English

Basha në Fier: Përkrah qytetarëve në protesta kundër papunësisë dhe arrogancës qeveritare

Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë në ceremoninë e 23 vjetorit te krijimit te PD ne qytetin e Fierit. Në fjalën e tij të mbajtur ai ka thënë se qytetarët nuk do të lihen vetë gjatë protestave kundër arrogancës qeveritare dhe papunësisë.

9 Janar 2014. Fjala e plotë e Lulzim Bashës

Të dashur demokrate dhe demokratë të Fierit, vëllezër dhe motra të familjes tonë të madhe demokrate,

Zonja dhe zotërinj,

Përzemërsisht ju përshëndes me një urim të dyfishtë, -:”Gëzuar ditëlindjen e degës së Partisë Demokratike të Fierit”, “Gëzuar Vitin e Ri dhe mbarësi!”

Kam dashur dhe dua të mos mungojë askush, asnjë demokrat, asnjë demokrate në këto festa të historisë dhe krenarisë të familjes tonë të madhe politike dhe besimit tonë të ri në të ardhmen e Partisë Demokratike dhe gjithë Shqipërisë.

Kush është ndarë nga jeta gjatë këtyre viteve është në kujtesë dhe nderimin tonë por nuk mund të lë pa përmendur kryedeputetin e Fierit për dy mandate me radhë, mikun tonë të shtrenjtë Sokol Olldashi. Ata që nuk kanë mundur të jenë sonte këtu me ne, për arsye të ndryshme, duhet ta dinë se janë këtu me ne në zemrat dhe shpirtrat tanë.

Kjo festë, ky përvjetor, nuk mund të mblidhet brenda mureve të kësaj salle, festa jonë e sotme e ka vazhdimin e saj, në çdo shtëpi, deri në fshatin më të largët në Qarkun e Fierit, në qytetin e Fierit, në shtëpinë më të largët ku burri apo gruaja, djali apo vajza apo gjithë pjesëtarët e familjes janë pjesë e familjes tonë të madhe politike.

Ju them atyre, ju them të gjithë demokratëve të Fierit, se jeni një shembull i madh dhe frymëzues i lidhjes së fortë që na bashkon në këtë familje, lidhjes në një ide dhe alternativë të madhe të qendrës së djathtë, në idenë dhe alternativën e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Por vëllezër dhe motra, demokratët dhe demokratet e Fierit, janë një shembull i madh dhe i fortë, i jashtëzakonshëm i qëndresës dhe besnikërisë, në atë që kam besuar dhe besojmë, se është alternativa më e mirë, edhe kur kjo alternativë në rrafshin vendor ndodhet në pakicë, pikërisht kjo është e veçanta e degës së Partisë Demokratike të Fierit. Në këtë qytet dhe në këtë qark, kundërshtarët tanë politikë pretendojnë se kanë patur dhe kanë akoma një bastion, por kjo nuk i ka tronditur aspak përgjatë gjithë këtyre viteve lidhjen e demokratëve të Fierit me partinë e tyre, nuk e ka skurajuar aspak qëndresën dhe ecjen përpara të alternativës së qendrës së djathtë në Fier, që është manifestuar para se të gjithash si diçka objektive, që ekziston si e tillë si virtyt dhe jo thjeshtë si një ide pushteti që bymehet në pushtet dhe zhduket në opozitë.

Por hapja, demokracia, zhvillimi, integrimi, po e nxjerr dhe pritet ta nxjerrë edhe më tej Shqipërinë nga stampa e vjetër e bastioneve të vjetra ideologjike dhe për këtë demokratët dhe demokratet e Fierit kanë dhënë dhe japin kontributin më parësor dhe për këtë demokratët dhe demokratet e Shqipërisë ju janë ju mirënjohës.

Çfarë ka bërë e majta për Fierin? Çfarë ka prodhuar e çfarë po prodhon e majta për Fierin?

