Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Kosovës
English

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Kosovës

“Do të udhëtojmë bashkë, të gjithë, ose nuk udhëtojmë. Pa përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk nisemi – sot, as nesër, asnjëherë. Kështu mendojmë të gjithë. Vetëm Bashkë,” tha profesor Rexhep Qosja, një prej anëtarëve të delegacionit, pak para se i gjithë delegacioni bashkë me luftëtarët e lirisë, përfaqësi e miliona zemrave shqiptare me plotë besim në të drejtën e madhe, qoftë dhe të vonuar, të ndërmerrte në orët e fundit të shekullit të vjetër udhëtimin, që ndryshoi përgjithmonë rrugën drejt të sotmes dhe bëri që shekulli i ri i shqiptarëve të lindë me këmishë.

Më këmishën e fatit të bashkimit, pas një shekulli të vjetër që na çau në mes dhe mbajti të ndarë përdhunisht mes dy vendesh, dy diktaturash, dy rrugësh verbërisht paralele me të keqen e madhe sa një shekull midis tyre.

Me këmishën e një bashkimi fatlum, që tragjedinë e përhershme shqiptare, kufijtë, i kthen qysh prej lindjes së këtij shekulli në frymëzimin tonë për të qenë pjesë aktive e rikrijimit të kontureve të botës, siç e njohim dhe siç e ëndërrojmë, njëkohësisht.

Me këmishën e bashkimit, që tani më na mundëson ripërkufizimin e hapësirës shqiptare, si hapësira tejkufitare e gjeneratës tjetër. Paraardhësit e të cilës jetuan në dy shtete, që prodhonin një pamundësi të madhe, kurse sot i mban sytë nga ne, që së bashku si dy shtete t’i jetësojmë çdo ditë një mundësi të re.

Fort e nderuar Presidente e Republikës së Kosovës,

Fort i nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

I dashur mik e vëlla zoti Kryeministër,

Të dashura motra dhe vëllezër, deputete dhe deputetë të këtij Kuvendi,

Shumë të dashur bashkatdhetarë, të kësaj ane të hapësirës shqiptare,

Ju falenderoj me përulësi për nderin e madh që më bën mikpritja juaj. Vij sot tek ju me peshën e rëndë të përgjegjësisë që ndjej si kryeministër i sapo dekretuar i Shqipërisë, prej vetëdijes së sfidave të mëdha të kohës që ka filluar në rajonin tonë, me firmosjen e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë.
Vij sot përpara jush me të gjithë admirimin tim për sesi ju protagonistët e gjallë të historisë së Luftës Çlirimtare kundër fashizmit serb u bëtë edhe protagonistët e dialogut dhe të paqes me fqinjin serb.

Vij, sot, këtu, edhe me respektin tim të madh për çka keni ditur dhe arritur të bëni për Kosovën, në 5 vjet shtet dhe pavarësi në vendimmarrje. Por, edhe me disponimin më të plotë për të mësuar prej jush tanimë që e keqja e ndarjes nuk është më në mes të dy rrugëve tona, por rruga jonë është e bashkuar drejt Familjes Europiane. Në një rajon ku do të varet shumë prej nesh sa do të përfitojë Shqipëria dhe Kosova, por dhe krejt Ballkani Perëndimor, prej kohës së re.

Më lejoni t’jua u them me zemër të hapur se nuk jam këtu për vazhdimin e retorikës së dashurisë së shtetit amë ndaj shteti bijë. Po për fillimin e një aleance strategjike themelore e kryesore mes të barabartësh të Shqipërisë me Kosovën, për t’i kthyer mundësitë e jashtëzakonshme të kohë së re në sukses dhe zhvillim për qenien tonë të pandarë në rrugën e bashkuar të Europës.

Kjo qenie, që s’mund të sillet më si e ndarë as brenda vetes jo e jo, por as me të tjerët përreth, për shkak të disa vijave kufitare, por duhet të mendojë dhe vrapojë e pakufizuar prej atyre vijave për të çliruar energjitë të reja krijuese dhe bashkëvepruese nga bashkëveprimi.

Në një copë nga muri nga muri famëkeq, i ndarjes së një populli për së gjalli vendosur në postbllokun Check Point Charlie në Berlin,- Berlinit do t’i mbetemi përjetë mirënjohës për shtysën frymëzuese që na dha kundër diktaturës komunistë në Shqipëri, por padyshim dhe për ekzistencën e Kosovës sovrane,- shkruhet: “Çdo mur është një sfidë.”

