Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rama: Ne jemi ndryshe nga ju. Kryeplak është një fjalë aspak fyese, madje është vend pune
English

Rama: Ne jemi ndryshe nga ju. Kryeplak është një fjalë aspak fyese, madje është vend pune

Fjala e Kryeministrit Rama mbajtur në seancën e sotme parlamentare:

Së pari, dëshiroj që të them se ku keni të drejtë, pastaj të them se ku s’keni të drejtë.

Ky është një ndryshim i madh mes nesh dhe jush.

Ju keni shumë të drejtë kur thoni që “kur dilni këtu nuk foltore dhe nuk duhet të shqetësoheni nga fjalët mbrapa”. Dhe kjo nuk do të ndodhë më.

Ju keni shumë të drejtë kur thoni që në seancën e kaluar edhe unë e shkela etikën. Është e vërtetë. Është e vërtetë edhe pse me një dallim shumë të madh. Thjeshtë ndava me kolegët e mi një moment emocional, që, megjithatë, ju keni të drejtë kur thoni që “pikërisht pse ne jemi ndryshe nga ju, ne nuk duhet të bëjmë si ju”.

Thënë të gjitha këto, dua t’i kërkoj ndjesë jo juve, se nuk kam asnjë ndjesë për t’ju kërkuar juve, por të gjithë atyre që janë ndjerë të bezdisur nga transkriptimet e ekranit tuaj. Transkriptime shumë hileqare, por që megjithatë nuk justifikojnë Kryeministrin, pavarësisht nëse u thanë me zë, apo thjesht u mërmëritën pa zë.

Pas kësaj ndjese, për të gjithë ata që janë ndjerë të bezdisur apo të shqetësuar nga fakti që qoftë nga unë, qoftë nga ne, presin atë që meritojnë dhe atë që ne mundohemi t’ua japim përditë, dua t’ju them juve disa gjëra lidhur me etikën. Dhe dua t’ua them atyre që e kërkojnë etikën, nuk po

përmend emra, se nuk dua të dalin armiq të partisë tuaj. Ata e kërkojnë etikën, nuk e shkelin për vetë, por e kërkojnë vetëm nga ne. Edhe e kërkojnë për gjëra thuajse të papërfillshme, ndërkohë që nuk e ndjejnë fare kur etika shkelet sa herë e merr fjalën kryeplaku juaj, sa herë e merr fjalën zonja e ulur në krah të kryeplakut tuaj e me radhë. Të bëjmë marrëveshje fjale, që të kuptoni se etika nuk ka të bëjë asgjëkund me çfarëdo fjale që njeriu e përdor për të pozicionuar veten apo dikë tjetër dhe që në fjalor nuk konsiderohet aspak fjalë fyese. Kryeplak është një fjalë aspak fyese, madje është vend pune.

Për sa i përket fundërrinave të komunizmit, që të jem shumë i saktë, unë nuk kam thënë që ju jeni fundërrina të komunizmit. Kam thënë që ju, me vijën tuaj të sjelljes dhe të qasjes ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj kundërshtarit jeni mbeturina e komunizmit, si forcë. Dhe e dini ku është dallimi i madh mes nesh dhe jush, edhe kur ka ndodhur në vite, në këtë parlament, që të kapërcehen kufijtë normalë të komunikimit? Se asnjëherë, ne nuk hyjmë në jetën tuaj private. Ndërsa ju nuk bëni asgjë tjetër, përmes kryeplakut tuaj, në radhë të parë, përveçse të hyni në jetën private të kundërshtarëve dhe të provoni kështu ekzaktësisht se nga rrjedh kultura juaj politike. Është kultura që jua ka imponuar një shërbëtor servil i diktaturës së Enver Hoxhës, që e mbajtët kaq shumë vite për kryetar “de jure” dhe tani e keni kryetar “de facto”. Por unë nuk kam debat për të bërë as me të, as me ju, por thjesht po ju përgjigjem për sa u fol këtu.

Besoj që në këtë pikë nuk është fare e vështirë që të gjesh mirëkuptimin e plotë të të gjithë shqiptarëve, jo të disa shqiptarëve, jo të atyre që votojnë për ne, por të të gjithë shqiptarëve. Është një qasje dhe një gjuhë që ka neveritur njerëzit me politikën. Pikërisht ajo qasje dhe ajo gjuhë që nuk njeh kufi dhe që kapërcen sa herë i teket pragun e shtëpisë së çdo kundërshtari dhe që cenon padrejtësisht gra e burra që nuk kanë lidhje fare me politikën dhe nuk kanë lidhje fare me çështjet e publikut.

