Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Merkel: Statusin do e shohim me pozitivitet. Brenda vitit në Tiranë
English

Merkel: Statusin do e shohim me pozitivitet. Brenda vitit në Tiranë

Gjatë takimeve në Berlin me kryetarin e Bundestag-ut gjerman, Grupit Parlamentar të CDU, me Zv/Kancelarin, njëherazi Ministër për Çështjet e Ekonomisë dhe Energjisë, etj. Në fokus të veçantë të vizitës qëndruan dhe takimet e komunikimet me sipërmarrës e investitore gjermanë, por edhe me botën akademike.

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama me Kancelaren Angela Merkel, pas takimit mes tyre, të martën, në Berlin:

Kancelaria Merkel: Gëzohem që Kryeministri Rama ka ardhur tek ne për vizitë, për vizitën e tij të parë. Marrëdhëniet bilaterale, vitet e fundit janë zhvilluar shumë mirë. Edhe marrëdhëniet ekonomike janë zhvilluar shumë mirë. Gjermania është prej vitesh partnere e Shqipërisë. Ne duam që Shqipëria të marrë një zhvillim të mbarë.

Ne kemi folur në mënyrë shumë të hapur dhe në mënyrë intensive për zhvillimet që kemi para vetes. Ne jemi të mendimit se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, perspektiva europiane është e nevojshme për një zhvillim të mbarë të të gjithë rajonit, edhe për Shqipërinë. Për këtë është i nevojshëm një proces i thellë edhe në Shqipëri. Kryeministri na informoi se cilat projekte të mëdha janë përpara vendit, por edhe për angazhimin dhe entuziazmin me të cilat ndiqen këto procese dhe këtu bën pjesë, natyrisht, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndërtimi i një sistemi juridik dhe pavarësia e drejtësisë. Ne e dimë gjithashtu se përmes perspektivës europiane, Komisioni Europian i ndjek me shumë vëmendje këto procese dhe në qershor do të paraqesë një raport për këtë çështje. Këto janë zhvillime që ne i ndjekim me shumë intensitet, me vëmendje të madhe, në Gjermani. I uroj Kryeministrit gjithë të mirat në këtë punë kaq të vështirë, sepse nuk është shumë e thjeshtë të ndjekësh një rrugë të tillë.

Ne kemi folur për gjendjen e të gjithë rajonit. Kryeministri Rama bëri edhe një herë të qartë që vitet e fundit, në Ballkanin Perëndimor kanë ndryshuar disa gjëra, në drejtim pozitiv. Prandaj ne duhet të përpiqemi që, pikërisht në këtë vit, 2014-a, që është një vit përkujtimor, në 100 vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore, që 100 vjet më vonë, ne kemi mësuar nga historia. Kjo do të thotë që ne duhet të flasim me njëri-tjetrin, duhet bashkëpunojmë më ngushtë me njëri-tjetrin. Prandaj, unë e konsideroj perspektivën europiane jo si një perspektivë të çfarëdoshme, por për një vrull të nevojshëm.

Unë besoj se folëm në mënyrë intensive me njëri-tjetrin dhe patëm një kontakt të parë. Unë gëzohem për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe ju uroj mbarësi me qeverinë tuaj, një qeveri e re, një qeveri që ka edhe shumë gra dhe kjo na gëzon gjithashtu.


Kryeministri Rama: Mirëdita të gjithëve. Padyshim ishte një kënaqësi shumë e veçantë, kjo vizitë dhe ky takim, për të cilin dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen Kancelares Merkel, duke përfituar kështu nga rasti, për t’ju thënë të gjithë atyre që na ndjekin drejtpërdrejtë në Shqipëri, se patëm një bashkëbisedim shumë miqësor, shumë të hapur dhe shumë intensiv, siç e tha edhe Kancelaria, lidhur me ecurinë e punëve në Shqipëri, lidhur me ecurinë e punëve në rajon, lidhur me rolin e Shqipërisë dhe me rolin e rajonit, për të çuar më tutje projektin e madh të integrimit europian.