Kujtimi i atij Muri ne na kujton kufirin mes nesh. Se shmangim dot. Një shekull ndarës në mes nuk shlyhet dot prej mendjes edhe pasi ai shekull vdes. Ndaj sa herë kaloj aty apo u kthehem mes kujtesës atyre germave të mbetura në postbllokun Check Point Charlie unë lexoj, “çdo kufi është një sfidë.” Por me sytë e të sotmes kufirin mes dy shteteve tona nuk e shoh si sfidën për t’u kapërcyer, por si pjesë të një tërësie referencash botërore dhe historike me një hapësirë lirie dhe demokracie të qëndrueshme. Dhe kjo hapësirë nuk mund asesi të jetohet e ndarë për shkak të një vije të padukshme. Europa e Bashkuar m’u si ajo e Rilindjes Europiane, shkruan Liza Hopkins tek Kufijtë Shekspiran, s’do të ketë veçse kufij natyrorë, dete, lumenj, liqene, pyje dhe lartësi malore. Ndaj më duket se atë vijë të padukshme, kufirin tonë mund ta shoh dhe ta propagandojë si pengesë për të ardhmen e përbashkët vetëm kush nuk di se ç’të bëjë pa të. Kufiri është e djeshme, e ardhmja s’ka kufij. Që e djeshmja të mos na kushtëzojë të ardhmen ka vetëm një gjë për të bërë me vijën e padukshme; të mos e shohim. Po njësoj një gjë mbetet për t’u bërë, me ata që merren me kufirin që të na kushtëzojnë vizionin dhe rrugën e të ardhmes me retorikat nacionaliste të të shkuarës; të mos i dëgjojmë. Le të përjetojmë bashkërisht të ardhmen në hapësirën shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës përmes projektesh që nuk ndalen as tek kufiri mes tyre jo e jo, po as tek kufijtë me fqinjët, gjithashtu.

Mezi e pres, pas dakordimit me kryeministrin e Kosovës, mbledhjen e parë të përbashkët të dy qeverive në Prizren dhe miratimin e axhendës së saj, bashkërisht, për të diskutuar projekte konkrete të hapësirës shqiptare pa kufij. Po aty do të miratojmë edhe kthimin e kësaj praktikë të re, në një praktikë të bashkëqeverisjes strategjike përmes mbledhjesh që do të mbahen rregullisht, të paktën çdo gjashtë muaj.

Ne e shohim këtë instrument si nevojë të madhe të kohës. Inercia e vjetër e marrëdhënieve të mishëruara në mbështetjen absolute të Kosovës nga diplomacia jonë, si dhe në vizita vëllazërore për festa dhe tituj nderi dhe ndonjë inaugurim, do t’ia lërë vendin një faze të re bashkëpunimi strategjik në shumë plane. Aq më tepër, tanimë, kur Kosova gjendet në një stad të ri si shtet, si prani rajonale, si realitet demokratik ndërkombëtarisht i vlerësuar.

S’ka fare pikë dyshimi se mbështetja absolute e Kosovës në rrafshin diplomatik do të vijojë të mbetet e tillë dhe ne do ta intensifikojmë përpjekjen e shtetit tonë, qoftë për të nxitur njohjet e reja të shtetit tuaj, qoftë për të mbështetur përshpejtimin e liberalizimit të vizave për shqiptarët e Kosovës.

Sigurisht, nuk do të kursehemi në këmbimin e vizitave vëllazërore dhe as në pjesëmarrjen në festa apo ceremoni të rastit, të cilat janë gjithnjë kënaqësi e dyanshme, sidomos në festat e mëdha. Por unë dua të ndaj me ju bindjen se koha e re që ka filluar për rajonin mbas dialogut mbresëlënës dhe marrëveshjes të nënshkruar me vizion dhe kurajë prej jush, mes Kosovës dhe Serbisë, na sfidon të mobilizojmë imagjinatën dhe të koordinojmë përpjekjet për t’u bërë pjesë e një historie të re të zhvillimit rajonal, duke nisur sa më parë me njëri tjetrin dhe duke e nxitur bashkërisht edhe me të tjerët përreth. Le ta konceptojmë zhvillimin tonë energjetik si një instrument për sigurinë energjetike të hapësirës shqiptare dhe t’i shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë tonë, të bashkuara, në këtë fushë në të mirë të të gjithë konsumatorëve tanë.