Komunizmi, mbeturinë e së cilës është kjo forcë që ju përfaqësoni sot, kishte edhe një gjë tjetër. Komunizmi, kur donte të shkatërronte një armik të brendshëm, vendoste edhe kush janë dashuritë, edhe kush janë kushërinjtë. Këtë të bënte komunizmi. Unë e kam dhënë njëherë këtë sqarim këtu.

Po pse ju duket kaq e çuditshme dhe kaq e papranueshme, që Partinë Demokratike unë ta quaj sot me emrin që ka, për shkakun tuaj!

Unë e kam thënë dhe njëherë tjetër këtu, që unë nuk kam asnjë kushëri në qeveri. E kam sqaruar këtë. Se kë kam unë kushëri, nuk e vendos sekretari i partisë. E kam provuar këtu, me pemën e shtëpisë sime.

Ajo që unë dua të vazhdoj të them, nuk ka të bëjë më fare me ju, por ka të bëjë me ata që dje morën dokumentet e pronësisë së shtëpive të tyre, duke filluar një proces i cili nuk do të ndalet më, deri kur shtëpitë, e ndërtuara për një jetë më të mirë në Tiranë, nga ata të cilët 20 vjet i përdorët si “mish për top” për fushatat tuaja, të jenë legalizuar dhe të jenë legalizuar falas.

Pata kënaqësinë që një ndër njerëzit që morën dje titullin e pronësisë ishte xhaxhai i Azem Hajdarit. Xhaxhai i Azem Hajdarit, bashkë me shumë kryefamiljarë të tjerë, që qysh prej vitit 2006 e kishin regjistruar aplikimin për të legalizuar shtëpinë, kishin votuar rregullisht për ju dhe vetëm dje e morën titullin e pronësisë.

Dua t’u them se këto që thoni këtu, provoni të shkoni t’ua thoni atyre, atje dhe tregojuani atyre se çfarë kemi bërë për ta dhe si po i “gënjejmë” ne ata. Tregojuani atyre sesi ne, siç juve ju thatë gjatë fushatës, sapo të fitonim, do të shkonim dhe do t’u thoshim “ikni andej nga keni ardhur” dhe se do ju prishnim shtëpitë.

Shkoni tregojuni atyre, sesi 160 mijë familjeve, që ju trokitën juve në derën e ALUIZNI-t, aplikuan, nuk ju trokitëm kurrë në derë. Shkoni tregojuni sesi i vajtët para fushatave, duke i matur shtëpinë, duke i marrë paratë dhe kurrë nuk i dhatë titullin e pronësisë. Shkoni dhe tregojuni atyre, sesi në 8 vjet, sa here pati një fushatë, ju premtuat që do t’i legalizonit shtëpitë brenda 2 muajsh dhe pas tetë vjetësh nuk keni legalizuar as 5 % të tyre. E ndërkohë, nga ato shtëpi, që me demek i keni legalizuar, as 1 % nuk ka hyrë në hipotekë.

Ndërkohë dua që ta shfrytëzoj këtë moment për ta mbyllur këtë reagim, duke ju thënë atyre që na ndjekin dhe që kanë interes për këtë temë, se ne dje kemi kaluar në qeveri projektin, i cili do të vijë në parlament dhe legalizimi do të bëhet falas. Për ata që kanë tokën e tyre, janë 67 mijë familje që deri më sot nuk kanë mundur ta legalizojnë dot shtëpinë, edhe pse jo pak prej tyre, kanë paguar më shumë se një herë, ndërkohë që me procesin tonë të legalizimit do të paguajnë zero qindarka.

Ata që kanë tokën e tjetërkujt, të shtetit apo të pronarit, kanë një sërë opsionesh; nga opsioni që po të paguajnë menjëherë, me një çmim shumë here më të reduktuar se i tregut, përfitojnë ulje 20 % menjëherë dhe 30 % në letra me vlerë, tek opsioni që të mos paguajnë, të thonë “ne nuk kemi mundësi të paguajnë” dhe të marrin legalizimin pa pagesë, të marrin dokumentin hipotekor, me kufizimin hipotekor të vlerës që duhet të paguajnë dhe ata të parët do të jenë të interesuar ta paguajnë në vite, për të mos pasur asnjë konflikt dhe për të mos u trashëguar konflikte pronarëve në të ardhmen. Nuk është legalizim falas ky? Këto shkoni tregojuani atyre.

