English

Kush qëllon mbi policinë do të qëllohet me snajper

Në ditën e tretë të operacionit antikanabis që po vazhdon në Malësinë e Dukagjinit sërish ka pasur të shtëna me armë ndaj policisë. Ndërsa Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, paralajmëruan se RENEA dhe forcat speciale atje do të qëllonin me snajper ata që qëllonin efektivët e Policisë. Lajmi u bë i dituri dje, pak kohë pasi në komunën e Pultit, persona të cilët policia tha se i kishte identifikuar qëlluan me armë, ndaj efektive të policisë, në operacion, por që fatmirësisht nuk pati të lënduar. Menjëherë pas kësaj situate trupat speciale të RENEAs dhe efektivë të tjerë që marrin pjesë në operacion janë urdhëruar nga Ministria e Brendshme t’iu kundërpërgjigjen me snajper personave të armatosura, kultivues apo roje të parcelave me kanabis në Dukagjin që qëllojnë ndaj tyre. Goditja me snajper do të kryhet vetëm në rastet se qëllohen nga grupet e armatosura, apo këto grupe hapin zjarr dhe rrezikojnë jetën e efektivëve të Policisë që lokalizojnë dhe asgjësojnë kanabis në terren. Lajmi konfirmohet nga burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, dhe grupit të komandimit të forcave në terren. Gjatë tri ditëve që operacioni ka vazhduar në Malësinë e Dukagjinit policia është goditur me armë nga persona që tashmë janë identifikuar dhe është lëshuar lajmërim për këdo që jep informacion mbi vendodhjen e mundshme të tyre raporton e përditëshmja "Shekulli".

Nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar, policia nuk ka qëlluar drejtpërdrejt ndaj personave por në ajër. Ndonëse operacioni ishte në ditën e tretë të tij sërish policia ka hasur në të shtëna nga kultivuesit e drogës. Ditën e parë të operacionit u qëllua një helikopter ndërsa ditën e dytë dy të tillë dhe sipas burimeve të policisë si pasojë e të shtënave një helikopter ka dalë jashtë funksionimit. Forcat blu bënë me dije se janë identifikuar personat që qëlluan kundër tyre ndaj u vu një shumë prej 100 mijë eurosh për ata që japin informacion për kapjen e personave. Policia tha se “grupi i zjarrit”, përbëhet nga 10 vetë, të identifikuar prej tyre dhe se janë banorë të komunës Pult të Dukagjinit. Ata janë identifikuar si Besnard Bungaja,Gjin Guri, Lekë Thani, Nikollë Shpati, Palë Dushku, Gegë Kola, Mentor Bungaja, Pëllumb Dushku, Nikë Tonaj dhe Kolë Bungaja. Personat në fjalë janë shpallur në kërkim nga policia dhe aktualisht forcat RENEA janë duke kryer disa aksione në zonat ku dyshohet se ndodhen ata. Ndërsa familjarët dhe të afërmit e tyre u është bërë thirrje të tërhiqen, pasi policia nuk do të tërhiqet. Blutë kanë thirrur dje kryetarin e Komunës Pult, Sokol Martini, për të bashkëpunuar më uniformat blu për zgjidhjen e kësaj situate.

