English

Lazarat 2 arrestime,midis dhe 1 punonjës policie

Policia e Shtetit ka vijuar operacionin në fshatin Lazarat për kontrollin e territorit dhe ambienteve, me qëllim gjetjen e asgjesimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë kryer veprime të kundraligjshme.

Në kuadër të masave të marra për kontrollin e territorit po bashkëpunohet edhe me një skuadër të xhenierëve të Ministrisë së Mbrojtjes, me synim identifikimin e vendeve ku mund të jenë fshehur armë e municion përmes pajisjeve të posaçme të specializuara të kësaj strukture, për të bërë të mundur sekuestrimin e tyre.

Mbrëmë nga strukturat e Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit të ndërmarrë në fshatin Lazarat është bërë arrestimi i shtetasit Alim Turabi Basho, vjeç 50, banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në bodrumin e banesës së tij është gjetur e sekuestruar një armë zjarri automatik dhe tre krëhra me fishekë, ndërkohë në një largësi 5 m nga banesa, në një stallë që përdorej prej tij, janë gjetur 4 thasë me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa e thatë me një peshë prej 234 kg. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për veprat penale “mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “prodhim e shitje të narkotikëve.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 22 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, prodhim e shitje të narkotikëve, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.

Veprimet e strukturave të Policisë së Shtetit do të vijojnë deri në përmbushjen e plotë të objektivave të vendosur në kuadër të operacionit të ndërmarrë në Lazarat.

Ndërkohë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, mbrëmë, është bërë arrestimi në flagrancë i Inspektor Lorenc Alia, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, pasi akuzohet se gjatë operacionit policor në Lazarat ka shpërdoruar detyrën, duke abuzuar me qëllim përfitimi gjatë procesit të shoqërimit dhe sekuestrimit të automjeteve të dyshuara në Lazarat.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes një grupi të posaçëm, po monitoron çdo veprim të strukturave të policisë në kuadër të operacionit të ndërmarrë në Lazarat.

REZULTATE TË OPERACIONIT NË TOTAL

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjesimin e rreth 133.219 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 42 ton e 990.415 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin.

Janë gjetur 8 pako e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat, janë sekuestruar dhe 1.3 kg lëndë narkotike çokollatë, si dhe 3 kg farë kanabis sativa.

Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë ku u sekuestruan 27 llampa për ngrohje.

Sasi të konsiderueshme municioni dhe armë:

- 142 armë zjarri automatikë e pushkë, 8 pistoleta, 2 snajper, 1 mitroloz kundërajror me gjithë shtrat, 10 mitrolozë, 3 antitank, 1 murtajë dhe 4 granatëhedhës, 2 armë të vjetra si dhe 7 armë gjahu.

- janë gjetur e sekuestruar 32 armë të djegura, si: 1 snajper, 6 mitrolozë, 1 granatëhedhës, 22 automatikë dhe 2 pushkë.

- janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme municioni si: 86.751 fishekë të llojeve të ndryshme, 229 kallëpë tritol, 137 granata dhe një arkë me granata, 43 predha granatëhedhësi, 8 krëhra fishekësh, 150 ndezësa elektrik dhe një sasi tjetër e konsiderueshme, 97.3 m fitil zjarrpërcjellës, 153 krëhra fishekësh,

- janë bllokuar për kqyrje të mëtejshme 11 mjete me armë e kanabis brenda tyre, si dhe 22 automjete të tjera.

- janë bllokuar dhe 3 mjete të djegur (2 furgonë dhe 1 veturë) me kanabis.

- janë sekuestruar 15 targa automjetesh.

- janë sekuestruar 8 pajisje presuese droge, 9 kallëp presash, 18 gërshërë për krasitje kanabisi, 1 pajisje për vakum ajri.

- është sekuestruar 1 aparat kërkues floriri dhe 1 kasafortë

- dokumenta identitetesh të ndryshme, uniforma policie.

Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 529 banesave dhe ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e Komunës.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 22 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, prodhim e shitje të narkotikëve, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.

KOMENTE