Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha: Stefan Fule një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil
English

Berisha: Stefan Fule një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil

Ish-kryeministri, Sali Berisha në një opinion të publikuar në faqen e tij në Facebook ka akuzuar rëndë Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule. Sulmi vjen në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian (në fund të mandatit të Fules) si dhe kur na ndajnë pak muaj nga vendimi për statusin kandidat për Shqipërinë.

Berisha thotë se në qershor “rrezikojnë JO-në e tretë” dhe ngre disa pikëpyetje për refuzimin e statusit në tetor. Ish-kryeministri thekson se, “kushti i tre ligjeve” për statusin ishte “një kurth i Stefan Fules, (një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil, por i papërmbajtur, dhe majtist i thekur), për të bllokuar me Edi Ramën Shqipërinë në procesin e integrimit”.

Berisha e mbështet një gjë të tillë në fakt se asnjë vend tjetër nuk ka pasur kushte për marrjen e statusit kandidat dhe se legjislacioni shqiptar nuk kishte boshllëk në tre ligjet e kërkuara.

Më tej në analizën e tij Berisha flet për një kurth tjetër që zv/shefja e kabinetit të Fules i ngri Oerd Bylykbashit, (atëkohë këshilltar ligjor i Kryeministrit) pas darkës së famshme tek restorant “Krokodili”. Berisha akuzon Fulen se përdori takimin me Bylykashin për t’u thënë qeverive të BE-së se qeveria ishte përgjegjëse për dëshmin e dialogut.

“Komisioneri Fule është i papërmbajtur në serbofilinë e tij. Unë personalisht vlerësoj se filitë ndaj një kombi apo vendi janë të dobishme kurse fobitë janë të dëmshme. Por, kur filia është e papërmbajtur dhe përdoret në dëm të një vendi apo kombi tjetër, filia bëhet e dëmshme sa vet fobia. Pikërisht ky është rasti me z. Stefan Fule”, shkruan Berisha.

“Gjatë një vizite në Beograd ai, duke ditur se Presidenti i Serbise, Nikolic ishte ankuar në Bruksel se "për mua nuk është problem Hashim Thaci por Sali Berisha", Stefan Fule i lejoi vetes te lexoj në krah të Presidentit Nikoliç, një akt-akuzë, kundër nacionalizmit të rrezikshëm shqiptar të Sali Berishës të cilën, ose ia diktoi fjalë për fjalë Nikoliçi ose Komisioneri ngatërroi "pa dashje" letrat dhe lexoi komunikatën e këtij të fundit kundra meje”, nënvizon ish-kryeministri.

Shkrimi i plotë i Berishës:

Një JO e plotë për të dytën herë, ishte kartolina e fundvitit që kaloi e Brukselit për Shqipërinë, për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE. Ky refuzim i përsëritur, përbën problemin më madhor sot për ne shqiptarët.

Çfarë po ndodh me ne? Ku po shkojmë? Janë pyetjet që shtron për përgjigje çdo qytetar i këtij vendi.

Shqipëria, pasi ka firmosur me BE dhe ratifikuar me vendet anëtare të tij Marrëveshjen e Stabilizm Asociimit, ka dorëzuar në prill të vitit 2009 dhe i është pranuar kërkesa për anëtarësim në BE, ka marrë Pyetësorin me mijëra pyetje e nënpyetje dhe janë pranuar përgjigjet e saj, meritoi heqjen e vizave dhe rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat në 100-vjetorin e Pavarësisë por që, me një akt të paprecedent në historinë e integrimit europian, këtë rekomandim e bllokoi Edi Rama, duke refuzuar votimin e tre ligjeve në Parlament.

Në tetorin që shkoi Shqipëria, mori përsëri dhe pa asnjë kusht, rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat. Me gjithë këtë, Këshilli i Ministrave të BE refuzoi, në fund të dhjetorit që kaloi, këtë rekomandim. Ky refuzim ndodhi edhe pse zgjedhjet e qershorit u vlerësuan pozitivisht dhe rotacioni i pushtetit ishte normal, ndonëse këto nuk ishin kushte për statusin e vendit kandidat, padyshim ishin dëshmi thelbësore të funksionimit të shtetit ligjor. Statusi na u refuzua për së dyti, edhe pse tetë Ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të BE, firmosën një letër në të cilën mbështesnin dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.