Unë ju siguroj se nga ata që morën dje dokumentin, kishte socialistë, kishte dhe demokratë dhe të jeni të bindur për një gjë, po të ishit aty dhe të dëgjonit dhe po t’u kishte mbetur një fije cipe, nga 8 vjet qeverisje, sot nuk do të kishit hapur gojën për këtë çështje. Po të dëgjonit ata, jo ne.

Edhe njëherë, ne jemi ndryshe nga ju. Edhe këto që thashë sot, janë prova se pse dhe si ne jemi ndryshe nga ju. Ju jeni ata që, gjithçka ju kërkoni të tjerëve, nuk jeni kurrë në gjendje ta bëni vetë. Ju jeni ata që e keni zhvatur Shqipërinë deri në palcë dhe që, qysh se populli shqiptar ju ka nxjerrë nga zyrat, jeni në rolin e hajdutit që bërtet “kapeni hajdutin”.

Ju jeni ata që e keni sakatuar gjuhën shqipe në çdo qelizë dhe sa herë merrni fjalën, e përdorni në emër të etikës, duke vazhduar të jepni kontributin e mbrapshtë të kthimit të politikës në një neveri për qytetarët.

Fatkeqësisht, ka ndodhur në të shkuarën që nganjëherë edhe ne të bëhemi pjesë e kësaj. Por ndryshimi mes nesh dhe ju është se, jo se ne jemi nga natyra më të mirë, se të gjithë shqiptarë jemi, por kemi një kulturë tjetër dhe shumë më të mirë se e juaja. Tuajën shikojeni në radhë të parë ta dezinfektoni nga mikrobet e komunizmit, që i keni në majë të kokës.

***

Replika e Kryeministrit Edi Rama pas fjalës së kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka:

Pyetja është se pse unë e ftova kryetarin e Partisë Demokratike për t’u ulur dhe të për diskutuar. Shpjegimin e kam dhënë në letër, por vlen të shtjellohet edhe pas reagimeve të marra ndaj ftesës.

Ne e kemi thënë që në fillim që nuk jemi të pagabueshëm, sigurisht do të bëjmë dhe gabime, por një gjë është e sigurt, nuk do të përsërisim gabimet e paraardhësve që i kemi pësuar në kurriz si opozitë dhe që pastaj kanë qenë me pasoja për vendin.

Kur ne ishim në opozitë, asnjëherë nuk kemi pasur një ftesë nga Kryeministri për t’u ulur dhe për të diskutuar edhe pse ka pasur jo pak nevojë dhe jo pak raste të një rëndësie shumë të veçantë dhe jo pak momente të një brishtësie shumë të veçantë për ekuilibrat e vetë vendit. E kundërta është e vërtetë, që më shumë se një rast, i kemi kërkuar Kryeministrit, unë si kryetar i opozitës i kam kërkuar që të ulemi dhe të diskutojmë. Dhe nuk kemi kërkuar të diskutojmë për çështje të qeverisjes, por kemi kërkuar të diskutojmë për çështje të shtetit, për çështje të përbashkëta, për çështje të lidhura me interesat e vendit, interesat e njerëzve pa dallim dhe sigurisht, interesin e përbashkët sipas nesh, që demokracia të funksionojë normalisht. I kemi kërkuar takim për disa reforma, për të cilat ne i kemi dhënë qysh në krye të herës gatishmërinë tonë dhe disponibilitetin tonë për t’i bërë bashkë me Qeverinë. E në të gjitha rastet kemi marrë përgjigje, njësoj si përgjigja që morëm dhe në këtë rast. Si në pushtet, si në opozitë, përgjigja e palës tjetër është njësoj, përgjigje kushtëzuese, përgjigje që nuk është përgjigje dhe që në fund të fundit, bie ndesh me të gjitha deklamimet për dialog, për bashkëpunim, për integrim e kështu me radhë.

Dua të them këtu diçka që mbase nuk është e njohur për publikun. Pas përgjigjes së marrë, unë kam takuar deputetin Taulant Balla, si drejtues i pjesës sonë në grupin e deputetëve që na përfaqëson në Delegacionin e Përbashkët pranë Parlamentit Evropian, që të komunikojë me palën tjetër dhe të bëjë prezent faktin që ne vërtetë jemi shumë të interesuar të ulemi për reformën administrative - territoriale, por nuk e kushtëzojmë dialogun ashtu siç na është kushtëzuar ne sa herë që kemi kërkuar si opozitë të ulemi me qeverinë, vetëm me këtë çështje. Kemi nënvizuar që jemi të hapur të diskutojmë për çfarëdo çështje që opozita dëshiron të diskutojë me ne, nëse dëshiron të diskutojë me ne. Opozita nuk ka monopolin e së vërtetës, nuk ka ekskluzivitetin e dhënies së mendimit të fundit për çdo çështje, edhe pse opozita që ne kemi i ka dhënë vetes të drejtën që të na vendosë edhe kushërinjtë, se kë kemi kushëri edhe pa i pasur.

