Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rregullat e reja për të gjetur punë në administratë. Çdo gjë nëpër vrimën e gjilpërës
English

Rregullat e reja për të gjetur punë në administratë. Çdo gjë nëpër vrimën e gjilpërës

Nëse kërkoni të hyni pa meritë në administratën publike, me vendimin e ri të qeverisë, për shkak të kushteve dhe procedurave, do t’ju duhet një ushtri me miq. Edhe nëse e ndjeni veten të aftë, sërish duhet të përgatiteni. Së pari, duhet të njihni vendimin e djeshëm që ndryshon procedurat dhe kriteret e emërimit të nëpunësit. Do të kaloni si në vrimën e gjilpërës tek një komitet i pranimit.

Emrin e ka si komitetet ekzekutive të asaj kohe, por funksioni i tij është civil. Ky organizëm iu shpëton nga abuzimet e drejtorëve dhe konkurrimet false që e mbushnin administratën me militantë. Gjithçka përcaktohet në procedurën e re të rekrutimit, emërimit dhe periudhës së provës për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, si dhe mënyrën e lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë.

Si zgjidhet komiteti

Sipas vendimit të qeverisë, Departamenti i Administratës Publike (DAP), për institucionet e administratës shtetërore, krijon Komitetin e Përhershëm të Pranimit (KPP), për pranimin për çdo grup të administrimit të përgjithshëm ose të posaçëm. Ndërsa pranë institucioneve të pavarura dhe njësive të qeverisjes vendore krijohen KPP të veçanta. Vendimi përcakton se, në përbërje të KPP-së janë pesë anëtarë: a) Një anëtar nga njësia përgjegjëse, i cili kryeson KPP-në; b) Për institucionet e administratës shtetërore, 2 anëtarë nga burimet njerëzore të Kryeministrisë/ ministrive, pjesë e kategorisë së mesme drejtuese, të përcaktuar me short çdo dy vjet, i organizuar nga DAP-i.

Për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, komiteti ka 2 anëtarë të zgjedhur nga titullari midis nëpunësve të institucionit, nëse është e mundur të nivelit të mesëm drejtues; c) Dy ekspertë të fushës përkatëse, Ekspertët zgjidhen nga njësia përgjegjëse, për secilën KPP. Ata merren nga radhët e pedagogëve të universiteteve, ekspertët e licencuar apo ekspertët që vijnë nga profesionet e rregulluara dhe që kanë të paktën 5 vjet eksperiencë në atë profesion. Listat me emrat e ekspertëve përditësohen nga DAP-i çdo dy vjet.

Si funksionon komiteti

Njësia përgjegjëse, 7 ditë para fazës së vlerësimit të kandidatëve, njofton KPP-në për datën dhe për listën e kandidatëve. Komiteti merr vendime në praninë e të gjithë anëtarëve të tij. Për vlerësimin e rezultateve të konkurrimit për secilin kandidat, çdo anëtar jep pikët e tij. Në përfundim pikët mblidhen dhe më nxirret mesatarja e përgjithshme, e cila përbën edhe vlerësimin përfundimtar të kandidatit. Puna e ekspertëve, sipas vendimit të qeverisë, shpërblehet me shumën prej 10 mijë lekë për çdo konkurs.

Pranimi në shërbimin civil

DAP-i organizon procedurën e pranimit për të gjitha pozicionet e kategorisë ekzekutive për administratën shtetërore, ndërsa njësitë përgjegjëse në institucionet e pavarura ose në njësitë e qeverisjes vendore e kryejnë vetë këtë proces. Për administratën shtetërore, shpallja e procedurës së pranimit bëhet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe faqen zyrtare të DAP-it, ku qëndron e publikuar deri në përfundimin e procedurës së pranimit. Institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore bëjnë shpalljen e procedurës së pranimit për secilin grup në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në stendat e informimit të publikut. Shpallja bëhet të paktën 60 ditë kalendarike para datës së konkurrimit. Gara Konkurrimi zhvillohet në dy faza: a) Verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përcaktuara në shpalljen për konkurrim; b) Vlerësimi i kandidatëve. Njësia përgjegjëse, në bazë të dokumentacionit të paraqitur, jo më vonë se 5 ditë nga data e mbylljes së pranimit të tyre, bën verifikimin paraprak të kandidatëve, që përmbushin kërkesat. Ata renditen në një listë sipas rendit alfabetik, e cila shpallet online.

