English

Azem Hajdari apelon dhe sot për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë(VIDEO)

Me nderimet më të larta shtetërore, të organizuara nga Bashkia e Tiranës, është përkujtuar në 15 vjetorin e vrasjes, Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari i cili nga sot do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve.

Personalitetet më të larta shtetërore, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, kryeministri në detyrë, Sali Berisha, kryebashkiaku Lulzim Basha, përfaqësues të partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë, kolegë të Azemit dhe qindra qytetarë të Tiranës janë përulur sot me nderim dhe respekt, përpara veprës dhe kontributit të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.

Për më shumë se dy orë, në Pallatin e Kongreseve janë zhvilluar homazhe, në nder të Azem Hajdarit, studentit që guxoi të ngrihej kundër regjimit komunist dhe të vihej në krye të lëvizjes studentore që i dha goditjen fatale regjimit më të egër diktatorial në Europë. Rreth mesditës, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, i shoqëruar nga dhjetra qytetarë të Tiranës u nis për në Varrezat e Dëshmorëve, ku do të prehet përjetësisht.

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Azem Hajdarit, në Lëvizjen Demokratike të dhjetorit 1990 e cila shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura komuniste dhe fillimin e erës së re të demokracisë perëndimore.

“Sot, në pesëmbëdhjetë vjetorin e ndarjes fizike të Azem Hajdarit prej nesh, po ritakohemi në këtë homazh të ri, me kujtimin dhe veprën e tij. Besoj se nuk ka as edhe një njeri të vetëm të lirë në këtë vend që nuk i detyrohet, në mos për tjetër, për hapin e parë që ai hodhi në planetin e demokracisë, në dhjetor 1990, kur ai i pari dhe studentët e tjerë me të, kërkuan dhe diktuan pluralizmin politik. Nga largësia e viteve, ne sot mund ta themi me gojën plot, se prej atij çasti, koha e re e Shqipërisë demokratike u nis dhe filloi të rrjedhë në drejtimin që treguan studentët, intelektualët e thirrur prej tyre, Azem Hajdari si prijës i tyre. Lëvizja Demokratike e dhjetorit 1990 shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura komuniste, fillimin e erës së re të demokracisë perëndimore. Kjo ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën Rilindja e vërtetë e Shqipërisë, pas dekadave të izolimit dhe robërisë” - u shpreh z. Basha.

Për kreun e Bashkisë, Lulzim Basha, figura e Azem Hajdarit apelon dhe sot për bashkim dhe unitet, rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare.

“Azem, ti je gjallë, sepse ti je e do të jesh vizioni, qëndresa, guximi ynë, sepse je e do të jesh frymëzimi i brezave që kanë mësuar nga ti, se liria u përket atyre që luftojnë çdo ditë për ta fituar atë! Sot, ndërsa vazhdon të lartësohet në piedestalin e nderit të kombit, figura e Azem Hajdarit apelon më fort se kurrë, për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. Vërtet ishte themelues dhe drejtues i lartë i Partisë Demokratike, por trashëgimia dhe testamenti i tij politik u përkasin gjithë shqiptarëve, pa dallim partish, krahinash dhe fesh” – theksoi kryebashkiaku Basha.

Djali i Azem Hajdarit, në emër të familjes ka shprehur mirënjohjen e tij, për lartësimin që iu bë figurës së Azem Hajdarit.

“Në radhë të parë juve, doktor Berisha. Në të gjithë jetën tonë dhe të Azemit, keni qenë mishërues i dhimbjeve tona. Ju, z. Berisha, Ibrahim Rugova, Haradinajt dhe Jasharët e Kosovës na i keni bërë netët vetmitare të kalueshme dhe të prisnim mëngjeset me shpresa të reja. Ashtu siç na është gjendur në momente të veçanta edhe z. Ilir Meta.

Burrat që rritën pozitën e Azemit, si presidenti Nishani që e kanë dekoruar babain me Urdhërin e Flamurit është gjithashtu një emër i respektuar, por do të duhej një dishepull politik shpirtëror, njerëzor si z. Lulzim Basha, të projektonte këtë lartësim sa prekës nga ana njerëzore, aq edhe të nevojshëm për ditët që kemi përpara, si vazhdimin e luftës së babait tonë, për liri dhe demokraci. Dua të kujtoj këtu, të paharrueshmin Besim Çera që dha jetën pranë babait tim”.

Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhërin e Flamurit” dhe urdhërin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish

- Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë.

1874

KOMENTE