Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kryeministri Rama në Gjermani. Merr pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor
English

Kryeministri Rama në Gjermani. Merr pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Rama u nis dje për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, e cila do t’i zhvillojë punimet në Berlin. Përpara nisjes, Kryeministri Rama, së bashku me Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj dhanë një konferencë për shtyp, në aeroportin e Rinasit ku prezantuan platformën bazë të diskutimeve në këtë konferencë.

Kryeministri Edi Rama:

Mirëdita të gjithëve!

Për rëndësinë krejt të veçantë që ka java në vijim dhe për peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë që ka për ne si përfaqësues të Shqipërisë Konferenca e Berlinit për Ballkanin, dëshiroj të them disa fjalë me shumë së ç’janë thënë gjatë javës së shkuar. Të nënvizoj se, në radhë të parë, ne i kemi paraqitur të gjithë vendeve një dokument pune për të orientuar dhe koordinuar mes nesh, diskutimin e Konferencës në mënyrë që të kemi një produkt sa më të qëndrueshëm, jo vetëm politik, por edhe në formën e një procesi në vazhdim, për të nxjerrë nga rrugëtimi drejt stacionit tjetër që do të jetë konferenca e viti të ardhshëm, një sërë të mirash për vendin tonë, por sigurisht edhe për gjithë rajonin.

Praktikisht, synimi ynë është që një qasje e re ndaj rajonit, dhe ndaj gjithë vendeve në rajon që janë në rrugën e integrimit, të bëhet e mundur në funksion të një marrëdhënieje të re mes BE-së dhe Ballkanit. Kjo qasje e re, sigurisht, nuk mund të jetë njëplanëshe, por duhet të jetë disaplanëshe e për këtë arsye ne kemi konceptuar dokumentin tonë të bazuar pikërisht në ato shtylla të vendosura paraprakisht si shtylla bazë të diskutimit të Konferencës.

Mbetet me rëndësi të veçantë, pa asnjë dyshim themeli i kësaj Konference që lidhet me një politikë të re që ka nisur në rajon në shtysën e fortë të paqes dhe mbi faktin e thjeshtë se ky është viti i parë që rajoni në historinë vet jeton pa konflikte në kufijtë mes vendeve. Por, pa dyshim, mbi këtë themel duhet ndërtuar edhe një marrëdhënie e re në funksion të rritjes së financimeve për rajonin.

Është e qartë se kriza financiare e ka goditur rajonin dhe përgjithësisht burimet financiare janë vënë në funksion të ndaljes së krizës dhe të administrimit të një faze të ekonomisë që pa burime alternative të forta vështirë se mund të imagjinohet me një rritje të qëndrueshme dhe të lartë në dekadën që vjen. Kjo do të thotë që rajoni të mbetet jashtë gjithë rrugës së zhvillimit europian. Nga ana tjetër do të thotë që rruga e integrimit për secilin nga vendet të vështirësohet, pa llogaritur këtu dhe efektet e forta që mund të ketë kundërreagimi i brendshëm, në tërësi në rajon, si pasojë e mungesës së shpejtësisë në procesin e integrimit, diktuar sigurisht edhe nga gjendja aktuale e Europës së Bashkuar sot.

Janë katër zona ku do të kalojë diskutimi bazuar sipas nesh, në një strukturë që do të shkojë nga infrastruktura rajonale, ku ne kemi ndërtuar tanimë një bllok që përfshin Kosovën, Kroacinë, Malin e Zi dhe Bosnjën për të mbështetur projektin e madh të “Korridorit të Kaltër”, i cili siguron lidhjen e jugut të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë me atë që po e quajmë unazën e turizmit mesdhetar, por siguron edhe një aks strategjik për shkëmbimin intensiv, jo vetëm të njerëzve, por edhe të mallrave në funksion të një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Besojmë shumë që ky projekt është mbështetur me argumente të fortë. Besojmë shumë që ky projekt është në një fazë të avancuar përsa i përket pëlqyeshmërisë, besueshmërisë dhe mundësisë për të qenë i mbështetur.

Së dyti, infrastrukturën hekurudhore rajonale, që kemi shpjeguar se ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për rajonin, por edhe për Europën.

Së treti, qendra apo parqet logjistike dhe portet multimodale.

Së katërti, një shtysë shumë të fortë të mundshme për të mbyllur apo për ngushtuar hendekun shumë të madh mes rajonit dhe pjesës tjetër të Evropës në pikëpamje të teknologjisë dixhitale dhe të aksesit në teknologji të shoqërive të rajonit.