S’do të isha i drejtë po të mos e përmendja këtu, fillimisht, punën e mirë të paraardhësit tim, kryeministrit Berisha, si pjesë e lobit të qeverive mbështetëse të projektit TAP. Ndërkohë që, dua t’ju siguroj se ne do të shkojmë ende më tutje duke bërë çdo përpjekje, që kjo linjë strategjike gazi, që do të kalojë edhe nëpër Shqipëri për t’u ngjitur lart në Mal të Zi, Kroaci e më tej, të ketë me patjetër edhe një degëzim në Kosovë.

Le të mos humbasim më kohë për të projektuar sistemin e unifikuar të arsimimit sipas standardeve më të larta të arsimimit bashkëkohor dhe në funksion të zhvillimit të së ardhmes së përbashkët.

I kam thënë kryeministrit tuaj, se Ministrja jonë e Arsimit nuk do të vijë këtë fillim viti shkollor në Kosovë për të prezantuar Abetaren e përbashkët të radhës. Sepse skeçi propagandistik, i çdo vjeshte, që Tirana vinte në Prishtinë për Abetaren e përbashkët, duhet t’ia lërë vendin punës së përbashkët, shumë serioze, për një sistem të përbashkët serioz arsimor, nga hyrja e shkollës fillore deri tek dalja e universitetit.

Le të gjejmë sa më parë rrugën e duhur për një strategji mbarëkombëtare për bujqësinë, ku shfrytëzimi i potencialeve që ka hapësira shqiptare nëpërmjet koordinimit mes dy shteteve do të sillte shpërndarje rajonale të zgjuar të prodhimit, zgjerim të rrugëve të prodhimit dhe rritje të të ardhurave nga prodhimi këtej dhe andej kufirit. Më lejoni ta them, se ne do t’i japim fund patatofobisë nga ana jonë, e cila ka shkaktuar në kufi luftëra doganore sa të dëmshme aq edhe qesharake mes nesh. Le ta nxisim bashkërisht sa të jetë e mundur jo vetëm me fjalë, po me politika reale rritjen e sasisë të prodhimeve bujqësore, të njëri tjetrit, që konsumojmë reciprokisht. Por, fatkeqësisht, nuk ka qenë vetëm patatja viktimë e ngushtësisë së horizontit të derisotëm të bashkëpunimit mes nesh. Janë plot raste e mallra të kësaj ane që kanë ngecur pa kaluar dot në atë anë. Prandaj, ne jemi të gatshëm që të realizojmë bashkimin doganor. E di që nuk është fjalë goje dhe nuk mjafton vetëm dëshira, pasi ky bashkim ka dhe implikime të disfavorshme, të natyrës financiare në një moment të parë, por që duhet zgjidhur në një kontekst më të gjerë.

Por le të ngremë një grup pune të përbashkët për këtë çështje. Një përmasë lirie dhe konkurrence për biznesin shqiptar në krejt hapësirën shqiptare është një përmasë që, padyshim, na mungon.
Ndërkohë që, nuk duhet humbur aspak kohë tashmë për njehsimin e ofertës turistike të hapësirës shqiptare. Kjo, në fakt, mendoj se është një nga punët më të bukura për t’u bërë. I ngjan një prekjeje me dorë të një copëze të Europës së Rilindjes, apo të Shqipërisë së mendjes së rilindësve, ku hapësira jonë nuk ka kufijtë që u njohën, që njohëm më vonë me shumë dhimbje, po ka kodrat, brinjat, fushat, lumenjtë si referenca dhe vlera lokale, si frymëzime të larmishme. E, të mos harrojmë ofertën e njehsuar turistike me Kosovën. Shqipëria ka pasur dikur, përpara luftës, në kohën e një mbreti që për hir të së vërtetës nuk bëri veç punë të këqija për vendin tonë, por prej të cilit, ne në Shqipëri në qeverisjen e tërë këtyre viteve, nuk arritëm të mësojmë asgjë më të mirë sesa shembullin e forcës brutale ndaj kundërshtarëve të vet. Le të më mirëkuptojnë këtu admiruesit e vet, që nuk po e përmend këtu emrin e tij, sepse nuk shkon të përmendet emri i vrasësit në shtëpinë e të vrarit.

