Ekspertët e Krimeve të Rënda zbarkojnë në burgun e Peqinit, ku vuante dënimin Astrit Gjepali. Përgjatë 24 orëve janë marrë në pyetje një numër i konsiderueshëm punonjësish të policisë së burgut që kanë shpjeguar të gjitha lidhjet dhe sjelljet e Gjepalit në vendin e vuajtjes së dënimit.
Njëkohësisht në listën e personave që janë pyetur dhe pritet të pyetën janë edhe shumë të burgosur, njohje të afërta të 45-vjeçarit, që dy ditë më parë u ekzekutua në një pritë, teksa kthehej nga shtëpia për në burgun e Peqinit.
Grupi hetimor mësohet se, përveç marrjes në pyetje të të gjithë personelit të ruajtjes dhe sigurisë, ka kërkuar edhe sekuestrimin e të gjitha materialeve që mund të jenë përdorur për komunikim të jashtëm. Referuar të dhënave që vijnë nga hetimi bëhet me dije se, një prej pistave më të forta që është listuar si e para është ajo e vrasjes së porositur nga burgu.
Prokuroria dhe ekspertët e policisë po verifikojnë me kujdes të gjitha lidhjet që ka patur viktima gjatë qëndrimit të tij në burg, edhe pse koha e qëndrimit të tij në burgun e Peqinit ka qenë relativisht e shkurtër pasi Astrit Gjepali, për shumë kohë ka qëndruar në spitalin e burgut.
Në sitën e hetimit po kalojnë thuajse të gjithë emrat e njohur të botës së krimit, kryesisht ata që gjenden në të njëjtin vend të vuajtjes së dënimit, ndërsa hetuesit po verifikojnë të gjithë elementët e bandave rivale, që kanë ekzistuar në të njëjtën kohë me bandën e tij, kryesisht, ato nga qyteti i Durrësit.
Burimet nga policia bëjnë me dije se krahas pistave se, atentati ka patur shënjestër Gjepalin, po punohet për dyshime në lidhje me faktin se vrasja mund të jetë organizuar për të eliminuar Ficin, meqë kërkohej dhe konsiderohej një prej baronëve më të mëdhenj të drogës në qytetin bregdetar.
Vrasje e porositur
Duke parë mekanizmin thuajse perfekt të kryerjes së atentatit, ekspertët kanë arritur në përfundimin se atentati është kryer nga vrasës me pagesë. Në historinë e vrasjeve të bujshme, hetuesit kanë gjetur ngjashmëri me vrasje të tipit mafioz, të cilat ose nuk janë zbardhur ndonjëherë, ose është zbardhur shkaku po pamundur të shkohet tek ekzekutorët.
Policia për këtë shkak ka hapur letrat dhe ka nisur të verifikojë edhe një atentat të kryer në Tiranë në harkun kohor të një viti, ku disa elementë thelbësor të atentatit ndaj Gjepalit dhe Ficit, gjenden edhe në atë ngjarje.
Makina e djegur e atentatorëve në Lushnje, përveç faktit që ka rezultuar e grabitur në Tiranë rreth 3 muaj më parë, nuk iu ka dhënë asnjë shpresë hetuesve të shkojnë tek ndonjë emër i dyshuar, edhe pse zyrtarët e lartë të Policisë së Tiranës shpresonin pikërisht në këtë fakt.
Burime të besueshme bëjnë me dije se, janë shoqëruar me dhjetëra persona, që të gjithë të dyshuar që mund të kenë ndonjë lidhje me viktimat e Astrit Gjepalit, që janë pesë familje të ndryshme, përfshirë edhe kosovarin që jetonte në Fier, të cilin Gjepali e ka ekzekutuar në Zvicër.
Mirëpo, asnjë nga të shoqëruarit nuk është mbajtur nga policia pasi kanë dhënë deklaratat e tyre, ndërsa ekspertët kanë ngritur edhe njëherë skenën e vrasjes se bujshme për të mundësuar mekanizmin që kanë përdorur atentatorët për të eliminuar Gjepalin dhe kunatin e tij, Ficin, si dhe për tu larguar pa lënë asnjë gjurmë dhe asnjë detaj të pamjes së tyre në sytë e dhjetëra dëshmitarëve okularë.