Shtylla e dytë është energjia, siguria energjetike dhe infrastruktura energjetike. Ne e fillojmë nga një pozicion i fortë si një rajon për shkak të përfshirjes në projektin TAP. Por, sigurisht, mbetet për të insistuar që të nxisim investime, që të garantojmë gjithë ndërlidhshmërinë brenda për brenda rajonit për të garantuar edhe përfshirjen jo vetëm të rajonit, por edhe të BE-së dhe rajonit, në një rrjet të integruar të energjisë, që padyshim do të kishte jo pak influencë edhe në stabilitetin energjetik të gjithë kontinentit tonë.

Së treti, do të argumentojmë domosdoshmërinë për të siguruar në afat të mesëm dhe të gjatë financime për të mbështetur sipërmarrjen, por për ne një rëndësi të veçantë ka mbështetja për rritjen e arsimit profesional, bazuar mbi modelin gjerman.

Së fundi, turizmi si një sektor vibrant shërbimesh dhe strategjik për ekonominë e pjesës më të madhe të rajonit, por me influencë në të gjithë rajonin, është një shtyllë e rëndësishme e diskutimeve, ku padyshim dhe ne do të themi fjalën tonë.

Dua ta mbyll këtë prezantim duke thënë se jemi në një moment shumë të rëndësishëm për nga potenciali që kjo kohë ka, dhe për faktin se ka një dakordësi të përgjithshme në rajon. Gjë që sigurisht përbën edhe një shtysë të fortë nga ana e palës tjetër për t’ju afruar rajonit në një tentativë të re që të gjithë së bashku ne ta çojmë në një fazë të re ekonominë dhe jetën sociale të të gjithë rajonit dhe të bëjmë të mundur që e gjithë problematika objektive e procesit të integrimit për secilin nga vendet të kundërbalancohet me një proces të fuqishëm ndërveprimi rajonal e dhe zhvillimi e bashkëpunimi ekonomik në të gjithë rajonin.

Në këtë funksion ne kemi propozuar që të shkojmë më tutje se sa kuadri i investimeve në Ballkanin Perëndimor, një strukturë mbi të cilën, pa as më të voglin dyshim mund të ngrihet një mekanizëm më i fortë qeverisës, në mbështetje të vendeve të rajonit dhe përmes të cilave vendet e rajonit të kenë një stacion ndërveprimi qoftë me palën gjermane si e tillë dhe qoftë me të gjithë strukturën e BE-së.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati:

Përshëndetje të gjithëve!

Në vijim të asaj që tha Kryeministri, unë do të doja të informoja opinionin publik që për herë të parë BE i prezantohet një dokument programativ nga vendet e rajonit dhe në rastin në fjalë nga Shqipëria, që është tregues i faktit të pronësisë lokale mbi këtë proces dhe mënyrën se si ne shohim strukturimin e mëtejshëm të këtij procesi, kryesisht në një rrethanë shumë të rëndësishme gjeopolitike që rajoni dhe Europa kalojnë sot për sot.

Europa sot për sot ka dy kërcënime, një që vjen nga lindja dhe një tjetër që vjen nga kufiri jugor. Në kufirin jugor por edhe në kufirin lindor, ne mendojmë që rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të transformohet më tej në një histori suksesi. Në kuptimin politik të fjalës ku do të fokusohet edhe tryeza, edhe diskutimet e ministrave të punëve të jashtëm të rajonit, të vendit mikpritës dhe të vendeve të tjera pjesëmarrëse kryesore të BE-së, pikërisht se si paqja dhe procesi i normalizimit që ka filluar në rajon, të shoqërohet me tej me procesin e ripajtimit të rajonit dhe bashkëpunimit më të përforcuar rajonal që do ta afronin rajonin tonë me BE-në.

Po kaq e rëndësishëme është edhe rrethana në të cilën ndodhet vetë BE-ja, ndoshta një lloj programi që është paraqitur nga Presidenti i KE-së, ku është bërë e qartë se në 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë një zgjerim të BE-së, por është shumë i rëndësishëm që procesi i afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në të jetë edhe me i strukturuar si në aspektin politik, ashtu edhe për sa i përket projekteve të karakterit ekonomik, që të ritransformonin në radhë të parë vendet tona në një rajon të vërtetë dhe në radhë të dytë do të afronin fizikisht, përmes projekteve konkrete që pala shqiptare në bashkëpunim me vende të këtij rajoni propozon, siç iu referua Kryeministri, për ta afruar rajonin dhe për ta lidhur fizikisht me BE-në.