Ndonëse Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi thanë se situata është nën kontroll duket se operacioni po me tiparet e atij te Lazaratit. Ndryshimi mes dy operacioneve konsiston në faktin se në Lazarat policia hasi në një rezistencë masive të banorëve të zonës ndërsa në Dukagjin probleme të mëdha po krijon terreni i thyer malor ndërsa banorët nuk janë përfshirë fare në punët e policisë. Në terren gjatë ditës së djeshme u angazhuan rreth 200 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, të Komisariatit Special RENEA, dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër. Po kështu janë përfshirë dhe shërbime të tjera të specializuara, si oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, ndërsa veprimet taktike operacionale apo edhe hetimore, po drejtohen nga kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi. Forcat blu bënë me dije se gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni, nga shërbimet e policisë në terren është bërë i munduar asgjësimi i mbi 45 mijë rrënjëve bimë narkotike kanabis sativa, ku për çdo rast në vendngjarje janë kryer veprimet procedurale përkatëse. Ndërsa konfirmohet se operacioni do të vijojë deri në asgjësimin e çdo sipërfaqe të konstatuar të kultivuar me bimë narkotike në këtë zonë. Ndërsa persona të arrestuar nuk ka ende, por ka disa persona të dyshuar, ndaj të cilëve ka filluar procedimin policor dhe në bashkëpunim me Prokurorinë do të fillojë dhe procedimi penal. Në lidhje me numrin e bimëve të asgjësuara burime pranë policisë thanë se “deri tani janë rreth 45- 46 mijë rrënjë bimë narkotike të asgjësuara për këto tre ditë, pasi në këtë zonë ne kemi rreth të paktën 15 ditë apo me tëpër, rreth 3 javë, që kemi filluar. Bëhet fjalë për këto zona që janë më të thella”.

Ne kontrollojmë çdo metër katror të vendit

Operacioni që po zhvillohet në Shkodër tashmë prej tri ditësh drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z.Artan Didi. Në lidhje me ecurinë e operacionit dhe të shtënave që policia ka hasur nga disa persona të dyshuar dhe tashmë të identifikuar nga policia Didi u shpreh. “Po është e vërtetë që kanë qëlluar një numër i vogël njerëzish që mund të jenë dy ose tre persona që tashmë janë të identifikuar. Operacioni vazhdon normalisht, sot (dje) po kryejmë veprime për asgjësimin e bimëve narkotike dhe kanabi sativa. Njëkohësisht po bëjmë me forcat speciale një operacion kërkimi për personat nga zonat që jemi qëlluar apo ku është qëlluar helikopteri. Deri tani gjërat po ecin normalisht nuk kemi ndonjë problem”. Ditën e djeshme Policia e Shtetit ka nxjerrë një listë me 10 persona si të dyshuarit që kanë qëlluar më armë kundër policisë.

I pyetur për këtë listë Didi tha: “Të dyshuar janë 10 persona ndërsa nga punonjësit e policisë që ndodheshin në zonën ku është qëlluar helikopteri informacionet janë që është qëlluar nga dy drejtime. Ne dyshojmë që mund të jenë dy ose tre persona pjesa tjetër mund të jenë bashkëpunëtorë”. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi dhe ndihmën e banorëve të zonës për përfundimin sa më shpejt të operacionit. “Nëse do të kemi ndihmën e pushtetit lokal, ndihmën e banorëve që do të na japin të dhëna mbi peronat që kanë qëlluar kundër policisë do të jetë një ndihmë shumë e madhe, e para e punës kjo eliminon lodhjen dhe ndihmon në kapjen e tyre” tha Artan Didi. “Do të vazhdojmë operacionin disa ditë në këtë zonë por është më tepër terreni i thyer që krijon vonesa, ndarja dhe kërkimi nëpër faqet e malit do të kërkojë disa ditë kohë. Ky operacion nuk mund të krahasohet me atë të Lazaratit sepse ky është më tepër një operacion që lidhet me asgjësimin e bimëve narkotike, këtu nuk kemi të bëjmë më një kundërvënie në grupe të mëdha kundër policisë dhe mund të themi që situata është më e qetë, banorët janë indiferentë ndaj veprimeve të policisë, vazhdojnë punët e tyre të përditshme. Ne, policia e shtetit duam të japim mesazhin se kontrollojmë çdo metër katror të vendit”.

