English

“Brenga ime Shqiptare”, në kërkim të dashurisë atërore

Në vitin 1991 dhe 1993, katër dekada pasi ishte larguar nga Shqipëria ku lindi dhe kaloi disa vite të fëmijërisë, Aldo Renato Terrusi u kthye sërish. Këtë radhë, pothuajse 50 vjeçar, Terrusi vinte në vendin e tij të lindjes në kërkim të eshtrave të babait, drejtues i disa bankave në Shqipëri në vitet '30-të-'40-të, që kishte vdekur në burgun famëkeq të Burrelit, ku ishte dënuar nga diktatura komuniste. Historinë e familjes së tij e ka përshkruar në librin "Ritorno al Paese delle Aquile", që tani është botuar edhe në shqip me titullin “Brenga ime shqiptare”

Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika

Ka periudha në historinë e Njerëzimit, në të cilat fati i individëve gërshetohet në mënyrë të pazgjidhshme me atë të bashkësive, të popujve, të kombeve. Janë periudha në të cilat ngjarjet dalin jashtë rrjedhës së zakonshme, duke përmbysur individët që kthehen në numra të thjeshtë e që, gjithnjë e më shumë i ngjajnë gjetheve të verdha të rëna nga pemët, të çuara nga era andej këndej.

Një nga këto periudha gjendet në romanin e shkrimtarit Aldo Renato Terrusi. “Brenga ime shqiptare” nuk mjaftohet me rrëfimin e udhëtimit të një njeriu në kërkim të dashurisë atërore, të humbur pothuajse gjysmëshekulli më parë. Nëpërmjet këtij rrëfimi autori gjen rastin të tregojë historinë e një familjeje që, në një farë mënyre, kthehet në emblemë të një shoqërie e, më gjerë, të një kombi në një farë periudhe të historisë së tij.

Periudha e shqyrtuar është ajo e shekullit të njëzetë, duke u përqendruar kryesisht në gjysmën e parë të tij. Është ndoshta më e pështjelluara e gjithë historisë evropiane, me dy luftëra botërore dhe dhjetëra milionë të vdekur, me shëmbëlltyra shtetesh të shpërbëra e të rikrijuara, sisteme diktatoriale që arrijnë maja dhune e kriminaliteti, nëpërmjet masakrash masive, kampesh shfarosjeje të përjetshëm, liri vetjake të ndaluara, jetë njerëzore të marra pa mëshirë. Skena e ngjarjeve është gadishulli ballkanik, “fuçia e barutit e Evropës” e veçanërisht Shqipëria. Në këtë kuadër shtjellohet historia e familjes Poselli, që i ngjet asaj të shumë familjeve italiane të cilat, në Italinë e fundit të viteve 800 e fillim vitesh 900, mërguan në kërkim të fatit jashtë, në Vende të zhvilluara ose jo, por gjithkund të shpërblyer me sistemime të lakmueshme, mirëkuptim e respekt, në sajë të zgjuarsisë, vullnetit dhe seriozitetit në punë.

Mbas disa përvojash në Egjipt, Turqi e Greqi Posellët ngulen në Shqipëri dhe ky Vend, që do të jetë vendlindja e autorit, në të mirë e në të keqe, do të bëhet bartës i fateve të tyre. Këtu lind dashuria ndërmjet Aurelia Poselli-t dhe Giuseppe Terrusi-t, këtu trupëzohet ëndrra e familjes. Në këtë Vend daja Giacomo do të bëhet i njohur, në sajë të pjesëmarrjes në skuadrën kombëtare të futbollit si portier. Autori, në rrëfimin e tij, na përshkruan tri Shqipëri, që janë i njëjti Vend, por në tri faza të ndryshme të historisë së saj. E para është ajo e Mbretit Zog dhe luftës së dytë botërore, e dyta ajo e regjimit komunist dhe e treta ajo e sotmja pas komuniste. E para është Shqipëria normale, një Vend i prapambetur që, prej pak dhjetëvjeçarësh, për herë të parë në historinë e saj, ka mundur të krijojë një shtet të bashkuar, edhe se të gjymtuar e të përgjysmuar në territoret e saj nga vendime të padrejta të Fuqive të mëdha. Kjo Shqipëri, me gjithë njëmijë problemet e saj, është një Vend normal, ku secili, sipas mundësive, mund të ndërtojë një jetë, mund të bëjë projekte, mund të sendërtojë ëndrra, mund të kërkojë fatin jashtë shtetit, mund të shpresojë në një të ardhme më të mirë. Në këtë Shqipëri jeta e italianëve rrjedh normalisht, edhe se mes vështirësive të kuptueshme për një Vend të prapambetur.