Se treti, është një realitet që Europa e përjetoi në rastin e krizës në Ukrainë dhe tashmë në rastin e krizës në Lindjen e Mesme, nevoja për diversifikimin e burimeve energjetike, ku Shqipëria dhe ky rajon ka një pozitë kyçe, sidomos Shqipëria për shkak është vendi ku do të ndërthuren dy projekte gjeostrategjike TAP-i dhe IAP-i dhe korridoret e reja ku ne synojmë që të propozojmë dhe të bashkëbisedojmë me palën gjermane dhe me vendet e tjera, në këtë konferencë.

Së fundi, dhe jo më pak i rëndësishëm, Ballkani është transformuar dhe ka ardhur në ditët e sotme falë perspektivës së anëtarësimit në BE-së, falë mbështetjes së SHBA-ve. Ne besojmë se duke u afruar Ballkani drejt BE-së, nuk është thjesht një interes strategjik i Ballkanit, por është një interes gjeostrategjik i vetë BE-së. Do të përpiqemi së bashku me vendet e tjera ta bëjmë këtë të qartë jo vetëm thjesht nëpërmjet këtij takimi, por edhe procesit që ne do të gjenerojmë nga ky takim.

Faleminderit!

Kryeministri Rama i përgjigjet interesit të medias:

Gjatë këtyre ditëve ju keni zhvilluar takime me homologët tuaj, por edhe me përfaqësues të tjerë të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. I keni paraqitur këtë dokument që do të diskutoni në Berlin dhe çfarë keni marrë prej tyre?

Dokumenti, që siç e nënvizoi Ministri i Jashtëm është i pari i këtij lloji, që Shqipëria i paraqet Bashkimit Europian dhe i paraqet një forumi të kësaj natyre është ndarë me palën gjermane, natyrisht, me të gjithë qeveritë e rajonit dhe pjesëmarrëse, po ashtu, me Komisionin, dhe me gjithë pjesëmarrësit e tjerë që do të jenë në Konferencë dhe që janë pjesë e një procesi që fillon me Konferencën e Berlinit, por do të vazhdojë siç e ka nënvizuar edhe kancelarja, viti pas viti, për të bërë bilancin dhe për të çuar më tutje, këtë ndërveprim që e fut çdonjërin nga vendet tona, por gjithë rajonin tonë, në një fazë të re marrëdhëniesh me Bashkimin Europian.



Zoti Kryeministër, duke qenë se Kosova nuk do të jetë pjesë e këtij Forumi, a do të jetë në fjalën tuaj, do të ketë një qëndrim për Kosovën?

Së dyti, kur keni ardhur në fillim të mandatit tuaj në pushtet, kishte një deklaratë që Turqia do të ishte partneri juaj strategjik. Duke pasur parasysh këtë erë të re marrëdhëniesh me Gjermaninë dhe duke pasur parasysh mënyrën si shihet Turqia nga Bashkimi Europian, kemi një ndryshim të qëndrimit me Turqinë?

Së pari, unë jam i bindur që Klan Kosova do të reagojë ndaj Klan Tiranës për këtë mungesë informacioni, sepse Kosova është e përfshirë në Konferencë. Unë me Kryeministrin Thaçi jam takuar për të rakorduar pozicionet. Me pozicion të rakorduar kam diskutuar në takimin e djeshëm të Dubrovnikut.

Ndërkohë përsa i përket Turqisë. Po, Turqia është partneri ynë strategjik. Sëbashku me Italinë dhe Greqinë janë tre partnerët tanë strategjikë në funksion të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik e social të rajonit. Nuk ka absolutisht, asnjë ndryshim në këtë aspekt.



Për të mbetur tek konferenca e Berlinit, shumë e rëndësishme, do të doja një koment në lidhje me deklaratën e Presidentit në Austri. Po citoj deklaratën: “Mungesa e tolerancës dhe konsensusit dhe qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe qëndrimet autoritare në pozitë, qëndrimi në pritje në vend të marrjes së nismave janë shfaqje e mentalitetit të shkuar, të cilët ngadalësojnë procesin e zhvillimit të demokracisë dhe të reformave.” Do të doja një koment?

E thënë nga një anëtar i vjetër i PD-së, kjo ka absolutisht, besueshmëri. Mjafton t’i referohemi PD-së në qeveri dhe PD-së në opozitë, për të kuptuar sesa e vërtetë është kjo që ka thënë Presidenti.



Në fakt dje zonja Merkel nuk ka mohuar faktin se Shqipëria po përgjohet. A do ta diskutoni ju këtë çështje me zonjën Merkel, përtej konferencës?