Pritet dëshmia e Sulkes
I mbijetuari i atentatit të Kavajës, kunati i dytë i Astrit Gjepalit, pasi tjetri u vra bashkë me të, Ilirjan Sulkja, mësohet se ende nuk e ka depozituar dëshminë e tij në procesverbalet e grupit të punës që po merret me hetimin e ngjarjes.
Sipas të dhënave të policisë bëhet me dije se, Sulkja nuk ka qenë në gjendje të flasë për çka ka parë në momentin e atentatit ndaj tyre.
Njëkohësisht edhe i plagosuri tjetër, të cilin e ka kapur një plumb në afërsi të dyqanit të tij, ka bërë me dije se nuk ka fiksuar asgjë nga momenti që e ka kapur plumbi e pas.
Policia ka marrë një sërë kamerash sigurie, ndërsa ka fiksuar nga dëshmitarët okularë të vendit të ngjarjes edhe detaje të vogla, që kanë lidhje me pamjen e jashtme të personave që kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi mjetin me të cilin udhëtonin Fici dhe Gjepali.
Burimet e policisë tregojnë se informacionet e para flasin se, autorët e vrasjes kanë qenë tre dhe që të tre kanë qenë të veshur thuajse uniformë.
Ngjyra dominuese në veshjet e tyre ka qenë gri-ja dhe bëhet me dije se personi që ka qenë në drejtimin e mjetit ka patur në kokë edhe kapele, ndërsa dy autorët që kanë qëlluar nuk kanë patur as kapele dhe as maska, çka rrit dyshimin që vrasësit kanë qenë me paruke.
Benzi i atentatit u grabit në Tiranë
Policia e Tiranës, e cila ka marrë në duar ngjarjen e rëndë ku në një pritë të mirëorganizuar u vranë Astrit Gjepali dhe Halil Fici, deri mbërmjen e djeshme kanë bërë të mundur gjetjen e një detaji mjaft të rëndësishëm.
Makina tip benz, që u gjet e djegur në Lushnje është zbuluar se ishte grabitur në Tiranë në nëntorin e vitit të kaluar.
Kjo makinë, që për policinë është edhe makina që atentatorët i vunë flakën për të humbur gjurmët, tashmë gjendet në duart e ekspertëve për të bërë të mundur gjetjen e ndonjë gjurmë që mund të kenë lënë autorët.
Sipas policisë, për orë me radhë është punuar për të verifikuar numrin e shasisë, pasi asnjë lloj prove tjetër nuk është lënë nga zjarri që ka përfshirë makinën. Ndonëse policia zbarkoi e gjitha dhe me mjete të fortifikuara në Lushnje, asnjë gjurmë tjetër autorësh nuk mundën të fiksonin.
Madje as helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes nuk arriti të lokalizojë vendndodhjen e tre atentatorëve të Gjepalit dhe të Ficit. Policia e Tiranës bën me dije se, tashmë po punohet për të verifikuar vendin ku është kryer grabitja e mjetit si dhe pritet të hidhet dritë mbi kontingjentin kriminal në fushën e vjedhjes së makinave në kryeqytet.
Gjithashtu bëhet me dije se pritet të merret në pyetje edhe personi që e ka poseduar makinën si pronar i ligjshëm, por fillimisht janë hapur të gjithë regjistrat për të verifikuar detajet e denoncimit të vjedhjes së makinës tip Benz që rezultoi të ishte me targa false pas vënies së zjarrit.
Gjithashtu bëhet me dije se mjeti që u gjend i djegur në Lushnje nuk është fiksuar nga asnjë kamer që policia ka sekuestruar përgjatë rrugës që ka ndjekur, ndërsa kësaj radhe, ndryshe rasteve të ngjashme, policia e Tiranës ka bërë me dije se brenda automjetit nuk është zbuluar asnjë gjurmë.
Prokuroria kërkon informacion nga Italia për Ficin ndonëse për rreth 24 orë, gjithë policia ishte e përqendruar në hetimin e aktivitetit kriminal të Tit Gjepalit, pasi njihej si një prej personave më të fuqishëm në zonën e Shijakut, ditën e djeshme një grup ekspertësh janë marrë seriozisht me sinjalet që kanë mbërritur nga Italia për Halil Ficin.
