English

Julian Sinanaj tregon gjithçka për porositësit e atentateve

Mafia e C4-ës përplas ashpër prokurorinë me policinë, ndërsa shkak është bërë dekonspirimi i operacionit që u konsiderua për disa orë si një prej ngjarjeve më të mëdha zbulimore në më shumë se dy dekada.

Shkak, ndonëse jo i konfirmuar zyrtarisht, është bërë rrëshqitja nga duart e dy prej pesë personave të shpallur në kërkim me mandat arresti, të cilët në skedat hetimore për të ashtëquajturën mafia e C4-ës, konsideroheshin porositësit e një eliminimi.

Prokuroria e Përgjithshme, mbrëmë ka shpërndarë një njoftim zyrtar ku bën me dije se ka nisur një procedim penal për nxjerrje sekreti hetimor.

Ky fakt ka të bëjë konkretisht me publikimin e emrave të personave që ishin listuar për tu arrestuar, pasi sipas të dhënave, shumë prej personave që kanë kryer porosi për ekzekutime, kanë mundur të largohen jashtë vendit.

Njëkohësisht saktësohet se, në operacionin e njëkohshëm për prangosjen e Marjon Mitros, ka patur rrjedhje informacioni, çka ka bërë të mundur largimin e dy kushërinjve Andon dhe Genis Mëhillaj.

Mirëpo, ndërsa organi qendror i akuzës ka reaguar publikisht për daljen e informacioneve që janë sekret hetimor, nga policia dhe grupet e hetimit edhe përgjatë së djeshmes kanë vijuar të publikohen të dhëna detajuese në lidhje me aktivitetin kriminal të Julian Sinanajt,

31-vjeçarit me origjinë nga Tepelena, i lindur në Elbasan, banues në Vlorë dhe veprues kudo që i është kërkuar. Policia ka pranuar se tashmë, si vrasësi, ashtu edhe personi që ka bashkëpunuar ngushtë me të, N. Gj, kanë fituar statusin e të penduarit.

Rrëfimi i vrasësit

Julian Sinanaj, sipas informacioneve që vijnë nga policia ka fituar statusin e të penduarit. Me sa duket ky ka qenë kushti për tu vënë në dispozicion të tyre, por edhe pasi i është premtuar se do iu sigurohet jeta edhe familjes së tij.

Referuar të dhënave bëhet me dije se rrëfimi i Sinanajt ka nisur dy netë më parë, ndërsa ia ka treguar jo vetëm në lidhje me bëmat e tij, por edhe në lidhje me të gjithë aktivitetin e tij kriminal që duket se ka nisur që në moshë të mitur.

Bëhet me dije se ndër krimet e kryera dhe të publikuara edhe nga Policia e Tiranës si të zbardhura, mësohet se ai ka folur mbi vrasjet e biznesmenit Çela dhe të peshkatarit Veizi, ndërsa ‘bomba’ e vërtet e tij ka qenë pikërisht porosia sipas tij e ardhur nga Marjon Mitro për të siguruar minën që do të përdorte për eliminimin e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.

Sipas policisë killeri ka treguar edhe arsyen pse do vihej mina në mjetin e Dervishit, ndërsa në lidhje me dy ekzekutimet e kryera në Orikum dhe Vlorë, mësohet se Sinanaj ka bërë me dije se ishin paguar nga dy kushërinjtë që kanë mundur t’i shpëtojnë policisë tashmë Andon dhe Genis Mëhillaj.

Për dy atentatet ai ka marrë shumën që ka dashur dhe nuk ka pyetur se për llogari të kujt i ka kryer veprimet, ndërsa gjithnjë sipas të dhënave, ka shpjeguar me detaje ekzekutimet.

Njëkohësisht killeri ka saktësuar se Mitro e kishte porositur edhe për ekzekutimin e një personi, akt që sipas të penduarit nuk e ka marrë përsipër. Shkak për këtë moskryerje vrasjeje mësohet se është bërë njohja e “shënjestrës” nga ana e Sinanajt.

Ndërkohë që për minën që duhej për tu përdorur në mjetin e prefektit të Vlorës, Sinanaj ka marrë 20 mijë euro nga inspektori i INUV të Vlorës, ndërsa montimin, gjithnjë sipas tij, e ka kryer vetë Mitro.

Sipas dëshmitarit-vrasës mësohet se shkak i konfliktit mes funksionarit të lartë dhe zyrtarit bashkiak është bërë konflikti për një parking afër lokalit të tij në Ujin e Ftohtë.

Vrasjet e Sinanajt

Shuma më e madhe që iu ka premtuar vrasësit me pagesë me sa duket ka shërbyer edhe si ‘kafshata e ngecur në grykë” për killerin. Biznesmeni, njeriu i fundit në listën e tij për të ekzekutuar, fotoja e të cilit u gjend në aparatin e Sinanajt, kishte rreth një javë që ndiqej nga vrasësi.