Në këtë kuadër shtjellohet nga autori historia e marrëdhënieve njerëzore, pak të ngatërruara, ndërmjet Aurelia Poselli-t dhe Enver Hoxhës. Ky i fundit u dashurua me vajzën e bukur 16-vjeçare italiane, kërkoi me ngulm të fitonte zemrën e saj, madje i dhuroi edhe një libër me një kushtim që vërteton plotësisht karakterin mashtrues të tij. Firmon si “student në mjekësi”. Është një gënjeshtër, ashtu sikurse janë të rreme të dhënat mbi studimet e Enver Hoxhës. Diktatori i ardhshëm nuk qe në gjendje të marrë provimet në universitetin e Montpellier-it, ku shteti shqiptar, në sajë të rekomandimeve të njerëzve me pozita të larta, i kishte dhënë një bursë studimi, të cilën ministri Ivanaj i a pezulloi për atë arsye.

Aurelia nuk pranoi propozimin e dashurisë së këtij djali, së bashku me teoritë e tij të revolucionit komunist. Këtu zë fill fatkeqësia e saj që trupëzohet në Shqipërinë e dytë, në atë që lindi në 29 nëntor 1944. Ajo ditë, e quajtur e çlirimit, nuk qe tjetër veçse ajo e pushtimit të Vendit nga ana e një sistemi që u njëjtësua me vdekjen, mjerimin, prapambetjen, mungesën e lirisë, terrorin për gati gjysmë shekulli, veçimin e plotë nga bota Perëndimore. Ky sistem dhe arkitekti i tij, Enver Hoxha, qenë përgjegjës të tragjedive të pafundme njerëzore.

Shifrat e shtypjes komuniste në Shqipëri janë rrëqethëse: ekzekutime të 5.577 meshkujve e të 450 femrave, dënime me punë të detyruar për 26.768 meshkuj e 7.367 femra, të vdekur në burgje 1065 vetë, vite burgu për “krime” të opinionit gjithsej 914.000, vite internimi gjithsej 256.146. Këto shifra i përkasin një popullsie prej një milion banorësh.

Në këto shifra hyn dhe fundi i parakohshëm dhe tragjik i bashkëshortit të Aurelias. Me këtë Shqipëri patën të bëjnë edhe italianët e mbetur në këtë Vend mbas marrëveshjes famëkeqe Hoxha – Palermo të vitit 1954.

I nënshkruari ka paguar një çmim shumë të lartë këtij rendi gjërash. Kishte një nënë italiane, e laureuar me 110 e lavdërim në universitetin e Napolit, që regjimi komunist e detyroi të mbante drutë në shpinë çdo ditë në malet e Tepelenës, ose të punonte tokën për pjesën tjetër të jetës së saj të punës. Unë dhe autori i romanit jemi bashkëmoshatarë, duke pasur disa muaj ndryshim. Ai, nga njëra anë, ka qenë më fatlum, sepse është rritur në një Vend të lirë. Nga ana tjetër kam qenë unë më fatlum, sepse kam pasur mundësinë të jetoj me tim atë, mbasi ai kishte kryer dënimin prej 15 vitesh në burgun e Burrelit.

Duke lexuar këtë libër më erdhën ndër mënd pamjet e shumë njerëzve të përmendur në raste të ndryshme, të njohur në një jetë të kaluar krejtësisht në fushat e internimit e në burgjet e komunizmit shqiptar. Kam njohur kolonelin Mario Verde dhe kapitenin Luigi Tagliani, që u riatdhesuan më 1956, duke u nisur nga Pluku i Lushnjës, ku banonim edhe ne e ku banonte Atë Gardini, një shembull i shkëlqyer i shërbyesit të Kishës katolike. Kam qenë në Spaç së bashku me Petrit Velon, më 1980, gjatë burgimit të dytë të tij. Ishte një burrë zotni shoku i qelisë i Giuseppe Terrusi-t, dhe miqësisht i them të birit se përshtypja e përftuar mbas bisedës me të, besoj se është e gabuar.