Në një botë si asnjëherë më parë të ndërlidhur, ku hapësira e marrëdhënieve rikrijohet në vazhdimësi, dhe është jetike të mos e vjetrojmë kohën e re duke zgjatur kohën e vjetër, nuk kemi pse kompleksohemi nga asgjë dhe asnjëherë nga fyejt e retorikës nacionaliste. Prandaj, ta bëjmë realitet edhe Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është një kornizë ndërkombëtarisht e aprovuar bashkëpunimi mes shtetesh, e cila nga njëra anë asgjëson çdo bazë spekulimi jo dashamirës për intensifikimin e këtij bashkëpunimi, por nga ana tjetër na ndihmon për një gjë ende më të rëndësishme. E vendos edhe Kosovën bashkë me Shqipërinë në qendrën e trekëndëshit të partneritetit strategjik të Shqipërisë me Turqisë, Greqinë dhe Italinë.

Kësisoj, bashkërisht, rikonceptojmë rolin e Shqipërisë dhe Kosovës, në rajon dhe më tej, duke përputhur vizionet dhe mundësitë tona, në interesin më të mirë të një hapësire shqiptare të fuqizuar. Një hapësirë, absolutisht, jo e shkëputur nga rajoni i Europës Juglindore, por si pjesë e strategjisë së stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë të rajonit dhe Europës.

Dhe, padyshim në sinkron të përbashkët dhe të përhershëm me liderin botëror e partnerin e djeshëm, të sotëm e të ardhshëm të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për më tej e padiskutueshme është gatishmëria jonë për krijimin e një Komiteti Ndërshtetëror Shqipëri-Kosovë me qëllim përafrimin e legjislacionit në dy kahe; Legjislacionit tregtar mes njëri tjetrit, legjislacionit me Bashkimit Europian.

Nëse Bashkimi Europian i ka sytë nga ne, nga rajoni, veçanërisht për arsye që lidhen me konfliktet e së shkuarës, ne sot në këtë kohë të re bashkërisht me shqiptarë, serbë, malazezë, maqedonas, sigurisht edhe grekë e kroatë që së fundmi janë bërë edhe anëtar të BE, duhet t’ia drejtojmë sytë atij bashkimi në vijimësi për projekte që lidhen me zhvillimin drejt së ardhmes.
Bashkëpunimi rajonal i pambështetur me projekte strategjike për rimëkëmbjen ekonomike të të gjitha vendeve tona dhe lidhjen e rajonit tonë me Europën, si një zonë ekonomike e zhvilluar do të vazhdonte të mbetej tërësisht jo efektiv. Ne nuk e kemi këtë luks. Asnjë vend i rajonit nuk e ka këtë luks. Të gjithë po e kuptojnë këtë. Ne shqiptarët duhet të këmbëngulim shumë fort për këtë.
Rrjedhimisht, na duhet t’i japim një shtysë të re bashkëpunimit rajonal përmes gërshetimit të objektivave të Europës Juglindore 2020 me projektet e axhendës Europa 2020.

Mos harrojmë edhe se bashkëpunimi i frytshëm rajonal ka ndikim të drejtpërdrejtë në përmbushjen e kritereve ekonomike, që secili nga vendet tona ka për detyrë të realizojë në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ministritë tona të jashtme duhet edhe të marrin një rol të ri në këtë drejtim, një rol të përbashkët.

Miq të shtrenjtë! Në Europën bashkëkohore, dhe më tej në botë, nga shumë të tjerë, debatohet mbi qytetarinë e tejkufijve. Që është edhe qytetaria e brezave të ardhshëm europianë. Asaj qytetarie duhet t’u përkasë edhe gjenerata tjetër shqiptare, sepse atyre brezave iu përkasin edhe brezat e gjeneratave të tjera të shqiptarëve, të cilave ne do t’u ofrojmë një hapësirë shqiptare të rikrijuar, veçanërisht përsa i përket kulturës qytetare demokratike. Dhe, nuk e shmangim dot. Kjo është në radhë të parë përgjegjësi e jona, e përfaqësuesve të zgjedhur të shqiptarëve në të dyja parlamentet dhe në të dyja qeveritë. Që, duhet, jo vetëm të duam, por dhe të dimë të jemi në gjatësinë e valës së brezave shqiptarë. Ndjehem mrekullisht mirë për njerëzit tanë kur shoh me ç’forcë të shpejtë të imagjinatës krijuese dhe ç’fuqi imponuese menaxheriale talentet shqiptare të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë i kanë kaluar tejkaluar tash sa kohë kufijtë kombëtarë duke krijuar frymë, bashkim, treg dhe duke na sfiduar ne politikanëve.