Nga ana tjetër ishte një rast optimal, për t’i shprehur Kancelares mirënjohjen tonë për gjithçka që Gjermania ka bërë për Shqipërinë, në gjithë këto vite. Njëkohësisht, për të vënë theksin tek domosdoshmëria e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, për shkak se konsiderojmë se roli transformues i Gjermanisë, roli transformues në kulturën e sipërmarrjes i sektorit privat në Gjermani janë një mundësi dhe janë po ashtu, edhe një kërkesë legjitime, për të qenë shumë më prezent në rajon dhe sigurisht, edhe në Shqipëri.

Nga ana tjetër e sigurova Kancelaren se qeveria jonë është plotësisht e vendosur për të ecur në rrugën e modernizimit, të reformave që do të garantojnë shumë më tepër cilësi jete dhe cilësi shërbimesh për njerëzit, të reformave që do të garantojnë luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe ky fillim i mbarë, i njohur prej të gjithëve është vetëm fillimi i një procesi ku Shqipëria kërkon të ecë më shpejt drejt Europës, por duke e konsideruar gjithnjë, Europën, destinacionin brenda nesh dhe integrimin europian, një proces të patjetërsueshëm për modernizimin e vendit tonë.

Vendi ynë është në Europë dhe ne do të bëjmë gjithçka, ditë pas dite, që të meritojmë atë respekt dhe të meritojmë atë vend që shqiptarët aspirojnë, që me ndihmën e Gjermanisë, me ndihmën e Kancelares, me ndihmën e gjithë partnerëve tanë europianë, ne do të mund t’jua japim duke bërë si duhet gjithë detyrat tonë, në një proces që nuk është i shkurtër, por, nga ana tjetër, duke shprehur gjithmonë qartë, vetëdijen se për ne procesi i integrimit është një instrument i jashtëzakonshëm për modernizimin dhe europianizimin e Shqipërisë.

E së fundi, 2014-a është një vit i jashtëzakonshëm për Ballkanin. Është i pari vit në historinë e Ballkanit që ka ardhur pa konflikt, është i pari vit në historinë e Ballkanit ku s’ka një fqinj me pushkë drejtuar drejt fqinjit tjetër. Simbolikisht, ky është 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore dhe është viti i parë i një kapitulli të ri për gjithë rajonin tonë. Ne jemi të bindur se me mbështetjen dhe lidershipin e Gjermanisë dhe me mbështetjen e gjithë partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara dhe Europës së Bashkuar, ne do të mund ta transformojmë këtë moment të madh paqeje, në një hapësirë mundësish të reja për zhvillim ekonomik, social dhe padyshim, për integrimin rajonal dhe europian.

Faleminderit.


Zonja Merkel, cila është qasja e Gjermanisë ndaj statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në qershor, kujtojmë se Gjermania ishte një nga 5 vendet që kërkuan shtyrjen e statusit në muajin dhjetor dhe a ka një trajtim të diferencuar mes vendeve të Ballkanit perëndimor, kur Serbia, një nga vendet që edhe në krizën më të fundit, asaj ukrainase, nuk ka pasur një qëndrim të qartë ndaj Krimesë, por është një vend që është në proces negociatash me Bashkimin Europian. Pra, a ka një trajtim të diferencuar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Shqipëria ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat dhe kur do të jeni ju, për një vizitë në Shqipëri?

Kancelaria Merkel: Në fillim, sa për sqarim, Ukraina nuk zhvillon negociata për një Marrëveshje Asociimi. Një pjesë është nënshkruar. Ky është një dallim. Kurse Shqipëria bën negociata për statusin e kandidatit. Kjo ka të bëjë me faktin që të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor iu kemi dhënë perspektivën europiane dhe në fund të një rruge të gjatë do të kenë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ne i trajtojmë vendet në bazë të raporteve të Komisionit Europian. Komisioni Europian paraqet raporte për statusin, për gjendjen e punëve. Hapi tjetër që vjen tani për Shqipërinë është statusi i kandidatit. Ne në qershor do të marrim një raport të ri dhe me atë që dëgjova unë, do të ketë sigurisht edhe përparime. Komisioni do t’i ketë regjistruar këto përparime dhe ne do t’i shikojmë me një vështrim pozitiv dhe do të vendosim me një vështrim pozitiv për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Është gjithmonë një çështje se kur, nuk është një çështje nëse do ta marrë. Nuk duhet të keni frikë, se nuk do të jepet statusi i kandidatit, por vetëm raportet duhet ta bëjnë të mundur që t’ua japim. Ne folëm për këtë punë shumë hapur.

