English

Nëndrejtori i Përgjithshëm, Agim Shehu shkarkohet nga detyra

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve ka firmosur shkarkimin e nëndrejtorit të Përgjithshëm, Agim Shehu. Mësohet se shkresa me propozimin e Briseilda Shehajt, ka mbërritur në zyrën e Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, i cili e ka miratuar. Agim Shehu ka mbajtur pozicione të rëndësishme në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke nisur nga Drejtori i Investigimit dhe më pas nëndrejtorit të përgjithshëm, deri në momentin e shkarkimit. Agim Shehu, ka qenë më parë ish-drejtor i Policisë së Shtetit në vitin 1997 dhe u akuzua për dezertim, ndaj qëndroi plot nëntë vjet jashtë vendit. Pasi drejtori uniformat blu në vitin 1997 ai rrezikonte të dënohej me 7 vjet burg.

Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm, ish-zëvendësministri i Rendit. Në seancën e fundit gjyqësore, e bërë me dyer të mbyllura, kolegji gjykues ka lënë të lirë Shehun, i gjykuar në mungesë dhe i akuzuar nga Gjykata Ushtarake për veprën penale të “dezertimit nga detyra”. Më pas, me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, pas fitores së zgjedhjeve më 2005, megjithëse kishte edhe akuza të tjera, emri i ish-gjeneralit “zhduket” nga lista e personave të shpallur në kërkim. Agim Shehu nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shpalljen si antikushtetuese të vendimeve të tre shkallëve të gjyqësorit. Vendimi u mor me 4 dhjetor të vitit 2006 nga Gjykata e Lartë, e cila pushoi çdo akuzë ndaj ish-gjeneralit. Pas rrëzimit të akuzave ndaj tij, mund të kthehej lirshëm në Shqipëri. Pak kohë më vonë Shehu u emërua në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Largimit të Shehut, pritet t’i shtohen edhe disa lëvizje të tjera si në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ashtu edhe në drejtoritë rajonale/shekulli online/

KOMENTE