S’kanë të krahasuar skenat e shfaqet e dikurshme në Tiranë pa zërat, ritmet veshjet e artistëve të njohur apo talenteve të reja të Kosovës, me spektaklet e sotme ku dhe vetë tingëllimi i ndryshëm në të folurin e shqipes zgjeron frymëmarrjen e hapësirës së bashkuar.

I paharrueshëm për mua rrëfimi i një prindi në Preshevë. “Kur shihja në fillim ‘Portokallinë’ në Top Channel nuk kuptoja asgjë. Pastaj më vonë, do kohë më vonë filloj me ma shpjegu fëmija im 10-vjeçar që e kapi shumë shpejt shqipen tuaj”. Mbresëlënës “DOKUFEST” në Prizren, që do më falni për injorancën time lidhur me të, por e mora vesh vetëm këtë vit se ekziston. Ndërkohë që, ne nuk kemi miq të dashur, jo vetëm ne shqiptarët, nuk e kemi në asnjë mënyrë, luksin që të mos dimë andej se çfarë ndodh këtej dhe anasjelltas, kur vjen puna tek ngjarjet kulturore dhe artistike. Sepse as andej dhe as këtej nuk u japim dot dhe jo vetëm të rinjve, po krejt dashamirësve të kulturës aq shumë jetë kulturore sa të mos konsumojmë të mirat shpirtërore në anën tjetër.

Prandaj, na duhet një kalendar i përbashkët vjetor, i ngjarjeve kulturore, me një politikë kulturore binjake, duke marrë shembull nga organizimet e pavarura të jetës kulturore artistike dhe duke u bërë mbështetës shumë organik të protagonistëve të asaj jete. Në këtë perspektivë si mund të vazhdojmë ta lëmë jashtë bashkëpunimin tonë të sportit, si element themelor i qytetarisë së brezave të rinj të Europës ku duam të bashkohemi. Si një fushë, ku potenciali i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kthehet në burim projektesh, që me shpejtësi mund dhe do të vihen në jetë. Në Shqipëri ne do ta përfshijmë sportin në krejt sistemin e arsimit dhe sigurisht në sistemin tonë universitar. Duke i hapur rrugë kampionateve, disiplinave të ndryshme sportive midis universiteteve. Nëse flasim për sistem të unifikuar arsimor asgjë nuk na pengon të nxisim edhe organizimin e kampionateve të përbashkëta universitare. Po ashtu asnjë nuk na pengon të shkojmë më tej me sportin duke organizuar Super Kupën e Flamurit Kombëtar, në rang skuadrash profesioniste, në futboll, se në basketboll nuk jemi më aq mirë sa kemi qenë.
Po për tej masivitetit që sjellin aktivitetet kulturore a sportive për të cilat fola, qëndrojnë sot në hapësirën e tyre të rrënimit të vazhdueshëm shkenca dhe gjuha.

Akademia e rrënuar e shkencave në Shqipëri është shëmbëlltyra më bërtitëse e gjendjes alarmante ku ndodhemi.
Lejomëni që t’ju drejtohem nga kjo foltore studiuesve shqiptarë në Prishtinë, Tiranë por edhe gjetkë akoma duke i pyetur, a nuk është koha për t’i bashkuar forcat, eksperiencën, potencialin tonë kombëtar në dije dhe shkencë, duke ngritur një Institut Shqiptar të Shkencës, pa kufij, pa paragjykime, pa ndikime politike, në mbështetje të plotë të dy qeverive tona. Të dyja, të interesuara, tërësisht, që shkencën të mos e bëjë politika po dijetarët dhe historinë të mos e shkruajnë pushtetarët, por historianët. Le ta bëjmë pushtetin vulnerabël përpara dijes. E, jo anasjelltas siç po ndodh prej vitesh në Shqipëri. Duke sjellë bashkërisht më afër, përmes një institucioni të kësaj natyre dijetarët e hapësirës sonë dhe qindra shkencëtarë shqiptarë, që na nderojnë nëpër botë, ne e kalojmë gravitetin e shkencës nga pushteti politik i padijes tek dija e pushtetshme e njerëzve të shkencës. Por, sigurisht bashkëpunimi ynë në fushën e dijes dhe të shkencës do të mbetej i cungët pa u futur si gjaku në të, bashkëpunimi për melodinë e të përditshmes sonë dhe zërin e Rilindjes sonë; gjuha shqipe. Asaj që na vjen siç Martin Camaj i thotë: “Udhtimë e gjatë e gjatë në kohë. Ushtimë e gjatë e gjatë ndër veshë.”

