English

Rama: Mirënjohje Policisë së rilindur

Fjala e Kryeministrit Rama në konferencën e djeshme për shtyp:

Përgëzime dhe mirënjohje gjithë trupave të Policisë së Shtetit që u angazhuan në operacionin më të rëndësishëm, më të rrezikshëm dhe më masiv policor të kryer në tërë këto vite, nga uniformat blu.

Shqipëria e shqiptarët që duan Shqipërinë dhe aspirojnë një jetë më të mirë për familjen dhe fëmijët e tyre i janë sot mirënjohës Policisë së rilindur të Shtetit.

Për pesë ditë me radhë, pa vënë gjumë në sy dhe në kushte klimaterike jo gjithnjë të favorshme, Policia e Shtetit e shkatërroi tabunë 20 vjeçare, të një zone që krimi e kishte vetëshpallur Republikë më vete dhe e kishte kthyer në një njollë turpi për Republikën e Shqipërisë.

Sot, pas pesë ditësh luftë me një hordhi kriminelësh të rritur në prehrin e politikës dhe të lidhur ngushtë me pushtetin e deridjeshëm, ajo Republikë e turpit politik e shtetëror nuk ekziston më dhe Lazarati është thjesht një fshat i Shqipërisë si mijëra të tjerë.

Sot, pas pesë ditësh e netësh nën ankthin e madh të përballjes së parë reale të shtetit me kriminelët, në atë zonë të pushtuar për 20 vjet rresht nga krimi, qytetarët e ndershëm të Lazaratit dhe familjet e tyre nuk janë më pengjet e një martese të shpifur dhe të stërzgjatur të krimit me politikën.

Sot, edhe mbarë bota, që deri para pesë ditësh e tregonte me gishtin e përqeshjes, Shqipërinë, si një vend mes të Europës ku lulëzonte një Republikë më vete droge dhe paraje të zezë, e shikon Shqipërinë tonë me një sy krejt tjetër. Falë atyre qindra njerëzve nën uniformën blu, që i kthyen Shqipërisë dinjitetin në sytë e botës, por edhe falë edhe një populli të tërë, që gjatë gjithë këtyre ditëve i mbështeti duke i dhënë kurajo dhe duke i bërë të ndjehen ata që në fakt janë njerëzit e policisë, njerëzit e popullit të tyre, mbrojtësit e popullit të tyre, zëdhënësit e aspiratës së popullit të tyre, për të vënë të gjithë, njësoj, përpara ligjit.

Ky operacion, që ndan përfundimisht një kapitull të gjatë rrënimi dhe mjerimi të Policisë së Shtetit, nga kapitulli i ri, padyshim, i vështirë, por tanimë i hapur plotësisht, i rilindjes së Policisë së Shtetit nuk kushtoi as edhe një pikë gjaku.

Edhe nëse batërdia e këtyre ditëve do të kishte shkaktuar viktima, prapëseprapë, profesionalizmi në hartimin, drejtimin dhe realizimin e operacionit nuk do të vihej në diskutim, me këtë rezultat spektakolar, që fatkeqësisht nuk mund ta shohin vetëm ata që nuk duan ta shohin. E, nuk kanë faj se kanë arsye për të mbyllur sytë e për të mos parë atë që sot u duket fatkeqësisht, si një gjëmë e madhe.

Policia ishte e përgatitur për të mos u kthyer nga Lazarati, pa fitoren e shtetit mbi krimin, cilido të ishte çmimi që duhej paguar, për t’i dhënë fund atij turpi me kosto të pallogaritshme për një vend e popull të tërë, për vite me radhë.

Por, fakti që shpartallimi i hordhisë kriminale pas pesë ditësh e netësh nën plumba u arrit pa asnjë pikë gjaku, është dëshmia më kuptimplotë e faktit se Policia e Shtetit është rikthyer tanimë plotësisht në krye të detyrës, mu siç ishim zotuar, brenda 300 ditëve të para të qeverisjes, me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të plotë.

Kjo është një arritje e jashtëzakonshme.

Po, sigurisht, unë vazhdoj të besoj dhe të them se ky është vetëm fillimi.

Për këtë fillim, tanimë plotësisht të mbarë, përmes shumë peripecish, përmes plot suksesesh, por edhe momentesh të vështira, edhe momentesh të padëshiruara, unë dua të shpreh këtu, bindjen time të rikonfirmuar se sot ky vend ka një Ministër të Brendshëm që prej kohësh i ka munguar dhe pa as më të voglin dyshim po udhëheq një transformim rrënjësor në Policinë e Shtetit dhe në marrëdhëniet mes Policisë së Shtetit dhe ligjit, mes Policisë së Shtetit dhe publikut, mes Policisë së Shtetit dhe vetë misionit të çdo polici të shtetit.