Ne e konsiderojmë reformën territoriale - administrative, një reformë themeltare për funksionimin e shtetit shqiptar, për modernizimin e shtetit shqiptar, për kalimin e shtetit shqiptar në një fazë të tretë të historisë së tij. I kemi thënë dhe i kemi stërthënë dhe do të vazhdojmë ti themi, të mirat e kësaj reforme dhe interesin e madh kombëtar që kjo reformë mishëron. Dhe mbi të gjitha flasim për një reformë që kurrë nuk kemi dëgjuar askënd, as Partinë Demokratike, që të thotë “nuk duhet”. E pikërisht, sepse duam që këtë reformë ta bëjmë së bashku, i kemi dhënë palës tjetër barazi të plotë; i kemi dhënë barazi numrash; i kemi dhënë barazi drejtimi të komisionit; i kemi dhënë barazi vetoje në Komision, që do të thotë se duam një produkt konsensual për ta votuar konsensualisht në Parlament.

Çfarë kërkon opozita, unë nuk arrij dot ta kuptoj. Kërkon të kushtëzojë Parlamentin, jo thjesht Komisionin?! Që do të thotë se kërkon t’i japë vetes të drejtën që ta bllokojë Komisionin dhe duke e bllokuar Komisionin të mos lejojë reformën të bëhet. Por ne nuk kemi mundësi ta shtyjmë më këtë reformë. Ne i kemi votat për ta kaluar këtë reformë. Ne e kemi filluar procesin e konsultimit të gjerë me publikun për këtë reformë. Ne kemi marrë mbështetje të plotë të ndërkombëtare për këtë reformë. Reforma financohet nga një numër i konsiderueshëm donatorësh, të interesuar për ta parë Shqipërinë në një dritë të re. Puna ka filluar në të gjithë territorin e vendit, në nivelin teknik, për të mbështetur Komisionin që në fund të fundit është niveli që do të definojë reformën, në pikëpamjen të kalimit nga kriteret tek harta përfundimtare. Dhe s’kemi mundësi që të presim. S’kemi mundësi që të presim, por duam që t’i bëjmë të gjitha që të ulemi sëbashku.

Kjo nuk ka asnjë lidhje me vizitën në Gjermani, se nuk shoh se ku është lidhja. Unë jam ftuar nga Kancelaria muaj më parë. Nuk e kemi bërë publike, sepse nuk jemi të asaj tradite që publikon çdo telegram urimi dhe çdo ftesë, për të treguar se ka kredibilitet më shumë se tjetri. Është një ftesë zyrtare, me protokoll të plotë, me kërkesë të Kancelares, jo me kërkesën tonë.

Fakti që ftesa për opozitën është bërë tani, është si të thuash përpjekja fundore e drejtpërdrejtë, për të tentuar sy më sy dhe me transparencë të plotë, po të duan ndaj publikut, që të ulemi dhe të bëjmë reformën. Kjo ka lidhje me afatet. Reforma, në këndvështrimin tonë, duhet të përfundojë në këtë Sesion Parlamentar. Reforma nuk mund të presë Sesionin tjetër. Reforma duhet të implementohet menjëherë. Dhe është një proces shumë i ndërlikuar, nuk është thjeshtë çështja e bashkimit të disa njësive apo disa njësive të tjera. E kemi thënë dhe dua ta ritheksoj: Reforma nuk ka impakt, në Kodin tonë Zgjedhor. Zero! Ne nuk kemi asnjë prirje, nuk kemi asnjë qëllim të prekim qarqet, të cilat lidhen drejtpërdrejtë me Kodin zgjedhor, apo të prekim çfarëdo qoftë tjetër që përcakton Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë. Reforma ka impakt të madh ekonomik dhe social. Impaktin që i duhet Shqipërisë me patjetër, shtysën që i duhet Shqipërisë me patjetër për të hyrë në një epokë tjetër dhe për të mos u marrë zvarrë nga 400 forume dhe 400 drejtues, në 400 komuna e bashki që e bëjnë të pamundur menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane; që e bëjnë të pamundur menaxhimin e integruar të transportit; që e bëjnë të pamundur menaxhimin e integruar të ujit. Mjafton të shikojmë gjendjen në këto tre fusha, për të kuptuar se përse duhet reforma. Shqiptarët po lëngojnë mes plehrave, por Qeveria e ka të pamundur, sot, që të ndërhyjë drejtpërdrejtë, nëse nuk do. Ne nuk duam të marrim kompetencat e njësive vendore dhe të drejtojë vetë të gjithë procesin.