Operacioni vazhdon deri në asgjësimin e bimës së fundit

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, pas takimit me efektiva të Policisë së Shtetit, që po vijojnë prej 3 ditësh operacionin e gjerë për asgjësimin e bimëve narkotike në qarkun e Shkodrës dha një prononcim për mediat. Ministri u shpreh se Operacioni i Policisë, i nisur prej disa ditësh po afrohet drejt fundit. “Pas operacionit në Lazarat, nga përmasat dhe përfshirja e forcave të Policisë, dhe nga rezultatet e aktivitetit kriminal në kultivimin e lëndëve narkotike, është operacioni i dytë më i madh. Policia ka kryer një punë të shkëlqyer, mbetet për të parë si do të vijojë punë edhe me ata njerëz të cilët janë identifikuar si të përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të bimëve narkotike” tha Tahiri. Ndërsa bëri dhe një thirrje për personat që qëlluan me armë kundër policisë. “Unë ju bëj thirrje të dorëzohen, as të mos e çojnë ndër mend se mund të përballen me Policinë e Shtetit dhe as të mos e çojnë ndërmend se mund t’i bëjnë bisht përgjegjësisë penale, që lidhen me aktivitetin kriminal që kanë kryer deri tani, por edhe me kundërshtimin me armë të forcave të Policisë. Në jemi shumë të vendosur që këtë operacion ta mbyllim me sukses, ashtu siç jemi shumë të vendosur që luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve ta çojmë deri në fund” nënvizoi Ministri. I pyetur nëse ka persona të identifikuar që kanë mbjellë lëndë narkotike Ministri Tahiri u shpreh “Policia e Shtetit ka bërë me dije një listë me persona që dyshohen si të implikuar, bashkë me Prokurorinë jemi në fazë hetimesh intensive. Dimë shumë më shumë ne, për aktivitetin e atyre që deri tani kanë mbjellë lëndë narkotike, sesa ja u merr mendja vetë atyre që mund t’i bëjnë bisht përgjegjësisë penale, që do të mbajnë para ligjit”.

Ndërsa thekson se gjithçka do të vendoset sipas ligjit, askush nuk do t’i shmanget përgjegjësisë ligjore. Në lidhje me kohëzgjatjen e operacionit Tahiri tha se ai do të vazhdojë deri në asgjësimin e rrënjës së fundit. Strukturat e Policisë së Shtetit prej orëve të para të ditës së sotme kanë vijuar operacionin e ndërmarrë për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike në komunat e zonës së Dukagjinit, përkatësisht Shllak, Shosh, Pult dhe Temal. Në terren gjatë ditës së sotme, janë angazhuar rreth 200 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, të Komisariatit Special RENEA, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe shërbime të tjera të specializuara, si oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë. Veprimet e strukturave policore drejtohen dhe koordinohen nga drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni, nga shërbimet e policisë në terren është bërë i munduar asgjësimi i mbi 45 mijë rrënjëve bimë narkotike kanabis sativa, ku për çdo rast në vendngjarje janë kryer veprimet procedurale përkatëse. Ky operacion do të vijojë deri në asgjësimin e çdo sipërfaqe të konstatuar të kultivuar me bimë narkotike në këtë zonë. Në lidhje me ecurinë e operacionit Ministri u shpreh se çdo gjë po shkon sipas planifikimi dhe se do vazhdojë deri në asgjësimin e plotë. “Ecuria e deritanishme është sipas planifikimit, kemi realizuar pjesën më të madhe të asgjësimit të bimëve narkotike në ato zona, që i kemi pasur prioritare, që kanë qenë zonat me më tepër kultivim, në ditët në vazhdim do të vazhdojmë në zona të tjera, në komuna të tjera të zonës së Dukagjinit dhe do të qëndrojmë atje deri në rrënjën e fundit” u shpreh Tahiri.

Personat e identifikuar të cilët kanë qëlluar me armë drejt forcave blu

Besnard Bungaja
Gjin Guri
Lekë Thani
Nikollë Shpati
Palë Dushku
Gegë Kola
Mentor Bungaja
Pëllumb Dushku
Nikë Tonaj
Kolë Bungaja

KOMENTE