Kandidatët, që nuk plotësojnë kërkesat, renditen në një listë të veçantë, në të cilën tregohen edhe arsyet. Lista administrohet nga njësia përgjegjëse, por nuk bëhet publike. Ata që nuk janë kualifikuar njoftohen dhe brenda 5 ditëve dhe kanë të drejtë të ankohen pranë njësisë përgjegjëse. Ankuesi merr përgjigje brenda 5 ditëve nga data e depozitimit të saj. Në vlerësimin e kandidatëve përfshihen: vlerësimi i jetëshkrimit, testi me shkrim dhe intervista e strukturuar me gojë. Totali i pikëve të vlerësimit të kandidatëve është 100, nga të cilat 70 pikë i ka testi me shkrim. KPP-ja, 24 orë përpara zhvillimit të fazës së vlerësimit të kandidatëve, përgatit një grup pyetjesh për testimin e fushës së njohurive, të aftësive e të cilësive të shpallura. Nëse kandidati grumbullon të paktën 40 pikë nga vlerësimi me shkrim, ai i nënshtrohet intervistës së strukturuar me gojë.

KPP-ja liston kandidatët fitues me mbi 70 pikë, duke filluar nga kandidati me rezultatin më të lartë. Kur kandidatët kanë pikë të barabarta zgjidhet ai me aftësi të kufizuara, i gjinisë më pak të përfaqësuar ose me short. Nëse asnjë nga kandidatët nuk merr 70 pikë, atëherë komiteti vendos përfundimin e fazës së vlerësimit pa asnjë të përzgjedhur fitues. Pas tri ditëve nga shpallja, njësia përgjegjëse fton kandidatët fitues, duke respektuar renditjen e tyre, të zgjedhin nga lista e pozicioneve ekzistuese të lira, për të cilat kanë konkurruar. Në rast refuzimi për vendet vakante të propozuara, kandidati vazhdon të qëndrojë në listën e fituesve për një periudhë dyvjeçare.

Si bëhet lëvizja paralele e nëpunësit civil

1. Procedura e lëvizjes paralele bëhet për plotësimin e vendeve të lira në kategorinë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese në çdo institucion të shërbimit civil.

2. Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati për këtë procedurë janë: a) Të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori për të cilën aplikon; b) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi; c) Të ketë të paktën një vlerësim pozitiv; ç) Të plotësojë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.

3. Shpallja për vendin e lirë qëndron në portal deri në përfundimin e procedurës së konkurrimit.

4. Shpallja është e hapur për të gjithë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të gjitha institucionet pjesë e shërbimit civil. Në rastin e lëvizjes paralele, afati i dorëzimit të dokumenteve është 30 ditë nga momenti i shpalljes në portal.

5. Procedura e lëvizjes paralele përfshin dy faza: a) Verifikimin e kandidatëve, të cilët përmbushin kushtet e lëvizjes paralele dhe kërkesat e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim; b) Vlerësimin e kandidatëve, ku përfshihen vlerësimi i jetëshkrimit, eksperienca, trajnimet, kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse, si dhe vlerësimet pozitive dhe intervista e strukturuar me gojë.

6. Njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore bën verifikimin e kandidatëve, të cilët përmbushin kushtet e lëvizjes paralele.

7. Kandidatët, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e veçanta, renditen sipas rendit alfabetik dhe i paraqiten nëpunësit më të lartë civil të institucionit.

8. Kandidatët që nuk kualifikohen njoftohen individualisht nga njësia menaxhuese e burimeve njerëzore për shkaqet e moskualifikimit.

9. Lista paraprake e verifikimit të kandidatëve shpallet në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen e internetit të institucionit.

10. Kandidatët, të cilët rezultojnë të pakualifikuar, brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së listës paraprake të verifikimit të kandidatëve, paraqesin ankesat në njësinë e burimeve njerëzore. Ankesat zgjidhen brenda 3 ditëve.

11. Nëpunësi më i lartë civil i institucionit, brenda 3 ditëve urdhëron ngritjen e komisionit të brendshëm, i cili ka në përbërje tre anëtarë.

12. Komisioni i brendshëm zhvillon një intervistë me gojë me secilin prej kandidatëve.

13. Struktura e ndarjes së pikëve të vlerësimit të kandidatëve, është si vijon: a) 40 pikë për dokumentacionin e dorëzuar, i ndarë: 10 pikë për jetëshkrimin, 10 pikë për eksperiencën, 5 pikë për trajnimet, 10 pikë për kualifikimet e lidhura me fushën përkatëse, si dhe 5 pikë për vlerësimet pozitive; b) 60 pikë intervista me gojë.

14. Komisioni, në përfundim të vlerësimit, përzgjedh kandidatin, i cili renditet i pari me pikët maksimale për t’u emëruar në vendin e lirë.

15. Nëse nuk ka një fitues, komisioni përfundon procedurën pa asnjë të përzgjedhur.

16. Në rastin e përzgjedhjes së kandidatit fitues, komisioni ia njofton vendimin e përzgjedhjes njësisë përgjegjëse për nxjerrjen e aktit të emërimit.

