English

Eno Bozdo: Edi Rama t’i japë fund luftës politike me Bashkinë e Tiranës

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Eno Bozdo ka dhënë një deklaratë për median ku shpreh keqardhjen që buxheti i Bashkisë së Tiranës vazhdon të mbetet i bllokuar.
"Bllokimi i buxhetit dëmton drejtpërdrejt interesat e qytetarëve të Tiranës. Bllokimi i buxhetit pamundëson financimin e ndërtimit dhe rikonstruksionit të 69 shkollave të mesme, çerdheve dhe kopshteve për vogëlushët e Tiranës, të laboratorëve të rinj dhe palestrave të reja, të instalimit të ngrohjes në 100% të çerdheve dhe kopshteve dhe 90% të shkollave të mesme, deri në fund të këtij vitit; bllokon financimin e ndërtimit të 82 km rrugë të reja dhe 128 mijë m² sipërfaqe e gjelbër.

Me bllokimin e buxhetit është pamundësuar financimi i shpronësimit të tokës për varreza dhe projektit të rehabilitimit të tyre, financimin e të rinjve të Tiranës për të nisur biznesin e tyre dhe për të krijuar vende të reja pune, financimin e nxitjes së sipërmarrjes dhe punësimin e qytetarëve të Tiranës.

Bllokimi i buxhetit ka pamundësuar financimin e qendrave sociale, ku marrin mbështetje më shumë se 2300 qytetarë në nevojë, financimin e projekteve kulturore të Tiranës, mbështetjen për artistët e rinj, për piktorët, fotografët, muzikantët, mbështetjen për sportin dhe të gjitha veprimtaritë e shumta sportive që Bashkia organizon përgjatë një viti.

Bllokimi i buxhetit pamundëson financimin e shpronësimit dhe kostot lokale për veprat e mëdha publike të Tiranës, si bulevardi i ri, lumi i Tiranës, linjën e tramit Kombinat- Kinostudio, stacionin multimodal të pasagjerëve apo dhe projekti për zgjidhjen përfundimtare të mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve në Tiranë.

Në emër të Bashkisë së Tiranës, i bëj thirrje Edi Ramës t’i japë fund luftës politike me Bashkinë e Tiranës dhe të ndalë dëmin e pallogaritshëm që kjo luftë u shkakton interesave të qytetarëve të Tiranës, pa dallim bindjesh politike.

Parada për sukses të miratimit të buxhetit, e Edi Ramës, mbetet thjesht dhe vetëm propagandë politike, pasi në realitet bllokimi është e vetmja vepër e tij.

KOMENTE