English


Hoxha: “Të gjithë ndërtimet pa leje në Tiranë po u nënshtrohen procedurave që parashikon ligji, deri në prishjen e tyre”

Inspektoriati Ndërtimor ka vijuar edhe sot aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në kryeqytet. Gjatë orëve të paradites, ky aksion ka konsistuar fillimisht në prishjen e një shtese kati në rrugën “Dhimitër Mihali”, në zonën e Senatoriumit, në njësinë bashkiake nr. 2, ndërsa aksioni i dytë është përqendruar tek rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, me prishjen e disa objekteve - biznesi të cilat ishin ndërtuar pa leje, në territorin e njësisë bashkiake nr. 7.

Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Florenc Hoxha ka bërë të ditur se Inspektoriati Ndërtimor, në respekt të plotë të ligjit dhe procedurave që parashikon ai për ndërtimet pa leje, po ndërhyn në çdo cep të Tiranës ku është ndërtuar pa leje. Gjithashtu, Hoxha ka falënderuar qytetarët e Tiranës të cilët kanë ndihmuar në punën e tyre, duke denoncuar rastet abuzive që kanë të bëjnë me ndërtimet pa leje në portalin “Rregulloj qytetin tim”, në web-site e Bashkisë së Tiranës.

“Dua të falënderoj qytetarët e Tiranës të cilët kanë bërë të mundur në bazë të denoncimeve të tyre në portalin “Rregulloj qytetin tim”, në web-site e Bashkisë së Tiranës, denoncimin e të gjithë ndërtimeve pa leje. Ky portal ka funksionuar prej më shumë se një viti dhe së fundmi kanë ardhur me dhjetëra denoncime lidhur me ndërtimet pa leje. Nga ana jonë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë ndërtimeve pa leje në territorin e Bashkisë së Tiranës dhe po ndërmarrim të gjithë hapat ligjorë. Janë identifikuar edhe ato objekte të cilat janë vetëdeklaruar pranë zyrave qendrore të ALUIZNI-t dhe degëve të tjera” - deklaroi Hoxha.

Sipas Drejtorit të Inspektoriatit Ndërtimor, po ndërmerren të gjithë hapat ligjorë, për të çuar në gjendjen fillestare këto objekte, duke mos lënë pa përmendur edhe kontributin e mediave në pasqyrimin e punës së INU-së dhe duke bërë kështu të mundur sensibilizimin e opinionit publik dhe banorëve për të mos ndërtuar pa leje.

Disa objekte-biznesesh të paligjshme i janë nënshtruar sot prishjes nga ana e Inspektoriatit Ndërtimor tek rrethrrotullimi i “Zogut të Zi” , pjesë e njësisë bashkiake nr.7. Pjesë e aksionit në këtë zonë kanë qenë kryesisht bizneset, të cilët kishin zaptuar hapësirën publike. Inspektoriati i është përgjigjur apelit të qytetarëve, duke i kthyer ato në gjendjen e mëparshme.

“Ne po vijojmë aksionin tonë. Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik po vijon me aksionin, duke iu përgjigjur thirrjes së qytetarëve, thirrje apo më mirë ankesa të drejtuara në ëeb-site e Bashkisë së Tiranës “Rregulloj qytetin tim” por dhe në numrat e telefonit të vëna në dispozicion. Menjëherë pas marrjes së ankesave nga ana e qytetarëve, ne po ndërhyjmë për të çuar në gjendjen e mëparshme këtë zonë e cila është zaptuar nga këto ndërtime pa leje. Gjithashtu, u bëj thirrje qytetarëve që në atë portal, të vazhdojnë me denoncimet që kanë lidhje me ndërtimet pa leje dhe çdo ankesë tjetër që kanë, pasi nga ana jonë do të merren masa të menjëhershme, për t’u shërbyer atyre dhe për të kthyer çdo ndërtim pa leje në gjendjen e mëparshme” - u shpreh Hoxha.

KOMENTE