English

Fillon në terren veprimtaria e përbashkët e doganave shqiptare me Crown Agents

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në nisjen e punës në terren të Crown Agents:

Jam shumë i kënaqur që më në fund, mbas një përpjekjeje jo të vogël dhe një kohe relativisht të gjatë përgatitjesh, sot fillon në terren veprimtaria e përbashkët e doganave shqiptare me Crown Agents, një trupë që ne e kemi kërkuar me shumë dëshirë dhe me shumë besim se do të rrisë në mënyrë shumë të ndjeshme, qoftë për sipërmarrjet, për eksportuesit dhe për importuesit shqiptarë, qoftë për arkën e shtetit, sigurinë, në gjithë cilësinë e veprimtarisë së doganës shqiptare.

Siguria në marrëdhëniet e eksportuesve dhe importuesve me shtetin është edhe një çështje prioritare. Siguria në marrëdhëniet e çdo sipërmarrjeje me çdo doganier apo doganiere të Shqipërisë është një çështje prioritare dhe siguria e publikut se në arkën e shtetit nga ku pastaj dalin të gjitha paratë për të financuar shkollat, për të financuar spitalet, për të financuar të gjitha shërbimet e shtetit, për të financuar rritjen e rrogave dhe pensioneve garantohet nga ky ndërveprim dhe garantohet nga Dogana e re e Shqipërisë. Them Dogana e re e Shqipërisë, sepse realisht jemi në procesin e një transformimi rrënjësor dhe historik për doganat e Shqipërisë dhe çdo pikë doganore.

Drejtimi i ri i doganave, ashtu si drejtimi i ri i Tatimeve, ashtu si drejtimi i ri në tërësi i shërbimeve të vendit, bazohet tek filozofia e re se shteti është në shërbim të qytetarit; se doganat e tatimet janë në shërbim të sipërmarrjes; se nuk janë presioni, nuk janë gjobat, nuk janë shtrëngesat, të cilat sipërmarrja i ka vuajtur në vijimësi, nuk është asnjë mënyrë, arbitrariteti dhe brutaliteti ndaj sipërmarrjes që do të rrisë të ardhurat dhe do të rrisë mirëqenien përmes rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit, por është një marrëdhënie transparente, një marrëdhënie e ndershme, një marrëdhënie e drejtë, e bazuar në besimin reciprok, tek Kushtetuta, tek ligji dhe tek detyrimet reciproke, nga njëra anë, të shërbëtorëve të shtetit në dogana e tatime dhe nga ana tjetër të krijuesve të mirëqenies, të eksportuesve dhe importuesve, që janë partnerët tanë strategjikë në rrugën tonë të zhvillimit dhe nuk janë një kundërpalë, me të cilët ne jemi ballë për ballë dhe në një lojë “macja me miun”.

E pra, për të shkuar më tutje dhe për të forcuar themelet e kësaj politike të re që ka filluar të marrë jetë në doganat e Shqipërisë, që ka filluar të marrë jetë në tatimet e Shqipërisë, por që është ende larg së qenit fuqia e ndryshimit që ndjen çdo qytetar dhe që ndjen çdo sipërmarrës në raport me këto shërbime, ne ia kemi besuar partneritetit me Crown Agents, ndarjen e barrës së kësaj sfide.

Crown Agents ka një histori të gjatë suksesi. Një histori të gjatë suksesi të ngritur në një prej territoreve më demokratike të botës, Britaninë e Madhe dhe të shtrirë pastaj në shumë anë të borës; Ka një histori suksesi në vende dhe realitete ekonomike dhe sociale të ngjashme me Shqipërinë; Ka një histori suksesi në vende që përpara nesh kanë ndërmarrë reforma të thella të doganave, në përpjekje për të ecur më shpejt në rrugën e integrimeve; Ka një histori suksesi në përpjekjen për të kaluar nga një fazë marrëdhëniesh dhe sjelljesh primitive, në një fazë të re ku siguria në marrëdhënien mes sipërmarrjes e shtetit garantohet përmes inovacionit, garantohet përmes progresit të vazhdueshëm dhe të ndjeshëm, qoftë nga sipërmarrja, qoftë nga shteti, qoftë në formën e rritjes së besimit të sipërmarrjes tek shteti, qoftë në formën e rritjes së të ardhurave të shtetit përmes një marrëdhënie të qëndrueshme, strategjike, me sipërmarrjen.

Të ardhurat në dogana në këtë gjashtëmujor të parë të qeverisjes së re kanë shënuar rritje të ndjeshme. E, të mos harrojmë, rritje të ndjeshme në kushtet kur drejtimi i ri i doganave ka nisur si marrje në dorëzim e një gjendjeje të rrënuar morale, e një gjendjeje të rrënuar infrastrukturore, e një gjendjeje të rrënuar strukturore në të gjithë shërbimin tonë doganor.

Në një gjendjeje që do më lejoni ta ndaj me ju, e përshkruan më së miri, njësoj sikur të kishte kaluar në doganë vetëm pak kohë më parë, as më shumë e as më pak, Faik Konica, i cili tek “Doktor Gjilpëra” e shënjon qysh kur nuk mbahet mend, atë që sipërmarrësit e qytetarët kanë mundur ta përjetojnë në doganë, deri shumë pak kohë më parë. “Ai mori valixhen në dorë… Në doganë i doli përpara një turmë e errët, njerëz të verdhë, me fytyra të lodhura, dy policë brutalë i shtynin me të mëngjër e me të djathtë dhe udhëtarët hynin në binanë e doganës… Këtu, doganierët, me fytyra të palara e të thartuara, nisnin gërvishtnin plaçkat. Dr. Gjëlpëra kishte kapërcyer shumë kufij, po asgjëkund nuk kishte gjetur një tërbim kërkonjës aq të madh.”

“Tërbimi kërkonjës” është i pari që e ka shoqëruar doganën shqiptare në shumë vite. “Tërbimi kërkonjës” është i pari që e ka shoqëruar shërbimin e tatimeve në Shqipëri në shumë vite. “Tërbimi kërkonjës” në xhepat e çdo biznesmeni, “Tërbimi kërkonjës” në xhepat e çdokujt që fati, puna, detyra, detyrimi, rruga e sjell dhe e ka sjellë në vite, qysh nga kohët e vjetra e deri në kohët më të reja në dyert e doganave dhe tatimeve.

KOMENTE