Lajme > Lajme Ditore > Tetor - Dhjetor 2013 > Lajmet e datës 22 Nëntor 2013
 

Banka Botërore:Sistemi i taksave në Shqipëri një ingranazh i rëndë burokratik

Ornela Manjani-Banka Botërore e cilëson të pafavorshëm sistemim fiskal në Shqipëri. Sistemi i taksave në Shqipëri është një ingranazh i rëndë burokratik që i kushton biznesit kohë dhe para. Në raportin e fundit 'Të paguash taksat 2014', Banka Botërore e rendit Shqipërinë si vendin e 146 me sistemin më të vështirë të taksave nga 189 ekonomitë e marrë në shqyrtim. Sipas raportit të fundit të Bankës, ndonëse niveli i taksave është më i ulët se sa mesatarja e rajonit dhe e botës, barra e biznesit në Shqipëri rritet nga kostot e larta administrative, që lidhen me numrin e pagesave dhe kohën që merr ky proces. Sipas raportit, një ndërmarrje në Shqipëri duhet të kryejë 42 pagesa në vit për të shlyer detyrimet e saj ndaj shtetit, nga 30 pagesa që është mesatarja e Evropës dhe e Azisë qendrore. Raporti shpjegon në detaje edhe se pse Shqipëria ka këtë numër të lartë pagesash. Sipas raportit, një biznes në Shqipëri është i detyruar të bëjë 13 pagesa në vit për tatimin mbi fitimin, 12 për taksat e punës ose kontributet dhe 17 pagesa për llojet e tjera të taksave, kombëtare apo vendore. Ky numër i lartë pagesash i merr kompanive shqiptare, sipas Bankës Botërore, 357 orë pune në vit. Mesatarja e rajonit për të njëjtin tregues është rreth 250 orë në vit. Në vitin 2007, kur prezantoi taksën e sheshtë, Qeveria e mëparshme, veç uljes së barrës mbi sipërmarrjen synonte dhe thjeshtimin e procedurave për pagesën e taksave. Por, sipas Bankës Botërore, sistemi i taksave në Shqipëri mbetet sërish një ndër më të vështirët në botë, duke rënduar barrën e biznesit, para të cilat nuk shkojnë në arkën e shtetit, por humbasin si kosto burokratike.

Politikat e reja

Qeveria e re ka paralajmëruar se që nga 1 janari do të zbatojë një politikë të re, me ndryshime jo të vogla si në taksat e drejtpërdrejta të biznesit ashtu dhe në ato mbi të ardhurat e individëve. Por, përtej debatit mbi parimin, progresiv apo i sheshtë, sistemi i taksave në Shqipëri, sipas Bankës Botërore, ka shnevojë të lehtësohet edhe nga barra e lartë administrative, që rëndon kostot e sipërmarrjes dhe nxit informalitetin. Ndërkohë gjatë muajit të fundit Banka Botërore ka përgatitur një sërë rekomandimesh për zgjidhjen e problemeve ekonomike e sociale në vendin tonë. Në një deklaratë të publikuar dje Banka Botërore bën të ditur se këto rekomandime janë dhënë si input për reformat që duhet të ndërmarrë qeverisë “Rama”.

Rekomandimet për reformat

Politikat makroekonomike, fuqizimi i sektorit financiar, reforma e pensioneve, shëndetësia dhe arsimi, monitorimi i varfërisë dhe mbrojtja sociale, barazia gjinore dhe përfshirja sociale, reforma e tokës, zhvillimi i sektorit të energjisë, infrastruktura e transportit, burimet e ujit dhe të mjedisit dhe menaxhimin e mbeturinave, janë pikat e nxehta të ekonomisë shqiptare për të cilat Banka Botërore ka marrë raporte nga qeveria shqiptare dhe ka rekomanduar zgjidhje. Gjithashtu BB ka ofruar edhe mbështetjen financiare të projekteve. Ekspertë të Bankës Botërore bëjnë të ditur se përmes kësaj pune, kemi kërkuar për të ndihmuar qeverinë e re të marrë aksione për të ndërmarrë reforma.

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Nuk ka komente të paraqitur në këtë lajm. Jini i pari që shkruani këtë.