Shqipëria ka një borxh katastrofik në ujësjellës. Ne e dimë mirë se si janë administruar ujësjellësit në gjithë këto vite, e dimë mirë se ç’kanë hequr donatorët dhe e dimë mirë se sa projekte donatorësh kanë dështuar dhe sa projekte të tjera nuk kanë mundur dot të aprovohen, për shkak të këtij administrimi barbar. Shqiptarët e panë edhe episodin aspak të këndshëm dhe në njëfarë mënyre të dhimbshëm, të furgonave. Njerëz që realisht kanë nevojë ekonomike, por që atë nevojë ekonomike duhet ta përmbushin dhe mund ta përmbushin në një sistem tjetër transporti. Jo në këtë sistem transporti që gjendet vetëm në Bangladesh dhe në Pakistan dhe që nuk ka lidhje fare me Evropën, nuk ka lidhje fare me asnjë vend të cilit ne duam t’i ngjajmë.

Për të mos vazhduar pastaj me korrupsionin. Me korrupsionin kapilar, të shtrirë në të gjithë sistemin e dytë, që lidhet me sistemin, nuk lidhet me personat. Për të mos folur pastaj për korrupsionin zgjedhor , që ne e kemi pasur dhe e kemi pjesë të axhendës sonë deri në fund. E dimë mirë se çfarë ndodh, kur lëshohen të gjithë për t’u bërë këshilltarë e pastaj kur bllokohen Këshillat për interesa që s’kanë lidhje fare me interesat e komunitetit.

Komunitetet në çdo pjesë të Shqipërisë e kuptojnë këtë që kërkojmë ne. Edhe Partia Demokratike e kupton. Hajde ta bëjmë dhe ta bëjmë me kritere të gjithëpranuara.

Ne nuk do ta bëjmë vetëm këtë proces. Ne kemi ekspertë të Këshillit të Evropës. Ne kemi ekspertë nga shumë vende që i kanë kryer këto reforma. Dhe shikoni që vazhdojnë. Irlanda është rifutur në një reformë të tillë, pikërisht për këto arsye që po them. E njëjta gjë në vende të tjera. Dhe janë vende që i kanë bërë këto reforma shumë më herët se sa ne në kohë, ndërkohë që ne kemi akoma një ndarje që nuk ka lidhje fare me nevojat ekonomike dhe sociale të Shqipërisë.

Çfarëdo qoftë tjetër, ne jemi të gatshëm ta diskutojmë. Duan të diskutojnë deklaratën e përbashkët, hajde ta diskutojmë deklaratën e përbashkët. Por nuk mund të thonë që duan statusin e vendit kandidat dhe ndërkohë bëjnë çmos për të treguar se Shqipëria nuk e meriton statusin. Megjithatë, unë e kam thënë dhe e përsëris, as më shkon mendja t’u them që janë antishqiptarë, as t’u them që janë sabotatorë. Janë thjesht të mbyllur në një rreth vicioz, për të gjitha ato arsye që dihen dhe s’dua t’i përsëris.

Dhe përsëri këmbëngulin që ne nuk po bëjmë legalizimet falas. Padyshim që ne nuk do t’i japim llogari këtyre. Kur ne flasim me këta, ne i japim llogari atyre që këta përfaqësojnë. Por, padyshim, ne llogarinë e kemi me shqiptarët, pas 4 vjetësh. Unë po e përsëris, ne kemi bërë një ndryshim themelor të ligjit të legalizimeve dhe praktikisht nuk ka asnjë familje shqiptare që nuk mund të legalizohet, për sa kohë ka një shtëpi të ndërtuar me mundin e vet dhe për sa kohë plotëson të gjitha parametrat e ligjit ekzistues, që ne ashtu i kemi lënë. Dua ta përsëris, e kanë shumë të qartë ata, se ua thashë edhe dje kur i takova, ata janë juristët më të përgatitur në Shqipëri në lidhje me legalizimet. Ata i dinë përmendësh nenet, dinë përmendësh edhe ku janë bllokuar procedurat, dinë përmendësh edhe si janë zvarritur. Ne, dje nuk i dhamë dokumentet me ligjin e ri, i dhamë me ligjin e vjetër. Me ligjin e vjetër që në vetvete nuk ishte pengesë, por që kurrë nuk u zbatua. Të gjithë ata, që morën dje dokumentet, kishin aplikuar në 2006-ën. E dëshmonin vetë. Dëshmuan se kanë paguar lekët më shumë se 1 herë.