Së dyti, Kryeministri, mua më ftoi për vizitë dhe unë i thashë se do ta respektoj këtë ftesë. Po të më pyesni pas një viti, unë do të kem qenë në Shqipëri.


Zonja Merkel, Shqipëria prej vitesh bashkëpunon me FMN, por gjatë këtyre viteve, prania e investitorëve gjermanë nuk është aq shumë e ndjeshme. A biseduat ju me Kryeministrin Rama në lidhje me këtë çështje dhe si e shikoni ndryshimin?

Kancelarja Merkel: Po, unë fola me të për këtë. Ne folëm për faktin që projekte të caktuara të Organizatës Kreditore për Rindërtimin të regjistrohen shumë pozitivisht për Shqipëri, për sa i përket konfigurimit të infrastrukturës në Shqipëri.

Së dyti, Kryeministri do të ketë bisedime edhe me investitorët gjermanë. Ne do t’i inkurajojmë ata të vijnë në Shqipëri. Për investitorët gjermanë, për investitorët privatë ka shumë rëndësi siguria juridike. Ata duhet të kenë besim tek sistemi juridik dhe prandaj ne këmbëngulim shumë te reforma në drejtësi. Jo sepse e konsiderojmë të bukur që të funksionojë si duhet sistemi juridik, por ne kemi shumë sipërmarrje të mesme në gjermani, të cilat varen shumë nga fakti që ta investojnë kapitalin e tyre atje ku gjejnë dhe kushte të mira. Sa më shpejtë të reformohet sistemi juridik, aq më i madh dhe aq më i shpejtë do të jetë edhe interesi i investitorëve gjermanë për Shqipërinë. Domethënë, merren më shumë produkte nga Shqipëria, importohen në Gjermani. Unë jam e sigurt që edhe bilanci i importit dhe eksportit do të balancohet.

Kryeministri Rama: Unë do të shtoja edhe një herë tjetër që patëm një dakordësi të plotë me Kancelaren lidhur me domosdoshmërinë që rajoni si i tërë të zhvillohet në mënyrë më të integruar dhe bashkëpunimi rajonal, në aspektin ekonomik, të shkojë duke u forcuar.

Sikundër, e përsëris, ne jemi shumë të dëshiruar dhe do të bëjmë gjithçka për të krijuar kushtet, për të tërhequr sa më shumë investime gjermane në Shqipëri. Investimet gjermane në Shqipëri, ne i shohim jo vetëm si burim të ardhurash, por edhe si një instrument të transformimit të kulturës së sipërmarrjes dhe të kulturës së punës. E për këto arsye, i konsiderojmë me një vlerë të dyfishtë. Prandaj do të vazhdojmë kontaktet edhe me sipërmarrjen këtu dhe kemi planifikuar për të çuar më tutje këto kontakte, në disa takime të mëtejshme me disa nga grupet e mëdha gjermane, në Gjermani.

***

Sot në mesditë Kryeministri Edi Rama është pritur nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel me ceremoninë zyrtare të nderimit ushtarak në Kancelarinë gjermane.

Më pas kryeministri së bashku me delegacionin që e shoqëron në këtë vizitë ka zhvilluar një takim dypalësh të nivelit të lartë. Pas takimit, Kryeministri Rama dhe Kancelarja Merkel kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku theksi kryesor ishte statusi i vendit kandidat të Shqipërisë.

***

Kryeministri takohet me Presidentin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammert

Kryeministri Rama u takua sot në Berlin me Presidentin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammert.

Presidenti i Bundestagut, duke i uruar suksese qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama në punën e nisur, vlerësoi progresin e arritur së fundmi nga qeveria shqiptare, nëpërmjet reformave të ndërmarra, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat e afrojnë edhe më tepër Shqipërinë me familjen e madhe evropiane. Zoti Lammert u shpreh se Shqipëria i përket BE, dhe siguroi për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e integrimit europian të vendit.

