English

Kosova në festë. 6 vjet Pavarësi

17 shkurti– Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në të gjitha qytetet e Kosovës dhe në të gjitha ambasadat e Kosovës në botë festohet 6 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës mbajti paraditen e së hënës një seancë solemne me rastin e 6-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi: “Përulemi para dëshmorëve që dhanë jetën për pavarësinë. Kosova e pavarur për 6 vjet me radhë ka sjellë vlera demokratike dhe tashmë vendi ynë ka hyrë në projektin e integrimeve euroatlantike.”

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi kujtoi gjatë fjalës së tij “luftën e UCK-së, sakrificën e të gjithë qytetarëve për liri, punën e vazhdueshme të Rugovës dhe heroizmin e Adem Jasharit”.

“Shpreh nderimet dhe mirënjohjen përpara veprës së dëshmorëve që dhanë jetën për liri dhe pavarësi. Është ditë lumturie dhe gëzimi për ne, por në të njëjtën kohë ndjejmë dhimbje për vëllezërit dhe motrat që janë zhdukur për këtë ditë. Ne e kemi kthyer dhimbjen në forcë dhe kemi marrë në duar fatet e vendit tonë. Në emër të qytetarëve të Kosovës falenderoj të gjitha shtetet aleate perëndimore që besuan tek kauza jonë e drejtë dhe na ndihmuan në arritjen e pavarësisë. Falenderoj edhe shtetin shqiptar për ndihmën e madhe që na ka dhënë”, shtoi Thaçi.


Më tej, kryeministri i Kosovës shpalosi arritjet e politikës në këto gjashtë vite: “Në një kohë rekord kemi arritur shumë. Arritëm marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit tonë dhe atij serb. Kemi zhbërë strukturat ilegale në veri të vendit dhe kemi mbajtur zgjedhjet e para demokratike. Duhet të jemi krenarë pasi sfidat me të cilat jemi përballur kanë qenë të jashtëzakonshme.”

“Po punojmë për një Kosovë ku sundon ligji, ku shtresat sociale të trajtohen me dinjitet, ku çdo qytetar të ketë shpresë dhe mirëqenie. Ne që kemi jetuar në robëri, e dimë vlerën e lirisë e për këtë arsye do të punojmë që çdo kosovar të shijojë liritë dhe të drejtat e tij”, tha kryeministri.

Në fund, Thaçi u shpreh i bindur se Kosova do të kalojë me sukses edhe provimet e tjera që do i paraqiten në të ardhmen: “Ne po dëshmojmë se demokracia jonë funksionon normalisht. Shumë sfida kemi para dhe të gjithë bashkë duhet të jemi të përgatitur për të bërë sakrificat e duhura. Unë jam i bindur se do i kapërcejmë këto sfida pasi e kemi treguar edhe më parë këtë gjë.”

Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, tha gjatë një fjalimi pas parakalimit të FSK-së se "17 shkurti shënon historinë e pakthyeshme dhe të pamohueshme të shtetit të ri kosovar".

"Të gjithë ne po realizojmë idealin e brezave të tërë për një shoqëri të barabartë", theksoi Jahjaga.
Orët e para të mëngjesit të ditës së sotme u bënë homazheve te dëshmorët dhe tek shtatorët e heronjve të Kosovës.
Ndërsa, në ora 11:00 u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës për të vazhduar një orë më vonë me manifestimin qendror, me pjesëmarrje të njësiteve të FSK-së, Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues, ku edhe do të bëhet parakalimi i efektivave të tyre në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Kurse, rreth mesditës në organizim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi organizohet pritje solemne.

KOMENTE