Po kështu, statusi u refuzua edhe pse Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, me datë 26 Nëntor u drejtoi një letër Ministrave të Jashtëm të BE, në mbështetje të rekomandimit të Komisionit Europian për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Theksoj këtu se, letra e tij bazohej pjesërisht në të vërteta të pamohueshme, por kishte dhe paragrafe të tërë gjysmë dhe të pavërtetë, sikur të ishin shkruajtur në zyrën e Edi Ramës, duke injoruar faktin e thjeshtë se pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të BE kanë përfaqësi diplomatike në Tiranë, që informojnë online qeveritë e tyre mbi zhvillimet në Shqipëri.

Statusi u refuzua përsëri dhjetorin që kaloi, edhe pse për herë të parë pas katër vitesh, opozita shqiptare, tani PD, nuk kundërshtonte por mbështeste fuqishëm dhënien e tij dhe po kështu, po për herë të parë pas katër vitesh, tetorin që kaloi u arrit të miratohet deklarata e përbashkët e delegacionit të Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Europian. Statusi i vendit kandidat iu refuzua për së dyti Shqipërisë edhe pse Parlamenti Europian me dt. 5 dhjetor 2013 miratoi rezolutën, me të cilën kërkonte dhe mbështeste dhënien e statusit kandidat vendit tonë.

Kjo që ka ndodhur me ne shqiptarët, nuk ka ndodhur me asnjë komb apo vend tjetër në Europë dhe përbën një spirale të rrezikshme për vendin dhe të ardhmen e tij europiane. Por, më e keqja është se, ne nuk kemi ende vetëdijen e plotë të shkaqeve të vërteta dhe pasojave serioze të këtyre zhvillimeve.

Në këtë moment të veçantë, të kësaj tronditje vërtetë madhore, nga refuzimi i përsëritur i statusit të vendit kandidat, është jetike të bëjmë një analizë tërësore të udhëtimit tonë drejt Europës, dhe mbi të gjitha, është koha të jemi shumë seriozë ndaj këtij projekti, të mos ndëshkojmë më tej veten.

Kjo analizë, që sot PD është në opozitë dhe PS në pushtet, nuk vlen për akuza politike. PS, pavarësisht nga qëndrimet e saj, është votëbesuar nga shqiptarët, kurse PD, në opozitë, është zotuar të mbështesë pa kushte procesin e integrimit. Por, analiza është jetike për çdo qytetar shqiptar, për të patur të qartë kushtet, vështirësitë, pengesat në rrugën e integrimit, në mënyrë që ai ose ajo të luajnë rolin që iu takon dhe të japin kontributin e tyre në realizimin e projektit tonë më të rëndësishëm.

Çdo qytetar, politikan, intelektual, i ri apo dhe i moshuar që konsideron projektin e integrimit europian vendimtar për të ardhmen e tij e të fëmijëve dhe të vendit të tij, duhet të ndalet sot dhe të shtrojë pyetjet:

-Pse ne shqiptarët, si askush tjetër, e humbëm trenin e statusit të vendit kandidat, jo vetëm për të parën, por edhe për të dytën herë?

-Pse nuk u caktuan zgjedhjet si një kërkesë për akordimin e statusit, me gjithë zhurmën e Edi Ramës për zgjedhjet e vitit 2009?

-Pse zgjedhjet dhe rotacioni normal i pushtetit të vitit 2013, megjithëse u lavdëruan dhe rritën kredencialet e demokracisë shqiptare, nuk bënë të mundur marrjen e statusit?

-Pse statusi iu refuzua Shqipërisë, me gjithë letrën mbështetëse të Ministrave të Punëve të Jashtme të tetë vendeve anëtare të BE-së dhe rezolutën e Parlamentit Europian?

-Pse njëra forcë politike, PD, ia doli në tetë vite të garantojë një poces integrimi europian të pandërprerë, që nga firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit deri tek meritimi për dy vite me radhë i rekomandimit të statusit të vendit kandidat?

-Përse forca tjetër politike, PS, në tetë vite të saj në pushtet, arriti vetëm pas kompromisit në vitin 2001, të zgjedhjes së Presidentit konsensual, hapjen por jo mbylljen e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit?