E falënderoj nga zemra Aldo Terrusi-n që, nëpërmjet këtij libri, ndihmon për t’i bërë të njohur shoqërisë italiane të vërtetën e hidhur të popullit shqiptar, martirizimin e tij të gjatë e të dhimbshëm.

Shqipëria e tretë është ajo ku lëvizin autori dhe daja i tij, heroi i ballkaniadës, në kthimin e tyre në Vendin e Shqipeve. Është Vendi që, zyrtarisht ka zëvendësuar komunizmin me demokracinë. Fatkeqësisht, është një demokraci e rreme, bijë e një antikomunizmi të rremë, që nuk do të njohë seriozisht e të dëmshpërblejë dëmet e diktaturës kundrejt viktimave të saj, ashtu sikurse duhej të dëmshpërblinte e t’i kërkonte falje dhe autorit të këtij libri për dënimin e padrejtë e të pajustifikuar të babait të tij.

Aldo Terrusi ka meritën e madhe ta ketë bërë të pavdekshme, nëpërmjet romanit të tij, përvojën e dhimbshme, madje tragjike, të jetuar në vetë të parë nga prindërit e tij. Trauma njerëzore e një fëmije, të cilit i është hequr dashuria dhe prania e babait në jetën e tij, për shkak të një regjimi mizor e çnjerëzor që dënon pa asnjë arsye të shëndoshë, është një padrejtësi që normalisht duhej të thërriste për hakmarrje apo drejtësi. Në sajë të bujarisë dhe maturisë së autorit ajo bie në plan të dytë. Duket se shkrimtari do t’i kursejë lexuesit peshën e tragjedisë që ka shënuar jetën e tij dhe ka bërë të detyrueshëm një synim, sa njerëzor aq dhe të drejtë e moral: gjetjen e eshtrave të babait, kthimin e tyre në tokën e lindjes, në një kthinë varri me një pllakë të bukur, me një fotografi të hijshme në dukje, një vazo lulesh dhe një qiri gjithmonë i ndezur; një vend ku shkohet për të sjellë ndër mënd kujtime pikëlluese, ata të babait përtej hekurave dhe të fëmijës në krahët e nënës, që kërkon me lot në sy daljen nga ai ferr; një vend ku të shkohet për t’u lutur, për të mos harruar, mbi të gjitha për të mos harruar.

Ndoshta shkrimtari ka bërë të vetin mësimin e një Pape të madh, Gjon Pali II, që në të njëjtin vit e ka vizituar Vendin e Shqipeve, duke e quajtur “Tokë e fshikulluar nga përndjekjet”, duke kërkuar për të, ndihmën dhe kujdesin e botës me shprehjen e famshme: “Evropë mos harro!”. Martirizimi i atij populli, veçanërisht i pjesës katolike, nuk ka pasur krahasim në Evropën komuniste. Nëpërmjet heshtjes së tij, nënshtrimit dinjitoz kundrejt fatit, dhimbjes së tij të thellë e të matur, autori nderon të vërtetën rrëqethëse të një populli mik e bujar, me të cilin ndihet i lidhur jo vetëm si vendi i lindjes, por kryesisht për tragjedinë e tij. Autori nuk është vetëm njeriu i misionit, që pret një jetë për të pasur eshtrat e të atit. Ai është dhe një vëzhgues i vëmendshëm i një realiteti, deri pak kohë më parë, i mbështjellë në të panjohurën, në të papërshkueshmen.

Në këtë realitet i bëjnë përshtypje gjëra të ndryshme: bunkerët, 700.000 që kanë pushtuar gjithë truallin e këtij Vendi, shembulli më i qartë e më shprehës i një marramendjeje politike dhe një marrëzie njerëzore pa kufij, që ndihmoi në mënyrë përcaktuese varfërimin deri në skajet e mbijetesës të një populli të tërë; antenat e televizorëve mbi çatitë e mbi ballkonet e pallateve të rrënuara, një tjetër shembull, këtë herë pozitiv, i një qëndrese pasive, gandiane, pa fytyrë i të njëjtit popull kundrejt një diktature që përpiqej me të gjitha mjetet që zotëronte, t’i mbushte mendjen çdo ditë me dogmat e komunizmit më të keq. Shteti e detyronte, nëpërmjet ligjeve të terrorit, të jetonte në padije, të mos kishte asnjë kontakt, të asnjë tipi, me botën rreth e përqark, veçanërisht me Italinë që, për shumicën e shqiptarëve ishte “toka e premtuar”, sinonim i lirisë, i kulturës, i mirëqenies, i bujarisë. Ato antena ishin mjeti që u lejonte të njihnin atë botë, edhe se vetëm nëpërmjet televizionit që, nga ana e tij, nuk ndihmonte shumë për informacionin e paanshëm, duke krijuar një opinion më shumë të stisur se sa të vërtetë të atij realiteti.

