Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fëmijët i ulin hundën politikës
English

Fëmijët "i ulin" hundën politikës

Intervistë me Vasilika Hysin

Nëse do për miratime aktesh, rezolutash, marrëveshjesh, parlamenti shqiptar duhet të mbajë nga vendet e para në kontinent. Kjo, pasi ka miratuar lloj-lloj dokumentesh, që, kur ka ardhur koha për t'u zbatuar detyrimet, deputetët kanë ngritur supet: "Po këto ç'na duheshin?!" Vetëm se kjo rezolutë e miratuar për fëmijët, që duhej të ishte primare, e gjeti veten në paradhomat e ligjit shqiptar vetëm kohët e fundit, falë insistimit të një grupi aktorësh të dy partive kryesore në vend dhe padyshim shtytjes dhe përpjekjes së madhe të CRCA dhe UNICEF, që zëri i tyre u dëgjua në komisionet e përhershme në parlament. Duket një hap i madh, por hapat e tjerë pritet që të vijnë më pas, ku më e dobishmja nga të gjithë do të jetë sesi Shqipëria do t'i plotësojë angazhimet e saj, ose si shprehet Detlef Palm, shefi i UNICEF: "Kur prindërit janë në vështirësi financiare ose dështojnë në detyrat e tyre si prindër, atëherë shteti ka detyrimin të sigurojë që fëmija t'i ketë të gjitha mundësitë. Këtë e thotë edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijëve. Kjo është arsyeja pse Parlamenti ka një rol të rëndësishëm në rishikimin dhe monitorimin nëse qeveria po bën atë se çfarë mundet, në mënyrë që të gjithë fëmijët të gëzojnë njësoj të gjitha mundësitë". Zaret janë hedhur, tani na mbetet vetëm të shikojmë realitetin, që do na prezantohet nga strukturat e shtetit shqiptar, që duhet thënë se deri më tani, jo pak herë kanë dështuar frikshëm. Zonja Hysi, një nga aktoret kryesore të procesit, mbetet gjithsesi optimiste dhe e hapur për ndryshimin...

Znj. Hysi, jeni aktorja kryesore në parlamentin shqiptar që u angazhuat në miratimin e rezolutës për mbrojtjen e fëmijëve. A mund të na thoni se ku ishin vështirësitë që kjo rezolutë të mos i kalonte më përpara portat e parlamentit shqiptar?

Në fakt, unë u ngarkova nga komisionet e përhershme parlamentare në fushë që, së bashku me kolegë të tjerë të paraqisnim në seancë plenare një projekt-rezolutë që përmblidhte angazhimet e Kuvendit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve. Projekt-rezoluta ishte produkt i propozimeve të sjella në një seancë dëgjimore të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë. Jam ndjerë shumë mirë që dëgjesa e parë publike e Kuvendit iu kushtua të drejtave të fëmijëve. Më lejoni të falënderoj organizatat e shoqërisë civile, në veçanti CRCA që kërkoi një seancë dëgjimore; z. Meta, kryetarin e Kuvendit; z. Xhafa; dhe znj. Vokshi; si kryetarë të komisioneve të përhershme të Kuvendit, që treguan vullnet për të organizuar një dëgjesë publike me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, organeve të pavarura kushtetuese, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare në fushë. Rezoluta u miratua unanimisht dhe pa asnjë debat në lidhje me përmbajtjen e saj.
Ka pasur disa vështirësi që një rezolutë e tillë të mos miratohej më parë. Sipas mendimit tim, vlerësoj frymën e re të parlamentarizmit në këtë legjislaturë, rritjen e rolit aktiv dhe proaktiv të Kuvendit në përmbushjen e detyrimeve të integrimit të Shqipërisë në familjen e përbashkët europiane. Gjendja e të drejtave të fëmijëve është ende larg standardeve minimale ndërkombëtare. Parlamenti ka përgjegjësi për të marrë masa ligjore, institucionale, që mundësojnë respektimin e interesit më të lartë të fëmijës kudo. Ky parlament, ka ndryshuar qasje, duke mos e vënë theksin vetëm te miratimi i ligjeve, por edhe të forcimi i mekanizmave të kontrollit parlamentar. Këta mekanizma mund t'i përdorë si mazhoranca, edhe opozita. Në këtë legjislaturë mazhoranca është aktive në kontrollin parlamentar të zbatimit të ligjeve dhe veprimtarinë e institucioneve.

Rezoluta është përshëndetur nga shumë drejtime, por duke pasur parasysh fatin e shumë rezolutave, duam t'ju pyesim: Çfarë do të përfaqësojë realisht ky dokument për fëmijët?