E pra, ne kemi filluar një punë intensive dhe sot që po flasim, në vetëm 1 muaj, - se kini parasysh që periudha e parë duhej për të vënë rregull në atë lloj institucioni skandaloz, i kishin lënë dosjet e njerëzve rrugëve, - 160 000 familje i kanë bërë aplikimet. Në 2006, në 2007, në 2008, 2009, në 2010, në 2011, në 2012 kanë aplikuar, por kurrë nuk i kishin prekur me dorë dosjet e tyre dhe kurrë nuk u kanë vajtur t’u trokasin. Kanë bërë legalizime, pasi humbën zgjedhjet. Kanë bërë legalizimet më të turpshme. Nuk kanë legalizuar 1 shtëpi, por kanë legalizuar vetëm objekte me qëllim fitimi, që bien mbi rrugë; objekte me qëllim fitimi që bien aty ku është e palegalizueshme, nga të gjitha anët që ta kapësh; objekte mbi monumente kulture; objekte mbi kanale, sepse kanë marrë para. Kanë legalizuar objekte në krah të Universitetit. Janë ato objekte që në 8 vjet, as këta nuk patën kurajën që t’i legalizonin. A mund të legalizohen objekte në krah të Universitetit, në ansamblin monument kulture të kryeqytetit të Shqipërisë? I kanë legalizuar. I kanë kthyer në pronarë të gjithë ata atje. Dhe i kanë legalizuar në gusht, duke ikur dhe kanë marrë para. E njëjta gjë dhe në shumë projekte të tjera.

Sot, për të vazhduar projektin e bregut, në Vlorë dhe më tutje, ne duhet të ndeshemi me objekte të legalizuara në gusht, jashtë çdo standardi. Ndërsa për ata të shkretët që ua kanë marrë votën rregullisht dhe që kanë besuar verbërisht 20 vjet se këta do t’u bënin legalizime, s’kanë bërë asgjë. Kanë legalizuar në të gjithë 8 - vjeçarin më pak se 5 % dhe kanë hipotekuar më pak se 1 %, sepse shumica e këtyre legalizimeve që kanë bërë këta nuk janë të hipotekueshme. I kanë lënë zvarrë njerëzit.

Historitë e njerëzve janë të tmerrshme, kur i dëgjon sesi i kanë tallur, si i kanë marrë lekët, sesi u kanë vajtur dhe u kanë bërë matjet nga 3 herë. Edhe kanë gojë të flasin. Edhe kanë gojë të na tregojnë neve, ligjin dhe Kushtetutën. Kanë gojë të na tregojnë neve, etikën e qeverisjes. Ky është fakti. Dhe është fakt, po ashtu, që jo vetëm ata që kanë tokën e tyre, që janë 67 000 familje – nuk i kanë prekur fare dosjet e tyre. 67 000 familje aplikuan gjatë gjithë këtyre viteve dhe njëri nuk ka marrë një copë letër – që do të marrin gjithçka falas, sepse e gjithë procedura e legalizimit do të bëhet falas, gjithçka.

Por edhe ata që tokën e kanë të shtetit apo tokën e kanë të pronarit kanë një skemë komplet të re. Unë ju siguroj që kur unë flisja dje, ata nuk e besonin se kjo ishte e vërtetë. Kanë një skeme komplet të re, me incentivë, kush është i gatshëm, t’i japi paratë menjëherë dhe flasim për një çmim simboli që na duhet për të vazhduar të kemi fondin për të kompensuar pronarët. Nuk i duam për buxhetin e shtetit. ALUIZN-in do ta mbajmë ne, do ta mbajë shteti, nuk do ta mbajnë njerëzit. Por kemi nevojë për një fond të rëndësishëm për pronarët. Dhe fondi i ALUZINI-t do të jetë minimal.

