English

“Beneluksi Ballkanik” .Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mali i Zi në një strukturë të re

Në konferencën rajonale “Beneluksi Ballkanik” që u mbajt të martën në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup u tha se Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi duhet të bashkojnë forcat për të ndërtuar një strukturë të re dhe të përhershme bashkëpunimi, e cila do të synonte nxitjen e marrëdhënieve politike dhe ekonomike, me një qëllim final të përbashkët që do të përshpejtonte anëtarësimin në BE.

Ideja për krijimin e një bashkëpunimi rajonal, sipas kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, nuk duhet të shihet si projekt për formimin e “Shqipërisë së Madhe” siç dëshirojnë ta paraqesin maqedonasit, por se “Beneluksi Ballkanik” mund të jetë modernizmi i urave lidhëse, qofshin këto infrastrukturore, energjike, bujqësore, për lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe burimeve njerëzore.

“Idetë e vjetra për krijimin e shteteve të mëdha na Ballkan janë të tejkaluara dhe nuk duhet të mbetemi peng të së shkuarës, por të shohin me guxim drejt së ardhmes. Prandaj për krijimin e tregut të përbashkët Ballkanik, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, nevojitet më tepër vullnet politik për të realizuar institucione mbikombëtare që të fokusohen dhe mbikëqyrin krijimin, lehtësimet ekonomike qofshin këto infrastrukturore, energjike, bujqësore, për lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe burimeve njerëzore”, tha Mexhiti.

Duke folur për idenë e formimit të “Beneluksit Ballkanik”, kryetari i Odës Ekonomike Veriperëndimore(OEMVP), Menderes Kuçi, tha se për të gjitha shtetet e ballkanik që synojnë integrimin në BE prioritet themelor mbetet bashkëpunimi ekonomik me vendet fqinje, si një rrugë që krijon interesa të përbashkëta dhe shton shanset e pajtimit dhe tejkalimit të problemeve të krijuara nga konfliktet e së shkuarës.

Ndërkaq Adrian Shehu, kryetari i Grupit të Veprimit për Integrim Ekonomik Rajonal dhe Evropian (AGREEI), njehërit edhe një nga iniciatorët e krijimit të “Beneluksit Ballkanik” midis katër vendeve, projektin në fjalë e vlerësoi si tejet të dobishëm për formimin e tregut të përbashkët rajonal, duke e konsideruar si një paradhomë për anëtarësim në BE të vendeve aspirante.

“Beneluksi Ballkanik do të krijonte një treg prej 8 milionë konsumatorësh me lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, duke sjellë përfitime të menjëhershme në vend të pritjes për anëtarësim në BE. Formimi i tregut të përbashkët rajonal me këto katër shtete aspak nuk ka për qëllim ndryshimin e kufijve”, deklaroi Shehu, kryetar i AGREEI-t me seli në Austri. Madje, ish-zëvendësministër i Integrimit në qeverinë e Shqipërisë tha se nëse rajoni do të bashkohet për të rritur performancën dhe ekonominë e tij, “do të jetë shumë e lehtë që Evropa të përshpejtojë procesin e integrimit”.

“Të gjithë e dimë që në të shkuarën rajoni ka pas shembuj të mirë të bashkëpunimit por mendoj se tani është koha që ky proces të jetë më i hapur dhe të përshpejtohet bashkëpunimi. Të jesh i hapur nënkupton liri ekonomike por gjithashtu edhe konkurrencë dhe aftësia e shteteve tona për të konkurruar është një nga kushtet e nevojshme që BE-ja kërkon për tu bërë anëtarë me të drejta të plota”, tha Edmond Hoxha.

KOMENTE