English

Patentat do të ndryshohen përsëri

Ornela Manjani - Hyrja në fuqi e ligjit për patentën me pikë do të detyrojë të gjithë drejtuesit mjeteve të marrin një leje drejtimi të re ku të jenë të pasqyruara përveç gjeneraliteteve, fotos dhe grupit të gjakut edhe të dhëna të tjera shtesë ku të mund të shënohen pikët që ka drejtuesi i mjetit në çdo moment. Ndryshimi i formatit të lejes së drejtimit të mjetit do të jetë i detyrueshëm për të gjithë shoferët, kundrejt një kostoje, e cila e do të përllogaritet nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Drejtuesit e këtij institucioni bëjnë të ditur se ndryshimi i formatit të lejes është i detyrueshëm pasi kartoni aktual nuk i ka të dhënat e plota për aplikimin e sistemit të patentave me pikë dhe pajisjet të reja që pritet të instalohen nuk e lexojnë këtë prerje.

Aktualisht po punohet me hedhjen e të dhënave të plota të drejtuesve të automjeteve në arkivën elektronike, ku do të shënohen edhe pikët përkatëse të tyre. Pas implementimit të prerjes së re të lejes qytetarët mund të kontrollojnë sesa pikë dispono-jnë nëpërmjet faqes zyrtare të këtij institucioni. Ndërkohë, që për ata që humbasin totalin prej 20 pikësh, parashikohet testim nga e para, por me shkallë vështirësie më të reduktuar. Me hyrjen në fuqi të vendimit për patentën me pikë ka nisur edhe ndërtimi i softit përkatës, pra softit informatik i cili do të jetë një regjistër elektronik, sikurse përcaktohet në Kodin Rrugor, i cili administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, por aksesin duhet ta kenë edhe institucione të tjera që merren me ndëshkimet dhe penalitetet, siç është Policia Rrugore, organi më i specializuar për zbatimin e këtij sistemi dhe heqjen e pikëve.

Në vendim janë përcaktuar edhe afatet e rimarrjes së pikëve, pikërisht këto janë shtyllat kryesore mbi të cilat do të ndërtohet softi. Në këtë soft do të kenë akses jo vetëm institucionet, por edhe drejtuesit e mjeteve, të cilët përmes numrit serial të lejes së tyre të drejtimit do të mund të kontrollojnë në kohë reale gjendjen e pikëve.

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor do të jetë institucioni që do të administrojë regjistrin ku do të jenë të dhënat për çdo drejtues mjeti. Për shembull, drejtuesi i mjetit rrugor, duke u futur në kryqëzim, nuk i jep përparësi mjetit tjetër që vjen nga e djathta dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, drejtuesi i mjetit rrugor në kapërcimin e linjave hekurudhore a të tramvajit, nuk i jep përparësi mjetit që lëviz mbi shina dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh dhe drejtuesi i mjetit rrugor nuk respekton sinjalet e vendosura të përparësisë në kryqëzim dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 12 muajsh, i hiqet nga pesë pikë për çdo shkelje.

KOMENTE