English

Meta: Nuk ka asnjë vendim për armët kimike. Çdo vendim do të ketë në themel të ardhmen e Shqipërisë

Ashtu siç ishte lajmëruar në orën 09:30 u zhvillua protesta me temën tashmë të njohur nga të gjithë mbi ndalimin e ardhjes së armëve kimike siriane në vendin tonë.

Protesta u zhvillua para Parlamentit dhe pjesëmarrja ishte e një shkalle më të gjerë . Qytetarë të shumtë, nxënës të shkollave, studentë, përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe deputetë të opozitës ishin mbledhur për të protestuar.

Protesta ka nisur me një marrëshim nga fakultetit ekonomik drejt ambasadës amerikane për të përfunduar para Parlamentit.
Mësohet se forca të shumta policie dhe forcat speciale ndodhen para Parlamentit.

Kryeparlamentari Ilir Meta përpara nisjes së seancës plenare të së enjtes ka dalë përpara qindra qytetarëve që ndodhen jashtë ndërtesës së Kuvendit, të cilët po protestojnë kundër sjelljes dhe shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri.

"Të jeni të sigurt se çdo vendim do të ketë në themel të ardhmen e Shqipërisë, të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, të ardhmen e popullit, prandaj kini besim se ky është Parlamenti juaj, kjo është Qeveria juaj", u shpreh Meta.

Kryeparlamentari siguroi se ende nuk është marrë asnjë vendim dhe mbi çështjen e armëve kimike po spekulohet.

Protesta do të ketë gjatë gjithë ditës së sotme edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Ndërkohë Presidenti Nishani do të presë sot një përfaqësi të protestuesve për të diskutuar për çështjen e shkatërrimit të armëve kimike.

KOMENTE