-Pse PS, në opozitë, nuk njohu zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, të cilat përmbushën standardet ndërkombëtare dhe protestoi e bëri gjithçka për bllokimin e vizave, nuk votoi tre ligjet dhe bllokoi dy vite me rradhë statusin?

-Pse për Shqipërinë, pasi nuk iu dha statusi në dhjetor, kësaj radhe nuk u la një rishqyrtim për këtë vendim në mars, nga Ministrat e Jashtëm të BE, siç u la në vitin 2012, por u caktua qershori dhe u kërkua raport i ri për zhvillimet në vend?

Për t'iu përgjigjur drejt këtyre pyetjeve le t'iu referohemi fakteve, më së pari lidhur me qëndrimin e dy forcave kryesore politike ndaj procesit të integrimit. Latini thotë; "Facta sunt servanda".

Në 8 vite të shkuara PD dhe aleatët e saj në pushtet, ia dolën që me reforma të thella e të gjithanshme, të garantojnë ecuri të pandalshme të proçesit të integrimit, gjë që bëri të mundur ftesën dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në BE, ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje me 27 vëndet anëtare të BE, pranimin në Prill të vitit 2009 nga Presidenca Çeke, pas ujdisë me vendet anëtare, të kërkesës së Shqipërisë për hapjen e proçesit për anëtarësim të plotë në BE. Në vjeshtën e vitit 2009, me vendim të Këshillit të Ministrave të BE, Shqipërisë iu dorëzua pyetësori me 2284 pyetje dhe 2000 nënpyetje dhe, pa vonesë, u plotësuan përgjigjet, të cilat u vlerësuan të suksesshme. Në vitin 2010 u hapën negociatat për heqjen e vizave dhe pasi plotësuam mbi 120 kërkesa të udhërrëfyesit për heqjen e vizave, merituam heqjen e tyre. Në vitin 2012 u plotësuan të 12 kushtet që vendosi një vit më pare Komisioni Evropian dhe, në 100-vjetorin e Pavarësisë, morëm rekomandimin, për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votoheshin në Parlament tre ligjet, për të cilat ishte arritur konsensusi i plotë në çdo nen të tyre që në janar të vitit 2012. Komisioni Europian, në tetor të vitit 2013, përsëriti sërish, por kësaj rradhe pa asnjë kusht, rekomandimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

PD, në opozitë, shpalli se do të mbante një qëndrim të kundërt me qëndrimin që kishte mbajtur PS ndaj procesit të integrimit. PD, në dallim të plotë nga PS që bllokoi procesin e statusit, deklaroi që në fillim se, mbështet pa kushte procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjatë vjeshtës loboi politikisht për statusin e vendit kandidat madje, shprehu gadishmërinë për të lobuar së bashku me mazhorancën në Bruksel dhe vënde anëtare të BE. Por, ky propozim, jo pa qëllim, nuk u përfill nga mazhoranca. Ne ofruam lobimin së bashku sepse kjo ishte rruga më e sigurtë për të bindur vendet anëtare që një ndër kushtet më kryesore për vendimin e tyre pozitiv, kanë bashkëpunimin pozitë-opozitë. PD në opozitë, paraqiti ne nentor në Parlamentin tonë rezolutën për statusin e vendit kandidat. Ajo bëri të mundur, për herë të parë pas katër vitesh, miratimin vjeshtën që kaloi të deklaratës së përbashkët të delegacioneve të Parlamentit shqiptar dhe Parlamentit Europian per dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.

Natyrisht, si opozitë e vertet PD ka denoncuar çdo ditë haptas dhe publikisht, në media, Parlament e kudo, dhunimin e Kushtetutës, ligjeve, vendimeve të gjykatave, lirive dhe të drejtave njerëzore të qytetarëve, standarteve europiane me vendime të qeverisë Rama-Meta, kryekreut dhe ministrave të saj. Ajo, si parti e vlerave dhe parimeve të qendrës së djathtë, vokacionit perendimor të shqiptarëve, nuk ka pranuar dhe kurrë nuk do pranojë, sugjerimet e ndonje miku te Edi Rames apo dëshmitarëve të rremë për të mbyllur një apo të dy sytë, para revanshit të egër dhe të papërmbajtur ndaj shtetit ligjor të Edvin Kristaq Ramës, Ilir Metës dhe pushtetit të tyre. Unë besoj se, miqtë e vërtetë të shqiptarëve janë ata që, në interesin më të madh të qytetarëve shqiptarë, insistojnë publikisht e jopublikisht, për respektimin e shtetit ligjor, Kushtetutës, ligjeve të vendit, insistojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por theksoj këtu se, duke denoncuar publikisht revanshin e qeverisë Rama-Meta, opozita nuk është penguar dhe nuk pengohet për të mbështetur, lobuar për statusin e vendit kandidat.

