Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shkolla “Ahmet Gashi” tërësisht e re hap dyert këtë vit shkollor
English

Shkolla “Ahmet Gashi” tërësisht e re hap dyert këtë vit shkollor

Me një investim prej 224,575,485 lekë bashkia e Tiranës ka rindërtuar shkollën “Ahmet Gashi”. Kjo shkollë, do të akomodojë në vitin e ri akademik rreth 1000 fëmijë dhe mësimi do të zhvillohet me një turn.

Shkolla ka 25 klasa, 6 laboratorë; informatike, fizike, kimie, klasa pune, bibliotekë, salla polifunksionale, palestër, etj. Ambientet e jashtme sportive janë të rrethuara me rrjetë teli,godina ka sistem qendror ngrohje me pelet, janë vendosur sinjalizimet dhe sistemet e mbrojtjes kundër zjarrit, godina është e pajisur me panele diellore që mundëson ngrohjen e ujit sanitar për dushet, sistem i furnizimit me ujë është zgjidhur nëpërmjet një depoje 80’000 litra betoni, për të mos patur mungesë të ujit sanitar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka parë nga afër përfundimin e punimeve në këtë shkolle, një investim i Bashkisë së Tiranës i cili do të pasohet nga të tjera projekte të përfunduara.

“Me një kënaqësi të madhe inspektova sot, bashkë me kryetarin e njësisë bashkiake nr.11 dhe prindër të fëmijëve që nga data 15 shtator do të vijnë në shkollën “Ahmet Gashi”, këtë shkollë të standardit europian, të ndërtuar tërësisht me fondet e Bashkisë së Tiranës dhe që do t’u përgjigjet nevojave të mbi 1000 fëmijëve, nxënësve të kësaj zone, e cila ka marrë shërbime të pamjaftueshme në çdo sektor, veçanërisht në sektorin e arsimit 9-vjeçar për shumë vite. Ky investim prej afro 3 milionë dollarësh i bashkisë së Tiranës ka bërë të mundur ndërtimin e një shkolle e cila në çdo parametër ka arritur standardin europian, për të cilin duhet të falënderoj projektuesit dhe ndërtuesin e shkollës, i cili në një kohë rekord arriti objektivin e caktuar nga Bashkia e Tiranës, pavarësisht prej pamundësisë së bashkisë për t’ju përgjigjur me të njëjtin ritëm për sa i përket pagesave, dhe kjo për një arsye të thjeshtë sepse në këtë vepër publike të sapo përfunduar, sikundër në çdo vepër tjetër publike, të qytetarëve të Tiranës, të qytetit të Tiranës, jo të Lulzim Bashës, as të Partisë Demokratike, Edi Rama ka vendosur një bllokada të paparë e të padëgjuar ndonjëherë, atë që s’e ka bërë asnjë kryeministër në historinë e Shqipërisë, as Fatos Nano, as Sali Berisha, as Aleksandër Meksi, as Pandeli Majko, madje as Ilir Meta, ja ka dalë që ta bëjë Edi Rama, ish-kryebashkiaku, i cili ka bllokuar në mënyrë të paprecedentë çdo vepër publike në qytetin e Tiranës”- u shpreh Basha.

Në mënyrë të paprecedentë Edi Rama, tha zoti Basha, ka vendosur të bllokojë çdo investim duke ndëshkuar kolektivisht një qytet të tërë, për shkak të obsesioneve të veta politike. Pas buxhetit, Rama ka bllokuar bulevardin, terminalin multimodal, tramin, projektin e menaxhimit të mbetjeve dhe çdo investim në kryeqytet.

“Dihet që midis pushtetit vendor dhe pushtetit qendror gjithmonë ka pasur fërkime, mosmarrëveshje, aq më shumë kur dy pushtete i kanë përkitur ngjyrave të ndryshme politike, dhe këto mosmarrëveshje herë pas herë kanë qenë edhe në vëmendjen e publikut, kurrë më parë një kryeministër nuk ka arritur nivele të tilla papërgjegjshmërie dhe mllefin që të ndëshkojë kolektivisht një qytet të tërë, për shkak të obsesioneve të veta politike.