Nëpunësit në provë për 1 vit, si bëhet vlerësimi

Nëpunësi, që emërohet për herë të parë në shërbimin civil, i nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit. Vendimi i djeshëm i qeverisë “Rama”, në bazë të ligjit “Për nëpunësin civil”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, përcakton ndër të tjera detyrimet që duhet të ndjekë nëpunësi gjatë periudhës së provës. Ja kushtet: 1. Nëpunësi, që emërohet për herë të parë në shërbimin civil, i nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit nga data e aktit të emërimit.

2. Gjatë periudhës së provës nëpunësi është i detyruar të ndjekë: a) programi i detyrueshëm i trajnimit për periudhën e provës pranë ASPA-s (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike; b) udhëzimet e nëpunësit më të vjetër civil, nën kujdesin e të cilit ai është vendosur.

3. Nëpunësi më i vjetër civil përzgjidhet nëpunësi, i cili ka vjetërsinë më të madhe në detyrë dhe që bën pjesë në të njëjtën njësi organizative ku është emëruar nëpunësi në periudhë prove.

4. Nëpunësi më i vjetër civil duhet të jetë i së njëjtës kategori ose i një kategorie më të lartë dhe caktohet nga eprori direkt i nëpunësit në periudhë prove. 5. Vendimi në përfundim të periudhës së provës merret bazuar në: a) rezultatin e testimit në përfundim të ciklit të detyrueshëm të trajnimit në ASPA; b) vlerësimin e rezultateve individuale në punë.

6. Bazuar në vlerësimet dhe pas marrjes së mendimit me shkrim nga nëpunësi civil më i vjetër, eprori direkt është i detyruar të vendosë: a) konfirmimin e nëpunësit civil, nëse ka përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm në ASPA dhe është vlerësuar të paktën “kënaqshëm”; b) zgjatjen një herë të vetme deri në 6 muaj të periudhës së provës, në rast të mospërfundimit me sukses të trajnimit të detyrueshëm në ASPA, pamundësisë së vlerësimit të plotë të nëpunësit, në rastet e mungesës në detyrë të nëpunësit për shkak të trajnimit afatgjatë, raportit mjekësor afatgjatë dhe në raste të tjera, të parashikuara nga ligji. c) moskonfirmimin e nëpunësit civil.

7. Në rast se gjatë periudhës së provës eprori direkt apo nëpunësi më i vjetër largohet nga ai pozicion pune apo ndodhet në pamundësi të vazhdimit të mëtejshëm të detyrës, ai është i detyruar të bëjë një vlerësim paraprak për nëpunësin në periudhë prove.

8. Vendimi i eprorit direkt duhet të jetë i arsyetuar dhe i njoftohet nëpunësit brenda 3 ditëve.

9. Nëpunësi civil, pavarësisht nga e drejta për t’u ankuar në gjykatën administrative, brenda 5 ditëve ushtron të drejtën e ankimit administrativ ndaj vendimit të eprorit direkt te nëpunësi më i lartë civil i institucionit, i cili merr vendim të arsyetuar për pranimin apo rrëzimin e ankesës brenda 5 ditëve.

Klasifikimi

Kategoria I - Nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues

Sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave, Presidencë, Kuvend dhe institucione të pavarura kushtetuese. 2. Sekretar i Përgjithshëm në ministri, institucionet e pavarura/drejtor departamenti/ titullarë të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrave. 3. Sekretar i Përgjithshëm në qarqe, bashki, komuna, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri, ministritë, institucionet e pavarura/ titullarë të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrave.

Kategoria II - Nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues

1. Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme në qarqe, bashki, komuna, drejtor drejtorie në Kryeministri, ministritë e linjës, institucione të pavarura të krijuara me ligj, titullarë të institucioneve në varësi të ministrave të linjës, drejtor drejtorie në institucionet në varësi të Kryeministrit apo ministrave të linjës; 2. Drejtor drejtorie në institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave, ministrave të linjës, qarqe, bashki, komuna

. Kategoria III -

Nëpunës civilë të nivelit të ulët drejtues 1. Shef sektori i nivelit A; 2. Shef sektori i nivelit B. Kategoria IV - Nëpunës civilë të kategorisë ekzekutive 1. Specialist i nivelit A; 2. Specialist i nivelit B; 3. Specialist i nivelit C; 4. Specialist i nivelit D.

Tabela e vlerësimit

Faktori Kriteri 1 Kriteri 2

Zgjidhja e problemit Kompleksiteti Pasoja

Vendimmarrja Lloji i vendimit Liria për të vepruar

Mjedisi menaxhues Fokusi operacional Marrëdhëniet e varësisë

Mjedisi teknik Arsimi

KOMENTE