PD ishte dhe është e bindur se rekomandimi i Komisionit Europian, dy vite me rradhë, ishte i drejtë dhe se Shqipëria e meritonte dhe e meriton statusin e vendit kandidat.

Po, cili ka qenë qëndrimi politik i PS ndaj procesit të integrimit në vite? Përsëri le t'u referohemi fakteve.

Në të gjithë procesin e integrimit europian, PS në pushtet dhe opozitë, regjistron vetëm hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në vitin 2002 dhe kjo u be e mundur vetem pas kompromisit per zgjedhjen e Presidentit konsensual të diktuar nga dhunimi i zgjedhjeve te pergjithshme te vitit 2001 nga qeveria socialiste. Keto negociata u bllokuan për shkak të dhunimit nga PS të zgjedhjeve të vitit 2003. Më pas në vazhdimesi PS ka mbajtur qëndrime të hapura, si asnjë parti tjetër në Europë, kundër çdo hapi në drejtim të procesit të integrimit.

Në Shqipëri ka ndodhur, dhe jo në ndonjë vend tjetër, që në pranverë të vitit 2006, kur Presidenca Austriake dhe Qeveria Shqiptare po lobonin fuqishëm për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE, për të bllokuar këtë marrëveshje, firmosjen e saj, Edi Rama, PS, pa asnjë shkak, urdhëroi deputetët e tij të futeshin në Parlament me daulle, borie dhe bilbila, vetëm e vetëm për t'iu provuar europianëve se, Shqipëria nuk është e denjë për firmosjen e kontratës historike të saj me BE.

Pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje, në 10 qershor të vitit 2006, duhej ratifikimi i saj në 27 parlamente të vendeve anëtare të BE. Edi Rama dhe delegacionet e shumta të PS lobuan me të gjitha partitë e ekstremit të majtë, për të bllokuar ratifikimin e Marrëveshjes me Shqipërinë nga vendet anëtare. Marrëveshja, u ratifikua në kohe nga parlamentet e 27 vendeve.

Në prill të vitit 2009, Presidenca Çeke, natyrisht në ujdi me vendet anëtare, pranoi kërkesën e Shqipërisë për të hapur procesin për anëtarësim të plotë në BE. Edi Rama dhe PS e denoncoi publikisht këtë akt, si një akt elektoral.

Pas zgjedhjeve të vitit 2009, të cilat u vlerësuan nga misionet e vezhgueseve te huaj si zgjedhje që plotësuan standartet kryesore të OSBE/ODHIR dhe të cilat nuk patën numërim të parregullt as dhe manipulim rezultati, Edi Rama, me qëllim bllokimin e procesit të integrimit, bojkotoi parlamentin, nisi protestat për rinumërimin e votave, pasi kolegji elektoral zgjedhor kishte hedhur poshtë këtë kërkesë. Por me gjithë këto, Ministrat e Jashtëm të BE-së, autorizuan Komisionin Europian për t'i dhënë pyetësorin Shqipërisë, me të cilin provohej nëse administrata, institucionet shqiptare ishin të aftë, kishin kapacitetet e duhura për t'u angazhuar në procesin e integrimit.

Në maj të vitit 2010, Parlamenti dhe Komisioni Europian, vendosën për hapjen e procesit të negociatave për heqjen e vizave me Shqipërinë. Edi Rama dhe PS për t'i bllokuar këto vendime, zhvilloi grevën 3-javore të urisë para Kryeministrisë dhe bashkepunoi ngushte me deputetët racist antishqiptar të ekstremit të majtë në PE, për të bllokuar procesin, sikundër ndërmorri serinë e protestave në mbarë vendin, nën moton: "hap kutitë, të çlirosh vizat!".

PS dhe Edi Rama në opozitë bllokuan, për katër vite me rradhë, deklaratën e përbashkët të delegacionit të Parlamentit tonë dhe të PE, për procesin e integrimit të Shqipërisë.

