English

Bozdo: Zhblloko buxhetin, mos luaj me cilësinë e jetës së qytetarëve

Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo ka shprehur sërish dje shqetësimin, për bllokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Bllokimi i këtij buxheti po mban peng realizimin e një sërë investimesh në rrugë, shkolla, kopshte, çerdhe, duke cënuar drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës e duke mos kursyer as të vdekurit. Komunikimin me mediat, z. Bozdo e bëri në bllokun e banimit të kufizuar nga rruga "Muhamet Gjollesha" - "Myslym Shyri"- rruga e "Kavajës" me kufirin e njësisë bashkiake nr. 10, për rikualifikimin e së cilit, në buxhetin e Bashkisë është parashikuar një fond prej 117.044.470 lekësh. Në këtë bllok banimi nuk është investuar prej 20 vitesh, ndonëse ndodhet në zemër të Tiranës.

“Zgjodhëm sot këtë komunikim me mediat, për të dhënë shembullin konkret se çfarë ka sjellë bllokimi, tashmë prej 4 muajsh, në mënyrë të pakuptimtë i buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Pas meje ndodhet rruga “Nikolla Lena”, në zemër të Tiranës, një rrugë e cila së bashku me rrugët kufizuese është zgjedhur si projekt i kualifikimit të plotë urban. Është një projekt i Bashkisë së Tiranës me vlerë investimi, 117 milionë lekë (të reja), një sipërfaqe urbane prej 12 ha, kemi të bëjmë me 1.3 km rrugë parësore dhe 1.9 km rrugë dytësore. Afati i punimeve është 12 muaj, çka do të thotë se në çastin që projekti na zhbllokohet, në një vit ne rikuperojmë nga ana urbane të gjithë bllokun dhe rikuperimi ka të bëjë jo vetëm me shtrimin e rrugëve por me gjithë rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, sipërfaqe të gjelbra, vendet e depozitimit të mbeturinave, ndriçimin, troturaret, parkimet, vendet e sigurta për kalimtarët, pra kemi të bëjmë me një projekt kompleks.

Prej 4 muajsh, ky projekt por edhe të tjerë që kanë lidhje me çerdhet, kopshtet, shkollat, varrezat (problemin më të madh social që ka sot Tirana) janë të bllokuar. Janë bllokuar sepse konflikti politik, për fat të keq ka prekur interesat e qytetarëve të Tiranës, interesat e Tiranës” - deklaroi z. Bozdo.

Z. Bozdo i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Rama ta nxjerrë Bashkinë nga konflikti politik dhe të mos bllokojë investimet për qytetarët.

“Edhe një herë, gjej rastin këtu për t’u bërë thirrje kryeministrit, të dërguarve të tij, institucioneve që me projekt-buxhetin e Bashkisë së Tiranës luajnë ping-pong (e miratojmë, nuk e miratojmë) e kjo histori vazhdon kështu prej 4 muajsh, që ta lënë Tiranën jashtë konfliktit politik, t’u japin mundësi qytetarëve të kryeqytetit të jetojnë një jetë më të mirë.

Ne kemi paratë, mundësitë, kemi projektet të cilat nuk i kemi gjetur në kohën kur z. Rama ka lënë Bashkinë e Tiranës, i kemi të gjitha mundësitë që ta rikuperojmë këtë bllok e shumë blloqe të tjera, të ndërtojmë shumë shkolla, çerdhe e kopshte por z. Rama vetëm të japë mundësinë që projekt-buxheti të miratohet. Kjo është një thirrje qytetare që vjen nga zemra e qytetit të Tiranës” – u shpreh z. Bozdo.

KOMENTE