Njerëzit mund të kalojnë si në pasqyrë, gjithë këto vite në pasqyrën e mendjes dhe të shohin evoluimet dhe ndryshimet që kanë ndodhur në botën e sipërmarrjes së lirë, në bujqësi, në blegtori, në infrastrukturë, në rrugë rurale, në shkolla, në shërbime, në rritjen e pagave dhe pensioneve.

Ky zhvillim në gjithë këto data ka një diagram dhe një diagram për çdo zhvillim ka një datë:- “Kur janë ndërtuar këto rrugë ?”,”Kur janë ngritur dhe janë lulëzuar këto sipërmarrje?”,”

Kur janë hapur këto shkolla të reja? “Kur janë ngritur këto pensione dhe rroga?”. Njerëzit pra mund të gjykojnë me gjakftohtësi dhe me përgjegjësi, përtej propagandës tullumbace të qeverisë apo të partive. Në bindjen time, sikundër në bindjen tonë këtu, Partia Demokratike ka ofruar zhvillim në Fier, ndërkohë që e majta ka afruar prapambetje, stanjacion, klientelizëm, korrupsion dhe varfëri.

Nuk them se ne kemi bërë gjithçka mirë, absolutisht jo.

Nuk them se nuk kemi bërë gabime, absolutisht jo por po flas këtu në rrafshin krahasues, që mbërthen këtu dy dekada të tëra.

Çfarë ofron e majta sot? Duke iu referuar qeverisjes së deri sotme, duke iu referuar buxhetit, si ligji kryesor ekonomik, financiar, si korniza e vitit në vazhdim, shohim që qeveria Rama-Meta ka afruar pikë së pari mashtrimet pa hesap.

Do të duhej shumë letër për ti përshkruar një e nga një, grupi ynë parlamentar paraqiti 39 amendamente të mbështetur në premtimet elektorale të Edi Ramës. Sigurisht ne e dinim se nuk mund të pranonin programin tonë, s’mund të pranonin vizionin tonë, por të paktën të pranonin programin e tyre, me të cilin morën votat. I hodhën poshtë të gjithë amendamentet, të gjitha, pa përjashtim. I hodhën poshtë pa u skuqur fare duke hedhur veten e tyre poshtë. 39 amendamentet tona rezultuan 39 mashtrime të pastra elektorale të Edi Ramës për popullin e Fierit dhe për të gjithë Shqipërinë.

Së dyti, çmimet në këtë javë të dytë të vitit vazhdojnë të synojnë qiejt, shqiptarët po e nisin vitin më të shtrenjtë të historisë së tyre si rezultat i efekteve zinxhirë që po krijon treg rritja drastike, pikë së pari e taksave mbi karburantin por edhe disa mallra të tjerë të konsumit të gjerë.

Çmimet shumë të larta, gjithmonë e më të larta është oferta më e re e të majtës për popullin e Fierit dhe gjithë Shqipërisë. Me Canin në njërën anë dhe me Ahmetajn në anën tjetër, Edi Rama ka gjetur zgjidhjen më të thjeshtë, t’ju bjerë qytetarëve, ti shtrydhë qytetarët me taksa të larta, sikur nuk e ka ditur askush tjetër para tyre por e zbuluan këta.

Detyra e qeverisë në çdo kohë, e sidomos në kohë të vështira është të gjejë zgjidhje të ekuilibruara, të krijojë lehtësira, frymëmarrje, frymëzim, rrugëdalje, rimëkëmbje, rinisje. Këta ju ranë me top edhe taksave edhe borxhit duke e shtyrë ekonominë buzë humnerës, duke i vënë financat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, të familjeve të tyre në kufijtë e mbijetesës, duke përgatitur recensionin dhe krizën.

