English

Shqipëria vendi i parë për të marrë përsipër prokurimet e fondeve të BE në përputhje me standardet e KE

Shqipëria arrin të bëhet vendi i parë në rajon që kualifikon administratën e vet për të marrë përsipër prokurimet e fondeve të BE në përputhje me standardet e KE

Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e radhës së Këshillit të Ministrave, nga rendi i së cilës, kryeministri veçoi vendimin për decentralizmin e përdorimit të fondeve të Komisionit Evropian. Lidhur me vendimin në fjalë “Për disa shtesa dhe ndryshime ne vendimin. nr 23 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit të decentralizuar të asistencës së BE, në kuadër të parazgjerimit (IPA), komponenti i I-rë, të “Asistenca e Tranzicionit dhe forcimi institucional”” të ndryshuar, Kryeministri vlerësoi rëndësinë e tij dhe u shpreh se tashmë Shqipëria bëhet një nga vendet e para në rajon që krijon institucionet e veta të përdorimit të ndihmës së BE.

Kryeministri e vlerësoi këtë si një arritje të madhe për administratën shqiptare, e cila vjen si rezultat i një pune serioze të bërë nga Ministria e Integrimit, Ministria e Financave dhe ministritë e linjave për të ngritur dhe konsoliduar këto struktura të specializuara në këtë fushë.

Në këtë kontekst, Kryeministri përgëzoi ministritë në fjalë, jo vetëm për ngritjen, por edhe për kualifikimin e këtyre njësive shumë të rëndësishme, tani e tutje për bashkëpunimin ekonomik dhe financiar të Shqipërisë me BE.

Më tej, kryeministri u ndal edhe në disa vendime të tjera të rendit të ditës si kalimin në pronësi, pa shpërblim të një sipërfaqeje prej 7300 m2 për institucion të arsimit të lartë në pronësi të tij; vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer” , Shkodër, dhe vendime të tjera.

KOMENTE