English

Rriten pagat për mjekët dhe infermierët. Tokat për ullishte, Qeveria pezullon dhënien me qira

Qeveria rrit pagat për 2800 mjekë dhe infermierë. Vendimi i marrë mbrëmjen e djeshme nga Këshilli i Ministrave parashikon rritjen e pagave për personelin mjekësor, mesatarisht me rreth 4 për qind, konkretisht për 2800 mjekë dhe infermierë të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalit Ushtarak të Forcës Tokësore. Edhe pse qeveria e re e ka gjetur buxhetin e shtetit bosh, ka vijuar politika e rritjes së pagave. Po dje Qeveria ka vendosur rishpërndarje fondesh në Ministrinë e Shëndetësisë për të siguruar rregullimin e aparaturave të prishura spitalore, por dhe sigurimin e sistemit të ngrohjes në spitale.

Rritja e pagave

“Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”, - thuhet në vendim e marrë dje nga ekzekutivi. Në bazë të këtij vendimi janë plot 2800 mjekë dhe infermierë me arsim të lartë të cilët do të përfitojnë rritje në pagat e tyre me 4 për qind.

Aparaturat dhe sistemi i ngrohjes

Po dje Qeveria vendosi “Për rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë”. Vendimi synon rishpërndarjen e fondeve ndërmjet disa programeve brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, për të realizuar disa investime të rëndësishme dhe të domosdoshme, si: blerje a riparime të aparaturave të rëndësishme spitalore (llambë për skanerin e spitalit të Korçës, ndërtim bunkeri për instalim akseleratori në QSUT etj.). Ndërkohë që nëpërmjet vendimit “Për lejimin e Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për disa institucione të varësisë, me fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2013 për këtë ministri”, qeveria krijon mundësinë e kryerjes së procedurës së prokurimit për blerjen e lëndëve djegëse, me qëllim sigurimin e ngrohjes për disa institucione spitalore, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Arsimi

Qeveria garanton laboratorët informatikë në shkolla nëpërmjet një vendimi “Për lejimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për kryerjen e procedurës së prokurimit, me objekt “Blerja e sistemit të shfrytëzimit, paketa office dhe software, për menaxhimin e laboratorëve të informatikës në shkolla” dhe të botimit të çdo lloj njoftimi prokurimi për këtë shërbim”. Ndërkohë që është vendosur dhe zhvillimi i procedurës së prokurimit, “Për shtypjen e teksteve mësimore”, për shkak të domosdoshmërisë së botimit të teksteve të arsimit profesional. Qeveria ka vendosur gjithashtu që Komitetit Shtetëror për Kultet do të kalojë në varësi të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për arsye se bashkërendimi i marrëdhënieve me komunitetet fetare është parashikuar si një nga fushat e përgjegjësisë së kësaj ministrie.

Moti i keq, Rama porosit ministrat

Ulja e temperaturave kryesisht në zonat malore të vendit, ka bërë që Kryeministri Edi Rama tu japë porosi të veçantë ministrave për t’i kushtuar vëmendje situatës në të gjitha zonat e prekura dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë në gatishmëri të banorëve dhe nevojave të tyre.

Shëndeti në punë, firmoset konventa

Ndërkohë që më shumë garanci synohet të sigurohet dhe për punonjësit në sektorin e ndërtimit. Kjo pas miratimit të dy projektligjeve “Për ratifikimin e konventës C167 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) “Për sigurinë dhe shëndetin në ndërtim”, 198” dhe “Për ratifikimin e konventës C187 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) “Për kuadrin promocional të sigurisë dhe të shëndetit në punë”, 2006”. Drafti i parë është detyrim i shtetit shqiptar në kuadër të plotësimit të standardeve të kërkuara gjatë procesit të stabilizim - asociimit, në lidhje me sigurimin e kushteve më të mira të punës për punëmarrësit në përputhje me standardet e vendeve të KE-së, ku vendi ynë synon të aderojë ndërsa projektligji i dytë ka për qëllim ratifikimin e konventës C187 të ILO-s, për sigurimin e kushteve më të mira të punës për punëmarrësit, në përputhje me standardet e vendeve të Komunitetit Evropian.

Tokat për ullishte, Qeveria pezullon dhënien me qira

Qeveria pezullon përkohësisht dhënien me qira të tokave bujqësore të pandara. Pezullimi i udhëzimit nr. 1, datë 18.7.2012, të Këshillit të Ministrave, vlerësohet nga Qeveria si masë e përkohshme deri në realizimin e ndryshimeve ligjore në zbatim të politikave dhe programit të Këshillit të Ministrave për një organizim më të mirë të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara, në mënyrë që procedura për dhënien me qira të këtyre tokave të kontrollohet më mirë. Në bazë të udhëzimit të korrikut të vitit të kaluar, qeveria “Berisha” nën moton ‘toka i takon atij që e punon’ krijonte mundësinë për shfrytëzimin e këtyre tokave deri në 99 vjet dhe të interesuarit duhet të paguanin vetëm një çmim dysheme 6 mijë lekë të reja për hektarë në vit. Kërkesa për marrjen me qira të tokës bujqësore mund të bëhej nga çdo person, fizik dhe juridik, vendas ose i huaj, por përdorimi saj, duhet të ishte vetëm për veprimtari bujqësore. Në këto toka përfshiheshin tokat bujqësore, të cilat në datën 1 gusht 1991 janë regjistruar si të tilla në regjistrat kadastralë, por që janë refuzuar për t’u marrë në pronësi. Këto toka mund të jenë pyll, tokë me bimësi pyjore, kullotë dhe livadh, si dhe sipërfaqe të pafrytshme, të cilat më pas kanë kaluar në kategorinë e resursit tokë bujqësore sipas kritereve dhe procedurave ligjore. Zyra e menaxhimit dhe mbrojtjes së tokës (ZMMT), në komunë ose bashki, evidentonte sipërfaqet për dhënie me qira, duke pasqyruar numrin kadastral të ngastrave, madhësinë në hektarë si dhe vendndodhjen e tyre. Pasqyra me të dhënat e evidentuara, pasi konfirmohej nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (DAMT), në qark, i paraqitej këshillit të komunës ose bashkisë i cili shqyrtonte dhe miratonte këto toka që mund të jepeshin me qira. Tokat bujqësore të pandara jepeshin me qira për afate kohore deri në 10 vjet, kur destinoheshin për kultivim të bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative. Deri në 35 vjet, kur destinoheshin, pemëtore dhe vreshta. Deri në 99 vjet, kur destinoheshin për krijim ullishteje dhe për krijim pemëtoreje me dru frutorë, si kulturat arrore dhe specie të tjera, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje/Shekulli/.

KOMENTE