English

Zenel Miftari, njeriu që pajtoi dhjetëra familje të hasmëruara

Sabit Abdyli - Zenel Miftar Tairi u lind në vitin 1926 në fshatin Arvat, komuna e Resnes (Prespë). Që në moshën dy vjeçe i vdes i ati. Mbasi t’i ketë mbushur 15 vjet në kërkim të një jete më të mirë dhe dëshirës për t’u shkolluar arratiset në Shqipëri.

Shkon në fshatin Butkë në familjen e Sali Butkos për të cilin kish dëgjuar për bëmat e tij patriotike. Në familjen e përmendur kishte një lidhje nga ana e gjyshes që nuk ishte më në jetë. Përfundimisht vendoset në një familje të fshatit Qinam – Kolonjë. Ishte kohë lufte.

Në fshat erdhi me një rast Petrit Dume (gjeneral, hero, në vitin 1974 u shpall armik i popullit dhe u dënua me vdekje) me partizan, tregon Zeneli, e mblodhi fshatin dhe gati sa më bindi të t’i bashkëngjitëm aradheve partizane. Kryefamiljari në familjen ku ish vendosur me të kuptuar se unë do të dalë partizan, më tha; po deshe ta mbushësh ndonjë hendek me trupin tënd, shko!.

Ku u zihet besë partizanëve, je në veti ti!? Fshati dhe në përgjithësi rajoni ishte me Ballin Kombëtar, që udhëhiqej nga Safet Butko. Ndërkohë partizanët me indologjinë e tyre antikombëtare morën pushtetin dhe po qeverisnin Shqipërinë.

Zeneli për ta shpëtuar njërin prej djemve të familjes ku ish vendosur, i cili kish marrë thirrjen për punë vullnetare në tharjen e liqenit të Maliqit, po që i njëjti kish qenë polic në kohën e mbretit Zog dhe ruhej të mos binte në sy të qeveritarëve të kohës. Zeneli vullnetarisht shkon në emër të tij (bedel) për të punuar.

Nga aksioni kthehet po at vit (1946). Hetohet se nuk është nga Shqipëria dhe burgoset në burgun e Korçës. Në burg, thotë Zeneli, në pyetjen e një oficeri të lartë se prej nga jam, përgjigjem se jam nga Serbia. Ku ore, tokave shqiptare ti u thua Serbi dhe ma ngjeshi një shuplakë të fortë fytyrës.

Pas dy muajsh e depërtojnë në Jugosllavi. Me të kthyer në vendlindje vazhdon të ballafaqohet me vështirësi të kohës. Shikohej me dyshim nga pushteti mbasi kish qëndruar një kohë në Shqipëri. Mbas kryerjes së shërbimit ushtarak arrin ta kryej shkollën për polic. Falë punës me përkushtim dhe aftësive të tija organizative caktohet edhe në detyra me përgjegjësi.

Për vitet të tëra ishte Komandant policie në Mateq të Kumanovës, një mandat (1974-1978) deputet i Republikës së Maqedonisë. Për Zenelin shkruan edhe mediet në gjuhën shqipe e sllavo-maqedone të kohës. “Flaka e vëllazërimit”, “Nova Makedonija”, “Nash Vesnik” etj. Disa herë u shpërblye e dekoruar për sukseset e arritura në punë.

Edhe sot pas shumë vitesh populli ku punoi flasin vetëm fjalë të mira për te. Zeneli u angazhua për shkollimin e rinisë dhe sidomos emancipimin e femrës shqiptare. Për ketë kish folur sa herë i epej mundësia me njerëzit që i njihte, duke dhënë shembull edhe me fëmijët e tij (Luljetën e Tairin), të cilët i shkolloi.

Zeneli, ky njeri fjalëpakë, i matur dhe i sinqertë me autoritetin e tij, forcën e fjalës pajtoi me dhjetëra individ e familje, që ishin në grindje, mandej edhe në gjak, duke ndërhy si një pleqnar i vërtetë. Vlen përmendur këtu pajtesën, që Zeneli bashkë me pleqnarin e njohur Zeqë Kabashin e kishin bë mes Osman Gurit nga një fshat në komunën e Kaçanikut dhe shoferin e automjetit të aksidentit fatal për jetën e djalit të vetëm të Osmanit.

Në malësinë e Karadakut një vrasës pasi kish kryer vrasjen nuk dorëzohej dhe fshihej gjithandej fshatrave të malësisë. Pas gjurmimeve të shumta hetohet se ku fshihej dorasi i cili kërcënohej se kushdo që do t’i afrohej do të shtie mbi te. Zeneli e thërret për të biseduar e marr vesh, duke i thënë: ja unë po e hedh armën dhe dua të bisedoj me ty dhe futët brenda shtëpisë ku ish fshehur vrasësi. Nisë dialogun me te dhe gjatë gjithë natës arriti ta qetësonte e ta bindte pa përdorur forcën që të dorëzohet.

Në mëngjes vrasësi e dorëzon pushkën. Zeneli pasi pensionohet jetoi në Shkup. Në vitin 1998 me të shoqen Ballkëzen vendoset në Zelandë të Re ku edhe tash jeton. Edhe pse ka mbi 86 vjet ende gëzon shëndet të mirë dhe kokën gjithmonë kah tokat shqiptare e mban, duke u gëzuar për sukseset e të arriturat dhe merakosur për ngecjet në shoqërinë shqiptare/Zhurnal/

Aukland, shkurt 2013

KOMENTE