Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Lista e të arrestuarve për mashtrimin me skemën e TVSH-së. Zyrtarë të tatimeve në kërkim
English

Lista e të arrestuarve për mashtrimin me skemën e TVSH-së. Zyrtarë të tatimeve në kërkim

O. Manjani - “Ali Baba dhe 40 hajdutët”, është luajtur në versionin modern tek Drejtoria e Tatimeve në Tiranë. Deri tani janë zbuluar 20 hajdutë, mungojnë “Ali Baba” dhe 20 të tjerë. Pas një hetimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me mbështetjen e Policisë së Shtetit, është arritur të zbulohet një skemë e madhe mashtruese me rimbursimin e TVSH-së, e cila dyshohet se arrin në vlerën e rreth 26 milionë dollarëve.

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e “arrestit me burg” për shtatë persona, administratorë të disa kompanive që ushtronin aktivitetin në mënyrë të jashtëligjshme në fushën e grumbullimit të mbetjeve metalike. Ndërkohë, pritet që numri i të arrestuar për mashtrimin me skemën e TVSH-së të arrijë në 20 të pandehur. Personat e arrestuar dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar subjekte tatimorë fiktivë, nëpërmjet të cilëve deklaronin veprime financiare dhe kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të paligjshme rimbursimin e TVSH-së nga ana e administratës tatimore.

Për zbërthimin e kësaj skeme mashtruese, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka bashkëpunuar ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor.

Hetimet

Nga veprimet proceduriale ka rezultuar se personat e arrestuar janë administratorë të kompanive të konsideruara të Nivelit II, të cilët operojnë në veprimtarinë e mbledhjes dhe përpunimit të skrapit. Këta persona dyshohet se kanë krijuar në mënyrë fiktive subjekte të konsideruara të Nivelit III, nëpërmjet të cilave deklaronin se kishin kryer aktivitet shitje-blerjeje.

Hetimi provoi se subjektet e Nivelit III janë, në përgjithësi, në emër të personave që nuk kanë mundësi reale për krijimin e aktiviteteve tregtare dhe se regjistrimi këtyre subjekteve në organet tatimore është realizuar nga ana e administratorëve të subjekteve të Nivelit II. Për këtë arsye, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi masën e “arrestit me burg” për disa persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimi i dokumenteve”; “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, dhe “Mashtrimi”:

Skema e vjedhjes

Hetimi ka nisur bazuar në materialin referuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe është regjistruar procedim penal për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i K. Penal, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i K. Penal dhe “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143/2 i K. Penal.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se, “Subjektet tregtare, të konsideruara të Nivelit II, sasitë e Skrapit i sigurojnë duke e blerë nga shtetas të ndryshëm, nga fitimi i tenderëve të ndryshëm për blerje hekuri për SKRAP (kryesisht nga demontimi i ish-fabrikave te ndryshme), apo nga subjekte të tjerë, të cilët janë të regjistruar në QKR dhe në Sistemin Informatik të Tatimeve, me aktivitet grumbullim e shitje Skrapi.

Por, në fakt shumica e subjekteve, të konsideruara të Nivelit III , janë të regjistruar si në QKR ashtu edhe në tatime në mënyrë fiktive, vetëm për të tërhequr blloqet me fatura TVSHje në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, dhe përdorimin e këtyre blloqeve, duke lëshuar fatura shitjeje me TVSH fiktive, për shitje skrapi, për subjektet e Nivelit II. Pra, fiktiviteti i faturës qëndron në faktin se është bërë vetëm lëshim i faturës tatimore të shitjes për efekt të kreditimit të TVSH-së, nga subjektet e nivelit te dytë, pa dërguar në fakt mallin (skrapin).

Nisur nga këqyrjet e vendeve të ushtrimit të aktivitetit, deklarimet e shtetasve dhe deklarimet në sistemin informatik të tatimeve, etj, rezulton së shumica e subjekteve të nivelit të III, janë krijuar nga vetë administratorët e subjekteve të nivelit të II, kjo duke shfrytëzuar njohjet e tyre me persona me gjendje të rëndë ekonomike, persona të panjohur në shoqëri, apo persona që nuk kanë fare dijeni mbi legjislacionin tatimor dhe pasojat që sjellin këto krijime Niptesh, të cilëve, kundrejt pagesave në shuma të vogla ju është marrë dokumentacioni personal si pasaportë, karte identiteti etj, dhe me këtë dokumentacion kanë bërë regjistrimet e subjekteve në QKR e për rrjedhojë dhe në Tatime dhe më pas i kanë tërhequr në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve edhe Blloqet me faturat e TVSH-së.

Këto subjekte të Nivelit të III kanë lëshuar fatura tatimore shitjeje për subjektet e nivelit të II në sasinë që ju nevojiteshin këtyre subjekteve të nivelit të II, në shumicën e rasteve nuk i kanë deklaruar këto fatura në shitje, në disa raste i kanë bërë deklarimet në shitje, por nuk kanë blerje, por në Sistemimin Informatik të Tatimeve rezultojnë faturat e TVSH-së sikur kanë blerje, pra kryejnë me dashje mashtrimin duke bërë deklarim fiktiv.

