English


Gjobë nga 500.000 lekë deri në 1.000.000 lekë për drejtuesit vendorë nëse shkelin ligjin mbi mjedisin

Ministri i Mjedisit, Z.Lefter Koka urdhëron drejtuesit e qeverisjes vendore të zbatojnë ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”

Ministri i Mjedisit, Z.Lefter Koka me dt 18 mars 2014, ka nisur një letër drejtuar nominalisht 390 kryetarëve komunash dhe bashkish në të gjithë vendin.
Në letrën me nr Protokolli 3962 Ministri Koka ka urdhëruar drejtuesit vendorë që të marrin masa të menjëhershme për menaxhimin e mbetjeve të cilat janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e pushtetit vendor.
Ministria e Mjedisit, si institucioni përgjegjës për monitorimin e menaxhimit të mbetjeve, prej datës 30 prill 2014, do të nisë inspektimin e zbatimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në rast të moszbatimit të ligjit Ministria e Mjedisit, në përputhje me ligjin do të penalizojë drejtuesit e njësive vendore me gjobë nga 500.000 lekë deri në 1.000.000 lekë.
Dhe në rast se do të konstatohet përsëritje e kundravajtjes Ministria e Mjedisit do të marrë masa më të rënda ligjore duke i propozuar Këshillit të Ministrave që t’i kërkojë Këshillit të Komunës/Bashkisë shkarkimin e Kryetarit për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.
Në fund të letrës së tij, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka u kujton drejtuesve vendorë se ata janë të zgjedhur nga qytetarët për tu shërbyer atyre sa më mirë. “Gjendja e rëndë e mbeturinave në territorin që ju administroni dëshmon për një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri në të shkuarën, ndaj detyron Ministrinë e Mjedisit, që në mbrojtje të standardit të jetës së qytetarit, të marrë masa ligjore ndaj çdo drejtuesi të pushtetit vendor, pa asnjë dallim partiak” shkruhet në letrën që Ministri i Mjedisit u ka drejtuar të gjithë drejtuesve të qeverisjes vendore në Shqipëri.

Letra e Ministrit drejtuar kryetarëve te Bashkive dhe Komunave në të gjithë vendin.

I nderuar drejtues i qeverisjes vendore,

Komiteti Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, shpalli më 5 shkurt 2014, gjendjen e emergjencës mjedisore, e cila u shoqërua me ngritjen e një Task Force të kryesuar nga Inspektoriati Mjedisor në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucione të tjera të shtetit shqiptar.

Kjo Task Forcë nisi një aksion mbarëkombëtar për pastrimin e rrugëve nacionale duke pastruar mbi 450 km akse rrugore dhe duke mbledhur mbi 450 ton mbetje. Aksionet e Ministrisë së Mjedisit vazhduan edhe me basenet e lumejve, në të cilat u hasëm me një sasi shumë të mëdha mbetjesh.

Pavarësisht aksioneve tona, gjendja e mbetjeve në vend vazhdon të jetë tejet alarmante.

Ministria e Mjedisit është e përkushtuar në punën e saj për tu siguruar qytetarëve shqiptarë një mjedis sa më të pastër. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë aksione në çdo skaj të vendit, por përgjegjësia kryesore sipas ligjit bie mbi pushtetin vendor.

Çdo sasi mbetjesh e hedhur dhe e pamenaxhuar brenda zonës suaj administrative është përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë.

Kjo referuar Ligjit 10463 dt.22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” pikës 12 të nenit 21, në të cilat shkruhet se “kryetarët e njësive të qeverisjes vendore janë përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve që krijohen brenda territorit të tyre administrativ.” Gjithashtu komunat dhe bashkitë, në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike realizojnë grumbullimin, largimin dhe përpunimin e mbeturinave dhe në mbështetje të Ligjit Nr.8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” gërmën “c” të pikës 3 të nenit 10.

Referuar gjendjes aktuale tejet të rëndë dhe përgjegjësive që ju jep legjislacioni i përmendur më lart, Ministria e Mjedisit urdhëron marrjen e të gjitha masave organizative, për fillimin e menaxhimit të integruar të mbetjeve në rajonin që ju administroni.

Ministria e Mjedisit, si institucioni përgjegjës për monitorimin e menaxhimit të mbetjeve, prej datës 30 prill 2014, do të nisë inspektimin e zbatimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Nëse gjatë kontrollit do të konstatohet se nuk janë zbatuar kushtet dhe standardet e kërkuara për menaxhimin e mbetjeve, në përputhje me nenin 21 pika 12 të Ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, drejtuesit e këtyre njësive do të ngarkohen me përgjegjësi duke i penalizuar me gjobë që kap vlerën nga 500.000 lekë deri në 1.000.000 lekë, referuar pikës 11 të nenit 62 të ligjit.

Në rast se do të konstatohet përsëritje e kundravajtjes së lartpërmendur, Ministria e Mjedisit do të marrë masa më të rënda ligjore duke i propozuar Këshillit të Ministrave, që në zbatim të gërmës “a” të nenit 42, Ligjit Nr.8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, t’i kërkojë Këshillit të Komunës/Bashkisë shkarkimin e Kryetarit për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.

Në pozicionin e Ministrit të Mjedisit, dhe në zbatueshmëri të ligjit, ju kujtoj detyrimet tona të përbashkëta për një mjedis të shëndetshëm dhe cilësor.

Ju jeni të zgjedhur nga qytetarët për tu shërbyer atyre sa më mirë. Gjendja e rëndë e mbeturinave në territorin që ju administroni dëshmon për një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri në të shkuarën, ndaj detyron Ministrinë e Mjedisit, që në mbrojtje të standardit të jetës së qytetarit, të marrë masa ligjore ndaj çdo drejtuesi të pushtetit vendor, pa asnjë dallim partiak.

Ne nuk mund të ndryshojmë të shkuarën, por mund të punojmë së bashku për të ndërtuar të ardhmen, duke e filluar zbatueshmërinë e ligjit nga pushteti qendror e vendor dhe duke e shtrirë atë edhe tek qytetarët.

Ju falenderoj për mirëkuptimin dhe ju nxis për një zbatim sa më rigoroz të ligjit në mënyrë që të sigurojmë një mjedis sa më të përshtatshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Lefter KOKA

MINISTËR I MJEDISIT

KOMENTE