English

Struktura e re e Shoqërisë "Albpetrol". Të gjithë punonjësit do të testohen

Këshilli Mbikëqyrës i Albpetrol sh.a ka miratuar strukturën e re përmes së cilës do të kryhet ristrukturimi i plotë i Shoqërisë. Struktura e re e Shoqërisë është bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe udhëzimet e METE.
Struktura e re e Shoqërisë do të ketë 1868 punonjës dhe ky numër punonjësish parashikohet të arrihet nga Albpetrol sh.a. brenda tremujorit të parë të vitit 2014, pasi edhe procedura përkatëse kërkon zbatimin e disa afateve kohore. Riorganizimi i Shoqërisë është rakorduar aktualisht edhe me drejtuesit e Qendrave të Albpetrol sh.a. dhe specialistët e Burimeve Njerëzore të qendrave përkatëse.
Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë Albpetrol sh.a, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, ka vendosur mënyrën e trajtimit të punonjësve që do të dalin të papunë e si pasojë e ristrukturimit si më poshtë:
1.Shpërblim me një vit pagë për ndërprerje të marrëdhënieve të punës.
Këtë shpërblim e përfitojnë punonjësit aktualë të shoqërisë, të cilët janë në marrëdhënie punë me shoqërinë jo më pak se dy vjet pa ndërprerje deri në datën e hyrjes në fuqi të VKM nr 106 datë 01.02.2012.
2.Shpërblim për Vjetërsi Pune.
Ky shpërblim është të paktën sa paga e një 15-ditëshi mbi çdo vit pune të plotë që llogaritet në bazë të pagës që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës. Kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e pagës të vitit paraardhës dhe indeksohet. Shpërblimin për vjetërsi e përfitojnë punonjësit aktualë të Shoqërisë që janë në marrëdhënie pune me këtë shoqëri jo më pak se 3 (tre)vjet pa ndërprerje deri në datën e hyrjes në fuqi të VKM nr 106 datë 01.02.2012.
Pas negociatave të kryera me vetë punonjësit janë miratuar listat për punonjësit që përfitojnë trajtim sipas VKM-së. Nga këto, 874 punonjës kanë përfituar menjëherë trajtimet përkatëse.
Shkurtimi me 134 punonjës të tjerë, sipas strukturës së re, do të realizohet brenda 3 mujorit të parë të vitit 2014. Për të gjithë punonjësit pagesa do të kryhet maksimalisht në 4 këste.
Për sa i takon vjetërsisë në punë, data nga e cila do të fillojë përllogaritja e viteve të punës është data e themelimit të shoqërisë Albpetrol sh.a, 08.04.1999.
Së shpejti Shoqëria Albpetrol sh.a do të nisë testimin e të gjithë punonjësve të emëruar gjatë tre viteve të fundit. Qëllimi i këtij testimi është identifikimi i punonjësve që nuk kanë kualifikimin e duhur për të kryer proceset e punës në vendin ku janë emëruar. Rezultatet e testimit do të bëhen publike në përfundim të tij.

KOMENTE