Plot 150 mijë euro janë derdhur për këtë ekzekutim, që Sinanaj nuk arriti ta kryente, falë konflikteve që lindën mes tij dhe ‘punonjësit’ të tij, tashmë edhe ai dëshmitar;

N. Gj, 31 vjeç, lindur, rritur dhe banues në Vlorë. Ky i fundit mësohet se ka denoncuar killerin në policinë e Tiranës dhe më pas, në të njëjtën ditë ka shkuar edhe në policinë e Durrësit.

Sinanaj e kishte kërcënuar me vdekje dhe shkak, gjithnjë sipas policisë, janë bërë pazaret, pasi i premtoheshin shumë dhe më pas vlefta ishte krejt qesharake për punën që ai kryente, sipas tij. Në këtë version ka shpjeguar ekzekutimin e peshkatarit Sokol Veizi, burrit që ka vrarë në Orikum.

Dy kushërinjtë Mëhillaj i kishin premtuar një sasi të madhe toke dhe më pas i kishin dhënë vetëm një apartament në qytetin e Vlorës, shifër kjo e pakënaqshme për vrasësin.

Nga rrëfimet e tij është mësuar se në të vërtet kushërinjtë i kishin thënë ta hiqnin “qafe” për shkak të një konflikti prone që kishin me Veizin. Edhe ekzekutimin e të sapokthyerit nga Italia, Agron Çela,

Sinanaj ka treguar se e kishin porositur dy kushërinjtë dhe për të kishte marrë vetëm 35 mijë euro, ndërsa me punonjësin e Bashkisë së Vlorës ishin prishur në pazarin për ekzekutimin e biznesmenit J.M.

Këtu ka nisur edhe konflikti mes tyre. Ndërkohë mësohet se Mitron tek Sinanaj ta ketë sjellë vetë i penduari i drejtësisë, denoncuesi i vrasësit N.Gj,

emri i të cilit u tha mbrëmë publikisht edhe nëpër studio televizive, ndërsa familja e tij në qytetin e Vlorës, por edhe një pjestar i kësaj familjeje që jeton jashtë Shqipërie rrezikojnë seriozisht jetën, për shkak të publikimit të emrit.

Sinanaj për “To Vima”: Kam kryer 27 ekzekutime

Dëshmia e killerit me pagesë publikohet nga mediat greke. U pyet nga të njëjtët oficerë që pyetën Ilir Kupën

Detajet në lidhje me veprimtarinë e killerit Julian Sinanaj, jo vetëm në Shqipëri, janë bërë publike. Prej dy ditësh mediat greke publikojnë pjesë nga rrëfimet e tij në Policinë e Tiranës, ndërsa mësohet se oficerët grekë të hetimit, që kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë marrë në pyetje Ilir Kupën, 28 vjeçarin e arratisur nga Trikallas, kanë qëndruar me të njëjtin mision në vendin tonë.

Nga rrëfimet e shumta të kryera nga Sinanaj, që nga paraditja e së shtunës e deri ditën e djeshme, grekët e hetimit janë befasuar dhe tronditur nga lehtësia me të cilën ka treguar Sinanaj ekzekutimet e kryera, sidomos në Greqi.

Befasia më e madhe ka patur të bëjë me porositësin e aktit terrorist në Gjykatën e Selanikut, ku Sinanaj iu ka treguar grekëve edhe emrin e politikanit porositës, ndonëse në atë akt barbar, fati ka qenë me ta. 31-vjeçari vlonjat, me origjinë nga Tepelena, mësohet se ka treguar gjithçka me detaje,

aq sa grekët e hetimit e kanë patur të pamundur ta besojnë se ai mund të ishte autor i të gjithë atyre krimeve, ndërsa nga interesimi për skedën e tij kriminale në tokën greke, Julian Sinanaj kishte vetëm një kundravajtje ligjore. Mediat vendase kanë publikuar të dhëna prej dy ditësh, ndërsa pretendohet se Sinani është edhe pjesë e organizimit të arratisjes nga Trikallas me 22 mars të vitit të kaluar.

Gazeta greke, “To Vima” "

Kam bërë 27 vrasje në Shqipëri, Itali dhe në Greqi, ku kam jetuar që 14 vjeç. Kam marrë pjesë në shpërthimet në gjykatën e Selanikut në maj 2010, në zbatim të urdhrit që më dha anëtari i një partie politike". Kjo është, sipas informacionit që ka siguruar gazeta greke “To Vima”, ajo që ka pohuar 31-vjeçari shqiptar Julian Sinanaj, i arrestuar në Tiranë para disa ditësh, si pjesë e një grupi që kryente vrasje me pagesë.

Sipas dëshmive të mbledhura deri tani, Sinanaj ka jetuar me familjen në Greqi që nga viti 1997 dhe e ka filluar veprimtarinë e tij kriminale dhe vrasjet me pagesë, që kur ishte ende i mitur. Edhe gazeta "Protothema" shkruante dje se ai ka pohuar vrasjen e dy shtetasve 35 dhe 45 vjeç më 1 korrik të vitit 2011 jashtë një restoranti në Gazi, ku pati dhe një viktimë të tretë të rastësishme, vrasje që në Greqi deri tani kanë mbetur pa autor.