Kryeministri Rama, duke e vlerësuar Gjermaninë si një partner kyç të Shqipërisë i shprehu zotit Lammert falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e rëndësishme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit, - duke theksuar mes të tjerave, vullnetin e palëkundur dhe angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të përmbushur me sukses këtë proces të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kryeministri Rama e njohu zotin Lammert me arritjet e qeverisë shqiptare në disa prej fushave kryesore të zhvillimit të vendit dhe theksoi se qëllimi madhor i kësaj qeverisje është modernizimi i Shqipërisë.

Gjatë takimit të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe shprehën vullnetin e përbashkët për forcimin e urave të bashkëpunimit në të ardhmen, në fusha me interes të ndersjellë.

***

Kryeministri Rama takohet me kreun e grupit parlamentar të CDU/CSU -së, Volker Kauder

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Berlin, u takua sot me kreun e grupit parlamentar të CDU/CSU -së, Volker Kauder.

Kryeministri Rama i shprehu zotit Kauder mirënjohje për mbështetjen që CDU/CSU i kanë dhënë Shqipërisë dhe vlerësoi nivelin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në gjithë këto vite.

Në takim, Kryeministri dhe kreu i grupit parlamentar të CDU/CSU -së biseduan edhe lidhur me perspektivën evropiane të Shqipërisë, ku zoti Kauder theksoi mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë. Kryeministri Rama theksoi se Qeveria që ai drejton është e vendosur në realizimin e çdo reforme që afron Shqipërinë me Bashkimin Europian, si dhe se “siguria, inovacioni dhe progresi janë prioritetet e qeverisë shqiptare”.

Kreu i grupit parlamentar të Kristian Demokratëve shprehu vlerësim për punën e deritanishme të qeverisë, duke theksuar se ndonëse u përkasim kampeve të ndryshme politike, meritoni mirënjohje për punën tuaj. Ai u shpreh se Qeveria e re në Shqipëri është në rrugën e duhur për progres dhe vlerësoi arritjet e vërejtura në luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin e qeverisë për thithjen e investimeve të huaja.

***

Kryeministri Rama takon Zëvendëskancelarin dhe ministrin e ekonomisë, zotin Sigmar Gabriel

Një takim tjetër, pjesë e axhendës së Berlinit, ishte dhe ai mes Kryeministrit Rama dhe Zëvendëskancelarit e ministrit të ekonomisë dhe energjisë të Gjermanisë, zotit Sigmar Gabriel, i cili është njëkohësisht kryetar i Partisë Social Demokrate gjermane.

Duke i uruar mirëseardhjen kryeministrit, zëvendëskancelari Gabriel shprehu mbështetjen për qeverinë e re shqiptare dhe kryeministrin Rama në rrugën e zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë. Ai vlerësoi arritjet e deritanishme të qeverisë shqiptare në prioritetet e saj më të rëndësishme, e në mënyrë të veçantë në luftën kundër korrupsionit.

Zëvendëskancelari gjerman u shpreh për mbështetjen e plotë të Gjermanisë ndaj integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se ajo si deri tani, do të vijojë të përkrahë Shqipërinë në këtë rrugëtim të rëndësishëm për të.

Zëvendëskancelari gjerman siguroi se Gjermania do të rrisë prezencën ekonomike të saj në Shqipëri, nëpërmjet investimeve në fusha me interes të përbashkët.

Nga ana e tij, kryeministri Rama i shprehu zotit Gabriel mirënjohjen e veçantë për mbështetjen që Gjermania vijon t’i ofrojë Shqipërisë, në shumë aspekte, në rolin e një partneri kyç për të. Kryeministri e njohu zëvendeskancelarin gjerman me përpjekjet e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më të përshtatshme dhe inkurajuese për investimet e huaja, duke ftuar në të njëjtën kohë investitorët gjermanë të zgjerojnë dhe shtojnë prezencën me investimet e tyre edhe në Shqipëri.

KOMENTE