English

Meta-Fico. Sllovakia e gatshme të ofrojë eksperiencën e saj në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Kryeministrin e Sllovakisë z. Robert Fico me të cilin biseduan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Z. Fico shoqërohej nga Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane z. Miroslav Lajcak.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta i shprehu Kryeministrit Sllovak z. Robert Fico mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovakia ka dhënë për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, duke theksuar se Shqipëria mbështetet në përkrahjen e Sllovakisë edhe në të ardhmen.
“Shqipëria është një vend evropian, dhe mazhoranca e re është e vendosur të avancojë me reformat e rëndësishme që kërkojnë qytetarët tanë për forcimin e ligjit dhe zhvillimin e ekonomisë” – u shpreh z. Meta.

Kryeministri z. Robert Fico shprehu kënaqësinë për vizitën e parë të një Kryeministri Sllovak në Tiranë dhe nënvizoi se Sllovakia, si një vend i ri anëtar dhe si histori suksesi e Bashkimit Evropian, është e gatshme të ofrojë eksperiencën e saj në kuadër të integrimit evropian dhe të thithjes së investimeve të huaja në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit Meta shprehu vullnetin për të zgjeruar më tej marrëdhëniet me Parlamentin e Sllovakisë, në interes të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

KOMENTE