Ndërsa në Gjykatën e Selanikut, në vitin 2010 për fat nuk ndodhi një tragjedi e madhe, teksa në kohën e shpërthimit ndodheshin në të mbi 50 njerëz.

Nga shpërthimi vetëm një person u lëndua lehtë dhe aktin e mori përsipër organizata terroriste “Komploti i celulave të zjarrit”. Policia greke deri tani nuk ka patur ndonjë informacion të lidhjes së kësaj organizate më elementë shqiptarë, të paktën në qytetin e Selanikut.

Oficerët e lartë të Policisë së Greqisë, të cilët nuk kanë mundur ta marrin në pyetje të arrestuarin, kanë deklaruar për “To Vima” se "nëse këto dëshmi konfirmohen qoftë edhe pjesërisht, do të kemi surpriza dhe zhvillime të mëdha", por shprehen se kanë shumë dyshime për pretendimet e 30-vjeçarit, sepse në arkivat e policisë greke, për Julian Sinanin ka vetëm një shkelje trafiku.

Në të njëjtën kohë, gazeta “To Vima” shkruan se i arratisuri nga burgu i Trikallas, 27-vjeçari Ilir Kupa, ka pranuar para oficerëve grekë se "ishim të gatshëm të sulmonim me eksplozivë burgjet greke për të çliruar bashkatdhetarët tanë".

Kupa ka pohuar se organizatori i arratisjes nga burgu i Trikallas ishte 36-vjeçari Flamur Sinani, xhaxhai i Edison Likës, njëri prej të arratisurve, të cilët u vranë të dy në përleshje të përgjakshme me policinë greke në 2 korrik 2013 në Koniska.

“Nuk e njoh Marjon Mitron”

Në media është folur se Mitro, i cili akuzohet për vendosje tritoli, ka qenë edhe punonjës në Bashkinë e Vlorës. Ju si bashki, keni dijeni për këtë rast?

Për faktin që ka qenë punonjës, sigurisht që po. Por marrëdhëniet financiare i janë shkëputur që në fund të muajit gusht. Mbase duhet një konfirmim më i saktë për datën, por ka disa muaj që është shkëputur dhe shkëputja ka qenë nga ana e z.Mitro për arsyet e tij personale.

Ju si drejtues në bashki, a keni keni pasur njohje personale?

Jo thjesht në marrëdhëniet e punës, ai ka qenë në një nga pozicionet e punës së specialistit, jo njohje të afërm në sensin e personit.

Bashkia e Vlorës a ka filluar punën për të hetuar për sjelljen e tij në punë?

Me sa di unë, të paktën në pozicionin që kam, marrëdhëniet kanë qenë korrekte në raport me atë strukturë.

Në bashkinë Vlorë, Inspektoriati Ndërtimor është i vendosur në një tjetër godinë, jo në godinën qendrore të bashkisë, dhe ka qenë në një farë mënyre i shkëputur sa i përket çështjes së orareve.

Por në përgjithësi nga informacionet që kemi, marrëdhënia ka qenë korrekte.

Ju vetë si mendoni për ngjarjen?

Shpreh çudinë për këtë fakt që ka ndodhur. Nëse është e vërtetë, është shumë e rëndë. Është shumë tronditëse.

Prokuroria procedon nxjerrësit e sekretit hetimor

Kërcënimet që kanë vijuar në lidhje me publikim e emrave të personazheve të prangosura si dhe fakti që kanë nisur kërcënimet mbi familjen e të penduarit N.Gj, ka bërë që zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të dalë me një deklaratë të ashpër mbrëmjen e djeshme.

Ndërsa dyshohet se është dekonspiruar operacioni për arrestimin e dy kushërinjve Mëhillaj, organi qendror i akuzës ka kërkuar të niset procedim penal për të gjithë ata funksionarë që kanë nxjerrë sekretin hetimor për këtë operacion.

“Prokuroria e Përgjithshme njofton se ka nisur procedimin penal për nxjerrje të sekretit hetimor, për funksionarët publikë, të cilët kanë publikuar informacione JOZYRTARE, lidhur me operacionin dhe hetimet,

në kuadër të të cilave janë arrestuar disa persona të dyshuar si të përfshirë në vepra të rënda penale, ndër të tjera edhe vrasje me pagesë. Procedimi në këtë rast bazohet në nenet 122 dhe 294 të Kodit Penal, si edhe në nenet 103, 104 dhe 279 i Kodit të Procedurës Penale.

Deri më tani konstatohet se nga burime, për të cilat po punohet për t’i identifikuar, i janë ofruar medias të dhëna, të cilat rrezikojnë hetimin dhe, për më tepër, jetën e personave të përfshirë në këtë çështje.

Gjithashtu, organi i prokurorisë do të vijojë të ndjekë me vëmendje çdo informacion JOZYRTAR që do të publikohet për këtë çështje dhe do të vijojë me procedimet penale për çdo person që ka për detyrë të ruajë sekretin, duke pasur parasysh se hetimi për këtë çështje është në fazat e para të tij”- thuhet në deklaratën për media/Shekulli/

KOMENTE