Ka bllokuar bulevardin e Tiranës, një vepër e cila për nga rëndësia dhe për nga impakti, është më e madhja në 80 vite të historisë së kryeqytetit, që shtrihet në 1.8 km gjatësi lineare dhe që jep qytetit 7 lulishte të përmasave të Parkut Rinia, në total afro 300 mijë m2 gjelbërim, hapësirë publike, përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve, përmirësim të ajrit. Një profil të ri urban për të gjithë qytetarët e Tiranës.

Ka bllokuar terminalin multimodal të pasagjerëve, i cili në përfundim të punimeve do t’i kursente qytetarëve të Tiranës 6 ton gaz karbonik në ditë, që sot e thithin mushkëritë tona, mushkëritë e fëmijëve tanë.

Ka bllokuar projektin e dhënies me koncesion të mbledhjes dhe të përpunimit të mbetjeve që do të përmirësonte ndjeshëm, cilësinë e mbledhjes së mbetjeve në qytetin e Tiranës, përpunimin e tyre, pa harxhuar asnjë lek më shumë taksapaguesi i kryeqytetit.

Ka bllokuar një sërë projektesh të tjera të rëndësishme për qytetin e Tiranës dhe në të gjitha këto projekte nuk kishte nevojë të jepte asnjë lek, askush nuk i kërkoi asnjë lek, sikundër trami për të cilin projekti është gati, qeverisë nuk i kërkoj asnjë lek, por në bazë të ligjeve duhet të bashkëfirmoste me Bashkinë e Tiranës për t'i hapur rrugë konstruksionit apo ndërtimit me garanci sovrane.

Pra, ai e ka bllokuar jo prej pamundësisë, por prej dufit, prej mllefit politik që i ka zënë sytë, ndërkohë që asnjë nga këto projekte nuk janë të Lulzim Bashës, as të Partisë Demokratike, sikur Tirana nuk është vetëm e Lulzim Bashës, e Partisë Demokratike, por është e qytetarëve të Tiranës. Nuk ka ndodhur kjo. Kur ka qenë kryebashkiak ka marrë fonde nga qeveria qendrore. I ka marrë, po si ka marrë ai, i ka marrë qyteti, i kanë marrë qytetarët e Tiranës, sepse kështu funksionojnë gjërat në një vend normal, me një kryeministër normal me buonsens. Nuk është kjo situata. Këto projekte vazhdojnë të jenë të bllokuara nga një njeri i papërgjegjshëm, hakmarrës, ndaj qytetit të Tiranës, ndaj qytetarëve të Tiranës. Kjo është situata që përballet sot Bashkia e Tiranës, buxheti i së cilës duhet të shkonte në gjykatë të bllokohej, është çbllokuar në korrik me urdhër gjykate, sepse Edi Rama e bllokoi, duke bllokuar shpronësimet e varrezave, duke bllokuar ndërtimet e reja të shkollave, të çerdheve, të kopshteve, të infrastrukturës rrugore”- u shpreh Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka shprehur angazhimin dhe vendosmërinë e tij, që pavarësisht angazhimit të gjithë strukturave qeveritare nga Edi Rama për të bllokuar punën e bashkisë, të vijojë punën në përmbushje të misionit për t'i shërbyer qytetarëve të Tiranës.

“Sot po i japim një përgjigje! Sado luftë politike të zhvillojë ndaj Bashkisë së Tiranës, kundër qytetarëve të Tiranës, unë si kreu i Bashkisë jam i vendosur ta drejtoj Bashkinë e Tiranës në përmbushje të misionit të saj për t'i shërbyer qytetarëve të Tiranës. Sot nisim sezonin e përfundimit të disa veprave publike të rëndësishme, për të cilën dua të falënderoj kontraktorët që kanë punuar në kushte jashtëzakonisht të vështira, shumë prej tyre nuk i kanë marrë ende paratë, për shkak të këtij bllokimi paradoksal politik. Por, puna ka vazhduar dhe puna do të vazhdojë. E keqja mund të ulet këmbëkryq për një çast, për një ditë, për një afat kohor, por e keqja s'mund të triumfojë kurrë përgjithmonë në shtëpinë e përbashkët të shqiptarëve që është qyteti i Tiranës”- deklaroi Basha.

KOMENTE