Mirënjohje, falenderim dhe vlerësim superlativ sot, për Ministrin e Brendshëm. Dhe po njësoj për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe për të gjithë drejtuesit e lartë të policisë, që u përfshinë në vetë të parë, pa kursim dhe pa asnjë lëkundje në këtë operacion, që për shumëkënd ishte i pamundur dhe të cilin, shumëkush tjetër e konsideronte test.

Nga ana tjetër, i shpreh respektin dhe pa as më të voglin dyshim edhe angazhimin e plotë të gjithë banorëve të Lazaratit, për t’ju krijuar kushtet, që jeta e tyre të normalizohet dhe që ai fshat, që sot është njësoj si të tjerët, të bëhet si të tjerët. Përsa i takon mundësive që duhet t’u krijohen familjeve, që duhet t’u krijohen atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme dhe që duhet t’u krijohen fëmijëve të tyre, për të jetuar në shtëpitë e të parëve të tyre.

Falenderim dhe mirënjohje të madhe për publikun, dhe posaçërisht për të gjitha ata, veçanërisht shumë, të reja dhe të rinj që u angazhuan me entuziazëm përmes rrjeteve sociale për ta mbështetur fuqimisht policinë që duam. Policia që duam dha shenjën e parë të fortë dhe të sigurt që është në rrugën e duhur. Por rruga është ende e gjatë, rruga ka ende plot vështirësi përpara dhe rruga ka ende plot sfida.

Sigurisht, sot, nuk është dita për t’u marrë me të gjitha. Nuk është dita për t’u marrë me “Lazaratin” tjetër, me “Lazaratin” e shtrirë në të katër anët e vendit përmes sistemit gjyqësor dhe falë prokurorësh e gjykatësish që nuk kanë asgjë të përbashkët, as me misionin dhe as me aspiratën e shkruar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë nga një popull i tërë, që nuk e përmbysi diktaturën komuniste për të rënë viktimë e diktaturës së korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Unë dua të ndalem këtu, duke e mbyllur aty ku është edhe tema e këtij komunikimi, me një thirrje të fortë dhe të qartë për Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës që të angazhojë veten e tij dhe gjithë forcat e shëndetshme rreth tij për t’i shkuar deri në fund fazës së dytë të këtij operacioni, që është zbardhja dhe ndëshkimi për çdo provë të zbardhur i të gjithë kësaj veprimtarie shumëvjeçare kriminale, deri në sekuestrimin e qindarkës së fundit të të gjithë pasurive dhe parave të zeza, që janë akumuluar në kurriz të njerëzve të thjeshtë, të kthyer në skllevër dhe në kurriz të një Shqipërie të tërë, nga këta kriminelë që duhet të marrin atë që meritojnë.



-Zoti Kryeministër, vlerësimin që ju keni për Ministrin e Brendshëm, zotin Tahiri, nuk është se e ndajnë edhe deputetë brenda mazhorancës. Nëse do të ketë ndonjë nismë, ashtu siç po flitet, për të kërkuar shkarkimin e zotit Saimir Tahiri, do ta mbështesni këtë? Në qoftë se jua kërkon aleati juaj kryesor, Lëvizja Socialiste për Integrim?

Kryeministri Rama: Këto kanë qenë ditë me shumë tym dhe unë kam qenë përqendruar tek tymi i Republikës më vete, që nuk ekziston më. Pjesën tjetër të tymit jua kam ju, se ju me atë jetoni.



-Zoti Rama, a ka një plan qeveria për ta vazhduar më tej çështjen e komunikimit me Lazaratin. Kam parasysh faktin se Lazarati edhe nëpërmjet analistëve dhe komentatorëve është konsideruar në një fazë shock-u për momentin, -flas për pjesën e banorëve, - kur do të keni gati ju një plan për ta bërë publik, për ta nxjerrë Lazaratin në një komunikim normal dhe me veten, dhe me banorët, dhe me jetesën social-ekonomike të tyre?

Kryeministri Rama: Nuk e di se ç’kanë dashur të thonë ata që e kanë konsideruar këtë një fazë shock-u. Unë besoj që kjo është dita për të thënë,- nëse i shkojmë të njëjtit krahasim,- se ky ishte shock-u i rilindjes së Lazaratit, pas një agonie 20-vjeçare në tymin e marijuanës dhe në kthetrat e krimit që shtrëngonin për fyti gra e burra, deri edhe të mitur, familje të tëra shqiptarësh, që për shkak të atyre kthetrave jetonin në asfiksi të plotë. Sigurisht që, siç e thashë, ne do të bëjmë gjithçka na takon për të lehtësuar këtë proces adoptimi të atij komuniteti me kushtet normale të jetës së çdo fshati në Shqipëri.

Faleminderit!

KOMENTE