English

“Parku logjistik i Tiranës”. Autostrada Tiranë-Durrës. Investim më i madh nga Bashkia Tiranë

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka marrë pjesë, në përfundimin e fazës së parë të projektit “Parku logjistik i Tiranës”, nje investim i cili në total kap vlerën e 40 milion eurove. Hapësira totale e parkut logjistik të Tiranës është 200 000 m2 dhe është një nga investimet më të mëdha që po zhvillohet në Shqipëri nga shoqëritë Balfin -Group i cili është aksioneri kryesor dhe më i madh, bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe AlbStar sh.p.k.

Ky projekt parashikon ndërtimin dhe dhënie me qira të 5 magazinave dhe objekteve industriale të “klasit A”, në zonën më të madhe industriale të Shqipërisë, në autostradën Tiranë-Durrës. Ky investim për kryebashkiakun Basha është një lajm i mirë, për të gjithë ata që janë në kërkim të një vendi pune dhe shenjë besimi tek ekonomia dhe potencialet e Shqipërisë.

“Jemi para një transformimi të madh. Ndërtimi i kësaj faze të projektit punësoi 250 qytetarë, 180 të tjerë janë punësuar ndërkohë në operimin e tij, mijëra të tjerë presin të punësohen. Kjo hapësirë fillon të shërbejë pikërisht për çfarë është ndërtuar, logjistikë dhe jo vetëm për Tiranën por logjistikë për të gjithë rajonin. Dhe kur projekti të ketë përfunduar, brenda kohës dhe me parametrat modernë me të cilat është projektuar, siç përfundon çdo projekt në të cilin kanë marrë pjesë dy investitorët e këtij projekti, mbi 10 mijë qytetarë do të punësohen drejtpërdrejt në këtë ndërmarrje. Ç’lajm i mirë dhe çfarë faktesh të mira ndajmë sot me njeri - tjetrin! Kjo është shenjë e një optimizmi dhe entuziazmi të ndërmarrësve shqiptarë dhe partnerëve të tyre ndërkombëtarë, në këtë rast amerikanë, të besimit tek ekonomia shqiptare, të besimit tek potencialet e Shqipërisë” - u shpreh z. Basha .

Përtej deklaratave politike, për kryebashkiakun Basha, ky investim është dëshmia më e mirë e realitetit të ekonomisë shqiptare.

“Shqipëria sot e gjithë ditën, pavarësisht se në kushtet e një krize globale dhe ekonomike, vazhdon të mbetet një ekonomi e qëndrueshme. FMN foli qartë edhe dje, kur parashikoi rritjen ekonomike për 2013, në 1.7% dhe 2014, 2%. Kjo është e vërteta, kjo është gjendja, rritje ekonomike dhe jo krizë. Modeste por rritje ekonomike! Kjo është Shqipëria e vërtetë dhe jo virtuale, këto janë vende pune reale, kjo është mirëqënie reale dhe e prekshme dhe në shpirtin optimist të kësaj ndërmarrjeje të guximshme, pafshim sa më shpejt shumëfishim të këtyre iniciativave, jo vetëm në Tiranë por anembanë Shqipërisë!“ – deklaroi kreu i Bashkisë, Lulzim Basha.

Ndërsa ka shprehur angazhimin e tij si kryetar i PD dhe si kryebashkiak i Tiranës, për të mbështetur sipërmarrjen, zoti Basha theksoi se suksesi i tyre është sukses për gjithë Shqipërinë.

“Detyra e politikës është vetëm të krijojë kushte dhe garanci për një ambient sa më miqësor dhe eficient për zhvillimin e këtyre iniciativave. Në detyrën time si kryetar i opozitës dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, dëshiroj të siguroj sërish sot sipërmarrësit e vendit, se ata do të kenë mbështetjen tonë të plotë dhe të gjithanshme në çdo nivel, për të qëndruar, për t’u përballur dhe avancuar në raport me planet e tyre të zhvillimit. Suksesi juaj është sukses i gjithë Shqipërisë. Sipërmarrja e lirë përfaqëson më së miri, me optimizimin dhe guximin e saj, shpirtin krijues, optimizmin e mbarë vendit dhe garancinë më të mirë në progresin e ekonomisë shqiptare. Këto janë vlera pozitive që ju na transmetoni sot neve, drejtuesve dhe përfaqësuesve politikë por janë vlera pozitive që po kështu ne duhet t’i transmetojmë tek ju dhe tek mbarë publiku” - theksoi z. Basha.

Fjalën hapëse në ceremoni e mbajti z. Steven Grunerud, zv/President i grupit Balfin, i cili falënderoi të ftuarit dhe shtoi se: “Besoj që në Shqipëri, bizneset duhet të bëjnë një tjetër hap përpara, në cilësinë e manaxhimit të logjistikës. Më shumë vëmendje drejt logjistikës, do të thotë mundësi më të mëdha për të ulur shpenzimet, shkurtuar kohë dhe për të krijuar hapësira më të mira biznesi. Tirana Logistic Park ta ofron këtë mundësi, duke ndarë shpenzimet e logjistikës, eksperiencës në menaxhim dhe shërbime për të arritur rezultate më të mira. TLP do t’i shërbejë nevojave rajonale, për distribucion dhe magazinim. Në vetëm 4 orë distancë me kamion nga TLP, mund të arrish afërsisht 8 milion njerëz. Tirana Logistic Park ka një pozicion strategjik, ku lehtësisht akseson Portin e Durrësit, një nga të vetmit porte të thella në Europën juglindore, si edhe ka akses në autostradat që të lidhin me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Me të vetmin degëzim hekurudhor të dedikuar në Shqipëri brenda një objekti të tillë, Tirana Logistic Park do të ofrojë forma të ndryshme të distribucionit dhe transportit”

KOMENTE