Në tetor të vitit 2012, pra në 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit kur, Komisioni Europian konstatoi se Shqipëria ka plotësuar kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat dhe la edhe një afat 40 ditor për t'ia nisur Këshillit këtë rekomandim, gjatë të cilit Parlamenti shqiptar duhet të miratonte tre ligjet për të cilat PD dhe PS kishin rënë dakord që në janar të vitit 2012, me ndërmjetësim të vet Komisionit Europian, Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk i votoi ato dhe bllokoi në jubileun e shekullit, statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Bllokimi i statusit të vendit kandidat, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ishte vendimi politik dhe akti më antishqiptar me antikombëtar i Edvin Kristaq Ramës.

Në dhjetor të vitit 2012, Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi me dashamirësi marsin e viti 2013, si një afat tjetër për votimin e ligjeve dhe rishqyrtimin e statusit për Shqipërinë. Por sërish, Edi Rama bllokoi dhe këtë mundësi me mos votimin e tre ligjeve. Ai i votoi këto ligje vetëm me 31 maj të vitit 2013.

Personalisht kam qenë i dyzuar në vlerësimin tim ndaj kushtit të tre ligjeve. Nuk dua ta fsheh. Dhe tani, pasi e kam denoncuar haptas në samite të EPP por edhe në takime bilaterale me drejtues kryesorë të BE, dua t'i informoj shqiptarët se, ndonëse unë nuk besoj në teorinë konspirative, kushtin e tre ligjeve e kam konsideruar një kurth të Stefan Fules, Komisioner i Zgjerimit, (një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil, por i papërmbajtur, dhe majtist i thekur), për të bllokuar me Edi Ramën Shqipërinë në proçesin e integrimit. Madje edhe sot mendoj se kjo mundësi nuk përjashtohet. Dyshimet e mia tek ky kurth nuk ishin pa baza. Kjo sepse, ky ishte një kusht që nuk i ishte vendosur kujt ndonjëherë, dhe në legjislacionin tonë nuk kishte boshllëk ligjor për këto tre ligje.

Jo për të humbur kohë me memorie por për të ndriçuar të vërtetën, dua të rikujtoj këtu se, pas bojkotit në vjeshtën e vitit 2009 nga Edi Rama të Parlamentit shqiptar, Parlamenti Europian në maj të vitit 2010, mori nismën e ndërmjetësimit midis PD dhe PS, dhe organizoi darkën në restorant "Krokodil" në Strasburg dhe në një seri takimesh të tjera në Tiranë e Bruksel midis përfaqësuesve të PD dhe PS. Në të gjitha takimet, ishin të pranishëm përfaqësuesit e dy grupeve të mëdha parlamentare të PE, pra grupit të Partisë Popullore dhe Partisë Socialiste Europiane dhe si vëzhgues e përfaqsues të Komisionit Europian. Në këto takime të gjitha palët ia kishin bërë të qartë Edi Ramës se kutitë nuk mund të hapeshin dhe se oferta e qeverisë per te pranuar edhe jashte afatit kohor hetimin nga Prokuroria per cdo faktqe do te paraqiste PS është e drejtë dhe duhet pranuar. Një pohim të tillë bëri në Dubrovik, në korrik të vitit 2010, në prani të Ilir Metës edhe Kryetari aktual i socialistëve në Parlamentin Europian, J. Sëoboda që erdhi në Shqipëri muajin e kaluar për të përsëritur sulmet bajate të dyshes Rama-Meta ndaj Mbretërise së Hollandes, paçka se sebashku me qeverine hollandeze statusin e refuzuan edhe qeverite socialiste te Frances dhe Danimarkes.