Varfëria, në shfaqjet e saj të ndryshme, e befason autorin dhe e bën të përsiasë mbi arsyet dhe motivet, që kanë të gjithë të njëjtin burim, sistemin komunist dhe udhëheqësin e tij më të lartë, Enver Hoxhën. Ky është emblema e këtij sistemi, diktatori, njeriu i plotfuqishëm që bën dhe zhbën gjithçka sipas tekave të tij, vullnetit të tij të mbrapshtë, kriminal. Një përbindësh që synon të asgjësojë gjithçka të mirë, bujare, fisnike kishte karakteri dhe natyra e shqiptarit. E kupton këtë Aurelia, personazhi diellor i romanit, kur “shpresonte të mund të takonte Enverin personalisht për t’i kërkuar faljen për burrin në emër të miqësisë së vjetër, por ai u justifikua duke thënë se arsyet shtetërore e ndalonin të ishte shpirtmadh: po të kishte bërë lëshime hierarkitë do t’i mbetej hatri. Aurelia u thirr në vazhdim shumë herë nga njëri prej sejmenëve të Enverit që i bëri vetëm propozime të papërsëritshme në shkëmbim të një lirimi të mundshëm të burrit”.

Ky argument meriton një përthellim, mbasi hedh dritë mbi një nga anët më të këqija të karakterit të Enver Hoxhës, një natyrë hakmarrëse skajore, veçanërisht me femrat që nuk kishin pranuar propozimet e tij. Është shumë e mundshme që instinkti shtazarak i hakmarrjes kundrejt Aurelias për “fyerjen” e pësuar vite më parë të ketë përcaktuar edhe fatin e Giuseppe Terrusi-t që, në një tjetër kuadër, do të ishte liruar e, ndoshta, as nuk do të ishte arrestuar. I njëjti fat u takoi dhe vëllezërve të Musine Kokalarit, një nga vajzat më të shquara e më të kulturuara të kohës së saj, një shkrimtare gjirokastrite që kishte refuzuar propozimet e udhëheqësit të ardhshëm të Shqipërisë. Dy vëllezërit paguan me jetë dhe vetë Musineja me 15 vjet burgim. Në vetë të parë pagoi talljen me diktatorin e ardhshëm, një nga femrat më në pah të shoqërisë shqiptare, një shkencëtare e laureuar në Itali, edhe ajo bashkëqytetare e përbindëshit, Sabiha Kasimati. Ajo u arrestua dhe u pushkatua pa gjyq më 1951 me rastin e bombës së hedhur në oborrin e ambasadës sovjetike.

Autori i romanit, duke kërkuar të vërtetën mbi vdekjen e të atit, arrin të gjejë dy ish shokë të burgut, zotërinjtë Petrit Velaj dhe Engjëll Kokoshi. Ata kishin ndarë të njëjtin fat me drejtorin e bankës, birucat, urinë, mizorinë e rojeve, ndoshta edhe shpresën për të dalë nga ai vend. Është shumë prekës tregimi i Velajt mbi parashikimin e Giuseppes kiromant, rreth një vizite të të birit për të kërkuar të dhëna mbi të. Duket një gjë e pamundur, por jam i sigurt se Velaj nuk gënjen: e ka ruajtur për dhjetëvjeçarë në kujtesë këtë profeci që vërtetohet. Nga tregimi i tij del qartë personaliteti i një njeriu dinjitoz, për miqësinë e të cilit cilido do të ishte i nderuar, aq më tepër si familjar apo baba.