Kjo ushtimë në trupëzimin e saj të shkruar po përjeton ditë të vështira dhe përditë më kërcënuese. Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që u zhvillua në Prishtinë, më pak se një muaj më parë, ishte një aktivitet për t’u lavdëruar dhe për t’u mbështetur, në vazhdimësi. Por, sa pak për ne dhe mes nesh. Ndërkohë që brenda nesh, në mekanizmin e gjuhës sonë kanë hyrë dhe po depërtojnë mes kockës mikrobe shumë të rrezikshme. Sigurisht, nuk jam unë, nuk jemi ne njerëzit e politikës që duhet të japim recetat, sepse dihet ç’mund t’i bëjnë historisë dhe gjuhës së një populli doktorët e politikës: Vetëm keq.
Ne veç mundemi dhe duhet ta mbështesim botën e shkencës dhe të dijes duke mos u kursyer për të garantuar hapësirat demokratike dhe për t’u krijuar kushtet që u duhen njerëzve të asaj bote.

Nuk mundet veçse ta marrim seriozisht veprimin e përbashkët sa më të shpejtë në këtë perspektivë themelore, që na kujton më shumë së çdo gjë parëndësinë e kufijve në trojet shqiptare, duke na i sjellë ato, kufijtë natyralë, malet, fushat, lumenjtë, si një pasuri e pafund tingujsh shqip.


Por, padyshim, s’ka vetëm tinguj shqip në trojet tona. Veçanërisht, këtu në Kosovë, ku mohimet e dhunshme brez pas brezi, që iu janë bërë shqiptarëve duke i trajtuar padrejtësisht si pakica, i kanë bërë shqiptarët të plotvetëdijshëm për të drejtat e pakicave dhe vetë Kosovën vendin kuptimplotë për të folur për të drejtat e pakicave. Për të folur, në radhë të parë, për nevojën për të mbrojtur bashkërisht bashkëkombësit tanë, që në të tjera troje përreth përballen me mohim, pandjeshmëri apo dhe diskriminim. Jo duke i keqpërdorur si subjekte fjalimesh politike, që ushqejnë oxhakun e vjetër të nacionalizmit ballkanik, po duke u kujtuar vijmësisht të tjerëve detyrimet e tyre dhe duke i plotësuar, paqësisht, me këmbëngulje, detyrimet tona si shqiptarë ndaj shqiptarësh.

Kushtetuta aktuale e Republikës së Kosovës përbën një model të avancuar të mbrojtjes së të drejtave të pakicave. Sidomos, të drejtat e serbëve që këtu në Kosovë trajtohen si kategori kushtetuese, ku gjuha e tyre është zyrtare, trashëgimia kulturore-historike dhe fetare është e mbrojtur, madje më mirë se vet trashëgimia jonë në hapësirën shqiptare. Por, janë garantuar dhe një sërë të drejtash në arsim, shëndetësi dhe vetadministrimin lokal, që është kënaqësi të thuash, se u a kanë lakmi pakica të tjera në rajon. Sepse, kjo i bën nder shtetit të Kosovës, ju bën nder shqiptarëve të shekullit të ri në rrugën e bashkimit të tyre me Europën. Por, nuk është aspak kënaqësi të shohësh se të tjerët janë shumë larg Kosovës. Kjo na jep të gjitha të drejtat që t’u kërkojmë të tjerëve të njëjtën gjë, me forcën e shembullit jo me shembullin e forcës. Pakicat për ne janë ura jo hendeqe, pasuri jo problem, ardhmëri jo pengesë.

Dhe teksa flas kam, posaçërisht, para syve shqiptarët e Preshevës. Presheva puq kufirin e tre shteteve. Ky fakt gjeografik nuk duhet ta skajojë, por duhet ta kthejë Preshevën në shembull qendror të progresit rajonal, përsa i përket të drejtave dhe mirëqenies së pakicave. Përse të mos bëhen të drejtat e pacenuara dhe mirëqenia në Luginën e Preshevës dhe në Veriun e Kosovës lajtmotivi i epokës së re për rajonin që u hap me firmosjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, këtë vit.