Në vjeshtën e vitit 2010, u organizua një takim midis palëve ku merrnin pjesë Oerd Bylykbashi dhe përfaqësuesi i PS, Arben Ahmetaj. Pas përfundimit pa sukses të takimit pesë orësh, në të cilin PS refuzoi të gjitha propozimet, zv/shefja e kabinetit të Fules, së bashku me një tjetër, ftuan në zyrën e tyre Oerdin me pretekstin për të bërë një përmbledhje të bisedimeve të paradites. Por, në fakt Oerdit, në zyrat e Fules, i kishin përgatitur një kurth të denjë vetëm për zyrat e shërbimeve të vjetra. Që në fillim, vartësit e Fules, nuk thanë asgjë për bisedimet e paradites, por nisën të parashtrojnë si të tyret, propozimet e Edi Ramës, të hedhura poshtë në të gjitha takimet, përfshi takimin e asaj paraditeje, nga ne dhe përfaqësuesit e grupeve kryesore të Parlamentit Europian. I gjetur para një stisje të tillë banale, Oerdi pasi u thotë se ju këtu më keni thirrur për diçka tjetër, u kërkon ndjesë dhe largohet nga takimi. Kurse z. Fule shfrytëzoi këtë takim për të formuluar dhe dërguar një qarkore qeverive të vendeve anëtare të BE. Në këtë qarkore dizinformoi këto qeveri, duke shkruajtur se perfaqesuesit e qeverise shqiptare refuzuan propozimet konstruktive të opozitës për zgjidhjen e ngërçit politik. Kështu, sipas z. Fule, qeveria ishte përgjegjëse për dështimin e dialogut, ndërkohë që e kundërta ishte e vërtetë. Ky ishte një mashtrim. Dialogu qeveri-opozitë në çdo takim ishte zhvilluar me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të të dy grupeve më të mëdha

parlamentare të PE. Në të gjitha takimet, me unanimitet, ishte hedhur poshtë nga të gjitha palët, përvec PS-së, kërkesa për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave.

Pas kësaj, Fule mashtrimin e tij, e futi në raportin e Komisionit të botuar në tetor të vitit 2010 për Shqipërinë, ku shkruan: "Qeveria nga ana e saj nuk ka treguar vullnet për të bërë kompromis me propozimet e PS për kapërcimin e ngërçit politik". Para botimit të raportit, ne u informuam për këtë paragraf, këtë akuzë, dhe dërguam çështjen tek Presidenti Barroso. Në një bisedë të shkurtër që pata me Barroson per kete çeshtje ai më tha se e kishin korrigjuar paragrafin. Padyshim që kjo kishte qenë porosia e tij. Në të vërtetë z Fule, paragrafin nuk e korrigjoi. Pas këtij akti, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popllore, J. Daul, hodhi poshtë dhe denoncoi publikisht, në një konferencë shtypi të përbashkët me mua në Bruksel, raportin e z.Fule për Shqipërinë, duke deklaruar se ky raport nuk është fotografia e vërtetë e realitetit të Shqipërisë dhe qëndrimit të qeverisë shqiptare.

Mirepo z. Fule dhe Rama, qëllimin e realizuan dhe, me miratimin ose jo të Komisionerit të Zgjerimit, Edi Rama përdori këtë raport, krahas videos për Ilir Metën, për të organizuar puçin e 21 Janarit.

Më sipër theksova se, Komisioneri Fule është i papërmbajtur në serbofilinë e tij. Unë personalisht vlerësoj se filitë ndaj një kombi apo vendi janë të dobishme kurse fobitë janë të dëmshme. Por, kur filia është e papërmbajtur dhe përdoret në dëm të një vendi apo kombi tjetër, filia bëhet e dëmshme sa vet fobia. Pikërisht ky është rasti me z. Stefan Fule.

Kështu, gjatë një vizite në Beograd ai, duke ditur se Presidenti i Serbise, Nikolic ishte ankuar në Bruksel se "për mua nuk është problem Hashim Thaci por Sali Berisha", Stefan Fule i lejoi vetes te lexoj në krah të Presidentit Nikoliç, një akt-akuzë, kundër nacionalizmit të rrezikshëm shqiptar të Sali Berishës të cilën, ose ia diktoi fjalë për fjalë Nikoliçi ose Komisioneri ngatërroi "pa dashje" letrat dhe lexoi komunikatën e këtij të fundit kundra meje.

