Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Jeni në dilemë për modën e sezonit? Lexoni
English

Jeni në dilemë për modën e sezonit? Lexoni

Veshjes gjithmonë i kushtojmë një vëmendje të veçantë, por me ndërrimin e stinëve gjithmonë vihemi në vështirësi për të zgjedhur veshjen e duhur. Gardëroba jonë ndryshon dhe ne nuk e kemi idenë se cila është veshja, ngjyra apo prerja më në modë e sezonit që sapo ka hyrë. Të gjithë u drejtohen revistave dhe internetit për të krijuar një ide se si duhet të vishen. Ky sezon ofron një modë shumë të larmishme, e cila e ka marrë spunton nga pasarelat më të mëdha në qytetet e modës në të gjithë botën. Për gazetën “Shekulli” stilistja Zina Kondi tregon se si duhet të vishemi për të qenë sa më afër modës së fundit. Ajo jep këshillat e saj për kombinimin e veshjeve dhe përzgjedhjen e aksesorëve më të veçantë. Stilistja e njohur orienton vajzat drejt thjeshtësisë pasi sipas saj të jesh “in” në modë nuk do të thotë të bësh blerjet e fundit por të dish të përzgjedhësh elementë. Ajo tregon tendencat e fundit në copa dhe në prerje. Tendenca e kësaj vjeshte janë veshjet me dy copa dhe me relieve.

Cilat janë tendencat e sezonit të vjeshtës për këtë vit?

Në përgjithësi nuk është më ajo tendenca e luleve dhe e dizenjove që ishte sezonin e verës, por po punohet me materialet e copave. Po krijohen modele me anë të kombinimit të copave me njëra – tjetrën. Tendencë për këtë vjeshtë mund të them është alternimi i copave. Krijohen veshje me një copë bazë të trashë dhe me një copë tjetër të hollë sipër që krijon reliev. Me këto copa krijohen modele me anë të tegelave që i lidhin të dyja. Këto tegela nuk janë linearë, por të çrregullt duke krijuar kështu forma të ndryshme lulesh dhe dizenjosh. Kjo mënyrë e dizenjimit të veshjeve bëhet si me copa të trikotuara e deri te copat e mira.

Çfarë të veçantë ka ky sezon ndryshe nga sezonet e tjera që bën diferencën?

Ajo që mund të them është që, moda ka ardhur duke u rafinuar dhe është bërë më fine. Në përgjithësi tani nuk janë më ato dekoltetë e mëdha që ishim mësuar t’i shihnim. Kur them që moda është bërë fine, nënkuptoj që është më me nivel dhe klas. U ezauruan lulet dhe ngjyrat dhe po kalojmë në copat lisho e po i jepet prioritet jakave te xhaketat dhe palltot.

Si do të jenë ideuar xhaketat dhe palltot e këtij sezoni?

Ato do të jenë të ideuara pa astar. Do të jenë të qepura në atë mënyrë që mund të vishen nga të dy anët. Kjo jo për efektin e përdorimit por për nivelin e klasit.

Cila do të ishte një veshje praktike dhe e veçantë për këtë vjeshtë?

Unë personalisht nuk do të isha shumë për pantallonat e gjëra sepse nuk janë shumë komode dhe rrezikon shumë kur i vesh. Veshjet varen nga cili stil zgjedh të kesh. Nëse në verë kanë qenë shumë praktike bluzat e shkurta tani nuk janë më. Tani mund të them se janë trikot me kopsa, por që mbërthehen vetëm sipër jo në pjesën e poshtme. Po u jepet vëmendje edhe bluzave të gjera që ne i quajmë sportive, por që janë shumë të kuruara. Fustanet në këtë verë të japin idenë sikur ke veshur një fund dhe një bluzë pasi pjesa e sipërme është e derdhur dhe e lirshme ndërsa pjesa e poshtme është e ngushtë. Në përgjithësi veshjet e këtij sezoni do të jenë prerjet lisho e të gjera.

Çfarë copash përdoren më shumë?

Në përgjithësi për veshjet përdoren materialet e lehta. Edhe lëkura vazhdon të përdoret, por gjithmonë e kombinuar me një material tjetër.

Cila është tendenca e kësaj vjeshte për këpucët, si janë ideuar ato?

Këpucët për këtë sezon janë ideuar pak burrërore. Mund të përmend si shembull koleksionin e ri të Victoria Beckham, i cili ka bërë vërtet shumë bujë. Këto këpucë vijnë si formë e çizmeve të shkurtra, por janë me majë dhe tabani i tyre është i trashë.