54-vjeçari që ra në të njëjtën pritë me kunatin e tij, mësohet se po hetohet me të njëjtën rëndësi po aq sa edhe vetë i dënuari me 25 vite burg për vrasjen e pesë personave brenda 24 orëve në rrethin e Durrësit në vitin 1997.
Edhe pse Gjykata e Barit ka lëshuar prej vitesh, jo vetëm mandat arrestet, por edhe një dënim në mungesë për plot 19 persona që konsideroheshin rrjetet e fuqishme të drogës, që shtriheshin nga Durrësi deri në Vlorë, policia jonë asnjëherë nuk e shpalli në kërkim Ficin.
Pas arrestimit të Ben Çamit, Artan Shabanit, personit që italianët e Anti- Mafies e konsideronin që në vitin 2000 si një prej bosëve të drogës, Policia e Shtetit nuk ndoqi më asnjë prej emrave që rekomandoi që 10 vite më parë Policia dhe Prokuroria italiane.
Aktiviteti i dyshuar kriminal
Edhe pse Halil Fici njihej prej të gjithëve si një person i rregullt dhe familjar, grupi i hetimit pretendon se ka dyshimet të forta në aktivitetin e tij të hershëm.
Policia po heton në lidhje me aktivitetin e të 19 personave që rezultojnë të dënuar në Itali nga gjykata e Barit ku thuajse pjesa më e madhe e tyre është nga Durrësi dhe që janë të gjithë lidhje me Ben Çamin, personin që gjendet në burg për trafik lëndësh narkotike.
Referuar të dhënave saktësohet se, policia e Durrësit ka nisur punën për të verifikuar edhe të gjitha rastet e trafikimit të drogës të kryera muajve të fundit, për të mësuar nëse gjendet ndonjë lidhje me emrin e Ficit, apo me emrat e 19 të listuarve të anti-mafias .
Kërkimi
Halil Fici kërkohej prej 12 vitesh. Ai njihej me pseudonimin “Lila” dhe në dosjen e italianëve emri i tij figuron si kreu i rrjetit Fici-Ballanca. Organizatës së tyre iu sekuestruan në Itali qindra kilogramë heroine.
Në vitin 2002 Prokuroria e Barit nxjerr urdhrin e parë për kapjen e Halil Ficit që më pas është dënuar nga gjykata e Barit me një dënim përfundimtar prej 12 vjet burg. Në atëkohë u trafikuan plot 450 kg heroinë, një nga shumat më të mëdha që janë zbuluar ndonjëherë nga policia vendase.
Në vitin 2006, për Ficin nxirret një tjetër urdhër arresti. Në 2009 u dha vendimi i parë në lidhje me bandën prej 19 personash, ku spikasnin emri i Shabanit dhe i Ficit, të dënuar me 28 vite burg, ndërkohë që gjykata e Barit kishte përcaktuar edhe fundin e shkurtit të këtij viti për një seancë të radhës në ngarkim të tij dhe të 18 personave të tjerë.
Vrasja në Zvicër, analizohet dosja për Ylli Majacin
E gjendur përballë një sërë aktesh kriminale që mbajnë autorësinë e Astrit Gjepalit, 45-vjeçarit që u shndërrua në të “fortin” e Shijakut të Durrësit, policia ka kërkuar të tërhiqet dosja e vrasjes së Ylli Majacit.
Fieraku me origjinë kosovare është ekzekutuar në Zvicër në fund të marsit, 21 vite më parë, ndërsa policia dhe prokuroria, të dhënat fillestare i kanë marrë nga hetimi italian.
Referuar të dhënave bëhet me dije se, në shtetin zviceran, hesapet mes njerëzve të Gjepalit dhe njerëzve të viktimës së asaj kohe nuk janë mbyllur ende, e për pasojë janë ngritur dyshime për ndonjë vrasje për llogari të lidhjeve të Majacit në Zvicër.
Sipas të dhënave saktësohet se, shpejt pritet që të mbërrijë me letër porosi dosja e asaj vrasjeje. Policia po mbledh të dhëna në rrugë operative për të mësuar hollësi mbi komunikimet e viktimës Gjepali me miqtë e tij në Zvicër.