English

Kombinat-Kinostudio. Projekti i Tramit do të nisë së shpejti. Kostoja e tij do të jetë 155.5 milion euro

Basha: “Gati të nisë zbatimi i projektit, ftojmë qeverinë të japë garancinë sovrane”

Bashkia e Tiranës, ka prezantuar projektin e tramit, për linjën Kombinat-Kinostudio. Ky projekt i premtuar nga kryebashkiaku Basha, 3 vjet më parë është sot realitet dhe me vullnetin e qeverisë, do të nisë jetësimin shumë shpejt.

“Kur 3 vjet më parë artikulova për herë të parë angazhimin tim për këtë formë të transportit urban në Tiranë, shumëkush madje edhe dashamirës nuk ngurruan ta cilësonin thjesht dhe vetëm një premtim elektoral.

Por ashtu si para tre vitesh, edhe sot jam optimist se jetësimi i këtij projekti, bazuar mbi shpresën dhe besimin e qytetarëve të Tiranës, do të bëhej realitet, sepse ishte një opsion i dëshiruar, tek i cili kishte besim qyteti i Tiranës, për të cilin kishte nevojë qyteti i Tiranës e madje ishte i vonuar për kryeqytetin.

Sot, jam para jush dhe para bashkëqytetarëve tanë, jo pa gëzim, në këtë prezantim të projektit të parë të linjës së tramit Kombinat –Kinostudio.

Jam i gëzuar, sepse për realizimin e këtij projekti ka interes nga kompani ndër më të mëdha të planetit, nga Franca, Gjermania, Kanadaja, Çekia, Turqia dhe Kina. Jam i gëzuar, sepse me pak vullnet të mirë nga ana e qeverisë për të bërë atë që i takon çdo qeverie në Europë për projekte të tilla, Bashkia e Tiranës është që sot gati të nisë realizimin e këtij projekti të madh, i cili do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së burrave e grave, të rinjve e të rejave, të moshuarve e fëmijëve të kryeqytetit tonë e qindra mijëra shqiptarëve të tjerë që vijnë çdo ditë në këtë shtëpi dhe strehë të madhe të Shqipërisë që është kryeqyteti i tyre” – deklaroi kryebashkiaku Basha.

Transporti me tram sjell përfitim për lëvizshmërinë e qytetarëve për një kohë të shkurtër, me mjete komode dhe çmime të përballueshme. Po kështu, ky shërbim sjell përmirësim të ndjeshëm të parametrave të mjedisit, ku qarkullimi rrugor është dhe mbetet ndër burimet kryesore të ndotjes së ajrit.

“Transporti me tram në këtë linjë do të përgjysmojë kohën e udhëtimit. Itenerari Kombinat-Kinostudio do të përshkohet vetëm në 24 minuta, kjo pasi linjat e tramit janë të dedikuara dhe të papenguara nga trafiku. Transporti me tram do të ulë koston e përgjithshme të transportit në qytet dhe do të ofrojë një shërbimi më të shpejtë dhe më cilësor, shumë më cilësor, i cili synon dhe jam i bindur do të orientojë shumë më shumë qytetarë drejt përdorimit të transportit publik dhe braktisjes së përdorimit vend e pa vend të automjeteve private.

Linja që ka një gjatësi për afro 9 km përllogarit në fazën e parë të transportojë 90 mijë pasagjerë në ditë, me një perspektivë të dyfishimit deri në 186 mijë pasagjerë në ditë në periudhën afatmesme.

Kosto e transportit, sipas studimit parashikohet në 50 lekë/për person, ndërsa çmimi i mesatarizuar, duke përfshirë edhe shërbimet e aboneve mujore apo vjetore është 41 lekë/për person. Ka qenë dhe mbetet synimi ynë që përveç shërbimit cilësor dhe komod të ofrojmë edhe çmime të përballueshme për xhepat e qytetarëve, e Tiranës, në veçanti.

Kosto e përgjithshme e projektit vlerësohet të jetë në rendin midis 120 dhe 155.5 milionë euro. Realizimi parashikohet me koncesion ose partneritet publik- privat, ku partneri publik, natyrisht është Bashkia e Tiranës“

Kryebashkiaku Basha ka theksuar se financimi i një projekti të tillë, në mbi 200 raste të studiuara nga konsulenti dhe qeveria franceze ka si nevojë dhe domosdoshmëri edhe angazhimin e autoriteteve qendrore, përmes mekanizmave të garancisë sovrane të financimit, për të cilin Bashkia e Tiranës pret dhe uron një përgjigje pozitive nga qeveria shqiptare.

“Në fund të fundit, pavarësisht se akoma nuk u zgjidh se kush e përmendi dhe si çështjen e tramit, tramin e kishim të dy kandidatët. Kryetari i Bashkisë përfundoi projektin, ish-kryetari i Bashkisë ka mundësi të tregojë seriozitetin dhe përkushtimin duke angazhuar atë levë dhe mekanizëm që do angazhonte çdo qeveri europiane, garancinë sovrane për Bashkinë e Tiranës, për të realizuar tramin, jo për kryetarin e Bashkisë por për qytetarët e Tiranës” – u shpreh kreu i Bashkisë.

Zoti Basha ka shprehur dhe kënaqësinë e përfundimit të të gjitha projekteve strategjike të premtuara prej tij gjatë fushatës elektorale. Disa kanë përfunduar, disa janë në zbatim dhe disa nisin së shpejti.

“Kemi përfunduar projektin e menaxhimit të trafikut në kohë reale, i cili po funksionon dhe po jep rezultatet e veta maksimale në menaxhimin më të mirë të trafikut në Tiranë. Projekti i bulevardit dhe lumit të Tiranës ka nisur e po vijon zbatimin. Brenda këtij muaji i propozojmë Këshillit Bashkiak autorizimin e Bashkisë së Tiranës, për dhënien me koncesion të terminalit multimodal të pasagjerëve, stacionin që i ka munguar në dekada autobusëve ndërurbanë, trenit dhe tramit, me mbështetjn e ekspertizës më të mirë dhe fondeve të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim.

Me projektin e tramit që prezantohet sot, përmbushim jo vetëm një premtim dhënë tre vite më parë por po kështu zgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë për zhvillimin ekonomik, planifikimin e territorit, lëvizshmërinë dhe transportin publik, së shpejti për mbetjet dhe menaxhimin e integruar të tyre, jo thjesht për tre vitet e ardhshme, por për 20 vitet të ardhshme. Ky është angazhimi im, i Bashkisë së Tiranës; një Tiranë moderne dhe europiane mund e duhet të ndërtohet mbi ambicie, plane e vizione jo vetëm për të nesërmen tonë por edhe të pasnesërmen e fëmijëve tanë e fëmijëve të fëmijëve tanë”.

KOMENTE