Serbisë dhe Kosovës, për ta thënë me fjalët e Kadaresë, nga “shfrytëzimi i mosharresës” apo “arsyet apo mosarsyet e kujtesës,” që qëndrojnë në themelet e Europës së Bashkuar, i takonte të hapnin një epokë të re. Po, besoj, se dhe në Serbi, njësoj siç është gjendur edhe në Kosovë, duhet të gjendet deri në fund forca për ta materializuar potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj epoke të re, duke krijuar në radhë të parë besim reciprok. Askund më mirë se në këto dy drejtime, Veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës nuk mund të vihet ura e parë e besimit të ndërsjelltë.

Unë e rinënvizoj gatishmërinë e qeverisë së Shqipërisë që ta çojmë përpara këtë epokë, së bashku me serbët dhe të gjithë të tjerët pa dallim.

Gatishmëria jonë, aq sa ka lidhje me bashkëpunimin rajonal ka të bëjë dhe me përpjekjen dhe punën tonë të përbashkët, Shqipërisë dhe Kosovës, për të jetësuar një politikë shumë të qartë në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në rajon.

Parësore në këtë kontekst janë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, jo domosdoshmërisht veç për shkak të madhësisë së popullsisë shqiptare atje. Sepse, unë mendoj se qasja shtetërore që mbizotëron në kapitullin tonë të ri na imponon qenien tonë pranë shqiptarëve kudo janë, pa menduar sa janë.

Si promotorë thellësisht të angazhuar të paqes dhe stabilitetit në rajon, ne jemi thellësisht të ndjeshëm për integritetin e ekzistencën dhe thellësisht të interesuar për mbarëvajtjen e Maqedonisë. E cila, e ka bazën në ekuilibrin dhe marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptar dhe atij maqedonas. Por, është shqetësues rasti i shqiptarëve në Maqedoni. Në mënyrë të veçantë për shkak të rasteve të moszbatimit të marrëveshjeve të bëra me ndërmjetësimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, apo të mosfunksionimit të mekanizmave të dala nga këto marrëveshje.

Më tej është respekti për vetveten, i cili ekziston tek ne si i pandashëm me respektin ndaj ndjeshmërive të partnerëve tanë të përhershëm dhe aleatëve tanë strategjikë, që na bën të mos lemë kurrsesi pas krahëve, por t’i japim energjinë, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e duhur edhe trajtimit të çështjes çame. Padyshim, sipas frymës së Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.

Synimi ynë, që besoj gjen dhe mbështetjen tuaj, është që kjo çështje, të trajtohet në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Duke i dhënë rëndësinë dhe seriozitetin që i takon, pa e lënë të bëhet përçapja e përçartja e nacionalistëve profesionistë.

Në fund, por jo për nga rëndësia, dua të ndaj me ju gatishmërinë për të punuar bashkë me krejt faktorin politik të Kosovës në forcimin e kohezionit të faktorit politik shqiptar në rajon. Në këtë drejtim, besoj se ne duhet të kemi si përparësi tonat; gjithëpërfshirjen pa asnjë përjashtim; dialogun pa asnjë diferencim; bashkëpunimin pa asnjë paragjykim. Në zemrën e Europës fizikisht, ne duhet të mësojmë të jemi brenda saj realisht.

Kjo do të thotë, së pari, të mësojmë nga historia jonë që flet shumë për përplasje mes njëri-tjetrit, për mosrespektim të njëri-tjetrit dhe të institucioneve që i ngremë vetë dhe i prishim vetë dhe për mungesë të thellë bashkërendimi në çështje jetësore për kombin tonë. Mendoj se kapitulli i ri që po hapim na detyron, gjeneratat e tjera na e kërkojnë, eksperienca dhe kapitali kulturor, politik e social na imponon dhe pjekuria e popullit tonë tashmë e do: Të ndërveprojmë dhe bashkrendohemi në funksion të mirëqenies të secilit prej bashkëkombësve tanë pa asnjë dallim; të demokracisë që duhet të ketë kuptim kudo njëllojtë për shqiptarët; vlerësimit siç i takon një momentumi historik të pakthyeshëm për shqiptarët dhe gjithë qytetarët që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë;dhe asaj që presidenti Keneddy i thoshte “paqe që ia vlen të jetohet.”

