Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Inaugurimi i Aeroportit “Adem Jashari”. Rama:Krenar dhe mirënjohës për Kosovën dhe shembullin e saj
English

Inaugurimi i Aeroportit “Adem Jashari”. Rama:Krenar dhe mirënjohës për Kosovën dhe shembullin e saj

Kryeministri Edi Rama, me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ndërsa shprehu kënaqësinë që ishte udhëtari i parë që u ul në pistën e këtij aeroporti, Rama theksoi se nuk mund të kishte një emër më të goditur sesa emri i Adem Jasharit për aeroportin e pasçlirimit të Kosovës. Kryeministri e cilësoi ndërtimin e këtij terminali si një vepër të shkëlqyer që afirmon ambicjen e Kosovës.

Kryeministri Rama vlerësoi praninë e Kryeministrit Erdoğan në këtë ceremoni dhe i shprehu atij mirënjohje për kontributin e paçmuar dhe mbështetjen që ka dhënë për pavarësinë e Kosovës.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të Terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”:

“Shumë të dashur miq dhe vëllezër, kryeministra të Kosovës dhe të Turqisë,

Shumë të nderuara dhe të nderuar, zonja dhe zotërinj,

Nuk mund të kishte një emër më të goditur për aeroportin e pasçlirimit të Kosovës, sesa emri i njeriut që i dha krahë, me jetën e me vdekjen e tij, ëndrrës së Kosovës së lirë, të pavarur dhe shtet evropian në mes të Evropës. Adem Jashari është emri i krenarisë së këtij vendi dhe nga sot, Kosova e re do të presë me krenari legjitime në këtë port të qiellit të saj të lirë, miqtë e vet që shtohen dita - ditës.

Urime me gjithë zemër të gjithëve për këtë vepër të shkëlqyer që afirmon ambicjen e Kosovës, e këtij shteti që është vetëm 5 vjeç, por që në 5 vite ka rendur dhe ka kapur shumë nga koha e humbur, duke u bërë një shembull admirues për të gjithë rajonin.

Nuk mund të kishte një ditë më të bukur se kjo e sotmja, plot krenari, por edhe plot diell për Kosovën, për të mikpritur një mik të çmuar dhe të përkushtuar të të gjithë shqiptarëve, siç është kryeministri Erdoğan. Kryeministri Erdoğan është miku dhe vëllai ynë i pandarë, në festa, por edhe në vështirësi; në ditë me diell arritjesh të bukura, si kjo e sotmja, por edhe në kohë të vrenjtura, kur miqtë e vërtetë dallohen mbi të tjerët. Dhe askush, asnjëherë, nuk do ta harrojë përkushtimin dhe mbështetjen e tij të paçmuar për pavarësinë e Kosovës. Ashtu sikundër askush ndër ata që e jetuan emocionin e jashtëzakonshëm të ditës së pavarësisë nuk do ta harrojë, se bashkë me shqiptarët, kudo ku ishin, Kryeministri Erdoğan dhe qeveria e tij ishin mbledhur dhe ndiqnin live përmes televizionit të gjitha momentet e jashtëzakonshme të asaj dite të shënuar në historinë e popullit shqiptar.

Nuk mund të kishte, për mua vetë, fat më bukur të shkruar sesa të isha sot, së bashku me Lindën, mysafiri i parë që u ul në pistën e këtij aeroporti që do të presë e përcjellë miliona e miliona njerëz dhe do të jetojë shumë më shumë se ne të gjithë, si monumenti i gjallë i kujtimit të Adem Jasharit dhe monumenti i mikpritjes së Kosovës së lirë për të gjithë miqtë e vizitorët e vetë.

Dhe natyrisht, ky është një tjetër rast shumë kuptimplotë për mua, për të qenë krenar, por edhe mirënjohës për Kosovën dhe shembullin e saj, si dhe për t’u krenuar me një mikun tim, që sot është Kryeministri i shqiptarëve të Kosovës, të cilit i jam thellësisht mirënjohës për nderin e madh që më bëri, duke më ftuar sot këtu si Kryeministri i shqiptarëve të Shqipërisë.

Dhe me kënaqësinë e jashtëzakonshme, por edhe me privilegjin e madh të të qenit në krah të dy miqve dhe dy bashkudhëtarëve kaq të nderuar në rrugën e përbashkët të partneritetit strategjik mes nesh, për të mirën e popullit shqiptar dhe të popullit turk, dhe për të forcuar bashkëpunimin mes tre shteteve tona, unë ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen.

Zoti bekoftë Kosovën!”

KOMENTE