English

Rama ligjëratë në Universitetin e Financave dhe Ekonomisë të Tianjinit

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar special për të mbajtur një leksion në Universitetin e Financës dhe ekonomisë të Tianjinit, një nga 15 universitetet më të mira në Kinë. Në fjalën e tij Kryeministri ndër të tjera u shpreh:

Kryeministri Rama:

“Qeveria jonë e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013 me moton e Rilindjes është e vendosur të ndryshojë modelin ekonomik të vendit, që, si burim kryesor të të ardhurave ka pasur remitancat nga emigracioni e si sektorin më jetësor, industrinë e ndërtimit.

Kjo është arsyeja pse në çeljen e një shtegu të ri që çon në zhvillim ekonomik, jemi të vetëdijshëm se na duhet të mendojmë me maturi e të shfrytëzojmë në mënyrë të mençur vendndodhjen tonë në zemër të Evropës, pasuritë natyrore e popullsinë e dytë më të re të kontinentit europian.

Ne po punojmë me këmbëngulje për eliminimin e disa pengesave kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm, si informaliteti dhe çështjet e pronësisë, duke u siguruar që, të paktën 70% e pronarëve të tokave, të zotërojnë titujt e plotë të pronësisë mbi tokën e tyre deri në fund të këtij mandati.

Në të njëjtën kohë, duke ndërmarrë reforma në tatime e dogana, reformën administrative, si edhe duke zhvilluar një proces të vazhdueshëm liberalizimi e novacioni, qeveria po trajton një sërë problemesh që janë thelbësore, qoftë për ekonominë, ashtu edhe për shoqërinë.

Në lidhje me çështjet ndërsektoriale, një tjetër aspekt kyç është qasja e qeverisë kundrejt investuesve dhe sipërmarrësve.

Që prej një viti, tashmë, qeveria e re ka nisur të ndërtojë një raport partneriteti me komunitetin e biznesit dhe investuesit.

Në këtë drejtim ne e dinim se gjëja e parë për t’u bërë ishte konceptimi i një pakete të qartë rregullash mbi të cilat të bëhej biznes në vend.

Për koalicionin qeverisës në Shqipëri, rilindje nënkuptonte, para së gjithash, një ndryshim të qasjes ndaj qeverisjes, që do t’u jepte qytetarëve një qeveri të njerëzve për njerëzit dhe një kabinet qeverisës të udhëhequr nga ndjenja e detyrës jo e pushtetit.

Megjithatë, kam mësuar një gjë gjatë punës sime të përditshme, që ajo çka ka më shumë rëndësi është të realizosh gjërat.

Kjo është një arsye më shumë që na shtyn të kërkojmë një bashkëpunim më të ngushtë me Kinën dhe të shfrytëzojmë investimet kineze në fusha të ndryshme si bujqësia, turizmi, energjia, infrastruktura e me radhë.

Së fundmi qeveria ka miratuar një paketë masash mbështetëse për sektorin e manifakturës, i cili përfshin dhënie të hapësirave publike me qira prej 1 euro në vit, për disa vite radhazi, mbështetje për trajnimin e punonjësve, si dhe mbështetje për shpenzimet e sigurimeve të tyre shoqërore.

Duke përmendur rajonin, dua të them se Shqipëria po ndryshon, ashtu sikurse Ballkani po ndryshon. Këtë vit, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore, do ketë shumë kujtesa të një historie më pak të lumtur, të një lufte që zuri fill në rajonin tonë e u përhap duke përfshirë kontinente dhe vrarë miliona.

Kështu, sot, në vitin 2014, ndryshe nga viti 1914, për shkak të të gjitha sfidave me të cilat përballemi, bota është më e mirë në shumë drejtime; më e sigurt për shumë, më e begatshme, me mundësi më të mëdha për të gjithë ne.

Rajoni ynë po përjeton paqe dhe, besoj se të gjithë ne së bashku, politikanë, investues, aktorë qeveritarë e shoqërorë, duhet ta bëjmë një paqe e cila vlen të jetohet.”

Në përfundim të fjalimit të tij, Kryeministri u takua edhe me ekipin e basketbollit të femrave të universitetit, i cili është zgjedhur për 9 herë rresht kampion në Kinë.

KOMENTE