Përveç këtyre, pas falimentimit të CEZ në Shqipëri, vendimit të qeverisë shqiptare për të marrë administrimin e sipërmarrjes, Komisioneri i Zgjerimit, i lidhur ngushtë me CEZ dhe në konflikt të hapur interesi, deklaroi se kjo ngjarje dëshmon për klimën jo të mirë të biznesit në Shqipëri. Kjo deklaratë, dëshmi e interesave komerciale të Komisionerit të Zgjerimit, ishte fund e krye e pavërtetë. Kompania e mirënjohur e energjisë CEZ, u largua nga Shqipëria, pasi ajo falimentoi plotësisht në menaxhimin e ndërmarrjes, rriti humbjet nga 28% në 54%, kreu akte të paimagjinueshme duke ndërprerë furnizimin me energji të ujësjellësave të qyteteve të mëdha, me qëllim destabilizimin e vendit, krijoi skema mashtrimi për të cilat ndiqet nga Prokuroria. Sot flitet se në bisedimet Rama-Fule është arritur dhe një marrëveshje për CEZ. Me të drejtë mund të shtrohet pyetja pse këto qëndrime të z. Fule ndaj Shqipërisë? Une nuk kam një përgjigje të saktë. Mundet që këto qëndrime të lidhen me majtizmin e tij të thekur, ndofta me serbofilinë e tij të zjarrtë, apo testamentin e gabuar të presidentit të nderuar Mazerick për shqiptarët, ose mundet nga shkaqe të tjera. Vetëm një gjë është e sigurtë, se ato nuk lidhen me qëndrimet gjithnjë miqësore të qeverisë çeke ndaj Shqipërisë.

Mirëpo dua të jem i hapur se megjithëse dija të gjitha keto qëndrime por dhe te tjera te Komisionerit të Zgjerimit Fule dhe i kisha denoncuar ato publikisht në EPP dhe jo vetëm aty, por dhe ia kisha shprehur atij vetë drejt e në sy, nuk mendoj se Stefan Fule është përgjegjës për mosmarrjen e statusit në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë. Përkundrazi. Do më dukej e pandershme që këtë përgjegjësi ta projektoi tek ai, apo ta kërkoj jashtë vendit tim. Në bindjen time më të thellë, pavarësisht se ka patur apo jo një marrëveshje midis Stefan Fules dhe Edi Ramës në çështjen e tre ligjeve, caktimi i këtij kushti, më pelqen apo jo, nuk ka pse të mos konsiderohet i drejtë. Kjo sepse, tre ligjet nuk lëndonin interesat e qytetarëve shqiptarë, në të kundërtën ato vetëm sa përmirësonin standartet e ligjeve ekzistuese dhe për votimin e tyre ishte rënë dakort që në janar të vitit 2012. Tre ligjet pra ishin de facto te miratuara dhe te akuzosh tjetrin pse i vuri si kusht, nderkohe qe i yti i bllokon ato, eshte e papranueshme. Natyrisht, dënimi i një populli dhe vendi për qëndrimet e papërgjegjshme të një njeriu apo një force politike përbënin, për mua, në pamje të parë një veprim të padrejtë. Por, nga ana tjetër, procesi i integrimit europian për të qenë një proces i besueshëm dhe i qëndrueshëm për BE, por edhe për vet Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk mund dhe nuk duhej të thellohej si një proces në të cilin, në të gjitha etapat e tij, roli i forcave kryesore politike të ishte thellësisht asimetrik. Ai mund të ecë i sigurt dhe të konsolidohet vetëm si një proces përfshirës, që ka mbështetjen e qeverisë dhe opozitës.

Kështu që, në rast se vërtet PS ishte e interesuar për integrimin, ajo duhet t'ju provonte shqiptarëve dhe europianëve këtë dhe duhej të votonte tre ligjet e kërkuara.

Këto ishin qëndrimet politike të PS dhe Edi Ramës ndaj procesit të integrimit. Ky ishte Edi Rama, politikani i vetëm në Europë që tetë vite në opozitë, bëri gjithçka kishte në dorë për bllokimin e ketij procesi. Ai me bllokimin e statusit te vendit kandidat, privoi qytetarët shqiptarë nga qindra miliona euro, por mbi të gjitha, nga një pasaportë e re dinjitoze dhe shumë e vyer në rrugën e integrimit. Edi Rama dhe kupola e PS nuk kanë interes integrimin, por vetëm axhendën personale, të pushtetit personal, hakmarrjes, urrejtjes dhe pasurimit të tyre. Në trashëgiminë e tyre ideologjike, ende janë të gjalla reflekse anti dhe mosbesimi ndaj institucioneve europiane dhe euroatlantike dhe përparësia absolute e pushtetit personal ndaj çdo gjëje tjetër.