U kemi dhënë mundësinë që, nëse s’kanë mundësi të paguajnë, të mos paguajnë fare. Të thonë “nuk kam mundësi të paguaj. Toka s’është e imja, s’kam sot mundësi”. Do t’ia legalizojmë, do t’ia hipotekojmë dhe të gjitha shërbimet, të gjithë dokumentacionin e bën ALUIZN-i. Nuk do të shkojnë më njerëzit tek ALUIZN-i, por do të shkojë ALUIZN-i tek njerëzit dhe në hipotekë do të shënohet “me kufizim hipotekor”. Ai shënim do të mbetet aty, për t’u paguar në kohë. Por çdo të thotë dokument me kufizim hipotekor? Do të thotë që pronën e zotëron ai që ka shtëpinë dhe ai mund ta shesë, mund ta japë me qira, mund të bëjë transaksione me pronën, vetëm se pala tjetër duhet të jetë e gatshme të marrë edhe kufizimin hipotekor në “kurriz”. Nuk është legalizim falas ky?

Dhe tjetra, do t’i ulim nga çmimi i legalizimit, - jo siç thoshin sot disa gazeta që s’dinë çfarë shkruajnë, - 10 % që të paguajnë energjinë, se duam t’i fusim në sistem. Do t’i lëmë 10 % në hipotekë si kufizim dhe pas 2 vjetësh do të vinë ta heqin kufizimin, jo me lekë, por me faturat e energjisë, që gjithë këto zona të integrohen, që gjithë këto zona të hyjnë në qytet dhe në kulturën qytetare të bashkëjetesës. Gjë që se kanë pasur kurrë mundësinë ta bëjnë përpara. Ky është projekti ynë.

Sikundër është e habitshme, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër, që vazhdojnë të tjerrin teorinë e marrëveshjes së fshehtë me FMN. Pse, çfarë është FMN-ja, “Sudja” që bën marrëveshje të fshehtë me Presidentin dhe del Presidenti thotë “paratë janë të kulluara, turruni shqiptarë...” dhe pastaj furgonët e “Sudes” në drejtim të paditur.

Kemi bërë me FMN-në një marrëveshje që është marrëveshja më e mirë që mund të merrte Shqipëria. Marrëveshje që ne nuk kemi menduar se mund ta merrnim, kur kemi filluar negociatat. Është një marrëveshje që është në grupin shumë të vogël të marrëveshjeve të reja të FMN-së, që janë marrëveshje anti-shtrëngim, janë marrëveshje fleksibël për rritje. Dhe si e kemi marrë ne, marrëveshjen? E kemi marrë me angazhimin për reforma dhe nuk ka rritje taksash apo ngrirje rrogash, të shkruara në marrëveshje. Çfarë taksash janë rritur, janë rritur. Sigurisht, marrëveshja kondicionohet nga reformat. Dhe sigurisht, nga reformat kondicionohet edhe rritja ekonomike. Dhe sigurisht, në qoftë se shteti nuk performon, patjetër që do duhet të kthehet përsëri në bazë, për të rikonceptuar masa të reja shtrënguese. Kemi negociuar për një muaj rresht për të mos pranuar uljen e rrogave dhe të pensioneve, në gjendjen ku e kishin lënë këta, Shqipërinë.

Ne kemi marrë përsipër për të bërë reformën e pensioneve. 20 vjet nuk ka guxuar njeri në Shqipëri t’i afrohet reformës së pensioneve. Të gjithë e kanë shtyrë, e kanë shtyrë, e kanë shtyrë dhe kanë lënë aty një gropë ku mund të “bjerë” i gjithë sistemi. Një deficit i përvitshëm që nuk e ka asnjë vend i Evropës. Janë 7 njerëz që mbajnë një pensionist në Evropë. Ne duhet të kemi të paktën 4 dhe kemi 1 person. Një mban një. Kjo është e pamundur.

Por përsëri po bëjmë një reformë moderne, me nocione të reja, që nuk do të godasë ata që janë pranë pensionit dhe që do të sjellë një rritje graduale të moshës, në shumë vite projektuar. Dhe kur flasim për moshën limit, mosha limit u takon atyre që sot janë 40 vjeçarë, jo atyre që sot janë në prag të pensionit. Sigurisht, ne duhet të mendojmë për një Shqipëri, ku ata që sot janë 40-vjeçarë të punojnë më shumë nesër, jo të dalin në pension më të rinj. Kjo është tendenca e përgjithshme dhe kjo është edhe tendenca që duhet të kemi ne.