Janë një shembull i njohur takimet e politikanëve apo përfaqësuesve politikë që i përkasin të njëjtës kulturë, gjuhe apo origjine si ato të frankofonëve, kroatfolësve, turqishtfolësve e me radhë.

Ndaj si një hap të parë konkret në rrugën e kohezionit të faktorit politik shqiptar unë ju ftoj që këtë vit të parë të shekullit të dytë të Pavarësisë të mblidhemi në Vlorë, përfaqësuesit shqiptarë nga të gjitha trevat, për t’i dhënë jetë një Forumi Mbarëkombëtar, të përvitshëm.

Hapat konkretë drejt kohezionit të të gjithë faktorit politik dhe ecja, që nga fillimi bashkë, në këtë epokë të re për rajonin, e përsëris pas mbylljes përfundimtare të konflikteve me marrëveshjen e Kosovës me Serbinë, përbëjnë mundësinë kolosale që na jepet për të tejkaluar kufijtë.

Ato më të vështirët në fakt:

Kufijtë që kanë lidhje me shëndetin e demokracisë për shqiptarët;

Cilësinë e jetesës së tyre aty ku ata jetojnë;

Të nesërmen e gjeneratave tjetër të shqiptarëve, që i kanë sytë ka nga ne, po dhe të asaj që do të vijë pas saj.

Po sot, ne s’mundemi të mos mbajmë mbi supe përgjegjësinë e kësaj të ardhmeje, që besoj ne e dimë fare mirë si nuk duhet të jetë. Por, vetëm bashkërisht, mund t’a bëjmë siç përpjekja shqiptare tashmë shekullore e meriton këtë ta ketë.

Është e vërtetë që ka një vijë kufitare me nesh, të cilën ne do ta respektojmë bashkarisht, si simboli më të madh bashkëkohor të një bese shqiptare dhënë miqve dhe partnerëve tanë më të ngushtë ndërkombëtarë, po dhe shëmbëlltyrën më kuptimplotë të pjekurisë së popullit tonë në kohën e re të Europës dhe përgjegjshmërisë të çdo shqiptari e shqiptareje përballë të ardhmes së vet.

E nderuar Presidente e Kosovës,
I nderuari Kryetar i Parlamentit,
I nderuar Kryeministër i Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kosovës,
bashkudhëtarë në hapësirën shqiptare të tejkufinjve,

Në emër të një historie, që prej titullit të ditarit të Rexhep Qoses, me pjesë nga i cili fillova fjalën në këtë Kuvend, do ta quaja histori të “paqeve të përgjakshme;”

dhe në emër të një të shkuare e cila na përballi dhe me diktatorë, që siç thuhet në fjalimin e famshëm të Charlie Chaplin tek "Diktatori i Madh," çlirojnë vetveten, por robërojnë popuj:

Le t’i kthejmë kufijtë mes nesh dhe rreth e rrotull në forca që ndrydhin të shkuarën diktatoriale brenda nesh dhe fuqizojnë popujt e çliruar prej diktaturave; në porta që ndajnë hapësira pushtetesh, por bashkojnë forca shtetesh; në referenca përgjegjësie për ne, por lirie për shtetasit tanë.

Le t’i krijojmë gjeneratës tjetër hapësirën e tejkufijve. Se, sinqerisht dhe realisht, për ata s’ka kufij, përveç kufijve që frika dhe pazotësia jonë do t’ju impononte si trashëgim.

Ndaj, duke ju falenderuar për ftesën, vëmendjen dhe kohën e kushtuar, gjej rastin t’ju shpreh admirimin e madh juve dhe çdokujt kontribuoi për Kosovën e lirë e sovrane, bashkë me respektin e posaçëm për modelin rrezatues të kundërshtisë së mirësjellshme me njëri tjetrin që keni krijuar në këtë Kuvend.

Dhe, me emocionin e papërshkrueshëm së qeni si Kryeministri i Shqipërisë para jush, për kapitullin e ri që shpresoj të hapim, dua ta them m’u ashtu siç e tha Faik Konica, si gjithnjë më bukur se askush kur foli shqip, në fund të përshëndetjes së vet më 7 Maj 1921 përpara një grupi atdhetarësh, Mbetem i Juaji me Besë.

Ju falemnderit!

KOMENTE