English

Stad i ri bashkëpunimi i policive Shqipëri-Zvicër

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Zviceriane, Z. Jean-Luc Vez. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Z. Alexander Wittwer, si dhe drejtues të tjerë të lartë të policive të të dy vendeve.

Në qendër të bisedës së zhvilluar ishte ngritja në një stad të ri dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet Policisë Shqiptare dhe Policisë së Zvicrës, si në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, duke ngritur dhe grupe hetimore apo operacionale të përbashkëta, ashtu dhe në drejtim të ofrimit të asistencës teknike dhe trajnimeve për Policinë e Shtetit.

Gjatë këtij takimi Z.Didi bëri një ekspoze të shkurtër të zhvillimit të Policisë Shqiptare, si dhe të procesit të reformave të cilave ajo i është nënshtruar veçanërisht gjatë 20 viteve të fundit, me qëllim shndërrimin e saj nga një forcë e armatosur në një shërbim për komunitetin, reforma të thella si në infrastrukturën ligjore, në metodologjinë e policimit, si dhe në modernizimin e policisë.

“Falë këtyre reformave të ndërmarra institucioni i Policisë së Shtetit është shkëputur nga forcat e armatosura dhe është fokusuar në shërbim të komunitetit. Punonjësit e policisë që në formimin bazë të tyre, marrin leksione të rëndësishme mbi vënien në zbatim të policimit në komunitet, për t’i shërbyer publikut në bashkëpunim të ngushtë me të, metoda policore e koncepte që janë të reja dhe për policitë europiane.

Në këtë përpjekje kemi pasur dhe mbështetjen e partnerëve tanë euroatlantik, Europës dhe SHBA-së. Një mbështetje e devotshme i është dhënë Policisë së Shtetit dhe nga misionet që prej vitesh e kanë asistuar atë, siç është Misioni PAMECA, Programi ICITAP, INTERFORZE etj. Këto bashkëpunime kanë qenë të domosdoshme dhe nevojë për Policinë Shqiptare për mbështetje, por dhe për shembuj të mirë policimi, për ta bërë më të efektshme luftën kundër krimit, tashmë në këtë situatë ku krimi i organizuar nuk njeh kufij. ” – evidentoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Gjithashtu Z. Didi vuri në dukje dhe objektivat parësor të Policisë së Shtetit, të cilat përkojnë dhe me objektivat e vëna nga Bashkimi Europian, me qëllim aderimin e plotë të vendit tonë në këtë organizëm.

“Objektiv parësor i punës së policisë është lufta kundër krimit të organizuar. Kjo bëhet më imediate, tashmë që Shqipëria synon të behet një vend kandidat për në Bashkimin Europian, ku në kuadër të këtij procesi si domosdoshmëri është parashtruar pikërisht lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe siç dihet Policia e Shtetit është institucioni në ballë të kësaj lufte. Ne si staf drejtues e ndjejmë këtë përgjegjësi të dalë nga koha, është përgjegjësi ndaj vendit tonë, ndaj qytetarëve tanë për të hapur dyert e Europës. I kuptojmë dhe vështirësitë e kësaj sfide, por jemi të bindur që do ta fitojmë këtë luftë.” – theksoi Z. Didi.

Në vijim të takimit Z.Didi shprehu bindjen se takime të tilla i japin një zhvillim të ri bashkëpunimit policor mes dy vendeve, si dhe evidentoi faktin se Policia e Shtetit mirëpret dhe ndihmën e Policisë Zviceriane sa i përket asistencës teknike, trajnimeve, shkëmbimit të opinioneve, apo dhe krijimit të grupeve të përbashkëta hetimore e shkëmbimit të informacionit, në mënyrë që lufta kundër krimit të organizuar të jetë sa më efikase.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Zvicrës, Z. Jean-Luc Vez, duke falenderuar Z. Didi për përshkrimin mjaft efikas dhe preciz të situatës, evidentoi nevojën e ridimensionimit të bashkëpunimit policor mes të dy vendeve, me qëllim thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

“Besoj që me mbërritjen e një ekipi të ri në Tiranë, është koha të ridimensionojmë një marrëdhënie e bashkëpunim, që ekziston mes 2 policive bazuar në marrëveshjen respektive. Është një marrëveshje shumë e mirë që ka çuar në bashkëpunimin me sukses veçanërisht në fushën operacionale dhe mendoj që është momenti që ky bashkëpunim të thellohet më tej.” – u shpreh Z. Vez.

Po ashtu z. Vez theksoi faktin se qeveritë e të dy vendeve në nivelin politik i japin një rëndësi të madhe luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, trafikut të narkotikëve, si dhe pastrimit të parave dhe pikërisht do ishte në interesin e policive të të dy vendeve tona të realizohej e të vihej në jetë një bashkëpunim policor në këto fusha, i cila do të përfshinte dhe krijimin e grupeve hetimore apo operacionale të përbashkëta, shkëmbim informacioni shumë palësh, gjë që mundëson dhe shkëmbimin e eksperiencës në fushën operacionale dhe të trajnimeve. Kjo do t’i shërbente shkëmbimit të praktikave më të mira ndërmjet dy policive, pasi dhe ne jemi të interesuar, në kuadër të këtij bashkëpunimi, të mësojmë nga eksperiencat tuaja.

Në përfundim të takimit dy drejtuesit e lartë të policive të të dy vendeve ndanë të njëjtin mendim se takime të tilla i shërbejnë ndërtimit të marrëdhënieve të besimit reciprok, që vjen nga njohja, por dhe angazhimi serioz i palëve në këtë luftë të përbashkët ndaj krimit dhe njëherazi edhe fuqizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes policive respektive, që të luftohen më me efikasitet fenomenet kriminale.

KOMENTE