Biseda me Engjëll Kokoshin është një nga pikat qendrore të romanit, një copë për antologji sa i përket përmbajtjes së jashtëzakonshme. “Tregimi i Engjëllit të ngjeth mishtë; e tija kishte qenë një tragjedi e vërtetë. U pamë sy në sy e përballë atyre ngjarjeve u ndjemë të gjithë shumë të vegjël dhe u zhytëm në kolltukët tanë, sikur të donim të fshiheshim” rrëfen autori. E bën më të çmueshme dëshminë e Engjëllit shtati i tij moral e njerëzor, beteja e një jete të tërë në mbrojtje të një dinjiteti të fuqishëm e të padiskutueshëm, të parimeve fisnike, të larta e të pakundërshtueshme. “Për të më bërë të firmosja padinë kundër shokëve të mi, më bënë të gërmoj tri herë varrin tim, por nuk pranova kurrë”.

Është një realitet, ndoshta i pakonceptueshëm për botën e sotme, larg mendësisë së përhapur në një pjesë të mirë të shoqërisë, që nuk tërhiqet përpara asnjë motivi të rendit moral për të pasur me çdo kusht para, pushtet, lehtësi, qejfe. Në këtë drejtim, nga kjo pikëpamje, një mësim ndershmërie e respekti të vlerave njerëzore duhet të merret nga ajo pjesë e shoqërisë shqiptare që u vu në kryq nga barbaria komuniste. Mund të siguroj nga përvoja ime e drejtpërdrejtë se shumë bashkëvuajtës të burgjeve politike kishin pranuar me vetëdije dënimin me dhjetë vjet burg, duke mohuar një jetë në liri, por me njollën e padive ndaj shokëve apo të afërmve.

Faleminderit zoti Terrusi, njëmijë herë faleminderit, sepse ke vënë në pah, nëpërmjet faqeve të këtij romani, pjesë të një realiteti të virtytshëm, që meriton të jetë i nënvizuar dhe i njohur edhe nga shoqëria italiane edhe nga një botë që, çdo ditë, na jep shembuj të rënies vertikale të vlerave më të shtrenjta njerëzore. Opinioni i Engjëllit, një përfaqësues i Atdheut qëndrestar ndaj së keqes, i Vendit fisnik, për mikun Terrusi, është një dëshmi e së vërtetës madhore dhe fjalët e tij janë shpërblimi më i madh për një bir që ka humbur babanë në moshë të njomë, pa patur fatin as t’a njihte atë mirë.

“Babai yt nuk shkonte në kampet e punës së detyruar, por kur ktheheshim, duke na parë në atë gjendje, na ndihmonte sa mundte, dhe ndante me ne ushqimet e tij. Sigurisht e ke njohur tët atë nëpërmjet tregimeve të nënës tënde dhe të dajës, por natyra e vërtetë e tij ishte ajo e jetuar mes nesh, në vitet e tmerrshme të burgimit, kur na trajtonin si armiq të popullit e kriminelë të luftës. Më vjen keq të të tregoj gjëra që për ty janë të dhimbshme por, mik i dashur, duhet të jesh krenar për babanë tënd, që nuk u përkul kurrë ndaj sfilitjeve çnjerëzore që ata të mallkuar, të kthyer në bisha të ideologjisë marksiste, na shkaktonin”.

Që një bir të ndihet krenar për babanë e tij është një nga kënaqësitë më të mëdha që mund të ketë një njeri në jetën e tij. Udhëtimi në Vendin e Shqipeve i vërtetoi autorit përfytyruesen e babait të krijuar nga kujtimet e nënës, por ajo mori të tjera përmasa në rrëfimin e sinqertë të bashkëvuajtësve të tij, u rrethua nga një aureolë drite që jep vetëm bindja se provat e vështira, të përballuara me dinjitet, kurorëzojnë si të tillë qenien njerëzore.

Vizita në ish burgun e Burrelit është pjesa më e rëndësishme e udhëtimit. Fjalët e Kokoshit në përshkrimin e torturave e mizorinë e papërshkrueshme të një aparati policor pa krahasim, dëshmojnë në sytë e të ardhurve fytyrën e vërtetë të asaj bote të tmerrit që qe komunizmi shqiptar. “Të heshtur, me tmerrin, mëshirën dhe përbuzjen të skalitura në fytyrat tona, me zemrën e mbufatur nga ngashërimi, u nisëm për të dalë nga burgu.”