Ndryshe nga rezolutat e miratuara deri më sot në Kuvendin e Shqipërisë, kjo rezolutë përmban angazhime konkrete të parlamentit në disa drejtime, ndër të cilat mund të përmend: Përmirësimin e mëtejshëm ligjor të ligjeve që mbrojnë, respektojnë dhe avancojnë të drejtat e fëmijëve, me fokus të veçantë mbrojtjen e fëmijëve. Kuvendi do të studiojë mundësinë që në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe shoqërinë civile të fillojnë përgatitjet për Kodin e Fëmijëve në Republikën e Shqipërisë; të nxisë Qeverinë që të alokojë buxhetin e kërkuar për shërbimet në mbrojtje të fëmijëve në Shqipëri, me fokus të veçantë mbështetjen e shërbimit të Linjës Kombëtare e Telefonit për Fëmijët në Shqipëri (ALO 116) dhe strehëzave, në ndihmë të fëmijëve viktima të dhunës dhe keqtrajtimit; të nxisim dhe mbështesim miratimin sa më të shpejtë të Reformës së Shërbimit Social në Shqipëri.
Në konsultim me Komisionet Parlamentare, Qeverinë, Avokatin e Popullit dhe shoqërinë civile, të vlerësojmë mundësinë e krijimit të Komisionerit për të Drejtat e Fëmijës, pranë zyrës së Avokatit të Popullit. Një angazhim tjetër, është ngritja e grupit të deputetëve në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Duke vlerësuar rolin e parlamentarëve në monitorimin e zbatimit të ligjeve, Kuvendi do të monitorojë zbatimin e Rekomandimeve të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së për Shqipërinë.

Cilët do jenë mekanizmat që do e monitorojnë atë?

Një nga risitë e Rezolutës është që ngarkohet nënkomisioni për të drejtat e njeriut, i cili, në bashkëpunim me komisionet e tjera të Kuvendit, të hartojë një plan veprimi për zbatimin e rezolutës. Tashmë kanë filluar konsultimet për të hartuar planin e veprimit.
Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë parashikon një sërë mekanizmash parlamentarë që do të mundësojnë monitorimin e zbatimit të kësaj rezolute, si: Konsultimet publike të nismave ligjore, seancat dëgjimore me grupet e interesit, seancat pyetje-përgjigje me ministrat që kanë kompetenca në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, interpelancat, monitorimet në vend të të drejtave të fëmijëve, si institucione sociale, spitale, vendet e paraburgimit dhe burgje etj., shqyrtimin e raporteve vjetore dhe atyre të veçanta që trajtojmë të drejtat e fëmijëve etj.

A besoni se institucionet që do të kenë lidhje me të e kanë infrastrukturën e nevojshme që t'i përgjigjen problematikës së gjerë të fëmijëve në Shqipëri?

Deri më sot, në Shqipëri është synuar më shumë në miratimin e ligjeve, përmirësimet ligjore, sesa në zbatimin e tyre apo në krijimin e një sistemi mekanizmash funksionalë, që mundësojnë zbatimin efektiv të ligjeve në mbrojtje të fëmijëve. Unë besoj dhe mendoj se këtë mendim e kanë edhe shumë kolegë të mi, se institucionet nuk kanë strukturën e nevojshme dhe as burimet njerëzore dhe financiare të duhura që t'i përgjigjen problematikës me të cilën përballen çdo ditë fëmijët. Por kjo nuk duhet të na trembë dhe të na frenojë.
Ka dhe do të ketë shumë vështirësi, por kam bindjen absolute se shoqëria shqiptare mbart burime njerëzore, profesionale të lira dhe të pashfrytëzuara, se një pjesë e sistemeve në mbrojtje të fëmijëve nuk janë afektive, pasi njerëzit që i vënë në lëvizje hallkat e sistemit nuk janë efektivë dhe profesionistë. Ka shumë punë në mbrojtje të fëmijëve, që kërkojnë zemër, idealizëm, përkushtim dhe pak para, sikurse disa shërbime në mbrojtje të fëmijëve kërkojnë financime. Le të fillojmë dhe të ftojmë të gjithë ata që duan të kontribuojnë. Ndërkohë që përdorimi më efektiv i burimeve njerëzore dhe financiare do të jetë i nevojshëm.

A mendoni se ka nevojë për hapa të tjerë në të ardhmen që kjo rezolutë të jetë realisht funksionale?

Sikurse e theksova edhe më lart, hapi i parë është hartimi i një plan veprimi konkret, me afate, me tregues të matshëm të një plani veprimi, i cili do të mundësojë monitorimin e zbatimit të rezolutës dhe rolin konkret të parlamentarëve në këtë proces.
Nga ana tjetër, krijimi i grupit të deputeteve, miq të fëmijëve, do të ishte një hap tjetër i nevojshëm që do të mundësojë që zëri i fëmijëve të dëgjohet në Kuvend, jo vetëm në ditët e festave të tyre dhe për të mbushur sallat e Kuvendit, por sa herë që ka ligje me rëndësi që adresojmë probleme që lidhen me fëmijët ose ndikojnë në mirëqenien e tyre.
Forcimi i bashkëpunimit të parlamentarëve me organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve është një hap tjetër po aq i rëndësishëm. Ka dhe shumë hapa të tjerë që duhet të hidhen. Unë jam optimiste dhe kam besim se në fund të kësaj legjislature secili prej nesh do të ketë vënë një tullë më shumë në shtëpinë e të drejtave të fëmijëve.
Së fundi, por jo nga rëndësia, më lejoni të falënderoj të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe donatorët që mbështesin programet në mbrojtje të fëmijëve dhe t'i ftoj ata që së bashku të bëjmë më të mirën për fëmijët shqiptarë/Gazeta Shqiptare/

KOMENTE