English

Statusi i Shqipërisë, qershorin e 2014-ës

Pas kundërshtimit të pesë vendeve, Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës dhe Britanisë së Madhe, ministrat e Jashtëm të BE-së duket se kanë rënë dakord që dhënia e statusit të shtyhet për në muajin qershor të vitit të ardhshëm.

5 vende që njihen për skepticizmin e tyre ndaj Shqiperise kane arritur te bllokojne dhenien e statusit kandidat. Pesë shtete anëtare, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka propozuan një ndryshim në tekstin e projektpërfundimeve, duke kerkuar që statusi të jepet qershorin e ardhshëm.
Në tekstin e propozuar nga 5 shtetet anëtare, qe kanë dhe peshën me të madhe në Bashkimin Europian theksohej:
“Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë.
Këshilli shpreson të marrë një vendim lidhur me dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në qershor 2014, në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian, me kusht që Shqipëria ta vazhdojë përparimin inkurajues të arritur deri tani”.
Në këtë propozim vërehet se kërkohet edhe që Komisioni Europian të paraqesë një tjetër raport për Shqipërinë, pavarësisht se ai ka deklaruar se vendi i ka përmbushur detyrimet e tij ndaj Brukselit për çështjen e statusit.
“Këshilli do të shqyrtojë, mbi bazën e një raporti që do të paraqitet nga Komisioni në muajin qershor, zbatimin e qëndrueshëm të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar”.

Këtë e konfirmon edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule. “BE njeh progresin e Shqipërisë dhe përpjekjet e qeverisë së re. Perspektivë e qartë për marrjen e statusit në qershor”, shprehet ai në “Twitter”.

Vendimi zyrtar lidhur me propozimin e KE-së për dhënie e statusit kandidat do të merret në mbledhjen e 19 dhjetorit të Këshillit të BE-së.

KOMENTE