Jo. Besoj që askush nuk dyshon që Gjermania është një vend jo vetëm thellësisht demokratik, por edhe në mënyrë themelore, i rëndësishëm si një vend lider në Europë, si një vend me rëndësi të dorës së parë në NATO. Besoj se askush s’e ka harruar që ne jemi pjesë e NATO-s, ne jemi pjesë e së njëjtës familje vendesh demokratike që bashkëpunojnë dhe luftojnë për më shumë siguri dhe kur bëhet fjalë për sigurinë, gjithmonë e më shumë përpjekja për informacion dhe për veprim për të garantuar sigurinë, nuk njeh kufij. Kështu që besoj që nuk na shkon aspak që ta zmadhojmë një gjë të tillë. Sigurisht, duke mos i hequr asnjë presje gjithçkaje që tha Kancelarja, ne, në rrugët normale diplomatike do të bëjmë edhe atë shkëmbim informacioni të nevojshëm për të pasur qartësinë mbi këtë çështje. Por e përsëris, asnjë e keqe nuk i vjen Shqipërisë, nëse Gjermania apo vende të tjera aleate në funksion të sigurisë, në këtë fazë të jetës së botës dhe të jetës së vendit tonë përfshirë, kur siguria kërcënohet nga faktorë jashtëzakonisht agresivë dhe të paparashikueshëm lidhur me terrorizmin, të bëjnë punën e tyre.



Zoti Kryeministër, jeni shprehur në Dubrovnik që do t’i flisni BE-së me gjuhën e Ballkanit për ta bindur. Si është kjo gjuhë?

Ne ishim sëbashku me Kryeministrin kroat dhe Kryeministri kroat përfaqëson një vend të Bashkimit Europian dhe vjen në Konferencë si anëtar i klubit të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ndërkohë që ne nuk jemi anëtarë të atij klubi. Kështu që kjo do të garantojë që gjuha e përdorur të jetë komplementare mes gjuhës së një vendi që është anëtar i Bashkimit Europian dhe gjuhës tonë që nuk jemi anëtar i Bashkimit Europian. Nuk ka asnjë gjë për të zbuluar në këtë thënie. Por, unë i kam mbetur gjithmonë besnik bindjes sime se Europa e Bashkuar ka nevojë për Ballkanin, po aq sa çka nevojë Ballkani për Europën. Europa e Bashkuar ka nevojë për Shqipërinë, po aq sa çka nevojë Shqipëria për Europën. Kur them Shqipëria, nuk ka parasysh vetëm Shqipërinë zyrtare, por kam parasysh shqiptarët që janë një faktor me një rëndësi të jashtëzakonshme për rajoni dhe për Europën, si pasojë e gravitetit të madh që rajoni ka në lidhje me shqiptarët.

Shqiptarët është koha që të vlerësohen shumë më tepër për atë që janë dhe kanë qenë për rajonin. Besoj që janë investitorët më të mëdhenj, më të qëndrueshëm dhe më të palëkundshëm për paqen në rajon, qysh në krye të herës. Sigurisht që kanë një potencial të jashtëzakonshëm, por nga ana tjetër janë dhe një faktor që ka brishtësinë e vet për arsye të natyrës ekonomike, për arsye në natyrës sociale, për arsye të natyrës fetare. E, në këtë aspekt, ne duhet të vazhdojmë të ngremë shumë fort zërin, që shqiptarët përbëjnë një aset të paçmuar për Europën, sepse janë europianë myslimanë dhe të krishterë, janë europianë që si tillë meritojnë më shumë respekt dhe më shumë vëmendje. E për të marrë më shumë respekt dhe më shumë vëmendje, ne kemi praktikisht, ndërtuar një politikë të jashtme që është kjo që shikoni përditë dhe që na ka dhënë rezultate konkrete, në rritjen e shpejtë të imazhit të Shqipërisë dhe në rritjen e shpejtë të respektit për Shqipërinë dhe për një vend si i yni, pavarësisht problemeve që ka dhe as i mohojmë dhe as do t’i mohojmë ndonjëherë. Kjo është me një rëndësi të veçantë dhe për këtë arsye, jam i bindur që kjo dinamikë e politikës së jashtme dhe kjo qasje konstruktive, por, në të njëjtin kohë, dinjitoze në raport me identitetin tonë dhe në raport me identitetin tonë si europianë, do të na japë rezultate ende më konkrete dhe ende më të dukshme në të ardhmen, nëse ndokujt nuk i duket mjaftueshmërisht konkret dhe i dukshëm, rezultati i marrjes së statusit, në kushtet e një Europe të stërlëkundur, për shkak të tërmeteve të veta të brendshme.

Faleminderit!

KOMENTE