj te dashuritë e pakushtëzuara, u thoshte ai studentëve. Në fakt, mendoj se ato janë shumë të papjekura. Dashuria ime ka pasur vetëm një kusht, që nëse unë të mbaj larg nga vetja, të pengoj rritjen dhe realizimin e potencialeve të tua, atëherë duhet të tërhiqem mënjanë.”

Mos bëni dashuri me një trup, bëni dashuri me një person, këshillonte Leo. Ai u lutej ndjekësve të tij të mos e linin dashurinë t’u ikte, sepse nëse kjo ndodhte, atëherë atyre u kishte rrëshqitur prej duarve jeta.

Të dashurosh, sipas Leos, nënkupton t’i lësh njerëzit që të gabojnë, të mos drejtosh nëpërmjet këshillave jetën e tyre, t’i lësh të marrin vendimet e tyre, të rrëzohen dhe të mësojnë.

Të duash dikë, nënkupton të jesh aty kur ai të rrëzohet, t’i japësh dorën për ta ngritur, pa e kritikuar, vetëm duke i dhënë dashurinë dhe sigurinë, që të gjejë rrugën e tij.

Leo nuk mendonte se dashuria është një autostradë, që të gjithë mund ta marrin sipas rregullave të caktuara. Ai e perceptonte dashurinë si shtegun e fshehtë të secilit.

Nëse jeni në kërkim të ndryshimit të botës, atëherë duhet ta dini fuqinë e vërtetë të një prekjeje, një buzëqeshjeje, një fjale të mirë, të një veshi që dëgjon, të një komplimenti të sinqertë apo të një gjesti dashamirësie, ju duhet ta dini se janë këto elementet që e ndryshojnë jetën dhe botën.

Nëse kërkoni të shpëtoni dikë nga çmenduria dhe vetmia, mbillni në zemrën e tij farën e dashurisë, tregojini se çfarë domethënë të jesh pjesë e një bote të mbushur me mirëkuptim, falje dhe përkujdesje.

Leo Buscaglia dëshiroi t’u linte lexuesve të tij një mesazh të fortë, ai tha: “Kam mësuar se dashuria është forca më e fuqishme që zotërojmë. Kur veprojmë nën magjinë e dashurisë së vërtetë, kemi fuqinë për të performuar mrekulli.”


Mos e humbisni dashurinë. Ajo është një dhuratë e mrekullueshme që na është dhënë kur lindëm. Është e frikshme të mendosh se ka nga ata njerëz që nuk e hapin këtë dhuratë. Hapeni dhuratën, griseni nga padurimi ambalazhin. Brenda saj ka dashuri, magji, gëzim, dhimbje dhe lot, por mos hezitoni, është dhurata juaj, që ju bën të jeni njerëzorë.

KOMENTE