Rritëm 100 lekë taksën e naftës, për të bërë atë që kemi filluar të bëjmë dhe do ta intensifikojmë gjatë gjithë vitit, në shërbim të mjedisit. Në 4 vjet do të bëjmë në këtë drejtim, më shumë se ç’është bërë në 20 vjet, të marra së bashku, me kontributin e njerëzve. U çuan dhe thanë “do bllokohet Shqipëria, s’do vijnë anijet, s’do dalin makinat, edhe gomat e biçikletave do të shfryhen të gjitha”. Ja ku jemi! Çmimi është rritur vetëm 30 lekë dhe në koniunkturën e përgjithshme nuk është asnjë çudi që të vazhdojë të ulet. Sepse nuk lidhet dhe s’ka si lidhet, - vetëm një mendje që nuk kupton asgjë se çfarë thotë, ose që do të thotë me çdo kusht të kundërtën e asaj që është e vetëkuptueshme, - s’ka si të rritet ashtu në mënyrë automatike.

Sigurisht kemi rritur taksat, por sigurisht kemi ulur taksat. Kemi rritur taksat për ata të cilëve ua kemi thënë që do t’ju rrisim taksat. Ua kemi thënë hapur, në sy, paguani më shumë, sepse fitoni më shumë. Ne kemi ulur taksat për 97 % të njerëzve dhe ka qenë një tjetër pikë e fortë diskutimi me FMN-në. Le të shkojnë këta të dëgjojnë mësuesit, të dëgjojnë infermieret, të dëgjojnë të gjithë njerëzit që jetojnë me rrogë shteti, të dëgjojnë të gjithë demokratët e zakonshëm, siç i dëgjojmë ne në “fokus grupe” që bëjmë çdo 2 javë, se çfarë thonë. Nuk thonë që do të votojnë për ne, por thonë që taksat i ulën.

Objektivi ynë është që ta bëjmë vendin dinamik, t’i japim ekonomisë dinamizëm. Kemi marrë përsipër të shlyejmë borxhet deri në qershor, pjesën e përcaktuar për gjithë vitin. Ta shlyejmë deri në qershor, në mënyrë që t’i japim ekonomisë një shtytje të madhe. Por është e patregueshme se çfarë gjejmë nëpër ato letra. Është e patregueshme se çfarë mashtrimesh janë bërë me TVSH-në dhe se çfarë mashtrimesh janë bërë me faturat. Megjithatë, ne do ta realizojmë objektivin. Ju siguroj që bordi i FMN-në, në aprovimin marrëveshjes sonë ka qenë unanim. Në letrat që kemi marrë ka qenë me përgëzime për kurajën, por sfida jonë është të bëjmë reformën. Na kanë besuar se kemi marrë përsipër disa reforma shumë të vështira. Në qoftë se do të bëjmë reforma, do të dalim faqebardhë edhe me ekonominë brenda, edhe me partnerët ekonomikë të Shqipërisë.

Në qoftë se do të vazhdojmë të humbasim kohë siç humbasim çdo të enjte, mund ta quajmë si llogari që ia lëmë opozitës, por vetëm kaq. Pjesa tjetër duhet të jetë vetëm e fokusuar, vetëm aty ku jemi.

Duke e mbyllur, unë përsëri dua të shpresoj që opozita të reflektojë dhe të bëhet pjesë e reformës. Të bëhet pjesë e reformës territoriale - administrative, të bëhet pjesë e një dialogu që ne duam ta bëjmë seriozisht. Ne nuk jemi të përsosur dhe sa herë që do mendojmë që opozita ka të drejtë, do t’i japim të drejtë dhe do t’i jemi mirënjohës madje, që do të na ndihmojnë të shohim edhe gjëra që si shohim. Kanë nxjerrë emra konkretë, me probleme konkrete. Nuk i kemi hyrë fare diskutimit, sa të thella janë problemet dhe sa janë me vendime gjykate të formës së prerë, - siç thoshin këta, kur mbronin vrasësit që i kishin drejtor dhe vrasësit në kërkim ndërkombëtar, - i kemi larguar dhe do të largojmë çdo njeri që do të jetë i papranueshëm etikisht për administratën tonë. Por, nga ana tjetër, sigurisht do të bëjmë deri në fund punën tonë. Ne do të dëgjojmë sa të mundemi dhe pastaj ne do të vendosim, do të udhëheqim, sepse populli na ka zgjedhur për të vendosur dhe për të udhëhequr dhe nuk na ka zgjedhur për t’u sorollatur në batakun që këta sa herë vijnë këtu, çdo të enjte, duan të krijojnë për të na mbajtur peng.

KOMENTE