English

Spiropali: Të ardhurat e doganave për muajin tetor janë 105%

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali njoftoi sot se administrata doganore ka realizuar 105 % planin e të ardhurave për muajin tetor.

Në një deklaratë për media, Spiropali thekson se ky është vetëm rezultati i parë i frymës së re në qeverisjen e vendit dhe i fillimit të rimëkëmbjes së sistemit doganor. Po ashtu, ajo deklaroi se “ky është fillimi i prerjeve të lidhjeve të paligjshme, korruptive dhe nepotike që kanë brejtur sistemin doganor”.

Deklarata e Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali:

“Jam këtu për t’ju dhënë një lajm të mirë, pas vetëm 31 ditësh në krye të doganave. Kemi trashëguar një situatë shumë të rënduar nga korrupsioni dhe demotivimi i administratës doganor, por kemi gjetur edhe njerëz profesionistë e të gatshëm për t’i shërbyer me përkushtim ligjit, shtetit dhe sipërmarrësve. Ndërkohë, kemi bërë edhe disa ndryshime të domosdoshme në krye të një sërë doganash, ku shifrat e të ardhurave kishin rënë në tokë bashkë me trarët e doganës.

Në 31 ditë, jo vetëm kemi tejkaluar planin, por shumë e rëndësishme të theksohet, kemi kaluar ndjeshëm shifrën e muajit tetor, krahasuar me realizimin e një viti më parë. Pra, Administrata Doganore realizoi planin e të ardhurave për muajin tetor 105% duke arkëtuar 13.244.199. Këtë muaj janë arkëtuar 2.8 miliardë lekë ose (rreth 28 milionë USD) më shumë se muaji shtator i këtij viti. Të mos harrojmë se situata e administratës doganore ka qenë shumë e rënduar edhe si pasojë e lëshimit të frerëve të shtetit pas qershorit 2013, me rënie të vazhdueshme të të ardhurave në dogana. E megjithatë, lajmi i mirë është se nga janari realizimi i muajit tetor 2013 është gjithashtu 875 milion lekë (ose rreth 8.7 mln USD) më i lartë se tetori 2012.

Ky 2.8 miliardë lekë i arkëtuar më tepër këtë muaj, i cili realisht i ka munguar buxhetit të shtetit muajin e kaluar apo një vit më parë, është padyshim rezultati i parë i frymës së re në qeverisjen e vendit dhe i fillimit të rimëkëmbjes së sistemit doganor, por mbi të gjitha i fillimit të prerjeve të lidhjeve të paligjshme, korruptive dhe nepotike që kanë brejtur sistemin doganor. Siguroj se ky lajm i mirë është vetëm i pari dhe lajme të mira do kemi edhe në fund të nëntorit e të dhjetorit po ashtu, me rritje të mëtejshme në dy muajt e ardhshëm.

Ne do të bëjmë përpjekjet maksimale për mbushjen dhe një zvogëlim të konsiderueshëm të boshllëkut që është krijuar në buxhetin e shtetit në 9-mujorin e parë të këtij viti. Rritja e besimit në sistem dhe tek sistemi, shoqëruar me fillimin e rimëkëmbjes së ekonomisë, do të sjellin më shumë të ardhura padyshim në arkën e shtetit vitin në vijim.

KOMENTE