Cilat do të jenë ngjyrat më në modë në veshjet tona në këtë periudhë?

Ngjyrat më të përdorura tani kanë filluar të jenë ngjyrat flu, që nuk i përcakton dot se çfarë janë, pasi kanë nuanca mes grisë, blusë dhe jeshiles. Për bazë janë dizenjot lisho dhe brenda një veshje kombinohen dy ose tre nuanca.

Çfarë nuk duhet të mungojë asnjëherë në gardërobën e një vajze?

Për mua nuk duhet të mungojë asnjëherë çanta, por jo të ngarkuar, pasi është sendi më praktik dhe i domosdoshëm për çdo femër. Çanta nuk duhet të konsiderohet si një magazinë tek e cila mund të fusim gjithçka, pasi e bëjmë shumë të lodhshme mbajtjen e saj. Mirë është që të zgjedhim çanta të bukura dhe praktike.

Cilat janë këshillat tuaja për një vajzë që dëshiron të jetë gjithmonë “in” në fushën e modës?

Të jesh “in” në modë nuk do të thotë që gjithmonë të ndjekësh hap pas hapi modën, por duhet që të kapësh elementët që ka moda. Tani moda po orientohet drejt thjeshtësisë. Edhe tualeti po bëhet flu dhe me ngjyra natyrale. Sidomos vajzat duhet të mos jenë të lyera të ngarkuara shumë. Nuk them se ka ikur moda e ngjyrave, por nga sezoni i kaluar kjo u ezaurua dhe ngjyrat, dizenjot, lulet nuk japin më atë kontrast. Nëse vajzat marrin dije në fushën e modës mund të realizojnë paraqitje të bukur me gjëra shumë të thjeshta.

Aksesorët

Ç’mund të themi për aksesorët, si do të jenë ata këtë vjeshtë? Aksesorët e kësaj vjeshte nuk do të jenë aq të mëdhenj sa ato të sezonit që lamë pas. Do të jenë me zinxhirë fin dhe do t’i jepet prioritet mbërtheckës së tyre. Ato do të jenë të ngjashme me ato të bizhuve me vlerë. Mbërtheckat do të jenë të ideuara në forma të bukura rrumbullake, të cilat futen te njëra-tjetra dhe ngjajnë shumë bukur. Do të jetë diçka e ngjashme me bizhutë e Tiffany-t. Pastaj një aksesor që nuk ikën asnjëherë nga moda janë shallet. Kjo sepse ato janë funksionalë dhe shërbejnë për kombinime ngjyrash në veshje të ndryshme. Përdorimi i shalleve është shumë praktik për këtë stinë që temperaturat luhaten shpesh. Një shall supeve do të ishte zgjedhja më e mirë në një pasdite të freskët.

Flokët e shkurtër dhe grimi natyral, zgjedhja e sezonit

Zgjedhja që kanë bërë stilistët e ndryshëm për të nxjerrë në pasarelë modele me flokë të shkurtër ka qetësuar sedrën e mjaft vajzave. Me mbarimin e sezonit të verës pothuajse të gjitha femrat vuajnë nga flokët e dëmtuar nga dielli. Pavarësisht maskave të ndryshme shmangia e majave të dyfishta bëhet me anë të prerjes. Mirëpo, ky veprim nuk do të jetë më aq i mërzitshëm, pasi flokët e prera shkurt do të jenë trendi i këtij sezoni të ri Vjeshtë 2014. Flokët e shkurtra, janë parë si një alternativë për të sjellë një imazh femre, e cila tregon një besim të caktuar në vetvete. Por kjo nuk do të thotë që të gjithë të vrapojmë të presim flokët, pasi jo të gjitha femrave u përshtatet ky model. Flokët e shkurtra duhet t’i përshtaten personalitetit tuaj dhe formës së fytyrës. Një rregull që duhet mbajtur mend është se nëse fytyra juaj është e “gjatë” atëherë modeli i flokëve të shkurtra do të ishte ideal për ju. Një tendencë tjetër që është vënë re janë flokët e kapura bisht. Ky stil shumë i thjeshtë, me vijë në mes dhe pa volum u shkon shumë fytyrave të imta dhe me pak ballë. Një alternativë tjetër shumë praktike janë flokët gërshetë dhe të kapura nga pas.