Pikërisht për këtë qëndrim te pashembullt public negative te tij ndaj vendit, gjatë një vizite në Bruksel, një nga personalitetet më kryesore në Europë, do të më shtronte pyetjen: Mirë se Edi Rama mban një qëndrim qartësisht antishqiptar, por si ka mundësi që deputetët socialistë, të mbështesin qëndrimin e tij kundër interesave të popullit të vet? Pyetja ishte e vështirë, por vetëtimthi, me erdhën në mendje fjalët e Harry Fultz, që shkruante se: "në kafenetë e Tiranës gjen njerëz që diskutojnë me me mençuri, finesë dhe kompetencë për ngjarjet dhe politikën botërore se sa në kafenetë Ëashingtonit, por problemi i tyre është se ata kanë vetëm interesa personale". Prandaj unë pa humbur kohë u pergjigja : "ata kanë vetëm interesa personale".

Por pavarësisht nga këto, duhet pranuar se, shqiptarët, qytetarët me mbështetjen më të lartë për integrimin, më 23 qershor me votën e tyre, zgjodhën Edi Ramën dhe premtimet e tij elektorale. Ato nuk votuan për bllokimin e integrimit nga Edi Rama, por amnistuan atë dhe të gjitha qëndrimet e tij anti-integruese. Në të vertetë, zgjedhjet e 23 qershorit e amnistuan Ramën edhe në Bruksel. Natyrisht ato nuk zhdukën dhe nuk mund të zhdukin për shumë kohë nga memoria dhe arkivat e Brukselit dhe kancelarive të vendeve anëtare, qëndrimet e tij kundër integrimit. Ndaj, dhe në vizitën e tij të parë në Bruksel, ai mori mesazhe mbështetëse për projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si dhe kërkesa të qarta për këtë proces. Por, siç është në natyrën e tij, harroi fill kërkesat dhe u mburr para kohe si burracak me mbështetjen.

Personalisht, për një farë kohe, pas ardhjes së tij në pushtet, duke ditur origjinën e tij si pinjoll i bllokut, admirimin e fshehur për etërit e tij shpirtëror, kam menduar se atij nuk i intereson aspak integrimi. Ky mendim u perforcua edhe me shume nga zemerimi i tij i hapur me raportin e fundit te Komisionit Europian, ne te cilin ne cdo paragraf Shqiperia e zeze e 1 milion te papuneve, qe ai ka krijuar ne mendjen e tij te semure, nuk ekzistonte.

Mirëpo, gjatë një bisede, një mik i çmuar më faktoi, më provoi me fakte, se kjo nuk është e vërtetë. Problemi është shumë më serioz. Atij i intereson integrimi, por i bazuar në pazare dhe jo në meritë, atij i intereson integrimi, por vetëm si proces që shkon sipas interesit të pushtetit të tij personal pra si proces që, në realitet si i tillë, nuk ekziston. Dhe kjo është më e keqja, sepse në rast se atij nuk i interesonte integrimi, mund të kthente, ndryshonte mendjen, kurse në rastin e dytë, Edi Rama, për shkak të trashëgimisë së tij politike dhe të problemeve serioze të lidhura direkt me shëndetin e tij mendor, nuk mund të ketë kurrë interesa të tjera, veçse atyre personale, të cilat i konsideron si interesa supreme publike.

Prandaj dhe mund te konkludojme se, vetëm një njeri që ka një koncept të tillë për integrimin, mund të akuzojë me mosmirënjohje 5 vende kryesore të BE-së për refuzimin e statusit të vendit kandidat Shqipërisë për shkak të ekstremit të tyre të djathtë.

Ndërkohë, që ai personalisht dhe partia që ai drejton, për tetë vite me rradhë bën gjithçka me ekstremin e majtë dhe të djathtë, albanofobet, brenda dhe jashtë vendit, kundër integrimit të Shqiperise. Pra këto ishin qëndrimet e Edi Rames dhe PS ndaj integrimit, por përsëri më duhet të pohoj se bilbilat, boritë, daullet, grevat e urisë, bojkoti i Parlamentit, mosvotimi i ligjeve, ndonëse të gjitha janë qëndrime të qarta anti-integruese, problemi më madhor i shqiptarëve dhe Shqipërisë ndaj integrimit europian nuk janë ato, por është qëndrimi ndaj standarteve europiane.

KOMENTE