English

Kujt i besojnë shqiptarët

Afrim Krasniqi analist - Kujt i besojnë shqiptarët? Kujt tjetër përveç “miracle of freedom”!? Ku tjetër përveç në banesat tona që presin legalizimin gjen flamuj të NATO-s dhe BE-së? Jemi fanatikë të NATO-s dhe BE-së sepse jemi euroatlantikë në formim dhe model shoqëror apo vijojmë të jemi viktimë të miteve dhe sloganeve që krijojmë periodikisht? Jemi të mirë-informuar apo të keqpërdorur nga retorikat politike? Nëse besojmë vetëm tek institucionet e huaja atëherë për çfarë na duhen institucionet tona, tek të cilat nuk kemi besim? Një pyetje, 100 vjet pas principatës që Fuqitë Evropiane krijuan në Shqipëri, - një vend sot në NATO dhe që kërkon ftesën për në BE!!

Tabela tregon trendin e përhershëm: ne duam NATO dhe BE (a nuk dolëm 23 vjet më parë me thirrjet e duam Shqipërinë si Evropa?), ne duam institucionet fetare dhe ushtrinë (a nuk i përdorim këto të fundit për pastrimin e rrugëve dhe lagjeve tona të banimit?), ne duam median dhe shoqërinë civile (a nuk kërkojmë të gjithë një tribunë për të folur e për tu dëgjuar?)! Mirë bëjmë që i duam por një shtet e shoqëri ka nevojë për diçka më shumë, p.sh, për institucione të besueshme e funksionale, për sistem drejtësie efektiv, për sistem shëndetësor cilësor, për qeveri, president dhe parlament që justifikojnë pritshmërinë publike dhe përgjegjësitë kushtetuese! Dhe në fund, në një sistem me (mbi)pushtet të partive politike, të cilat na nxjerrin në mitingje, na fusin dhe na heqin nga puna, bëjnë ligje për ne dhe me ne, vendosin fatin tonë politik e institucional, - partitë dhe besimi tek to është i rëndësishëm!

Si jemi ne? Ku besojmë ne? Politika thotë se besojmë tek selitë e partive dhe emrat e sundimtarëve të radhës që vijnë në politikë me premtimin për të na shërbyer dhe sapo i marrin votat (edhe kur nuk ua japim!) duan të na shndërrojnë të gjithëve, shtetin e shoqërinë, në shërbëtor të tyre!!
Tabela më e fundit e PASOS (Institutit Politik për një Shoqëri të Hapur) e shpreh qartësisht tendencën tonë dhe atë çfarë na dallon me fqinjët: në Bosnje kryesojnë besimi në TV dhe Polici, në Kosovë media dhe feja, në Maqedoni ushtria dhe sistemi arsimor, në Malin e Zi sistemi arsimor dhe shëndetësor, në Serbi ushtria dhe BE-ja. Ngushëllim? Po, në çdo vend besimi tek partitë është i pari në listë…nga fundi!

KOMENTE