Grimi i pakët dhe natyral për të qenë fashion

Edhe pse ngjyrat ishin shumë në modë në verë , tani vendin e tij e zë grimi nude. Çdo sezon, ai rikthehet dhe nuk del nga moda. Një grim me ngjyrat e tokës do t’ju japë një pamje të sofistikuar. Për të fiksuar makijazhin, theksuar trajtat e fytyrës dhe pamjen tuaj dhe ngjyrën e bronztë që keni marrë në verë, përdorni një pudër mat. I gjithë ky tualet ruan freskinë e moshës dhe nxjerr në pah ngjyrën e plazhit. Vetullat e trasha, qepallat e syve me shkëlqim dhe një shikim shik janë tendencat e fundit të vjeshtë 2014. Tendenca e këtij sezoni mbështetet në grimin e syve, duke u mjaftuar vetëm me një laps apo dhe me një ton natyral duke krijuar hije. Ngjyra kaki pasqyrohet mjaft mirë edhe në nuancat e syve. Ajo është padyshim ngjyra e këtij sezoni vjeshte dhe që mbi të gjitha është shndërruar në një ngjyrë themelore që nuk duhet t’i mungojë askujt. Gjithçka varet nga forma dhe madhësia e syrit tuaj dhe nga fakti se çfarë dëshironi të theksoni në portretin tuaj. Risia e fundit janë qepallat e syve me shkëlqim. Edhe për buzëkuqet mund të themi të njëjtën gjë. Mjaftohuni me një buzëkuq natyral i cili vetëm të theksojë konturet e buzëve tuaja, por jo t’i zmadhojë ato. Ngjyrat e lehta janë më të preferuarat.

Stili Rock

Megjithëse sezoni i vjeshtës është i prirur drejt thjeshtësisë stilistët kanë menduar edhe për personat e guximshëm. Ngjyrat me shkëlqim apo me xixa si dhe ato me njolla të përhapura, tregojnë se si stilistët mendojnë edhe për raste festive. Fustanet (të shkurtër dhe të gjatë) dhe pantallona të modeleve të ndryshme të mahnitin në shikim të parë me shkëlqimin e ngjyrave. Ky shkëlqyes, këtë herë nuk është i pranishëm vetëm për sytë, por kësaj radhe edhe në tërë stilimin e përgjithshëm të veshjeve.

Loja e tejdukshmërisë

Fustanet me ngjyra të errëta, ofrojnë më shumë pamjen apo gjendjen artistike të vjeshtës. Detaje të çmuara janë si rezultat i dëshirës për elegancë. Një nga karakteristikat më të rëndësishme që përcakton këtë trend është transparenca, e cila duhet ditur si të përdoret. Në shumë modele ajo është përdorur te krahët ose te beli. Koleksioni i lojës së tejdukshmërisë, dantella dhe forma e rregullt e modeleve, të gjitha së bashku japin kuptim të madh trendeve të modës.

Ekstravaganca

Për shumë vajza të jesh fashion nënkupton të jesh ekstravagante dhe e ndryshme nga të tjerat! Moda, e cila mund të përshkruhet si e veçantë i çon shumë vajza të guxojnë, ndonjëherë edhe më shumë se ç’duhet. Disa nga kombinimet janë të dizajnuara me të vërtetë vetëm për ato më të guximshmet, ato që guxojnë të rrezikojnë dhe eksperimentojnë me veshjet. Edhe këtë verë stilistët kanë krijuar veshje për këtë kategori shijesh, e cila ndërthur copa të ndryshme me lëkurën si edhe i kombinon ato me aksesorë zinxhiri. Një tjetër guxim është në kombinimin e ngjyrave si blu dhe rozë në xhaketat apo palltot.

Veshjet sportive

Sportive dhe me stil? Po, është e mundur në këtë sezon. Me ndihmën e stilistëve botërorë, edhe sporti është shndërruar pikë e domosdoshme e modës. Dashamirët e sportit dhe të modës do të mund t’i gëzohen kombinimeve të mrekullueshme të stilit sportiv. E thjeshtë, por njëkohësisht shumë e veçantë. Një risi vërtet e bukur dhe praktike janë bluzat e gjera, të cilat mund të jenë të kombinuara me relieve ose dizenjo. Megjithëse janë shumë të thjeshta dhe praktike ato ofrojnë një pamje shumë të këndshme të kombinuar me funde ose pantallona të ngushta. Koleksionet për vjeshtë 2014 mund të klasifikohen në disa ngjyra që do të përdoren – leopard, portokalli, e kaltër, gri. Nuk mungojnë edhe kombinimet me print të kafshëve si dhe motive floreale apo me lule.

KOMENTE