English

Matura shtetërore. A ka zgjidhje, për korrigjimin deri në objektivitet absolut të testeve të maturës?

Ilir Paja/Mësues - Matura shtetërore, në këtë vit të Ri, i afrohet vitit të tetë të saj, si realitet arsimor. Gjatë këtyre viteve, si çdo realitet institucional, vetë ndërtimi dhe struktura e saj, ka patur sa arritje, por dhe defekte, veçanërisht në administrimin e saj, në DAR-ët e qarqeve të Republikës.

Gjithsesi, nëse çdo vit numri i nxënësve maturantë ka kapur një shifër rreth mbi 40.000 mijë si për provimet e detyruara, letërsi dhe matematikë, po aq ka rezultuar dhe pjesëmarrja në provimet me zgjedhje.

Për të dhënë një statistikë të përafërt ( këtu po veçoj lëndën e letërsisë) nga ky numër pjesëmarrjeje, kemi patur rreth 400-600 “subjektivitete”- kontestime. Pra, raporti vlerësues është tejet minimal, në krahasim me brezin e një mature në rang vendi.

Gjithsesi, duke qenë vetë pjesë e stafit korrigjues prej 7 vitesh, na duhet të themi se, si kudo, ka vend për përmirësime. P.sh: certifikimi i përhershëm i mësuesve korrigjues, të cilët janë evidentuar për objektivitetin e dhënies së pikëve. Dhe pse, lënda e letërsisë, sociologjisë, filozofisë, historisë, psikologjisë e ka vetë në brendinë e saj shkencore subjektivitetin.

Duke qenë, se gjatë këtij muaji, dërgohet në DAR e rretheve si programi i maturës, po ashtu dhe risi të procesit, po përpiqemi të japim, brenda përvojës disa mundësi, ku do veçoja procesin e administrimit, jo thembër të Akilit, por “pikën” mbështetëse të Arkimedit, ku kjo pikë-proces administrimi ka aq forcë “lëvizëse”, që maturën shtetërore ta shtyjë tutje.

Kohët e fundit në media dhe në shtyp, ka patur shpjegime, të cilat do i quaja “hermetike” për nga e vërteta e tyre. Është rifolur për maturën, por asnjë detaj mbi procesin e saj. Por, unë e miratoj një sekret të tillë.

E para: Ende stafet, që përgatitin këtë proces janë në raporte dhe analiza vitesh mbi këtë realitet kaq të ndjeshëm arsimor. E dyta: Nga përvojat e deritanishme, ka rezultuar një proces i mirë, me shumë punë, me shumë përkushtim, madje dhe i tejshkuar në sakrifica, sa intelektuale, por dhe aq humane...

E gjitha kjo sipërmarrje e së ardhmes për një brez, shkatërrohet deri në ngrehinë nga hallka, e cila duhet të legjitimojë realitetin e vërtetë të vlerave si të mësimdhënies dhe nxënies.

Por a ka zgjidhje, si për korrigjimin deri në objektivitet absolut të testeve dhe administrimit të procesit të provimit të maturës? Mendoj se kjo është pyetje retorike, nëse shkollën shqiptare e largojmë nga:

a) Politika shtetërore, ku rezultati duhet të dalë 97-98 %.

b) Kur arsimin jo publik, pra atë privat e largojmë nga “shkrirja” me atë shtetëror, dhe kur dihet rezultati i tyre...Me kalimin e viteve, arsimi jopublik është ndjerë i privilegjuar, duke krijuar një pavarësi deri në paprekshmëri.

Atëherë, cila do ishte rezultantja reale e një brezi të shkolluar dhe jo të pajisur me diplomë? Matura shtetërore, përmes një renditjeje alfabetike të vendosë nxënësit e një qarku pa bërë dallime se ku janë arsimuar.

P. sh: nxënës nga germa “A” e alfabetit-mbiemri i tyre ose emri, të renditen duke nisur nga shkolla me nr. 1, për të vazhduar kronologjikisht përmes kësaj skeme. Dhe duke përfunduar në shkollën me nr. 2,3,4,5 etj., me germën e fundit të alfabetit “zh”.

Do duhej vetëm një skemë e tillë në këtë proces, për të kuptuar se dy nxënës shumë të mirë, ulur me të njëjtën notë do ngjajnë me një duel zotash, ndërsa ata vetëm kalues do jenë si luftëtarët mbi bedena, ku secili duhet të ruajë pozicionin e tij.

Përsa i përket administrimit, nuk ka nevojë të harxhohen 200.000 mijë euro për pajisje bllokimi valësh telefonash celularë, ku duke qenë dëshmi vetë në administrim, kontrolli i nxënësve me to nëpër trup, më dukej si krehrat e floktoreve, që më shumë “drejtojnë” qëllimin, por jo të “estetizojnë” portrete./Shekulli/

KOMENTE