Situata është përkeqësuar nga dita në ditë,-: ”Ky stan këtë bulmet ka”,- thotë populli, ky buxhet këto çmimet do të prodhojë. Ne e kemi ngritur zërin, ne jemi konsultuar dhe jemi bashkuar me zërin tuaj dhe qytetarëve shqiptarë e çdo grupi interesi. Ne kemi bërë paralajmërimet tona, si opozitë ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë në ditët në vijim.

Së treti, e majta po ofron pasiguri të nivelit të lartë, statistikat e krimeve dhe aksidenteve të llojeve të ndryshme, të vrasjeve, të grabitjeve, të plagosjeve, përgënjeshtronin dhe tashmë përqeshin fryrjet e Ramës dhe Tahirit në autobuzin e tyre pa rilindje të propagandës boshe.

Nuk mbahet rendi me propagandë, siç u thotë mendja, nuk mbahet rendi dhe siguria duke zëvendësuar profesionistët në Policinë e Shtetit, me policinë e partisë apo të fshatit, apo me çunat.

Nuk mbahet rendi në demokraci me parada të sforcuara force si në komunizëm. Nuk mbahet rendi dhe siguria duke censuruar lajmet, apo duke shkuar me parimin po nuk doli nuk ndodhi. Mbajtja e rendit është pikë së pari një pikë vullneti dhe inteligjence njëherazi, çfarë na lë e shpresa më të pakta, duke qenë se në këto katër muaj nuk e kemi parë as njërën as tjetrën në veprimin e ministrit Tahiri dhe shefit të tij Rama, në të kundërt kemi parë politizimin e Policisë së Shtetit të politizuar prej tyre, çfarë është dhe do të jetë shkaku kryesor i përkeqësimit të rendit dhe sigurisë në Shqipëri. Përkeqësim në rend, përkeqësim në ekonomi, përkeqësim në prespektivë.

E ndjejmë se një frymë revolte po ngrihet, revoltë kundër mashtrimeve elektorale, revoltë kundër çmimeve, kundër shtrenjtimit të jetesës, kundër pasigurisë, kundër mungesës së prespektivës.

Të mos mendojë njeri se ne Partia Demokratike e Shqipërisë, opozita shqiptare do të lejojmë që kriza të zërë poshtë vendin e t’ju marrë frymën shqiptarëve pa treguar një për një përgjegjësinë e atyre që e kanë kurdisur me arrogancën e tyre karakteristike, këtë krizë.

Të mos mendojë njeri se ne, Partia Demokratike do t’i lemë qytetarët vetëm, pa mbështetje, viktima të çmimeve stratosferike, viktima të papunësisë, viktima të arrogancës qeveritare.

Të drejtat njerëzore dhe dinjiteti i qytetarëve shqiptarë janë një interes politik madhor i PD-së që përligj çdo aksion politik në mbrojtje të tyre.

Ne besojmë në fuqinë e alternativës tonë, ringritja dhe rritja jonë e fuqishme duhet të fillojë pikërisht këtu, në Fier, që nuk ka arsye të perceptohet më si bastion i një majte arrogante, zhgënjyese dhe të pashpresë. Të jemi bashkë më të bashkuar se kurrë, nga themeluesit e parë, anëtarët e parë të Partisë Demokratike, para të cilëve përkulem sot me nderimin dhe mirënjohjen më të thellë e deri te anëtarët më të rinj, demokratët dhe demokratet e rinj fierak që po vërshojnë në PD në Fier dhe në mbarë Shqipërinë, me vrullin dhe optimizmin e kohës së re. Të hapim partinë, të integrojmë në parti të gjitha grupet, shtresat dhe ndjeshmëritë, përfshi ato individuale që duan të kontribuojnë në Partinë Demokratike që rezonojnë me vlerat e saj popullore dhe intelektuale.

Së bashku për të hapur një faqe të re, së bashku për ringritje dhe fitoren e demokracisë së re.

Rroftë Partia Demokratike!

Rrofshin demokratet dhe demokratët e Fierit!

Zoti i bekoftë!

Rroftë Shqipëria!

Gëzuar!

KOMENTE