Përgëzime autorit që ka shprehur me pak fjalë, me një aftësi përmbledhëse për t’u pasur zili, një gjendje shpirtërore të veçantë, jo vetëm nga pozita e një biri që ka humbur babanë mes këtyre mureve të lemerishme, por edhe nga ajo e një qytetari të një shoqërie që, shumë rrallë është kujtuar të njohë tragjeditë e bijve të saj, të dënuar e të vdekur nga dora e një regjimi me të cilin është flirtuar për shumë kohë.

Aldo Renato Terrusi ka guximin të padisë, nga faqet e romanit të tij, një të vërtetë që, fatkeqësisht edhe në ditët tona, pranohet me shumë vështirësi. Përse Evropa demokratike nuk i ka quajtur kurrë të barabarta viktimat e dy tipave të diktaturave të kontinentit gjatë shekullit të shkuar? Përse viktimat e komunizmit janë ende të kategorisë së dytë, ndërsa ata të Shoah, me të drejtë, përkujtohen në nivelet më të larta të jetës politike, administrative e kulturore të shoqërive tona ? Autori nuk i shtron drejt për drejt këto pyetje, por ato lindin vetvetiu në përsiatjet e lexuesit që ndjek temat e kujtesës historike. Por ai, i tronditur thellë në vetëdijen e tij si një qytetar i një Vendi demokratik, përballë realitetit mizor me të cilin përballohet në këto pak ditë të qëndrimit “Përtej detit, aty ku lind dielli”, merr një zotim që tejkalon shumë detyrën e tij si bir, për të sjellë në tokën e tij eshtrat e babait.

“Në të vërtetë do të desha të bëja diçka më shumë. Ende nuk e di se si, por do të më pëlqente të ngrija një pllakë të madhe, ose të vendosja një targë në kujtim të të vdekurve të përbashkët, italianë e shqiptarë, në burgun e Burrelit”.

Është vërtetimi i ndërgjegjësimit se e keqja, që e ka goditur atë në ndjenjat më intime, zbulohet si një e tillë e përgjithshme me përmasa të papërfytyrueshme, një dukuri që ka bluar male jetësh njerëzore, të bashkuara në fatkeqësinë e përbashkët. Si të tillë ata meritojnë njohjen dhe nderimin e gjithë shoqërisë, të gjithë brezave, madje të gjithë kombeve. Ai zotim e nderon atë dhe i jep një dritë të posaçme veprës së tij.

“Të ngrihej një pllakë...” duhej të kishte qenë mendimi i parë, zotimi i parë i Shqipërisë demokratike në rrugën e saj. Fatkeqësisht, edhe sot, mbas një mijë premtimesh hipokrite në Shqipërinë tonë nuk ka asnjë monument, kushtuar viktimave të pafajshme të diktaturës, dhe të mbijetuarit duhet të kënaqen me thërrimet që politikanët e sotëm, bij ligjorë e jo ligjorë, lëndorë e shpirtërorë të atyre të të djeshmëve, vendosin herë mbas here t’u hedhin atyre, mbasi janë bërë zotër të gjithçkaje: të ekonomisë, të politikës, të mediave, madje dhe të miqve të botës së lirë. Prandaj premtimi i mikut Topallaj, për të sendërtuar “idenë fisnike”, nuk besoj se do të ketë vazhdim mbasi, në të pavetëdijshmen e tij dhe të shokëve të tij, ato viktima janë ende “armiq të klasës”.

Këto ishin disa nga përsiatjet që lindin nga leximi i romanit “Brenga ime Shqiptare”, që meriton një lavdërim të madh e të sinqertë për temën e trajtuar me objektivitet, me stil të rrjedhshëm e të pëlqyeshëm, për personazhet që nguliten në kujtesë e për mesazhin përfundimtar që përcjell.

“Brenga ime shqiptare”, përkthim i “Ritorno al Paese delle Aquile” do të prezantohet në Romë, më 11 nëntor 2013, ora 17, në Campidoglio (Sala piccola Protomoteca) në prani të autorit, të ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka, të ambasadorit Mario Bova dhe të ish presidentit të dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini. Takimi mundësohet nga Ambasada e Shqipërisë në bashkëpunim me përfaqësuesin e komunitetit shqiptar pranë Roma Capitale, Edmond Godo dhe me redaksinë e “Shqiptarit të Italisë”.

KOMENTE