English

Paketa e re fiskale. Bode: Deklarohet karrota për të fshehur çomangën

Diskutimet për paketën e re fiskale kanë vijuar me projektligjin, që parashikon rritjen e akcizës për mallrat e luksit, si cigarja dhe alkooli.

“Lidhur me cigaret, propozohet që të rritet akciza me 20 lek për paketë, dhe njëkohësisht për herë të parë jepet se cdo të bëhet edhe tre vitet e tjera në vijim, ku do të kërkohet në mënyrë sistematike rritje e akcizës së cigares me 10 lek në vit. Njëkohësisht propozohet rritje e akcizës për pijet alkoolike me rreth 30 përqind”, tha Shkëlqim Cani, ministër i Financave.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ngriti shqetësimin se pse në akcizë nuk janë të përfshira dhe pijet energjike.

“Sa i përket pijeve energjike, s’kam merak fare për asnjë markë, ka një problem shumë të madh. Në përbërjen e tyre, të shkruar, kanë substanca stimuluese mendore dhe fizike, e për më tepër të shtrirë gjerësisht në një brez shumë të ri”, tha Erjon Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

Për deputetët e opozitës ky projektligj godet në mënyrë të drejtpërdrejtë konsumatorin.

“Këtu problemi është shumë i qartë, sidomos nga diskutimi i fundit. Kështu që shqiptarët le të durojnë, le të presin, po marrin një goditje sot me këtë projektligj, i cili supozohet se do të çojë mbi 7 miliardë lek të ardhura në buxhet. Sipas disa përllogaritjeve që kemi bërë ne, nga këto, 4 miliardë lek do t’i paguajnë direkt qytetarët, që do të thotë goditje e konsumit me këtë shumë”, tha Sherefedin Shehu, deputet i PD.

Në anën tjetër, sipas deputetve të opozitës ky projektligj stimulon kontrabandën.

“Në rastin e produkteve të tilla, si cigaret apo alkooli, këtu kemi të bëjmë edhe me kontrabandë. Tashmë me këtë akt, shqiptarët do të tentojnë të furnizohen në Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi, sepse Serbia e ka afërsisht sa kjo që po bëjmë ne”, shtoi Sherefedin Shehu.

Nis diskutimi i projekt-buxhetit:
Kuvendi ka nisur mes debateve të forta shqyrtimin e paketës së re fiskale. Përplasjet mes maxhorancës dhe opozitës nisën me taksën progresive mbi pagat, për të cilën qeveria thotë se lehtëson 97 për qind të rrogtarëve.

Shkëlqim Cani, Ministër i Financave: Në bazë të statistikave dhe të dhënave, del që individët që kanë pagë më të lartë se 130 mijë lekë, janë më pak se 3 përqind dhe 97 përqind janë me paga më të ulta se 130 mijë lekë dhe për pasojë janë përfitues të tatimit progresiv.

Ridvan Bode, deputet i PD, ish-Ministër i Financave: Të punësuarit deri në 30 mijë lekë me këtë ligj fitojnë 0. Ata janë të përjashtuar nga pagimi i tatimit mbi të ardhurat personale. Deri në 30 mijë lekë zotërinj janë 56.4 përqind e të punësuarve. Ku vajti 97 përqindëshi? Po c’përfitojnë këta? Këta përfitojnë disa gjëra të tjera, bllokimin e rritjes së pagave për një periudhë 3-vjecare.

Erjon Braçe, deputet i PS, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave: Po mirë mo zotëri, sot u kujtuat që paska një masë njerëzish që jetojnë në varfëri pavarësisht të ardhurave që marrin? Sot u kujtuat për këtë gjë? Këto 3 muaj ju erdhi kjo? Po ju u keni mbajtur për 8 vite rresht, deri në 1 muaj para fushatës së zgjedhjeve, me 100 mijë lekë, ky prag ishte 100 mijë lekë dhe tani po flisni për këtë gjë dhe e sillni këtë argument si argument moral…

Opozita thotë se me këtë paketë qeveria po instalon një sistem amoral taksash që bazohet mbi mashtrimin.

Ridvan Bode: Sot deklarohet ajo karrota përpara syve të publikut për të fshehur çomangën që shoqëron paketën fiskale mbi të gjithë shqiptarët.

Sherefedin Shehu, deputet i PD: Me paketën e propozuar individët do të paguajnë më shumë se sa biznesi. Po kështu paga, ose i punësuari do të paguajë më shumë se sa pronari.

Sistemi i ri i taksave e rëndon me 18 miliardë lekë shtesë barrën fiskale në ekonomi, prej të cilave 7 miliardë do të paguhen nga biznesi i mesëm dhe i madh si pasojë e rritjes së tatimit mbi fitimin.

Ridvan Bode: Po si t’i marrësh në një vit 70 mln dollarë nga i vetmi burim i financimit për zgjerimin e aktivitetit të tyre, kreditë sikurse e shikojmë janë bllokuar, normat e interesit janë të larta dhe nuk përputhen me rentabilitetin e ekonomisë sonë në këtë periudhë dhe nën presionin e krizës globale dhe nuk merr kush kredi, por shfrytëzon atë 5-lekësh fitim për të bërë një investim më shumë, për të rinovuar dhe modernizuar aktivitetin, ti vete ja merr edhe atë. Ja merr tërësisht këtë fitim. Si do të reagojë biznesi, më thoni mua?

Por Ministri i Financave i kujtoi zotit Bode se në kohën kur vendi qeverisej nga demokratët, biznesit i janë marrë shumë më tepër se kaq vetëm përmes gjobave.

Shkëlqim Cani, Ministër i Financave: Gjatë vitit 2012, totali i gjobave të administratës tatimore ndaj biznesit ka qenë 18.9 mld lekë, ose mbi 20 përqind të të gjithë të ardhurave që realizohen.

Paketa e re fiskale hyn në fuqi në një janar. Qeveria thotë se përmes saj ajo realizon premtimet e bëra në fushatën elektorale.

Rama: Biznesi s’vendos taksat, dialogojmë

Ndërsa në komisionet parlamentare ka nisur debati me tone të ashpra për paketën e re fiskale, kryeministri Rama që ndodhet në Baku të Azerbajxhanit për nënshkrimin e marrëveshjes së gazsjellësit TAP, reagoi në faqen e tij në Facebook.

“Asnjëherë s'kemi premtuar se taksat do t’i vendosë biznesi”, shkruan Rama në rrjetin social. Kryeministri thekson se do dialogojmë me respekt me biznesin dhe e kemi bërë këtë si asnjëherë/Top Channel/
2017

KOMENTE