English

Çdo ndërtim pa leje në distancë 20 metër nga rruga do të prishet

Tashmë të gjitha ndërtimet pa leje buzë rrugëve do të verifikon nga një grup i specializuar i cili do përcaktojë nëse këto ndërtime do të legalizohen apo do të shemben.

Ky fakt është bërë i ditur dje nga Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Edmond Haxhinasto, gjatë inspektimit të punimeve në rrugën Tiranë-Elbasan. Ai nuk ka preferuar të japë detaje në lidhje me procedurën që do të ndiqet për verifikimin e ligjshmërisë së objekteve, por ka vënë theksin në faktin se është ngritur tashmë një task forcë. Sigurisht nuk do të trajtojë vetëm këtë problem, por ndërtimet e paligjshme në të dy anët e rrugës duke qenë një potencial shumë i madh për aksidente, do të jenë të parat për shqyrtim. Sipas Haxhinastos, problematika e sigurisë në rrugë është një gjë që tashmë po merr vëmendjen gjithmonë e më të madhe të institucioneve që janë të lidhura me të.

Ministri përsëriti faktin se qeveria është e vendosur që t’iu shlyejë kompanive borxhin për investimet që ato kanë realizuar në rrugë, ashtu sikundër do të marrë masa specifike për të përmirësuar segmentet rrugore.

Gjatë inspektimit të punimeve, Haxhinasto tha se “kjo rrugë është një kontratë, e cila ka nevojë për një ritëm të ri për të përfunduar punimet dhe ç’është më e rëndësishmja, punimet do të përfundojnë në të gjithë elementet që ka projekti i kësaj vepre të rëndësishme”. Lidhur me standardet e rrugës, ai theksoi se elementët kryesorë janë standardet inxhinierike, ato të sinjalistikës dhe standardet e sigurisë në rrugë, që janë shumë të rëndësishme për banorët në të dy anët e kësaj rruge”. Për sa i përket rrugëve që ende nuk kanë përfunduar si dhe shlyerjes se kontraktorëve, ministri tha se “borxhet do të shlyhen pasi ky është një angazhim i qeverisë së re, por më parë do të bëjmë verifikimin në terren, përqindjeve që janë realizuar nga kompanitë kontraktuale dhe sigurisht menjëherë do të vijojmë pagesën e detyrimit që kemi ndaj kompanive”, përfundoi ministri Edmond Haxhinasto.

Janë rreth 270 mijë vetëdeklarime nga të cilat një numër i konsiderueshëm janë anës rrugëve. Prej tyre janë kualifikuar rreth 240 mijë, ndërsa të tjerat janë shkualifikuar. Janë në proces shqyrtimi duke punuar me mbi 240 mijë dosje. Tirana është kryeqendra e ndërtimeve informale ku janë ka rreth 92 mijë vetëdeklarime
Durrësi me 37 mijë ndërtime,
Fieri me 27 mijë, Vlora me 24 mijë,
Elbasani, 24 mijë,
Korça, 11 mijë e kështu me radhë në qytete të tjera. Ndërkohë që janë evidentuar rreth 80 mijë ndërtime pa leje, shtesa pallatesh, të cilat me anë të një akti normativ qeveria “Berisha” vendosi t’i legalizojë. Aplikimet për këtë kategori ku përfshihen shtesa dhe ndërtime pas vitit 2006, kanë vijuar deri para pak ditësh, por dosjet nuk janë marrë ende në shqyrtim nga zyrat e ALUIZNI-t në rrethe.
Ligji i legalizimeve ka parashikuar edhe procedurën për ndërtesat informale në akset rrugore. Ligji i ri, i hartuar nga qeveria “Berisha”, ngushton distancat nga 100 metra deri në 20 metra. Reduktohen distancat deri në 20, 25 dhe 30 metra në varësi nga aksi i rrugës.

KOMENTE