Nga verifikimi në Sistemin Informatik të Tatimeve rezulton se, subjektet e nivelit të II i kanë deklaruar të gjitha këto fatura në blerje, duke bërë të mundur kreditimin e TVSHsë për çdo faturë në blerje.

Si pasoje, nga mosdeklarimi në shitje nga subjektet e nivelit të III i faturave tatimore të Shitjes, nuk bëhet derdhja e TVSH-së së dalë nga këto fatura në organet shtetërore, pasi janë fatura të padeklaruara, ndërkohë që nga deklarimi i tyre nga subjektet blerëse (siç i përshkruam subjekte të nivelit të II), u jep të drejtën atyre që të kërkojnë kreditimin e shumave të TVSH-së të dala nga këto fatura, kreditim që është bërë faktikisht.

Nga funksionimi i kësaj skeme për një periudhë të gjatë kohe rezulton se ajo i ka sjellë dëme të konsiderueshme shtetit, një dëm që nga vlerësimet e administratës tatimore arrin në rreth 26 milionë dollarë.për veprat penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Mashtrimit”.

Lista e të arrestuarve

• Kadri Ibrahim Rama, 51 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, arrest në burg për veprat penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Mashtrimit”. Administrator i subjekteve “VAKUM” dhe “LU-KA-GRUP”.

• Ilir Maksim Allmeta, 30 vjeç, banues në Tiranë, arrest në burg, për veprat penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Mashtrimit”. Administrator i subjekteve “ALEKSI &AJSI” dhe “ALLMETA” .

• Ramiz Veizaj, 47 vjeç, banues në Tiranë, arrest në burg, për veprat penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Mashtrimit”. Administrator i subjektit ‘JURKLI-2012”.

• Avni Beqir Hoxha, 53 vjeç, banues në Tiranë, arrest në burg, për veprat penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Mashtrimit”. Administrator i subjektit “HOXHA”

• Robert Beqir Hoxha, 46 vjeç, banues në Tiranë, arrest në burg, për veprat penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Mashtrimit”. Administrator i subjektit ”XHOIS GRUP” .

• Gjergji Gëzim Lami, 32 vjeç, banues në Mazrek, Kashar, arrest në burg, për veprat penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Mashtrimit”. Administrator i subjektit “AJSI”.

• Josif Gurgas Kadriaj, 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të falsifikimit, arrest në burg, për veprat penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Mashtrimit” .

• Jurgjin Përparim Zeqaj, 21 vjeç, banues në Elbasan, arrest në burg, për veprat penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Mashtrimit”

• Përparim Cizo Zeqaj, 50 vjeç, banues në Elbasan, arrest në burg.

Shefat e tatimeve, të implikuar në vjedhje

Drejtoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka hetuar procedurat e rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë Tatimore të Tiranës për periudhën Qershor–Tetor 2013.

Nga kontrolli kanë rezultuar shkelje të rënda në procedurat e rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, në 11 raste me pasojë vjedhjen në shuma të mëdha, në të cilën janë përfshirë disa persona, punonjës të administratës tatimore rajonale të Tiranës. Shuma e vjedhjes së shkaktuar është 515 455 275 lekë dhe në të janë përfshirë ish Drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, ish Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dy ish përgjegjës të Sektorit të Kontrollit Tatimor në këtë Drejtori si dhe tre inspektorë kontrolli. Për të gjithë të dyshuarit ishte kryer më parë pezullimi nga detyra. Gjithashtu, në këtë vepër janë bashkëveprues dy persona përfaqësues ligjorë të 11 kompanive private fantazmë të cilat pas përfitimit të rimbursimeve kanë kryer procedurat e çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Vjedhja me skemën e rimbursimit të TVSH-së

Dosja me 8 personat e dyshuar ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës për veprën penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 135, 25 dhe 26 të Kodit Penal. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëjnë të ditur se për të gjithë personat e dyshuar në datë 21 Tetor 2013 është bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Policia vuri në pranga dy punonjës të Drejtorisë së Tatimeve dhe shpalli në kërkim 7 të tjerë. Në pranga kanë rënë ish-drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, Afërdita Hysa dhe ish-inspektori i Procedurave të Rimbursimeve, Tahir Kuka.

“Arrestimi i tyre është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më date 06.11.2013, ka caktuar masat e sigurisë "Arrest me burg", për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës", "Vjedhjes me pasoja të rënda" dhe "Pastrimit të Produkteve të veprës penale", parashikuar nga nenet 248, 134/3 dhe 287 i Kodit Penal. Të njëjtat masa janë caktuar edhe për shtatë persona të tjerë, për të cilët është bërë shpallja e kërkimit dhe po punohet për kapjen e tyre. Ata janë:

Ismail Muça, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;

Lauren Vata, ish-përgjegjës i Sektorit të Kontrollit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;

Edmond Osmani, ish-inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;

Gramos Milushi, me detyrë Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë,

Kujtim Metaliaj, i vitlindjes 1960, ish-Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë”,- bëri të ditur policia.

Gjithashtu në kërkim janë shpallur edhe shtetasit, Mirjan Beneja, me aktivitet në sektorin privat dhe Gjergji Spiro Tupe, me aktivitet në sektorin privat/Shekulli/

KOMENTE